Gjuha e Ungjillit
Mësimdhënia e fuqishme është tejet e rëndësishme për të ruajtur ungjillin në familjet tona dhe ajo kërkon zell e përpjekje.
Pasi isha thirrur si Autoritet i Përgjithshëm, unë u shpërngula me familjen time nga Kosta Rika në Solt-Lejk-Siti për detyrën time të parë. Këtu në Shtetet e Bashkuara, unë kam qenë i bekuar që kam vizituar njerëz të mrekullueshëm me origjina etnike dhe kultura të ndryshme. Midis tyre janë shumë që, si unë, kishin lindur në vendet e Amerikës Latine.
Unë kam vënë re se shumë nga latino-amerikanët e brezit të parë këtu, e flasin spanjishten si gjuhën e tyre të parë dhe anglisht sa për të komunikuar me të tjerët. Brezi i dytë, që ose kanë lindur në Shtetet e Bashkuara ose kanë ardhur në një moshë të hershme dhe kanë shkuar në shkollë këtu, flasin një anglishte shumë të mirë dhe ndoshta pak spanjishte të çalë. Dhe shpesh me brezin e tretë, spanjishtja, gjuha vendase e paraardhësve të tyre, ka humbur.
Në terma gjuhësorë, kjo quhet thjesht “humbje e gjuhës”. Humbja e gjuhës mund të ndodhë kur familjet shpërngulen në një vend të huaj ku gjuha e tyre e origjinës nuk është mbizotëruese. Kjo ndodh jo vetëm me latino-amerikanët, por edhe ndër popullsitë kudo në botë kur një gjuhë e origjinës zëvendësohet për hir të një gjuhe të re. Edhe Nefi, një profet në Librin e Mormonit, ishte i shqetësuar rreth humbjes së gjuhës së origjinës të etërve të tij kur po përgatitej të shkonte në tokën e premtuar. Nefi shkruan: “Dhe vini re, është urtësia e Perëndisë, që ne duhet t’i marrim këto anale, që të mund t’u ruajmë fëmijëve tanë gjuhën e etërve tanë”.
Por Nefi ishte gjithashtu i shqetësuar rreth humbjes së një lloji tjetër gjuhe. Në vargun tjetër, ai vazhdon: “Dhe gjithashtu që të mund t’u ruajmë atyre fjalët që janë thënë nga goja e të gjithë profetëve të shenjtë, të cilat u janë dhënë atyre, nëpërmjet Shpirtit dhe fuqisë së Perëndisë, që nga fillimi i botës, madje deri në këtë kohë”.
Unë vura re një ngjashmëri midis ruajtjes së gjuhës amtare dhe ruajtjes së ungjillit të Jezu Krishtit në jetën tonë.
Sot në analogjinë time, do të doja të theksoja, jo ndonjë gjuhë të veçantë tokësore, por përkundrazi një gjuhë të përjetshme që duhet ruajtur në familjet tona dhe të mos humbasë kurrë. Unë po flas për gjuhën e ungjillit të Jezu Krishtit. Me “gjuhë të ungjillit” unë nënkuptoj të gjitha mësimet e profetëve tanë, bindjen tonë ndaj këtyre mësimeve dhe ndjekjen e traditave të drejta nga ana jonë.
Unë do të diskutoj tri mënyra se si mund të ruhet kjo gjuhë.
Së pari: Të Qenit Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi
Te Doktrina e Besëlidhje, Zoti ftoi shumë anëtarë të spikatur të Kishës, përfshirë Njuëll K. Uitnin, që t’i vendosnin në rregull shtëpitë e tyre. Zoti tha: “Shërbëtori im Newel K. Whitney … ka nevojë të ndëshkohet dhe të vendosë në rregull familjen e tij, dhe të kujdeset që ata të jenë më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi dhe të luten gjithmonë, ose ata do të largohen nga vendi i tyre”.
