2010–2019
Qëndroni Drejt brenda Vetvetes dhe Jini të Përfshirë në të Gjitha
Prill 2017


11:59

Qëndroni Drejt brenda Vetvetes dhe Jini të Përfshirë në të Gjitha

E rillogaritshim udhën tonë nëse është e nevojshme dhe shikofshim përpara me shpresë e besim të madh. “Qëndrofshim drejt brenda vetvetes” duke qenë të guximshëm dhe “të përfshirë në të gjitha”.

Para disa vitesh mbesa jonë e vogël vrapoi drejt meje dhe plot emocion bëri të ditur: “Gjyshi, gjyshi, unë i bëra që të tre golat në ndeshjen time të futbollit sot!”

Plot entuziazëm u përgjigja: “Të lumtë, Sara!”

Atëherë nëna e saj më pa dhe me humor më tha: “Rezultati ishte dy me një”.

Nuk guxova të pyesja se kush kishte fituar!

Konferenca është një kohë reflektimi, zbulese dhe nganjëherë ridrejtimi.

Ka një kompani që jep me qira makina me një sistem GPS të quajtur NeverLost [Nuk Humbet Kurrë]. Nëse bëni një kthesë të gabuar pasi të keni futur të dhënat për vendmbërritjen tuaj të dëshiruar, zëri udhëzues nuk thotë: “O budalla!” Përkundrazi, me një zë shumë të këndshëm, thotë: “Po rillogarit udhën – kur të jetë e mundur bëni një kthesë të ligjshme 180 gradë”.

Tek Ezekieli lexojmë këtë premtim të mrekullueshëm:

“Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.

[Të gjitha] shkelje[t] që ka kryer nuk do t’i kujtohe[n] atij.”

Çfarë premtimi mahnitës, por ai kërkon dy të gjitha për të marrë premtimin e së tretës. Largohet nga të gjitha; respekton të gjitha; atëherë të gjitha falen. Kjo kërkon që të jemi “të përfshirë në të gjitha”!

Nuk duhet të jemi si njeriu që, siç raportoi gazeta Wall Street Journal, i dërgoi një zarf të mbushur me kartëmonedha së bashku me një letër anonime zyrës së Internal Revenue Services [zyra e taksave të SHBA-së], e cila thoshte: “I dashur IRS: Në këtë zarf do të gjeni para që i kam borxh nga taksat e viteve të shkuara. P.S. Nëse pas kësaj ende do të më vrasë ndërgjegjja, do t’jua dërgoj pjesën e mbetur.”

Kjo nuk është si jetojmë ne! Ne nuk tërhiqemi pas që të shohim se cili është minimumi për t’i shpëtuar gjykimit. Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme. Të gjithë zemrën tonë! Kur pagëzohemi, ne zhytemi tërësisht në ujë si një simbol i premtimit tonë për ta ndjekur tërësisht Shpëtimtarin, jo me gjysmë zemre. Kur jemi tërësisht të zotuar dhe “të përfshirë në të gjitha”, qielli dridhet për të mirën tonë. Kur jemi të plogësht ose vetëm pjesërisht të zotuar, ne i humbasim disa nga bekimet më të zgjedhura të qiellit.

Shumë vite më parë i çova djemtë skautistë në një kampim në shkretëtirë. Djemtë fjetën pranë një zjarri të madh që kishin bërë, dhe, si çdo udhëheqës i mirë i skautistëve, unë fjeta në pjesën e pasme të kamionçinës time. Në mëngjes kur u ngrita dhe e hodha vështrimin te kampimi, pashë një djalë, të cilin do ta quaj Pol, që veçanërisht dukej se nuk ia kishte kaluar mirë gjatë natës. E pyeta se si kishte fjetur dhe ai u përgjigj: “Aspak mirë”.

Kur e pyeta përse, ai tha: “Ishte ftohtë; zjarri u shua”.

U përgjigja: “Epo, zjarret shuhen. A nuk ishte mjaft i ngrohtë thesi yt i gjumit?”

Asnjë përgjigje.

Atëherë një prej djemve të tjerë u përgjigj me zë të lartë: “Nuk e përdori thesin e tij të gjumit”.

E pyeta me habi: “Pse jo, Pol?”

Heshtje – më pas, më së fundi përgjigjja me turp: “Epo, mendova se, nëse nuk e hapja thesin tim të gjumit, nuk do të kisha nevojë ta mblidhja përsëri”.

