2010–2019
Përgatiteni Udhën
Prill 2017


12:14

Përgatiteni Udhën

Edhe pse vishen me misione dhe autoritete të ndryshme, Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke janë ortake të pandara në punën e shpëtimit.

Kur isha 30 vjeç, fillova të punoja për një korporatë që shiste me pakicë në Francë. Një ditë presidenti i firmës, një burrë i mirë i një besimi tjetër, më thirri në zyrën e tij. Pyetja e tij më befasoi: “Sapo mësova se je prift në kishën tënde. A është e vërtetë kjo?”

Iu përgjigja: “Po, ashtu është. Unë mbaj priftërinë.”

Ngaqë iu ngjall kureshtja dukshëm nga përgjigjja ime, ai pyeti më tej: “A studiove në një seminar teologjik?”

“Natyrisht”, u përgjigja unë, “midis moshës 14 dhe 18 vjeç, dhe i studioja mësimet e seminarit pothuajse çdo ditë!” Ai gati sa nuk ra nga karrigia.

Për habinë time të madhe, disa javë më vonë, ai më thirri sërish në zyrën e tij për të më ofruar pozicionin e një drejtori përgjegjës në një prej firmave të korporatës. U çudita dhe shpreha shqetësimin tim se isha shumë i ri dhe i papërvojë për të mbajtur një përgjegjësi kaq të rëndësishme. Me një buzëqeshje dashamirëse, ai tha: “Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk ka rëndësi. I di parimet e tua dhe e di çfarë ke mësuar në kishën tënde. Kam nevojë për ty.”

Ai kishte të drejtë rreth asaj që kisha mësuar në Kishë. Vitet që pasuan ishin sfiduese, dhe nuk e di nëse do të kisha pasur ndopak sukses pa përvojën që fitova nga shërbimi në Kishë, që nga koha kur isha një i ri.

Pata bekimin që u rrita në një degë të vogël. Për shkak se numri i anëtarëve të degës sonë ishte i pakët, të rinjve u bëhej thirrje të merrnin pjesë aktivisht në të gjitha aspektet e degës. Isha shumë i zënë dhe më pëlqente shumë ndjenja e të qenit i dobishëm. Të dielave, kryesoja në tryezën e sakramentit, shërbeja në kuorumin tim të priftërisë dhe funksionoja në thirrje të tjera të ndryshme. Gjatë javës, shpesh i shoqëroja babanë tim dhe mbajtës të tjerë të priftërisë në moshë madhore ndërsa bënim mësimet e shtëpisë tek anëtarët, i ngushëllonim të sëmurët e të vuajturit dhe i ndihmonim njerëzit në nevojë. Askush nuk dukej se mendonte që isha shumë i ri për të shërbyer apo madje për të udhëhequr. Për mua, gjithçka dukej normale dhe e natyrshme.

Shërbimi që dhashë gjatë atyre viteve të adoleshencës më ndihmoi që të ndërtoja dëshminë time dhe ta hidhja spirancën e jetës sime në ungjill. Isha i rrethuar nga burra të mirë e të dhembshur, të cilët qenë zotuar ta përdornin priftërinë e tyre për të bekuar jetën e të tjerëve. Dëshiroja të isha si ata. Duke shërbyer me ta, shumë më tepër nga sa e kuptoja në atë kohë, mësova të jem një udhëheqës në Kishë dhe gjithashtu në botë.

Kemi shumë të rinj që po marrin pjesë ose po e dëgjojnë këtë mbledhje sonte, të cilët mbajnë Priftërinë Aarone. Teksa hedh vështrimin te ky publik, shoh shumë prej jush të ulur pranë burrave të pjekur, ndoshta etërit tuaj, gjyshërit tuaj, vëllezërit tuaj më të mëdhenj apo udhëheqësit tuaj të priftërisë – të gjithë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke. Ata ju duan, dhe erdhën këtu sonte më së shumti, për të qenë me ju.

Kjo mbledhje e brezave ofron një pamje të mrekullueshme të unitetit dhe vëllazërisë që ekziston midis dy priftërive të Perëndisë. Edhe pse vishen me misione dhe autoritete të ndryshme, Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke janë ortake të pandara në punën e shpëtimit. Ato shkojnë krah për krah dhe kanë nevojë të madhe për njëra-tjetrën.

Shembulli i përkryer i marrëdhënies së ngushtë që ekziston midis dy priftërive gjendet në bashkëveprimin midis Jezusit dhe Gjon Pagëzorit. A mund ta përfytyrojë një njeri Gjon Pagëzorin pa Jezusin? Si do të kishte qenë misioni i Shpëtimtarit pa punën përgatitore të kryer nga Gjoni?