Një faktor që ndikon në humbjen e gjuhës është kur prindërit nuk shpenzojnë kohë për t’u mësuar gjuhën e origjinës fëmijëve të tyre. Nuk është e mjaftë thjesht ta flasësh gjuhën në shtëpi. Nëse prindërit duan ta ruajnë gjuhën e tyre, ajo duhet të jepet mësim. Kërkimet kanë zbuluar se prindërit që bëjnë një përpjekje të vetëdijshme për ta ruajtur gjuhën e tyre të origjinës priren të kenë sukses në bërjen e kësaj. Kështu cila do të ishte një përpjekje e vetëdijshme për ta ruajtur gjuhën e ungjillit?
Plaku Dejvid A. Bednar i kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve paralajmëroi se “mësimdhënia e dobët e ungjillit dhe shembulli i dobët në shtëpi” është një shkak i fortë që mund të ndërpresë ciklin e familjeve shumëbrezëshe në Kishë.
Ndaj mund të arrijmë në përfundimin se mësimdhënia e fuqishme është tejet e rëndësishme për të ruajtur ungjillin në familjet tona dhe kërkon zell e përpjekje.
Ne jemi ftuar shumë herë ta përvetësojmë praktikën e studimit të përditshëm si familje dhe si individë të shkrimeve të shenjta. Shumë familje që po e bëjnë këtë janë bekuar përditë me unitet më të madh e marrëdhënie më të ngushtë me Zotin.
Kur do të bëhet studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta? Ai do të ndodhë kur prindërit i marrin shkrimet e shenjta në dorë dhe, me dashuri, e ftojnë familjen të mblidhet së bashku për të studiuar. Është e vështirë ta shohësh këtë studim të ndodhë në ndonjë mënyrë tjetër.
Etër dhe nëna, mos i humbisni këto bekime të mëdha. Mos pritni gjersa të jetë tepër vonë!
Së dyti: Shembull i Fortë në Shtëpi
Një ekspert gjuhëtar shkroi se për ta ruajtur një gjuhë origjine, “ju duhet ta bëni gjuhën të gjallë për fëmijët tuaj”. Ne e “bë[jmë] gjuhën të gjallë” kur mësimdhënia dhe shembulli ynë ndërveprojnë.
Kur isha i ri, punoja në fabrikën e babait tim gjatë pushimeve verore. Pyetja e parë e parë që babai më bënte gjithmonë pasi merrja rrogën ishte: “Çfarë do të bësh me paratë e tua?”
Unë e dija përgjigjen dhe ia ktheja: “Do të paguaj të dhjetën dhe do të kursej për misionin tim”.
Pasi punova me të për rreth tetë vite dhe gjithmonë duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje, babai im e kuptoi se më kishte mësuar rreth pagimit të së dhjetës sime. Ajo që ai nuk e kuptoi ishte se unë e pata mësuar këtë parim të rëndësishëm vetëm për një fundjavë. Më lejoni t’ju tregoj se si e mësova atë parim.
Pas disa ngjarjeve lidhur me një luftë civile në Amerikën Qendrore, biznesi i babait tim falimentoi. Nga rreth 200 të punësuar me kohë të plotë ai mbeti me më pak se pesë rrobaqepës, të cilët kur nevojiteshin punonin në garazhin e shtëpisë sonë. Një ditë gjatë atyre kohërave të vështira, i dëgjova prindërit e mi të diskutonin nëse duhet ta paguanin të dhjetën apo të blinin ushqim për fëmijët.
Të dielën, e ndoqa babanë për të parë se çfarë do të bënte. Pas mbledhjeve të Kishës, e pashë të merrte një zarf dhe ta vendoste atje të dhjetën e vet. Kjo ishte vetëm një pjesë e mësimit. Pyetja që mbeti për mua ishte se çfarë do të hanim.
Herët të hënën në mëngjes, disa njerëz trokitën në derën tonë. Kur e hapa, ata pyetën për babanë tim. Unë e thirra dhe kur ai erdhi, vizitorët i treguan rreth një porosie urgjente qepjeje që atyre u duhej sa më shpejt të ishte e mundur. Ata i thanë se porosia ishte aq urgjente saqë ata do ta parapaguanin. Atë ditë unë i mësova parimet e pagimit të së dhjetës dhe bekimet që pasojnë.
Në Dhiatën e Re, Zoti flet rreth dhënies së shembullit. Ai thotë: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri”.