Ngjarje e vërtetë: ai ngriu së ftohti për orë të tëra ngaqë po përpiqej të kursente pesë minuta pune. Mund të mendojmë: “Ç’budallallëk! Kush do ta bënte atë ndonjëherë?” Epo, ne e bëjmë gjithmonë, në mënyra mjaft më të rrezikshme. Ne, në fakt, nuk po pranojmë t’i hapim thasët tanë shpirtërorë të gjumit kur nuk gjejmë kohë për t’u lutur sinqerisht, për të studiuar dhe për ta jetuar me zell ungjillin çdo ditë; jo vetëm që zjarri do të shuhet, por ne do të jemi të pambrojtur dhe do të bëhemi të ftohtë shpirtërisht.

Kur jemi të vetëkënaqur me besëlidhjet tona, ne jemi përgjegjës për pasojat. Zoti na ka këshilluar t’i “hap[im] sytë për veten [tonë], t’u[a] v[ëmë] veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme”. Dhe më tej Ai shpalli: “Gjaku im nuk do t’i pastrojë ata, nëse nuk më dëgjojnë mua”.

Në të vërtetë, është shumë më e lehtë të jemi “të përfshirë në të gjitha” sesa pjesërisht të përfshirë. Kur jemi pjesërisht të përfshirë ose aspak të përfshirë, ka, sipas terminologjisë së filmit Lufta e Yjeve, “një trazirë në forcën”. Ne nuk jemi në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe si rrjedhojë nuk jemi në harmoni me natyrën e lumturisë. Isaia tha:

“Të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë.

‘Nuk ka paqe për të pabesët’, thotë Perëndia im.”

Për fat të mirë, pavarësisht se ku jemi apo ku kemi qenë, ne nuk jemi përtej zonës së ndikimit të Shpëtimtarit, i cili tha: “Prandaj, kushdo që pendohet dhe vjen tek unë si një fëmijë i vogël, atë do ta pranoj, pasi për të tillë është mbretëria e Perëndisë. Vini re, për këtë gjë unë dhashë jetën time dhe e mora përsëri.”

Ndërsa pendohemi vazhdimisht dhe mbështetemi te Zoti, ne fitojmë forcë kur kthehemi tërësisht në zotërimin e përulësisë dhe besimit të një fëmije të vogël, të pasuruar me urtësinë e lindur nga përvoja e një jete. Jobi shpalli: “Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër”. Ishte Tenisoni që shkroi: “Forca ime është sa për dhjetë vetë, sepse zemra ime është e dëlirë”. Zoti ka këshilluar: “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”.

Biri ynë, Xhastini, ndërroi jetë në moshën 19-vjeçare pasi u ndesh me një sëmundje që i zgjati tërë jetën. Në një bisedë që dha në një mbledhje sakramenti jo shumë kohë para se të largohej prej nesh, ai tregoi një histori që mund ta kishte prekur atë, rreth një babai dhe birit të tij të vogël, të cilët shkuan në një dyqan lodrash ku ishte një thes plastik boksi për goditje, i fryrë me ajër, në formë njeriu. Djali e godiste me grusht njeriun e mbushur me ajër, i cili përkulej mbas dhe menjëherë ngrihej sërish pas çdo goditjeje. Babai e pyeti djalin e vogël përse njeriu ngrihej sërish. Djali mendoi pak dhe më pas tha: “Nuk e di. Ma merr mendja se ndodh ngaqë ai po qëndron drejt brenda vetvetes.” Me qëllim që të jemi “të përfshirë në të gjitha”, na nevojitet të “qëndrojmë drejt brenda vetvetes”, “le të ndodhë ç’të ndodhë”.

Ne qëndrojmë drejt brenda vetvetes kur shpresojmë te Zoti për të na i hequr gjembat tanë në mish ose për të na dhënë forcë t’i durojmë ato gjemba. Gjemba të tillë mund të jenë sëmundja fizike, paaftësia, sëmundja mendore, vdekja e një njeriu të dashur dhe kaq shumë gjëra të tjera.

