Mundja e Botës
Mundja e botës nuk është një çast përcaktues i jetës, por jeta e çasteve që përcaktojnë një përjetësi.
Shumë vite më parë, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tregoi një përvojë të mrekullueshme që pati ndërsa lundronte me një barkë drejt Somoas. Pasi ra në gjumë, ai “pa në vegim diçka pafundësisht madhështore. Në largësi”, tha ai, “unë vura re një qytet të bukur të bardhë. … Pemë me fruta të shijshme … dhe lule në lulëzim të plotë që rriteshin gjithandej. … Një grumbull i madh njerëzish [po] i afrohej qytetit. Secili ishte me veshje të bardhë të lirshme. … Menjëherë vëmendja ime … u përqendrua tek udhëheqësi i tyre dhe ndonëse mund të shihja vetëm profilin e tipareve të tij … , unë e njoha atë menjëherë si Shpëtimtarin tim! … Rrezatimi i pamjes së fytyrës së tij [ishte] i lavdishëm. … Paqja rreth tij … ishte hyjnore!”
Presidenti Mek-Kei vazhdon: “Qyteti … ishte i tiji … Qyteti i Përjetshëm; dhe njerëzit që e ndiqnin duhej të jetonin atje në paqe dhe lumturi të përjetshme”.
Presidenti Mek-Kei pyeti veten: “Cilët [janë] ata? [Kush janë këta njerëz?]”
Ai shpjegon se çfarë ndodhi më pas:
“Si t’i kishte lexuar mendimet e mia, Shpëtimtari u përgjigj duke treguar te [fjalët në] një gjysmërreth që … u shfaq mbi [njerëzit], … të shkruara në ar … :
“‘Këta Janë Ata Që e Kanë Mundur Botën –
Që Vërtet Kanë Lindur Përsëri!’”
Për dekada, i kam kujtuar fjalët: “Këta janë ata që e kanë mundur botën”.
Bekimet që Zoti u ka premtuar atyre që e mundin botën janë mahnitëse. Ata do “të vishe[n] me rroba të bardha … dhe [do të përmenden në] libri[n e] jetës”. Zoti “do të rrëfej[ë] emr[at] e [tyre] përpara Atit … dhe para engjëjve të tij”. Secili do të ketë “pjesë në ringjalljen e parë”, do të marrë jetë të përjetshme dhe “nuk do të dalë më” nga prania e Perëndisë.
A është e mundur ta mundim botën dhe t’i marrim këto bekime? Po, është.
Dashuri për Shpëtimtarin
Ata që e mundin botën zhvillojnë një dashuri absolute për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.
Lindja e Tij hyjnore, jeta e Tij e përsosur, Shlyerja e Tij e pafundme në Gjetseman dhe Golgota siguruan Ringjalljen për secilin prej nesh. Dhe me pendimin tonë të sinqertë, vetëm Ai është në gjendje të na pastrojë nga mëkatet tona, duke na lejuar të rikthehemi në praninë e Perëndisë. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.”
Jezusi tha: “Merrni zemër, unë e munda botën!”
Më vonë Ai shtoi: “Unë dëshiroj që ju ta mundni botën”.
Mundja e botës nuk është një çast përcaktues i jetës, por jeta e çasteve që përcaktojnë një përjetësi.
Ajo mund të fillojë kur një fëmijë mëson të lutet dhe me nderim këndon: “Po përpiqem t’jem si Jezusi”. Ajo vijon ndërsa një person e studion jetën e Shpëtimtarit në Dhiatën e Re dhe përsiat mbi fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit në Librin e Mormonit.
Lutja, pendimi, ndjekja e Shpëtimtarit dhe marrja e hirit të Tij na bëjnë që ta kuptojmë më mirë arsyen përse jemi këtu dhe si cili duhet të bëhemi.
Alma e përshkroi në këtë mënyrë: “Një ndryshim i madh ndodhi gjithashtu në zemrat e tyre dhe ata u përulën, dhe e vunë besimin e tyre në Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë … [duke] qenë besnikë deri në fund.”
Ata që e mundin botën e dinë se do të jenë përgjegjës ndaj Atit të tyre Qiellor. Ndryshimi dhe pendimi me sinqeritet për mëkatet nuk është më kufizues, por çlirues dhe “mëkatet … [e] kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”.
Përgjegjshmëri ndaj Perëndisë
Njerëzit e botës kanë vështirësi me përgjegjësinë ndaj Perëndisë – si fëmija që feston me shokë në shtëpinë e prindërve kur ata kanë dalë jashtë qytetit, duke e shijuar rrëmujën, duke refuzuar që të mendojnë për pasojat kur prindërit të kthehen 24 orë më vonë.
Bota është më e interesuar ta marrë me të mirë njeriun e natyrshëm sesa ta nënshtrojë atë.
Mundja e botës nuk është një sulm i përgjithshëm, por një betejë private dhe vetjake, që kërkon luftë dhëmb për dhëmb me vetë armiqtë tanë të brendshëm.
