Vëre Besimin Tënd në Atë Shpirt që Drejton për të Bërë Mirë
Ne vijmë më pranë Shpëtimtarit kur ne, për shkak të dashurisë së pastër, u shërbejmë të tjerëve për Të.
Jam mirënjohës që jam me ju në këtë mbrëmje adhurimi, përsiatjeje dhe përkushtimi. Jemi lutur së bashku. Ati ynë i dashur Qiellor na ka dëgjuar. E kemi kujtuar Shpëtimtarin tonë, Zotin Jezu Krisht, ndërkohë që jemi prekur nga himne përlëvdimi drejtuar Atij. Jemi frymëzuar të bëjmë më shumë për ta ndihmuar Mësuesin tonë në punën e Tij, që t’i ndihmojmë e ngushëllojmë fëmijët e Atit tonë Qiellor.
Dëshira jonë për t’u shërbyer të tjerëve shtohet nëpërmjet mirënjohjes sonë për atë që Shpëtimtari ka bërë për ne. Kjo është arsyeja përse zemrat tona mbushen me gëzim kur i dëgjojmë të këndohen fjalët: “Sepse mua shum’ m’ësht’ dhën’ dhe un’ duhet të jap”. Mbreti Beniamin, në predikimin e tij të madhërishëm, të shënuar në Librin e Mormonit, premtoi që ajo ndjenjë mirënjohjeje do të vinte (shih Mosia 2:17–19).
Kur besimi ynë në Jezu Krishtin na bën që të kryejmë gjëra që na bëjnë të denjë për gëzimin e faljes së Tij, ne ndiejmë dëshirë që t’u shërbejmë të tjerëve për Të. Mbreti Beniamin dha mësim se falja nuk përmbushet në një çast të vetëm.
Ai e tha në këtë mënyrë: “Dhe tani, për hirin e këtyre gjërave që unë ju kam folur – që është për hirin e ruajtjes së një heqjeje të mëkateve tuaja nga dita në ditë, që ju të mund të ecni të pafajshëm para Perëndisë – unë do të doja që ju t’u jepni nga pasuria juaj të varfërve, çdo njeri sipas asaj që ka, në mënyrë që të ushqehen të uriturit, të vishen të zhveshurit, të vizitohen të sëmurët dhe t’u jepni ndihmë atyre qoftë shpirtërisht, ashtu edhe materialisht, sipas nevojave të tyre” (Mosia 4:26).
Shoqëruesi i madhërishëm i Almës, Amuleku, gjithashtu dha mësim të vërtetën që ne duhet të vazhdojmë në shërbimin tonë për Të, që të fitojmë falje: “Dhe tani vini re, vëllezërit e mi të dashur, unë ju them juve të mos mendoni se kjo është e gjitha; sepse, pasi t’i keni bërë të gjitha këto gjëra, në qoftë se ju nuk ndihmoni nevojtarët dhe të zhveshurit dhe nuk vizitoni të sëmurët dhe të mjeruarit dhe nuk u jepni nga gjëja juaj, në qoftë se keni, atyre që kanë nevojë – unë ju them juve, në qoftë se ju nuk bëni ndonjë nga këto gjëra, vini re, lutja juaj është e kotë dhe nuk ju vlen për asgjë dhe ju jeni si hipokritët që mohojnë besimin” (Alma 34:28).
Kam menduar sonte për gratë në jetën time. Ka 31 gra dhe vajza në familjen tonë, duke filluar me bashkëshorten time dhe duke përparuar për të përfshirë tri stërmbesat tona më të vogla. Disa janë këtu me ne këtë mbrëmje. Pesë janë nën moshën 12-vjeçare. Kjo mund të jetë mbledhja e tyre e parë në Qendrën e Konferencave me motrat e tyre në Kishën e Shpëtimtarit. Secila do të ketë gjëra të ndryshme për të kujtuar dhe do të bëjë zotimet e veta nga kjo përvojë sonte.
Ka tri kujtime dhe tri zotime që lutem se do të qëndrojnë me to për gjithë jetën e tyre dhe madje pas kësaj. Kujtimet janë për ndjenjat. Dhe zotimet janë për gjëra për t’u bërë.