Gjon Pagëzorit iu dha një nga misionet më hyjnore që ka ekzistuar ndonjëherë: “të përgati[ste] udhën e Zotit”, ta pagëzonte Atë me ujë dhe të bënte gati një popull që ta pranonte Atë. Ky “njeri [i] drejtë dhe [i] shenjtë”, që ishte shuguruar në priftërinë më të ulët, ishte përsosurisht i vetëdijshëm, si për rëndësinë dhe kufijtë e misionit të tij, ashtu edhe për autoritetin e tij.

Njerëzit grumbulloheshin te Gjoni për ta dëgjuar atë dhe për t’u pagëzuar prej tij. Ai respektohej dhe nderohej në të drejtën e vet si një njeri i Perëndisë. Por kur u shfaq Jezusi, Gjoni iu nënshtrua përulësisht Atij që ishte më i madh se ai vetë dhe shpalli: “Unë pagëzoj me ujë: por midis jush është një … që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve”.

Nga ana e Tij, Jezu Krishti, i Vetëmlinduri i Atit, i cili mbante priftërinë më të lartë, e pranoi përulësisht autoritetin e Gjonit. Për të, Shpëtimtari tha: “Ndër ata që janë lindur prej gruas, nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori”.

Thjesht mendoni se çfarë do të ndodhte në kuorumet tona të priftërisë nëse marrëdhëniet midis mbajtësve të dy priftërive do të frymëzoheshin sipas modelit të vendosur nga Jezusi dhe Gjon Pagëzori. Vëllezër të mi të rinj të Priftërisë Aarone, ashtu si Gjoni, roli juaj është “të përgatit[ni] udhën” për punën madhështore të Priftërisë Melkizedeke. Ju po e bëni këtë në shumë mënyra të ndryshme. Ju administroni ordinancat e pagëzimit dhe të sakramentit. Ju ndihmoni për ta përgatitur një popull për Zotin duke predikuar ungjillin, duke “vizit[uar] shtëpinë e çdo anëtari” dhe duke “vëzhg[uar] mbi kishën”. Ju u jepni ndihmë të varfërve e nevojtarëve duke mbledhur ofertat e agjërimit, dhe merrni pjesë duke u përkujdesur për shtëpitë e mbledhjeve të Kishës dhe burime të tjera materiale. Roli juaj është i rëndësishëm, i nevojshëm dhe i shenjtë.

Vëllezërit e mi në moshë madhore, nëse jeni etër, peshkopë, këshilltarë të Të Rinjve apo thjesht mbajtës të Priftërisë Melkizedeke, ju mund ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit duke iu drejtuar vëllezërve tuaj që mbajnë priftërinë më të ulët dhe duke i ftuar ata që të punojnë me ju. Në të vërtetë, kjo ftesë vjen nga Vetë Zoti. Ai tha: “Si rrjedhim, merrni me vete ata që shugurohen në priftërinë më të ulët dhe i dërgoni përpara jush, që të caktojnë takime e të përgatisin udhën dhe të bëjnë takimet që ju vetë nuk jeni në gjendje t’i bëni.”

Teksa i ftoni vëllezërit tuaj më të vegjël që të “përgatisin udhën”, ju i ndihmoni ata që ta njohin dhe nderojnë autoritetin e shenjtë që mbajnë. Duke e bërë këtë, ju i ndihmoni ata që ta përgatitin vetë udhën e tyre ndërsa përgatiten për ditën kur do ta marrin dhe ushtrojnë priftërinë më të lartë.

Më lejoni të tregoj historinë e vërtetë të Aleksit, një prift i ri, i heshtur, i matur dhe i zgjuar. Një të diel, peshkopi i Aleksit e gjeti atë vetëm në një klasë, në një gjendje ankthi të madh. I riu i shpjegoi se sa e dhimbshme dhe e vështirë ishte për të që ta frekuentonte kishën pa të atin, i cili nuk ishte anëtar. Pastaj, me lot në sy ai tha se ndoshta do të ishte më mirë që të largohej nga Kisha.

Me një shqetësim të vërtetë për këtë të ri, peshkopi vuri menjëherë në lëvizje këshillin e lagjes për ta ndihmuar Aleksin. Plani i tij qe i thjeshtë: me qëllim që ta mbanin Aleksin aktiv dhe ta ndihmonin atë të zhvillonte një dëshmi të thellë për ungjillin, ata duhej ta “rrethonin atë me njerëz të mirë dhe t’i jepnin atij gjëra të rëndësishme për të bërë”.

