2010–2019
Fuqia e Librit të Mormonit
Prill 2017


3:27

Fuqia e Librit të Mormonit

I përgjërohem secilit prej nesh që me lutje ta studiojmë dhe ta përsiatim Librin e Mormonit çdo ditë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju përshëndes me shumë ngrohtësi ndërsa takohemi sërish në një konferencë të madhe të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përpara se të filloj mesazhin tim formal sot, do të doja të njoftoja pesë tempuj të rinj, të cilët do të ndërtohen në vendndodhjet në vijim: Brazilia, Brazil; në zonën e Manilës me rrethina Filipine; Nairobi, Kenia; Pokatelo, Ajdaho dhe Saratoga-Springs, Juta.

Këtë mëngjes do të flas rreth fuqisë së Librit të Mormonit dhe nevojës vendimtare që kemi ne si anëtarë të kësaj Kishe për t’i studiuar, përsiatur dhe zbatuar mësimet e tij në jetën tonë. Rëndësia e të pasurit të një dëshmie të palëkundur dhe të sigurt për Librin e Mormonit nuk mund të theksohet më shumë se ç’duhet.

Ne jetojmë në një kohë me vështirësi dhe ligësi të mëdha. Çfarë do të na mbrojë nga mëkati dhe e keqja kaq mbizotëruese në botë sot? Unë shpall se një dëshmi e fortë rreth Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe ungjillit të Tij, do të na ndihmojë që të udhëhiqemi drejt sigurisë. Nëse nuk po e lexoni Librin e Mormonit çdo ditë, ju lutem lexojeni atë. Nëse do e lexoni me lutje dhe me një dëshirë të sinqertë për të ditur të vërtetën, Fryma e Shenjtë do t’jua tregojë atë. Nëse është i vërtetë – dhe solemnisht dëshmoj se është i tillë – atëherë Jozef Smithi ishte një profet i cili pa Perëndinë, Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Për shkak se Libri i Mormonit është i vërtetë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e Zotit këtu në tokë, dhe priftëria e shenjtë e Perëndisë është rivendosur për të mirën dhe bekimin e fëmijëve të Tij.

Nëse nuk keni një dëshmi të qëndrueshme për këto gjëra, bëni atë çka është e nevojshme për të marrë një të tillë. Është thelbësore që ju të keni dëshminë tuaj vetjake në këto kohë të vështira, pasi dëshmitë e të tjerëve nuk do t’ju çojnë shumë larg. Sidoqoftë, sapo ta merrni dëshminë, ajo duhet të mbahet jetike dhe e gjallë përmes bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe përmes lutjes dhe studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta.

Shokët e mi të dashur në punën e Zotit, i përgjërohem secilit prej nesh që me lutje ta studiojmë dhe ta përsiatim Librin e Mormonit çdo ditë. Teksa e bëjmë këtë, ne do të jemi në gjendje ta dëgjojmë zërin e Shpirtit, t’i bëjmë ballë tundimit, t’i mposhtim dyshimin e frikën dhe të marrim ndihmën e qiellit në jetën tonë. Kështu unë dëshmoj me gjithë zemrën time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.