Ndjenja më e rëndësishme është dashuria. Ju e keni ndier dashurinë e motrave udhëheqëse të madhërishme që kanë folur. Ju e keni ndier me anë të Shpirtit se ato ju deshën edhe pa ju njohur, sepse e ndien dashurinë e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit për ju. Kjo është arsyeja përse ato dëshirojnë kaq shumë që t’ju shërbejnë dhe t’ju bëjnë të merrni bekimet që Perëndia i dëshiron për ju.
Ju keni ndier dashuri për të tjerat sonte – për mikeshat, shoqet e shkollës, fqinjat dhe madje dikë që sapo hyri në jetën tuaj, një të panjohur. Ajo ndjenjë dashurie është një dhuratë nga Perëndia. Shkrimet e shenjta e quajnë atë “dashuria hyjnore” dhe “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Ju e keni ndier atë dashuri sonte dhe mund ta merrni shpesh nëse e kërkoni atë.
Një ndjenjë e dytë që e keni pasur sonte, ishte ndikimi i Frymës së Shenjtë. Motrat ju kanë premtuar sot se Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë për ta gjetur shërbimin që Zoti do të donte t’ua jepnit të tjerëve për Të. Ju e keni ndier nëpërmjet Shpirtit se premtimi i tyre ishte nga Zoti dhe se është i vërtetë.
Zoti tha: “Dhe tani, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë – po, për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi, për të gjykuar me drejtësi; dhe ky është Shpirti im” (DeB 11:12).
Ju mund ta keni marrë atë bekim sonte. Për shembull, një emër ose një fytyrë e një njeriu nevojtar mund t’ju ketë ardhur në mendje gjatë kësaj mbledhjeje. Mund të ketë qenë vetëm një mendim i shpejtë, por për shkak të atyre që dëgjuat sonte, ju do të luteni për të, duke mirëbesuar se Perëndia do t’ju drejtojë të bëni të mirën që Ai dëshiron për ta. Kur lutje të tilla bëhen një model në jetën tuaj, ju dhe të tjerët do të ndryshoheni për më mirë.
Ndjenja e tretë që keni pasur sonte, është që ju dëshironi të jeni më pranë Shpëtimtarit. Edhe vajza më e re këtu do ta ketë ndier realitetin e ftesës në këngën: “‘Eja, më ndiq’, Shpëtuesi tha. Në gjurm’t e Tij le t’ecim pra.”
Prandaj, me ato ndjenja, gjëja e parë që duhet të zotoheni të bëni, është të shkoni e të shërbeni, duke e ditur se nuk ecni të vetme. Kur shkoni që ta ngushëlloni dikë dhe t’i shërbeni dikujt për Shpëtimtarin, Ai e përgatit udhën përpara jush. Tani, sikurse do t’ju thonë misionaret e kthyer nga misionet këtu sonte, kjo nuk do të thotë që çdo njeri mbrapa çdo dere është i përgatitur për t’ju mirëpritur apo që çdo njeri, të cilit përpiqeni t’i shërbeni, do t’ju falënderojë. Por Zoti do të shkojë përpara fytyrës suaj që ta përgatitë udhën.
Herë pas here Presidenti Tomas S. Monson ka thënë se ai e di vërtetësinë e premtimit të Zotit: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).
Një nga mënyrat se si Ai shkon përpara fytyrës suaj është duke e përgatitur zemrën e një njeriu, të cilit ju ka kërkuar t’i shërbeni. Ai do ta përgatitë edhe zemrën tuaj.
Ju gjithashtu do të gjeni që Zoti vendos ndihmues pranë jush – në të djathtën tuaj, në të majtën tuaj dhe gjithkund përreth jush. Ju nuk shkoni të vetme për t’u shërbyer të tjerëve për Të.
Ai e bëri atë për mua sonte. Zoti siguroi “një re … dëshmimtarësh” (Hebrenjve 12:1), si në fjalë ashtu edhe në muzikë, për ta ndërthurur dhe shumëfishuar fuqinë e asaj që Ai donte që unë të thoja. Thjesht duhej të isha i sigurt që mund ta përshtatja pjesën time me mesazhin që Ai donte të ndante. Shpresoj dhe lutem se ju do të ndieni mirënjohje dhe gëzim ndërkohë që Zoti ju vendos së bashku me njerëz të tjerë që të shërbeni për Të.
