Shkëlqen Gjithnjë e më Shumë, Derisa Dita Është e Plotë
Edhe në kohët më të vështira dhe më të errëta, ka dritë dhe mirësi kudo përreth nesh.
Pali ndau një mesazh të mrekullueshëm shprese me korintasit:
“Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar;
jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar”.
Cili ishte burimi i shpresës së Palit? Dëgjojeni shpjegimin e tij: “Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit”.
Edhe në kohët më të vështira dhe më të errëta, ka dritë dhe mirësi kudo përreth nesh. Tetorin e kaluar, Presidenti Diter F. Uhtdorf na kujtoi: “Rrethohemi nga një pasuri … mahnitëse e dritës dhe e së vërtetës, saqë pyes veten nëse e vlerësojmë vërtet atë që kemi”.
Sidoqoftë, kundërshtari do të donte shumë që ne të përqendroheshim mbi “mjegullat e errësirës … të cilat verbojnë sytë … ngurtësojnë zemrat … dhe … i çojnë … nëpër udhë të gjëra”.
Megjithatë, me kuptueshmëri të plotë të sfidave të kohës sonë, Zoti premton: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”.
Ne jemi fëmijë të Perëndisë. Marrja e dritës, vazhdimi në [rrugën e] Perëndi[së] dhe marrja e më shumë drite është ajo për të cilën jemi krijuar që të bëjmë. Që nga fillimi fare, ne e ndoqëm dritën; ne e ndoqëm Atin tonë Qiellor dhe planin e Tij. Kërkimi i dritës është brenda ADN-së tonë shpirtërore.
E dëgjova këtë të vërtetë të përjetshme të dhënë mësim bukur në një vend të papritur. Gjatë kohës që punoja për një bankë të madhe, më ftuan të merrja pjesë në një program ekzekutiv në Universitetin e Miçiganit. Gjatë programit, profesori Kim Kameron dha mësim konceptin e udhëheqjes pozitive dhe efektin e tij heliotropik. Ai shpjegoi: “Kjo i referohet tendencës në të gjitha sistemet e gjalla drejt energjisë pozitive [dritës] dhe larg nga energjia negative [errësira]. Që nga organizmat njëqelizor deri te sistemet e ndërlikuara njerëzore, çdo gjë e gjallë ka një prirje të natyrshme drejt pozitives dhe larg prej negatives”.
I mbështetur nga një larmi studimesh, ai gjithashtu u përqendrua në tri komponentët kryesorë të një kulture pune të suksesshme: dhembshuri, falje dhe mirënjohje. Ka kuptim të përsosur që teksa njerëzit kthehen drejt pozitives (dritës), cilësitë e dhëna shembull në mënyrë të përsosur nga Drita e Botës, Jezu Krishti, janë të pranishme!
Vëllezër dhe motra, ju lutem, merrni ngushëllim nga fakti se ka dritë në dispozicion për ne. Më lejoni të sugjeroj tre zona ku ne gjithmonë do të gjejmë dritë:
1. Drita e Kishës
Kisha është një fener drite për një botë në errësim. Kjo është një kohë e mrekullueshme për të qenë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Kisha është më e fortë nga ç’ka qenë ndonjëherë dhe në kuptimin e plotë të fjalës rritet edhe më e fortë çdo ditë ndërsa anëtarë të rinj bashkohen me ne, formohen bashkësi të reja, thirren misionarë të rinj dhe hapen territore të reja ndaj ungjillit. Ne i shohim ata të cilët për një kohë kanë rrëshqitur së qenit aktiv në Kishë të kthehen teksa shpëtimi i përfytyruar nga Presidentit Tomas S. Monson sjell mrekulli të përditshme.
Së fundi u takova me të rinjtë në Paraguai, Uruguai, Kili dhe Argjentinë gjatë konferencave të tyre Për Forcën e Rinisë. Mijëra dhe mijëra të rinj e të reja kaluan një javë duke e forcuar dashurinë e tyre për Shpëtimtarin, pastaj u kthyen në shtëpi te familjet dhe miqtë e tyre duke rrezatuar dritën dhe dashurinë e Krishtit.
Shikoni, Kisha do të ketë gjithmonë kritikët e saj. Kështu ka qenë që nga fillimi dhe do të vazhdojë deri në fund. Por ne nuk mund ta lejojmë të tillë kritikë që ta mpij ndjeshmërinë tonë ndaj dritës që është në dispozicionin tonë. Dallimi i dritës dhe ndjekja e saj do të na kualifikojë për akoma më shumë dritë.
Në një botë në errësim, drita e Kishës do të shkëlqejë gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.
2. Drita e Ungjillit
Drita e ungjillit është shtegu që “shkëlqen gjithnjë e më shumë deri sa të bëhet ditë e plotë” dhe shkëlqen më shndritshëm në familjet dhe në tempujt tanë në mbarë botën.