Ne qëndrojmë drejt brenda vetvetes kur i ngremë duart që varen. Ne qëndrojmë drejt brenda vetvetes kur e mbrojmë të vërtetën kundrejt një bote të ligë dhe jobesimtare, që po bëhet gjithnjë e më shumë e parehatshme me dritën, duke e quajtur të mirë të keqen dhe të keqe të mirën dhe “duke dënuar të drejtët për shkak të drejtësisë së tyre”.

Qëndrimi drejt brenda vetvetes pavarësisht nga vështirësitë është i mundshëm për shkak të një ndërgjegjeje të pastër, sigurisë forcuese dhe ngushëlluese nga Fryma e Shenjtë dhe një këndvështrimi të përjetshëm i cili e tejkalon të kuptuarin e njeriut të vdekshëm. Në jetën tonë para lindjes ne lëshuam britma gëzimi për mundësinë që ta përjetonim jetën në vdekshmëri. Ne ishim “të përfshirë në të gjitha” kur morëm me gëzim vendimin që të ishim mbrojtës të guximshëm të planit të Atit tonë Qiellor. Është koha që të qëndrojmë drejt dhe ta mbrojmë planin e Tij sërish!

Babai im 97-vjeçar ndërroi jetë kohët e fundit. Kurdoherë që dikush e pyeste se si po ia çonte, përgjigjja e tij e pandryshueshme ishte: “Në shkallën nga 1 deri në 10, jam rreth 25!” Edhe kur ky burrë i dashur nuk mund të ngrihej më në këmbë apo edhe të qëndronte ulur dhe kishte vështirësi të madhe që të fliste, përgjigjja e tij qe po e njëjtë. Ai gjithmonë po qëndronte drejt brenda vetvetes.

Kur babai im qe 90 vjeç, ne ishim në një aeroport dhe e pyeta nëse mund t’i merrja një karrige me rrota. Ai tha: “Jo, Geri – mbase kur të plakem”. Dhe më pas shtoi: “Sidoqoftë, nëse lodhem duke ecur, unë gjithmonë mund të vrapoj”. Në qoftë se nuk jemi në gjendje të jemi “të përfshirë në të gjitha” në mënyrën se si po ecim tani, atëherë ndoshta na duhet të vrapojmë; ndoshta na nevojitet ta rillogaritim udhën tonë. Ndoshta mund të na duhet të bëjmë një kthesë 180 gradë. Mund të na nevojitet të studiojmë më me vëmendje, të lutemi më me zell ose thjesht të heqim dorë nga diçka më pak e rëndësishme që të mund të përqendrohemi tek ato gjëra që kanë vërtet rëndësi. Mund të na duhet të heqim dorë nga bota që të mund të mbahemi te përjetësia. Babai im e kuptoi këtë gjë.

Babai i Plakut Sebin në flotën detare

Kur ishte në flotën detare gjatë Luftës II Botërore, pati nga ata në ndërtesën e gjerë dhe të madhe, të cilët u tallën me parimet e tij, por dy prej shokëve të anijes së tij, Dejll Medoksi dhe Don Dejvidsoni, e vunë re dhe nuk u tallën. Ata pyetën: “Sebin, përse je kaq i ndryshëm nga gjithë të tjerët? Ti ke moral të lartë dhe nuk pi alkool, duhan, as nuk përdor fjalë të pista, por dukesh i qetë dhe i lumtur.”

Mbresa e tyre pozitive për babanë tim nuk u përputh me atë që kishin mësuar rreth mormonëve, dhe babai im ishte në gjendje t’i mësonte dhe pagëzonte që të dy shokët e tij të anijes. Prindërit e Dejllit ishin shumë të zemëruar dhe e paralajmëruan që, nëse bashkohej me Kishën, ai do ta humbiste të dashurën e tij, Meri Olivën, por ajo u takua me misionarët për shkak të kërkesës së tij dhe gjithashtu u pagëzua.

Afër mbarimit të luftës, Presidenti Hibër J. Grant bëri thirrje për misionarë, duke përfshirë burrat e martuar. Në vitin 1945, Dejlli dhe bashkëshortja e tij, Meri Oliva, vendosën se Dejlli duhej të shërbente edhe pse po prisnin fëmijën e tyre të parë. Përfundimisht ata patën nëntë fëmijë – tre djem dhe gjashtë vajza. Që të nëntë shërbyen misione, pasuar nga Dejlli dhe Meri Oliva, të cilët shërbyen vetë tri misione. Duzina me nipër e mbesa kanë shërbyer gjithashtu. Dy prej djemve të tyre, Xhon dhe Methju Medoksi, janë tani anëtarë të Korit të Tabernakullit, siç është edhe dhëndri i Methjuit, Rajëni. Familja Medoks tani numëron 144 veta dhe ata janë shembuj të mrekullueshëm të të qenit “të përfshirë në të gjitha”.