Kur ta keni atë përvojë shpesh, dhe do ta keni, ju do të buzëqeshni me mirënjohje, sikurse bëj unë, kurdoherë që këndojmë: “E ëmbël puna”.
Gjithashtu do të buzëqeshni kur të sillni ndërmend këtë varg: “Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’” (Mateu 25:40).
Gjëja e dytë që duhet të bëni, është ta kujtoni Zotin teksa kryeni shërbim për Të. Zoti jo vetëm që shkon përpara fytyrave tona dhe na dërgon engjëj për të shërbyer me ne, por Ai gjithashtu e ndien ngushëllimin që ua japim të tjerëve, sikurse t’ia kishim dhënë Atij.
Çdo bijë e Perëndisë, e cila i dëgjon dhe i beson mesazhet e kësaj mbledhjeje, do të pyesë: “Çfarë do Zoti që unë të bëj për ta ndihmuar Atë që t’u japë ndihmë njerëzve nevojtarë?” Gjendja e secilës motër është e veçantë. Kjo është e vërtetë për grupin tim të vogël të bijave, nuseve, mbesave dhe stërmbesave. Atyre dhe të gjitha bijave të Atit Qiellor, unë iu përsërit këshillën e urtë të Motrës Linda K. Barton.
Ajo ju ka kërkuar të luteni me besim që të dini atë që Zoti do të donte që ju të bënit në rrethanat tuaja. Dhe më pas ajo foli për premtimin e ngushëllimit të ëmbël që Zoti Vetë ia dha gruas, e cila u kritikua ngaqë e kishte vajosur kokën e Tij me vaj të kushtueshëm kur ai mund të ishte shitur për të ndihmuar të varfrit.
“Por Jezusi tha: ‘Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.
Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.
Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.
Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj” (Marku 14:6–9).
Ai shkrim i shenjtë, i shkurtër, është një këshillë e ëmbël dhe e urtë për motrat besnike në mbretërinë e Zotit në një kohë të trazuar. Ju do të luteni të dini se cilëve do të donte Ati që t’iu shërbenit për shkak të dashurisë për Të dhe për Shpëtimtarin tonë. Dhe nuk do të pritni ose dëshironi një mirënjohje publike, duke ndjekur shembullin e gruas në rrëfimin e Markut në shkrimin e shenjtë, veprimi i shenjtë i së cilës për ta nderuar Shpëtimtarin e botës kujtohet, por jo emri i saj.
Shpresa ime është që motrat në familjen tonë do të bëjnë gjithçka munden për shkak të dashurisë për Perëndinë që t’iu shërbejnë njerëzve nevojtarë. Dhe gjëja e tretë që shpresoj se ato do ta bëjnë, është të jenë vetë pa mburrje rreth punëve të tyre të mira. Prapëseprapë unë do të lutem që ato do ta pranojnë këshillën e Zotit, kur Ai tha – të cilën jam vetëbesues se ne të gjithë kemi nevojë ta dëgjojmë:
“Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej”.
Dhe më pas Ai tha:
“Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,
që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas” (Mateu 6:1, 3–4).
Lutja ime për motrat në mbretëri, kudo ku mund të jenë ose në çfarëdo rrethanash, është që besimi i tyre në Shpëtimtarin dhe mirënjohja për Shlyerjen e Tij do t’i udhëheqin ato për të bërë gjithçka munden për ata, të cilëve Perëndia kërkon që ato t’u shërbejnë. Kur e bëjnë këtë gjë, unë premtoj se ato do të përparojnë në shtegun për t’u bërë gra të shenjta, të cilat Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor do t’i mirëpresin me ngrohtësi dhe do t’i shpërblejnë haptas.
Unë dëshmoj se kjo është Kisha e Jezu Krishtit të ringjallur. Ai u ringjall. Ai pagoi çmimin për të gjitha mëkatet tona. Unë e di se për shkak të Tij ne do të ringjallemi dhe mund të kemi jetë të përjetshme. Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Tij i gjallë. Ati Qiellor i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve tona. Unë dëshmoj se ne i afrohemi më pranë Shpëtimtarit kur, për shkak të dashurisë së pastër, u shërbejmë të tjerëve për Të. Prandaj ju lë këtë dëshmi të sigurt në emrin e Jezu Krishtit, amen.