2010–2019
Të Bërit një Dishepull i Zotit Tonë Jezu Krisht
Prill 2017


11:7

Të Bërit një Dishepull i Zotit Tonë Jezu Krisht

Plejada e karakteristikave që rrjedhin nga besimi në Krisht, është e gjitha e nevojshme që ne të qëndrojmë të fortë në këto ditë të fundit.

Çfarë do të thotë të jesh një dishepull i Zotit tonë Jezu Krisht? Një dishepull është dikush që është pagëzuar dhe është i gatshëm ta marrë mbi vete emrin e Shpëtimtarit e ta ndjekë Atë. Një dishepull përpiqet të bëhet ashtu siç është Ai duke i zbatuar urdhërimet e Tij në vdekshmëri, pak a shumë njëlloj si një ndihmës që kërkon të bëhet si mësuesi i tij.

Shumë njerëz e dëgjojnë fjalën dishepull dhe mendojnë se do të thotë vetëm “pasues”. Por dishepullimi i vërtetë është një gjendje e të qenit. Kjo nënkupton më shumë sesa të studiosh e të zbatosh një listë cilësish individuale. Dishepujt jetojnë në atë mënyrë që karakteristikat e Krishtit ndërthuren në thellësinë e qenies të tyre, sikur të ishte një tapiceri shpirtërore.

Dëgjojeni ftesën e Apostullit Pjetër për t’u bërë një dishepull i Shpëtimtarit:

“Duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,

diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmërinë,

mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë”.

Siç mund ta shihni, thurja e tapicerisë shpirtërore të dishepullimit vetjak kërkon më shumë sesa një fije të vetme. Në kohën e Shpëtimtarit, kishte shumë njerëz që pretendonin se ishin të drejtë në një aspekt apo një tjetër të jetës së tyre. Ata praktikonin atë që unë e kam quajtur “bindje përzgjedhëse”. Për shembull, ata e zbatonin urdhërimin për të mos punuar në Shabat, por prapëseprapë e kritikonin Shpëtimtarin që shëronte në atë ditë të shenjtë. Ata u jepnin lëmoshë të varfërve, por ofronin vetëm nga tepricat e tyre – atë që nuk u nevojitej më atyre. Ata agjëronin, por me fytyra të pikëlluara. Ata luteshin, por vetëm që njerëzit t’i shihnin. Jezusi tha: “Ata më afrohen me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej meje”. Burra dhe gra të tilla mund të përqendrohen në zotërimin e një cilësie apo veprimi të veçantë, por nuk bëhen domosdoshmërisht ashtu siç është Ai në zemrat e tyre.

Për këta, Jezusi shpalli:

“Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’

Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi’.”

Cilësitë e Shpëtimtarit, ashtu siç i perceptojmë ato, nuk janë një skenar që duhet ndjekur apo një listë që duhet plotësuar. Ato janë karakteristika të ndërthurura që i shtohen njëra-tjetrës, të cilat zhvillohen brenda nesh në mënyra ndërvepruese. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta marrim një karakteristikë si të Krishtit pa i fituar e pa ndikuar edhe tek të tjerat. Teksa një karakteristikë bëhet e fortë, kështu bëhen edhe shumë të tjera.

Te 2 Pjetër dhe te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 4, ne mësojmë se besimi në Zotin Jezu Krisht është themeli. Ne e matim besimin tonë përmes asaj që na udhëheq të bëjmë – nga bindja jonë. “Në qoftë se ju do të keni besim në mua”, premtoi Zoti, “ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme.” Besimi është një katalizator. Pa vepra, pa një jetesë të virtytshme, besimi ynë është i pafuqishëm për ta aktivizuar dishepullimin. Me të vërtetë, besimi është i vdekur.

Dhe kështu, Pjetri shpjegon: “T’i shtoni besimit tuaj virtytin”. Ky virtyt është më shumë sesa pastërti seksuale. Është dëlirësi e shenjtëri në mendje dhe trup. Virtyti është gjithashtu fuqi. Ndërsa e jetojmë besnikërisht ungjillin, ne do të kemi fuqi që të jemi të virtytshëm në çdo mendim, ndjenjë dhe veprim. Mendja jonë bëhet më pranuese ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe Dritës së Krishtit. Ne e mishërojmë Krishtin jo vetëm në atë që themi dhe bëjmë, por edhe në atë që jemi.

Pjetri vazhdon: “T’i shtoni … virtytit [tuaj] diturinë”. Ndërsa jetojmë një jetë të virtytshme, ne arrijmë ta njohim Atin Qiellor dhe Birin e Tij në një mënyrë të veçantë. “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e [Atit], do ta njohë … doktrinë[n].” Kjo njohuri është dëshmi vetjake, e lindur nga përvoja vetjake. Është një njohuri që na shndërron, kështu që “drita [jonë] kapet pas dritës [së Tij]” dhe “virtyti [ynë] e dashuron virtytin [e Tij]”. Nëpërmjet të jetuarit tonë të virtytshëm, ne vijojmë udhëtimin nga “unë besoj” për në pikëmbërritjen e lavdishme “unë e di”.