Nuk është e mjaftë thjesht t’u flasim fëmijëve tanë rreth rëndësisë së martesës në tempull, agjërimit dhe mbajtjes të ditës së Shabatit të shenjtë. Ata duhet të na shohin duke planifikuar në programet tona shkuarjen në tempull sa më shpesh që mundemi. Ata duhet të shohin angazhimin tonë për të agjëruar rregullisht dhe për ta mbajtur gjithë ditën e Shabatit të shenjtë. Nëse rinia jonë nuk mund të agjërojë për dy vakte, nuk mund të studiojë shkrimet e shenjta rregullisht dhe nuk mund ta fikë televizorin gjatë një ndeshjeje të madhe të dielën, a do ta kenë ata vetëdisiplinën shpirtërore për t’u bërë ballë tundimeve të fuqishme të botës së sotme sfiduese, përfshirë tundimit të pornografisë?
Së treti: Traditat
Një tjetër mënyrë se si gjuha mund të ndryshohet apo të humbasë është kur gjuhë dhe tradita të tjera përzihen me gjuhën amtare.
Në vitet e hershme të Kishës së rivendosur, Zoti ftoi shumë anëtarë të spikatur të Kishës që t’i vendosnin në rregull shtëpitë e tyre. Ai e filloi ftesën e Tij duke trajtuar dy mënyra me të cilat ne mund ta humbasim dritën dhe të vërtetën nga shtëpitë tona: “Ai i lig vjen dhe largon dritën dhe të vërtetën nëpërmjet mosbindjes, nga fëmijët e njerëzve, dhe për shkak të traditës së etërve të tyre.”
Si familje, ne duhet të shmangim çdo traditë që do të na pengojë nga mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë ose nga studimi i shkrimeve të shenjta dhe lutja çdo ditë në shtëpi. Ne duhet të mbyllim dyert elektronike të shtëpisë sonë për pornografinë dhe të gjitha ndikimeve të tjera të liga. Për të luftuar traditat e botës të ditëve tona, ne duhet të përdorim shkrimet e shenjta dhe zërin e profetëve tanë bashkëkohorë për t’u mësuar fëmijëve tanë rreth identitetit të tyre hyjnor, qëllimit të tyre në jetë dhe misionit hyjnor të Jezu Krishtit.
Përfundimi
Në shkrimet e shenjta ne gjejmë disa shembuj për “humbjen e gjuhës”. Për shembull:
“Tani ndodhi që kishte shumë nga brezi i ri që nuk kuptonin dot fjalët e mbretit Beniamin, duke qenë se ishin fëmijë të vegjël, kur ai i foli popullit të tij; dhe ata nuk besonin traditën e etërve të tyre. …
Dhe tani, për shkak të mosbesimit të tyre ata nuk mund ta kuptonin fjalën e Perëndisë; dhe zemrat e tyre ishin ngurtësuar.”
Për brezin që u rrit, ungjilli u bë një gjuhë e huaj. Dhe ndërsa ndonjëherë debatohet mbi përfitimet e ruajtjes së gjuhës së origjinës, në kuadrin e planit të shpëtimit, nuk ka debat rreth pasojave të përjetshme të humbjes së gjuhës së ungjillit në shtëpitë tona.
Si fëmijë të Perëndisë, ne jemi njerëz të papërsosur që përpiqemi të mësojmë një gjuhë të përsosur. Ashtu si një nënë është e dhembshur me fëmijët e saj të vegjël, edhe Ati ynë Qiellor është i durueshëm me papërsosuritë dhe gabimet tona. Ai e ruan dhe e kupton edhe lutjen tonë më të mekur, mërmëritur me sinqeritet, si të ishte poezi shumë e bukur. Ai gëzohet nga tingulli i fjalëve tona të para të ungjillit. Ai na mëson me dashuri të përkryer.
Asnjë arritje në këtë jetë, sado e rëndësishme që mund të jetë, nuk do të vlejë nëse humbasim gjuhën e ungjillit në familjet tona. Është dëshmia ime që Ati Qiellor do të na bekojë në përpjekjet tona ndërsa përpiqemi të përqafojmë gjuhën e Tij, madje derisa të bëhemi më të rrjedhshëm në këtë nivel më të lartë komunikimi, që gjithmonë ka qenë gjuha jonë amtare. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.