2010–2019
Dora e Tij Udhërrëfyese në Përditshmëri
Prill 2017


10:45

Dora e Tij Udhërrëfyese në Përditshmëri

Ati Qiellor e di se për çfarë keni nevojë ju dhe unë, më mirë se çdokush tjetër.

Një nga mjetet më dashamirëse për udhërrëfimin e fëmijëve të Tij, janë gjyshërit e drejtë. Nëna e atit tim ishte një grua e rrallë. Në një rast që ndodhi kur isha tepër i ri për ta mbajtur mend, im atë po më ndëshkonte. Duke e vërejtur këtë qortim, gjyshja ime tha: “Monte, besoj se po e qorton shumë rëndë”.

Im atë u përgjigj: “Nënë, do t’i qortoj fëmijët e mi si të dua”.

Dhe gjyshja ime e zgjuar me butësi, ia ktheu: “Kështu do të bëj edhe unë”.

Jam shumë i sigurt se im atë e dëgjoi udhërrëfimin e mençur të nënës së tij atë ditë.

Kur mendojmë për udhërrëfimin, ne mund të mendojmë për një himn, të cilin të gjithë e dimë dhe e duam – “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”. Në refren ne gjejmë fjalët “Tregom’, drejtom’, pran Ti më rri, Rrugën që ta gjej”.

Deri në këtë kohë, nuk e kisha kuptuar se ai refren është një drejtim hyjnor për prindërit. Teksa po i përsiatja këto fjalë, unë kuptova se, ndonëse ato e përmbajnë atë drejtim, ekziston një kuptim shumë më i madh në to. Individualisht, secili nga ne përgjërohet përditë që Ati Qiellor të na udhërrëfejë, udhëheqë dhe të ecë përkrah nesh.

Presidenti Diter F. Uhtdorf shpjegoi: “Ati ynë në Qiell i di nevojat e fëmijëve të Tij më mirë se çdokush tjetër. Është puna dhe lavdia e Tij të na ndihmojë në çdo hap, duke na dhënë burime të mrekullueshme materiale e shpirtërore që të na ndihmojnë në shtegun tonë për t’u kthyer tek Ai.”

Dëgjojini ato fjalë: Ati Qiellor e di se për çfarë keni nevojë ju dhe unë, më mirë se çdokush tjetër. Si rrjedhojë, Ai ka krijuar një kuti ndihme vetjake të përshtatur për çdonjërin nga ne. Kutia ka shumë përbërës. Ajo përfshin Birin e Tij dhe Shlyerjen, Frymën e Shenjtë, urdhërimet, shkrimet e shenjta, lutjen, profetët, apostujt, prindërit, gjyshërit, udhëheqësit vendorë të Kishës dhe shumë të tjerë – të gjitha për të na ndihmuar që të kthehemi të jetojmë me Të një ditë.

A më lejoni të tregoj sot vetëm disa prej përbërësve të kutisë së ndihmës që më kanë bërë të kuptoj se një Atë i dashur po më udhëheq, po më udhërrëfen dhe po ecën përkrah meje dhe familjes sime? Lutja ime është që secili prej jush ta dallojë në përvojat e veta se Ati Qiellor po ju udhëheq, po ju udhërrëfen e po ecën përkrah jush, dhe, me atë njohuri, ju do të vazhdoni përpara me siguri, duke e ditur që në të vërtetë nuk jeni asnjëherë vetëm.

Urdhërimet e Atit Qiellor janë përbërësit kyç të kutisë së ndihmës. Alma shpalli se, “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”. Tolerimi i sjelljes së pavend pa qortim dashamirës është dhembshuri e rreme dhe e përforcon idenë e zakonshme se ligësia në fakt mund të jetë lumturi. Samuel lamaniti e kundërshtoi hapur këtë ide: “Ju keni kërkuar lumturi duke bërë paudhësi, gjë e cila është në kundërshtim me natyrën e asaj drejtësie që është në Udhëheqësin tonë të madh dhe të përjetshëm.”

Nëpërmjet profetëve të Tij, Ati Qiellor na kujton vazhdimisht se drejtësia është lumturi. Mbreti Beniamin, për shembull, dha mësim se Ati Qiellor “kërkon që ju duhet të bëni siç ju ka urdhëruar; pasi në qoftë se ju bëni ashtu, ai ju bekon menjëherë”. Nga një himn tjetër vjen po një kujtesë e ngjashme:

“Mbaj urdhërimet, mbaj urdhërimet!

Në këtë ka paqe dhe ka siguri.

Ai sjell bekime.”