Predikoni Ungjillin Tim shpall: “Përmes dritës së ungjillit, familjet mund të zgjidhin mosmarrëveshjet, grindjet dhe sfidat. Familjet e ndara nga mospërputhjet mund të bashkohen përmes pendimit, faljes dhe besimit në fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit”. Tani më shumë se kurrë, familjet tona duhet të jenë burime të mëdha drite për këdo që na rrethon. Familjet rriten në dritë teksa rriten në dashuri e dashamirësi. Teksa krijojmë familje “besimi, … pendimi, falje, respekti, dashurie, [dhe] dhembshurie”, ne do të ndiejmë një rritje të dashurisë ndaj Shpëtimtarit dhe ndaj njëri-tjetrit. Familja do të rritet më e fortë dhe drita te secili prej nesh do të bëhet më e shndritshme.
Ne lexojmë në fjalorin Biblik që: “Vetëm shtëpia mund të krahasohet me tempullin në shenjtëri”. Ne tashmë kemi 155 tempuj në funksionim dhe më shumë do të vijnë së shpejti. Gjithnjë e më shumë familje vulosen për kohën dhe gjithë përjetësinë. Anëtarët janë duke dorëzuar gjithnjë e më shumë emra të paraardhësve në tempull për të kryer ordinancat e tyre shpëtuese. Ne me të vërtetë po përjetojmë gëzim dhe festim të madh në të dyja anët e velit!
Në një botë në errësim, drita e ungjillit do të shkëlqejë gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.
3. Drita e Krishtit
Nuk mund të flasësh për dritën në botë pa folur për Dritën e Botës, Jezu Krishtin. Një shfaqje e një Ati të dashur Qiellor është që gjithkush që vjen në këtë jetë bekohet me Dritën e Krishtit për t’i ndihmuar që të kthehen në shtëpi. Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Shpirti i Krishtit është gjithnjë aty. … Drita e Krishtit është po aq universale sa vetë drita e diellit. Kudo që ka jetë njerëzore, aty është Shpirti i Krishtit.” Shpirti i Krishtit “fton dhe nxit për të bërë mirë përherë” dhe i përgatit të gjithë ata që kërkojnë mirësinë dhe të vërtetën për ta marrë Frymën e Shenjtë.
Shpëtimtari na mëson se Ai është drita që “i ndriçon sytë tuaj,” “e përshpejton të kuptuarin tuaj” dhe “i jep jetë gjithçkaje”. Drita e Krishtit do të na ndihmojë që t’i shohim të tjerët nëpërmjet syve të Shpëtimtarit. Ne do të jemi më të dashur dhe të kuptueshëm ndaj mundimeve të të tjerëve. Ajo do të na ndihmojë që të jemi më të duruar me ata të cilët mund të mos adhurojnë siç adhurojmë ne apo shërbejnë siç mund të bëjmë ne. Ajo do të na ndihmojë ta kuptojmë më plotësisht planin e madh të lumturisë dhe të shohim se si të gjithë ne bëjmë pjesë në atë plan të madh e të dashur. Ajo i jep jetë, kuptim dhe qëllim gjithçkaje që ne bëjmë. Tani me gjithë lumturinë që do të na vijë teksa e kuptojmë më plotësisht Dritën e Krishtit, ajo nuk do të krahasohet me gëzimin që ne ndiejmë kur e shohim Dritën e Krishtit të funksionojë tek të tjerët: familja, miqtë dhe madje edhe në njerëz krejtësisht të panjohur.
E ndjeva atë gëzim kur dëgjova rreth përpjekjeve të një grupi të guximshëm zjarrfikësish të cilët luftuan për të shpëtuar një qendër kunji që kishte marrë flakë në Kaliforninë Jugore në 2015-ën. Ndërsa zjarri shpërthente, një komandant batalioni mori në telefon një mik shdm për të pyetur se ku mbaheshin reliktet e shenjta dhe kupat e sakramentit që të mund të shpëtoheshin nga flakët. Miku i tij e siguroi që nuk kishte relikte të shenjta dhe se kupat e sakramentit ishin me të vërtetë shumë të zëvendësueshme. Por komandanti ndjeu se duhej të bënte më shumë, kështu që i dërgoi zjarrfikësit mbrapsht në ndërtesën që digjej për të hequr nga muret çdo pikturë të Krishtit e cila mund të ruhej. Ata madje vendosën një të tillë në makinën e zjarrfikësve me shpresën se zjarrfikësit mund të ruheshin nga lart. Më të vërtetë u preka nga dhembshuria, mirësia dhe ndjeshmëria e komandantit për Dritën, gjatë një kohe të rrezikshme dhe të vështirë.
Në një botë në errësim, Drita e Krishtit do të shkëlqejë gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.
I bëj sërish jehonë fjalëve të Palit: “Le të … veshim armët e dritës”. Unë dëshmoj për Krishtin. Ai është Drita e Botës. U forcofshim nga drita që është në dispozicion për ne nga pjesëmarrja më e madhe në Kishë dhe nga zbatimi më i madh i parimeve të ungjillit në familjet tona! E pafshim Dritën e Krishtit tek të tjerët vazhdimisht dhe i ndihmofshim ata ta shohin atë tek vetja e tyre! Teksa e marrim atë dritë, ne do të bekohemi me më shumë dritë, madje deri në ditën e plotë kur të shohim sërish “Ati[n e] dritave”, Atin tonë Qiellor. Unë dëshmoj kështu në emrin e shenjtë të Dritës së Botës, madje Jezu Krishtit, amen.