Pjesëtarët e familjes Medoks në Korin e Tabernakullit

Duke kontrolluar nëpër letrat e babait tim, gjetëm një letër nga Xhenifer Riçardsi, një prej pesë bijave të shokut tjetër të tij të anijes, Don Dejvidsonit. Ajo shkroi: “Drejtësia juaj e ndryshoi jetën tonë. Është e vështirë të kuptohet se si do të ishte jeta jonë pa Kishën. Babi im vdiq duke e dashur ungjillin dhe duke u përpjekur ta jetonte atë deri në fund.”

Është e vështirë ta matim ndikimin për mirë që mund të ketë çdo njeri kur qëndron drejt brenda vetvetes. Babai im dhe dy shokët e tij të anijes nuk pranuan t’i dëgjonin njerëzit në ndërtesën e gjerë dhe të madhe, të cilët po tregonin me gishtin tallës. Ata e dinin se është shumë më e mirë të ndiqet Krijuesi sesa turma.

Apostulli Pal mund të ishte duke përshkruar kohën tonë kur i tha Timoteut se “disa, duke u shmangur nga këto gjëra, u kthyen në biseda të kota”. Ka shumë “biseda të kota” që po ndodhin në botë sot. Është biseda e atyre në ndërtesën e gjerë dhe të madhe. Shpesh shfaqet si një formë arsyetimi për ta shfajësuar ligësinë ose e shfaq vetveten kur njerëzit humbasin udhën dhe ecin me më shumë shpejtësi në udhën e gabuar. Nganjëherë kjo vjen nga ata që nuk e kanë paguar çmimin që të jenë “të përfshirë në të gjitha” dhe parapëlqejnë ta ndjekin njeriun natyror në vend që të ndjekin profetin.

Fatmirësisht, ne e dimë se si është fundi për besnikët. Kur jemi “të përfshirë në të gjitha”, ne kemi sigurinë gjithëpërfshirëse që “të gjitha gjëra[t] bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”. Sikurse tha Plaku Nill A. Maksuell: “Mos kini frikë, vetëm jetoni me drejtësi”.

Vjehrri im dha mësim në UBJ dhe e donte shumë futbollin amerikan të UBJ-së, por nuk mund ta detyronte veten t’i shihte ndeshjet e tyre ngaqë ishte kaq nervoz rreth rezultatit përfundimtar. Më pas ndodhi një gjë e mrekullueshme – u shpik regjistrimi me video, që bëri të mundur për të që t’i regjistronte ndeshjet. Nëse UBJ fitonte, ai do ta shihte regjistrimin me besim të përsosur, tërësisht i sigurt për përfundimin! Nëse ndëshkoheshin pa të drejtë, vriteshin ose ishin mbrapa nga fundi i lojës, ai nuk shqetësohej ngaqë e dinte se do t’ia dilnin mbanë! Mund të thoni se ai kishte “një ndriçim të përkryer të shpresës”!

Kështu është edhe me ne. Kur jemi besnikë, ne mund të kemi të njëjtën siguri që gjërat do të veprojnë për mirë për ne më së fundi. Premtimet e Zotit janë të sigurta. Kjo nuk do të thotë që ky universitet në vdekshmëri do të jetë i lehtë ose pa shumë lot, por siç shkroi Pali: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”.

Vëllezër e motra, askush nuk ka mëkatuar në të nesërmen. E rillogaritshim udhën tonë nëse është e nevojshme dhe shikofshim përpara me shpresë e besim të madh. “Qëndrofshim drejt brenda vetvetes” duke qenë të guximshëm dhe “të përfshirë në të gjitha”. Qofshim të dëlirë dhe plot guxim në mbrojtjen e planit të Atit tonë Qiellor dhe të misionit të Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë. Ju jap dëshminë time se Ati ynë jeton, se Jezusi është Krishti dhe për realitetin e planit të madhërishëm të lumturisë. Unë lutem që bekimet më të zgjedhura të Zotit të jenë me ju dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.