Afër ditëlindjes sime të 14-të, unë mësova rreth disa prej këtyre bekimeve. Vura re sjellje të ndryshme nga ana e prindërve të mi. Duke marrë parasysh atë që vëzhgova, unë pyeta: “Mos po shkojmë në një mision?” Tronditja në fytyrën e nënës sime ma pohoi dyshimin. Më pas, gjatë këshillit familjar, motrat e vëllezërit e mi dhe unë, morëm vesh se prindërit tanë ishin thirrur të kryesonin në një mision.

Ne jetonim në një fermë të bukur në Uajoming. Parë nga këndvështrimi im, jeta ishte e përsosur. Vija nga shkolla në shtëpi, i mbaroja punët e përditshme dhe dilja për gjueti, peshkim ose për të eksploruar me qenin tim.

Pak pasi mora vesh për thirrjen, unë e kuptova se më duhej të hiqja dorë nga qeni im, Bluja. Iu hakërrova atit tim, duke e pyetur se çfarë duhet të bëja me Blunë. Desha të theksoja padrejtësinë e asaj që Perëndia po kërkonte. Nuk do ta harroj kurrë këtë përgjigje. Ai tha: “Nuk jam i sigurt. Me gjasë ai nuk mund të vijë me ne, kështu bën më mirë të pyesësh Atin Qiellor”. Nuk ishte përgjigjja që kisha pritur.

Fillova të lexoja Librin e Mormonit. U luta me zell për të ditur nëse duhet ta dhuroja qenin tim. Përgjigjja nuk më erdhi në çast, përkundrazi, një mendim i caktuar vazhdoi të më ngulitej në mendje. “Mos u bëj barrë për prindërit e tu. Mos u bëj barrë. Unë i thirra prindërit e tu.”

Unë e dija se çfarë kërkonte Ati Qiellor. Ajo njohuri nuk ma pakësoi dhembjen që duhej ta dhuroja qenin tim. E megjithatë, nëpërmjet asaj sakrifice të vogël, zemra ime u zbut dhe unë gjeta paqe teksa kërkoja vullnetin e Atit Qiellor.

Unë e falënderoj Atin tim Qiellor për bekimet dhe lumturinë që gjeta nëpërmjet shkrimeve të shenjta, lutjes, Frymës së Shenjtë dhe një ati tokësor të denjë, i cili e përqafoi rolin e tij si mësuesi kryesor i ungjillit, për fëmijët e tij. Ata po më udhëhiqnin, po më udhërrëfenin dhe madje po ecnin përkrah meje për të më ndihmuar të gjeja rrugën – veçanërisht kur më duhej të bëja diçka të vështirë.

Përveç pasjes së përbërësve të kutisë së ndihmës që përmenda, secili nga ne është bekuar me një udhëheqës priftërie për të na udhëhequr dhe udhërrëfyer.

Presidenti Bojd K. Paker tha: “Peshkopët janë të frymëzuar! Secili nga ne e ka lirinë e zgjedhjes për ta pranuar ose për ta refuzuar këshillën e udhëheqësve tanë, por kurrë mos e nënvleftësoni këshillën e peshkopit tuaj, të dhënë qoftë nga foltorja apo veçan.”

Këta burra përpiqen të përfaqësojnë Zotin. Qofshim të moshuar apo të rinj, kur Satani dëshiron që ne të mendojmë se gjithçka ka humbur, peshkopët janë atje për të na udhërrëfyer. Kur flas me peshkopë, kam zbuluar një temë të përbashkët lidhur me rrëfimet për mosbindje ose për vuajtje pa faj nga keqbërje të tmerrshme. Peshkopët duan ta shprehin menjëherë dashurinë e Atit Qiellor për individin dhe dëshirën për të ecur krah tij ose saj ndërsa ai ose ajo e gjen rrugën për në shtëpi.

Ndofta përbërësi më i madh i kutisë së ndihmës së Atit Qiellor është përshkruar në këto fjalë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin.”

Për të na mësuar gjithçka që duhet të bëjmë, Jezu Krishti e tregoi rrugën duke dhënë shembullin e përkryer, të cilit ne duhet të përpiqemi t’i ngjasojmë. Ai na përgjërohet me duar të shtrira që të vijmë, e ta ndjekim Atë. Dhe kur të dështojmë, gjë që të gjithë e bëjmë, Ai na kujton: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen”.

Çfarë dhurate e mrekullueshme! Pendimi nuk është një ndëshkim; ai është një privilegj. Është një privilegj që na udhëheq dhe na udhërrëfen. Nuk është çudi që shkrimet e shenjta shpallin se ne nuk duhet të predikojmë asgjë tjetër përveç pendimit.

Ati Qiellor ka shumë burime, por shpesh Ai përdor dikë tjetër për ta ndihmuar Atë. Përditë Ai na jep mundësi që të udhëheqim, udhërrëfejmë dhe të ecim përkrah dikujt në nevojë. Ne duhet të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit. Edhe ne duhet t’i përvishemi punës së Atit Qiellor.