Mundja e botës do të thotë ta mbrosh si thesar urdhërimin më të madh: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde.”
Shkrimtari i krishterë C. S. Luis e përshkroi në këtë mënyrë: “Krishti thotë: ‘Më jep Gjithçka. Unë nuk dua aq shumë nga koha jote dhe aq shumë nga paratë e tua dhe aq shumë nga puna jote: Unë të dua Ty’”.
Mundja e botës përfshin mbajtjen e premtimeve tona ndaj Perëndisë – besëlidhjet tona të pagëzimit dhe të tempullit dhe betimin tonë për besnikëri ndaj shokut/qes tonë/sonë të përjetshëm/me. Mundja e botës na çon përulësisht te tryeza e sakramentit çdo javë, duke kërkuar falje dhe duke premtuar që “ta kujtoj[m]ë atë e të zbatoj[m]ë urdhërimet [e tij]”, që ne “të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]”.
Dashuria jonë për ditën e Shabatit nuk mbaron kur mbyllen prapa nesh dyert e kishës, por përkundrazi hap dyert e një dite të mrekullueshme pushimi nga detyrat rutinë, duke studiuar, duke u lutur e duke i ndihmuar familjen dhe të tjerët që u duhet vëmendja jonë. Në vend të një psherëtime lehtësimi kur mbaron kisha dhe të një vrapimi si të marrë në kërkim të një televizori përpara fillimit të ndeshjes së futbollit, le të mbetet përqendrimi ynë te Shpëtimtari dhe te dita e Tij e shenjtë.
Bota tërhiqet vazhdimisht nga një rrëke zërash tërheqës e joshës.
Mundja e botës është të besosh tek ai zë që paralajmëron, ngushëllon, ndriçon dhe sjell paqe “po jo si e jep bota”.
Bujari
Mundja e botës do të thotë të drejtohemi jashtë vetes, duke kujtuar urdhërimin e dytë: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.” Lumturia për bashkëshortin/bashkëshorten tonë është më e rëndësishme se vetë kënaqësia jonë. Të ndihmuarit e fëmijëve tanë për ta dashur Perëndinë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij është përparësi kryesore. Ne i ndajmë me gatishmëri bekimet tona materiale nëpërmjet të dhjetës, ofertave të agjërimit dhe duke u dhënë atyre në nevojë. Dhe ndërsa antenat tona shpirtërore janë të drejtuara nga qielli, Zoti na drejton tek ata që ne mund t’i ndihmojmë.
Bota e ndërton universin e saj rreth vetes, duke deklaruar me krenari: “Më shihni mua krahasuar me fqinjin tim! Shihni tek ajo që është e imja! Shihni sa i rëndësishëm jam!”
Bota inatoset lehtësisht, e humbet interesin, kërkon dhe do brohoritje nga turma, ndërsa mundja e botës sjell përulësi, ndjeshmëri, durim dhe dhembshuri për ata që janë të ndryshëm nga ty.
Siguri te Profetët
Mundje e botës përherë do të nënkuptojë që ne do të kemi disa bindje që përqeshen nga bota. Shpëtimtari tha:
“Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.
Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët”.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha këtë mëngjes: “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës”.
Një dishepull i Krishtit nuk alarmohet nëse një postim rreth besimit të saj nuk merr 1.000 pëlqime apo madje disa simbole miqësore.
Mundje e botës do të thotë të shqetësohemi më pak për lidhjet tona në internet dhe më shumë për lidhjen tonë qiellore me Perëndinë.
Zoti na jep siguri ndërsa ia vëmë veshin udhërrëfimit nga profetët dhe apostujt e Tij të gjallë.
Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Bota mund të jetë … sfiduese. … [Ndërsa shkojmë në tempull], … ne do të jemi më shumë në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. … Ne do të përtërihemi dhe forcohemi.”
Me tundime, shpërqendrime dhe shtrembërime [të së vërtetës] në rritje, bota tenton t’i zhysë besnikët në harrimin e përvojave të pasura shpirtërore të së kaluarës së njeriut, duke i ripërkufizuar ato si mashtrime të marra.
Mundje e botës do të thotë të kujtojmë, madje edhe kur jemi të shkurajuar, kohët kur e kemi ndier dashurinë dhe dritën e Shpëtimtarit. Plaku Nill A. Maksuell e shpjegoi një nga këto përvoja në këtë mënyrë: “Unë kam qenë i bekuar, dhe e di se Perëndia e dinte që unë e dija se isha i bekuar.” Edhe pse mund të ndihemi përkohësisht të harruar, ne nuk harrojmë.
Mundja e botës nuk do të thotë se jetojmë një jetë të izoluar, të mbrojtur nga padrejtësia dhe vështirësitë e vdekshmërisë. Përkundrazi, ajo hap një pamje më të gjerë të besimit, duke na tërhequr te Shpëtimtari dhe te premtimet e Tij.