Shpejt vëllezërit e priftërisë dhe të gjithë anëtarët e lagjes u mblodhën rreth Aleksit dhe i shprehën dashurinë e mbështetjen e tyre. Udhëheqësi i grupit të priftërinjve të lartë, një njeri i një besimi dhe dashurie të madhe, u zgjodh për të qenë shoku i tij i mësimeve të shtëpisë. Anëtarët e peshkopatës e morën atë nën krahët e tyre dhe e bënë ortakun e tyre më të ngushtë.

Peshkopi tha: “Ne e mbajtëm Aleksin të zënë me punë. Ai ishte ndihmës në martesa, ndihmës në varrime, më ndihmoi në përkushtimet e varreve, pagëzoi disa anëtarë të rinj, shuguroi të rinj në detyrat e Priftërisë Aarone, u jepte mësim të rinjve, jepte mësim me misionarët, hapte ndërtesën për konferenca dhe e mbyllte ndërtesën natën vonë pas konferencave. Ai bënte projekte shërbimi, më shoqëronte në vizita tek anëtarët e moshuar nëpër azile, jepte biseda në mbledhjen e sakramentit, ua administronte sakramentin të sëmurëve në spitale apo në shtëpitë e tyre dhe u bë një prej njerëzve të një grupi shumë të vogël, mbi të cilët unë mund të mbështetesha tërësisht si peshkop”.

Aleksi dhe peshkopi i tij

Pak nga pak, Aleksi ndryshoi. Besimi i tij në Zot u shtua. Ai fitoi siguri në vetvete dhe në fuqinë e priftërisë që mbante. Peshkopi e përmbylli: “Aleksi ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një nga bekimet e mia më të mëdha në kohën time si peshkop. Çfarë privilegji ka qenë të shoqërohesha me të. Unë vërtet besoj se asnjë i ri nuk ka shkuar ndonjëherë në fushën e misionit më i përgatitur se ai nga shërbimi i tij në priftëri”.

Peshkopë të mi të dashur, ju keni, të përfshirë në shugurimin dhe veçimin tuaj si peshkop i lagjes suaj, thirrjen e shenjtë për të shërbyer si president i Priftërisë Aarone dhe i kuorumit të priftërinjve. Jam i vetëdijshëm për barrët e rënda që mbani, por ju duhet ta bëni detyrën tuaj kundrejt këtyre të rinjve një prej përparësive tuaja më të larta. Ju nuk mund ta shpërfillni atë ose t’ia delegoni të tjerëve rolin tuaj në këtë përgjegjësi.

Ju ftoj të mendoni për secilin prej mbajtësve të Priftërisë Aarone në lagjen tuaj. Askush prej tyre, kurrë nuk duhet të ndihet i lënë jashtë apo i padobishëm. A ka ndonjë të ri që ju dhe vëllezërit e tjerë të priftërisë mund ta ndihmoni? Ftojeni atë të shërbejë pranë jush. Shumë shpesh ne përpiqemi t’i argëtojmë të rinjtë tanë dhe u japim atyre rolin e spektatorit, kur besimi dhe dashuria e tyre për ungjillin mund të zhvillohen më mirë duke e lartësuar priftërinë e tyre. Duke marrë pjesë aktivisht në punën e shpëtimit, ata do të lidhen me qiellin dhe do të fitojnë vetëdije për potencialin e tyre hyjnor.

Priftëria Aarone është më shumë se sa thjesht një grupmoshë, një program mësimdhënieje ose veprimtarish, apo madje një term për t’i kategorizuar të rinjtë e Kishës. Ajo është fuqia dhe autoriteti për të marrë pjesë në punën madhështore të shpëtimit të shpirtrave – si shpirtrat e atyre të rinjve që e mbajnë atë, ashtu edhe shpirtrat e atyre të cilëve ata u shërbejnë. Le ta vendosim Priftërinë Aarone në vendin që i takon me të drejtë, një vend i zgjedhur – një vend shërbimi, përgatitjeje dhe arritjeje për të gjithë të rinjtë e Kishës.

Vëllezërit e mi të dashur të Priftërisë Melkizedeke, ju ftoj ta forconi hallkën thelbësore që i bashkon të dyja priftëritë e Perëndisë. Fuqizojeni rininë tuaj të Priftërisë Aarone që ta përgatitin udhën përpara jush. Thuajuni atyre me mirëbesim: “Kam nevojë për ty”. Për ju mbajtës të rinj të Priftërisë Aarone, lutem që, ndërsa shërbeni me vëllezërit tuaj më të moshuar, ju do ta dëgjoni zërin e Zotit t’ju thotë: “Ti je i bekuar, sepse do të bësh gjëra të mëdha. Vër re, ti je dërguar, ashtu si Gjoni, të përgatitësh udhën përpara meje”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.