Si Presidencë e Përgjithshme e të Rinjve, ne e dimë se rinia është e bekuar kur kanë prindër dhe udhëheqës, të cilët veprojnë për Atin Qiellor, duke i udhëhequr, duke i udhërrëfyer dhe duke ecur përkrah tyre. Tre parime që do të na ndihmojnë të bëhemi pjesë e kutisë së ndihmës së Atit Qiellor për të tjerët janë:

Së pari, qëndrojuni pranë të rinjve. Presidenti Henri B. Ajring e theksoi këtë pikë: “Ka disa gjëra që ne mund të bëjmë që mund të kenë më tepër rëndësi. Madje edhe më të fuqishëm se përdorimi i fjalëve në mësimdhënien e doktrinës nga ne, do të jenë shembujt e të jetuarit të doktrinës.” Që ta udhëheqësh rininë, duhet të jesh me ta. Koha e përkushtuar është një shprehje e dashurisë që na lejon të mësojmë me anë të fjalës dhe shembullit.

Së dyti, për ta udhërrëfyer rininë me plot kuptimin e fjalës, ne duhet t’i lidhim me qiellin. Koha gjithnjë vjen kur çdokush duhet të qëndrojë i vetëm. Vetëm Ati Qiellor mund të jetë atje për të na udhërrëfyer në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet. Të rinjtë tanë duhet të dinë se si ta kërkojnë udhërrëfimin e Atit Qiellor.

Së treti, ne duhet ta lëmë rininë të udhëheqë. Sikurse prindi i dashur që mban dorën e një fëmije që po mëson të ecë, ne duhet t’i lejojmë të rinjtë të përparojnë. Duhet durim dhe dashuri për ta lejuar rininë të udhëheqë. Është më e vështirë dhe kërkon më shumë kohë sesa po ta bëjmë vetë. Ata mund të pengohen përgjatë rrugës, por ne do të ecim përkrah tyre.

Vëllezër e motra, do të vijnë kohë në jetën tonë kur bekimet e udhërrëfimit do të duken të largëta ose të papranishme. Për kohë të tilla dëshpërimi, Plaku D. Tod Kristoferson premtoi: “U jepni epërsi besëlidhjeve tuaja dhe lëreni bindjen të jetë e plotë. Pastaj ju mund të kërkoni me besim, pa lëkundje, sipas nevojës suaj dhe Perëndia do të përgjigjet. Ai do t’ju mbështesë ndërsa punoni dhe vigjëloni. Në kohën dhe në mënyrën e Tij ai do t’ju shtrijë dorën duke thënë, ‘Ja ku jam’.”

Në një kohë të tillë, unë kërkova këshillën e Atit Qiellor nëpërmjet lutjes së vazhdueshme dhe të çiltër për më shumë se një vit që të gjeja zgjidhjen për një situatë të vështirë. Nga ana logjike e dija se Ati Qiellor u përgjigjet të gjitha lutjeve të sinqerta. E prapëseprapë unë pata një dëshpërim kaq të madh një ditë saqë shkova në tempull me një pyetje: “Atë Qiellor, a do t’ia dish Ti vërtet?”

Isha ulur nga fundi i dhomës së pritjes së tempullit të Loganit në Juta, kur, për habinë time, ai që hyri në dhomë atë ditë ishte presidenti i tempullit Von J. Fethërstoun, një mik i ngushtë i familjes. Ai qëndroi përpara sallës dhe na uroi mirëseardhjen të gjithëve ne. Kur më dalloi midis frekuentuesve të tempullit, ai ndali së foluri, më vështroi në sy, e më pas tha: “Vëllai Brof, gëzohem që të shoh në tempull sot”.

Nuk do ta harroj kurrë ndjesinë e atij çasti të thjeshtë. Ishte sikur – në atë përshëndetje – Ati Qiellor po më zgjaste dorën e Tij duke më thënë: “Ja ku jam”.

Ati Qiellor do t’ia dijë dhe i dëgjon dhe u përgjigjet vërtet lutjeve të çdo fëmije. Si njëri prej fëmijëve të Tij, unë e di se përgjigjja ndaj lutjeve të mia erdhi në kohën e Zotit. Dhe nëpërmjet asaj përvoje, unë kuptova më shumë se kurdoherë, se ne jemi fëmijët e Perëndisë dhe se Ai na ka dërguar këtu që ne të mund të ndiejmë praninë e Tij tani dhe të kthehemi për të jetuar me Të një ditë.

Unë dëshmoj se Ati Qiellor vërtet na udhëheq, na udhërrëfen dhe ecën përkrah nesh. Teksa ne e ndjekim Birin e Tij dhe ua vëmë veshin shërbëtorëve të Tij, apostujve dhe profetëve, ne do të gjejmë rrugën drejt jetës së përjetshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.