Pjetri na këshillon t’i shtojmë “diturisë vetkontroll; vetkontrollit qëndresën”. Si dishepuj me vetëkontroll, ne e jetojmë ungjillin në një mënyrë të drejtpeshuar e të qëndrueshme. Ne nuk “vrapoj[m]ë më shpejt sesa … [kemi] fuqi”. Ditë pas dite ne shkojmë përpara, të patrembur nga sfidat përmirësuese të vdekshmërisë.

Duke pasur vetëkontroll në këtë mënyrë, ne zhvillojmë qëndresë dhe mirëbesim në Zotin. Ne jemi në gjendje të mbështetemi në synimin e Tij për jetën tonë, edhe pse nuk mund ta shohim atë me sytë tanë natyrorë. Prandaj, ne mund të “rri[më] të qetë dhe [të] di[më] se [Ai është] Perëndi”. Kur përballemi me stuhitë e vuajtjeve, ne pyesim: “Çfarë do Ti që unë të mësoj nga kjo përvojë?” Me planin dhe qëllimet e Tij në zemrat tona, ne shkojmë përpara jo vetëm duke i duruar të gjitha gjërat, por duke i duruar ato me qëndresë dhe mirë.

Ky durim, jep mësim Pjetri, na çon në perëndishmëri. Siç është Ati i duruar me ne, fëmijët e Tij, ne bëhemi të duruar me njëri-tjetrin dhe veten tonë. Ne kënaqemi në lirinë e zgjedhjes së të tjerëve dhe në mundësinë që ajo u jep atyre të rriten “rresht pas rreshti”, të “shkëlqe[jnë] gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”.

Nga vetëkontrolli te qëndresa dhe nga qëndresa te perëndishmëria, natyra jonë ndryshon. Ne fitojmë dashurinë vëllazërore që është një shenjë dalluese e të gjithë dishepujve të vërtetë. Ashtu si Samaritani i mirë, ne shkojmë në anën tjetër të rrugës për t’i shërbyer kujtdo që është në nevojë, edhe nëse ata nuk janë në rrethin e miqve tanë. Ne i bekojmë ata që na mallkojnë. Ne u bëjmë mirë atyre që na keqtrajtojnë. A ka ndonjë cilësi më të perëndishme apo më shumë si të Krishtit sesa kjo?

Dëshmoj se përpjekjet që bëjmë për t’u bërë dishepuj të Shpëtimtarit tonë ndërtojnë vërtet mbi njëra-tjetrën derisa ne “zotër[ohemi]” nga dashuria e Tij. Kjo dashuri është karakteristika përcaktuese e një dishepulli të Krishtit:

“Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.”

Janë besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore që na kualifikojnë për punën e Perëndisë. “Tani, pra, këto tri gjëra mbeten … por më e madhja nga këto është dashuria.”

Vëllezër e motra, tani më shumë se kurrë, ne nuk mund të jemi “dishepuj me kohë të pjesshme”! Nuk mund të jemi dishepull vetëm në një pikë të doktrinës apo në një tjetër. Plejada e karakteristikave që rrjedhin nga besimi në Krisht, – përfshirë ato për të cilat kemi folur sot – është e gjitha e nevojshme që ne të qëndrojmë të fortë në këto ditë të fundit.

Ndërsa përpiqemi me zell që të jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, këto karakteristika do të ndërthuren, do të shtohen e do të forcohen në mënyrë ndërvepruese brenda nesh. Nuk do të ketë pabarazi midis mirësisë që u tregojmë armiqve tanë dhe mirësisë që u dhurojmë miqve tanë. Ne do të jemi po aq të ndershëm kur askush nuk na shikon, sa edhe kur të tjerët po na vëzhgojnë. Ne do të jemi po aq të përkushtuar ndaj Perëndisë në një shesh publik sa jemi në dhomëzën tonë vetjake.

Dëshmoj se çdokush mund të jetë një dishepull i Shpëtimtarit. Dishepullimi nuk kufizohet nga mosha, gjinia, origjina etnike apo thirrja. Nëpërmjet dishepullimit tonë individual, ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ndërtojmë një forcë kolektive për t’i bekuar vëllezërit dhe motrat tona kudo në botë. Tani është koha ta rizotojmë veten tonë për të qenë dishepuj të Tij me të gjithë zellin.

Vëllezër e motra, të gjithë ne jemi thirrur për të qenë dishepuj të Shpëtimtarit tonë. Qoftë kjo konferencë mundësia juaj të “filloni sikurse në kohët e vjetra të vini te[k Ai] me gjithë zemrën tuaj”. Kjo është Kisha e Tij. Jap dëshminë time të veçantë se Ai jeton. Na bekoftë Ai në kërkimin tonë të përjetshëm për t’u bërë dishepuj të përkushtuar e të guximshëm. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.