Edhe pse përsosmëria nuk është e plotë në këtë jetë, mundja e botës e mban shpresën tonë ndezur se një ditë ne “do të qëndroj[më] para [Shëlbuesit tonë]; [dhe] do të shikoj[më] fytyrën e tij me gëzim” dhe do të dëgjojmë zërin e Tij: “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju”.
Shembulli i Plakut Brus D. Porter
Më 28 dhjetor të vitit që shkoi, miku ynë i shtrenjtë dhe i dashur, Autoriteti i Përgjithshëm, Plaku Brus D. Porter, përfundoi vdekshmërinë e tij. Ai ishte 64 vjeç.
Unë e takova për herë të parë Brusin kur ishim studentë në Universitetin “Brigam Jang”. Ai ishte një nga më të mirët dhe më të shkëlqyerit në shkollë. Pasi mori nga Universiteti i Harvardit gradën e doktorit të shkencave për studime mbi çështje ruse, mendimi dhe shkrimet i dhanë Brusit një emër që mund ta kishin nxjerrë nga binarët, por pasuria dhe lëvdatat e botës nuk ia errësuan kurrë pamjen. Besnikëria ishte ndaj Shpëtimtarit të tij, Jezu Krishtit; shoqes së tij të përjetshme, Suzanës; fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tij.
Brusi u lind me një defekt në veshka. Ai kreu një operacion, por me kalimin e kohës veshkat e tij vazhduan të përkeqësohen.
Pak pas thirrjes së Brusit si Autoritet i Përgjithshëm në vitin 1995, ne shërbyem së bashku me familjet tona në Frankfurt të Gjermanisë, ku puna e tij përqendrohej te Rusia dhe Europa Lindore.
Jeta për Plakun Porter ndryshoi rrënjësisht në vitin 1997 kur funksionimi i veshkave dhe shëndetit të tij filloi të bjerë. Familja Porter u kthye në Solt-Lejk-Siti.
Gjatë 22 viteve të tij të shërbimit te Të Shtatëdhjetët, Brusi u shtrua shumë herë në spital, përfshirë 10 operacione. Në dy raste mjekët i thanë Suzanës se Brusi nuk do ta arrinte mëngjesin, por ai ia doli.
Për më shumë se 12 vjet të shërbimit të tij si Autoritet i Përgjithshëm, Brusi ishte në dializë për pastrimin e gjakut. Gjatë asaj kohe ai e bënte dializën pesë herë në javë në mbrëmje për katër orë në çdo trajtim, që ai të mund të shërbente në thirrjen e tij gjatë ditës dhe të merrte detyra për konferencat gjatë fundjavave. Kur shëndeti i tij nuk u përmirësua pas disa bekimeve të priftërisë, Brusi u hutua, por ai dinte cilit t’i besonte.
Në vitin 2010, Brusi mori një veshkë nga biri i tij, Dejvidi. Këtë herë trupi i tij nuk e kundërshtoi transplantin. Ishte një mrekulli, duke i sjellë shëndet të përtërirë dhe që përfundimisht i lejonte atij dhe Suzanës të riktheheshin në Rusinë e tyre të dashur, ku ai shërbente në Presidencën e Zonës.
Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, pasi luftoi me infeksione të vazhdueshme në një spital në Solt-Lejk-Siti, ai u kërkoi mjekëve që të largoheshin nga dhoma. Brusi i tha Suzanës “se ai e dinte nëpërmjet Shpirtit se nuk kishte asgjë që mund të bënin mjekët për t’i shpëtuar jetën. Ai e dinte … se Ati Qiellor do ta merrte në shtëpi. Ai ishte mbushur me paqe.”
Më 28 dhjetor, Brusi u kthye në shtëpi te familja e tij. Disa orë më vonë, i rrethuar nga të dashurit e tij, ai u kthye paqësisht në shtëpinë e tij qiellore.
Vite më parë, Brus Porteri u shkroi këto fjalë fëmijëve të vet:
“Dëshmia që kam për realitetin dhe dashurinë e Jezu Krishtit ka qenë busulla e jetës sime. … Ajo [është] një dëshmi e pastër, e zjarrtë e Shpirtit që ai jeton, që ai është Shëlbuesi dhe Miku im sa herë që nevojitet.”
“Sfida jonë … është të arrijmë ta njohim [Shpëtimtarin] … dhe, nëpërmjet besimit tek Ai, t’i kapërcejmë sprovat dhe tundimet e kësaj bote.”
“Le të jemi besnikë dhe të vërtetë, duke mirëbesuar tek Ai.”
Brus Dagllas Porteri e mundi botën.
U përpjekshim secili pak më shumë në përpjekjet tona për ta mundur botën, duke mos i justifikuar shkeljet serioze dhe prapë duke qenë të duruar me rrëshqitjet e vogla, duke e rritur të etur shpejtësinë tonë dhe duke i ndihmuar bujarisht të tjerët! Ndërsa mirëbesoni më plotësisht te Shpëtimtari, ju premtoj bekime paqeje më të madhe në këtë jetë dhe siguri më të madhe në vendmbërritjen tuaj të përjetshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.