Atëherë Jezusi e Vështroi në Fytyrë, Ndjeu Dashuri për të
Sa herë të ndieni se po ju kërkohet të bëni diçka të vështirë, mendoni se Zoti po ju vështron, ndjen dashuri për ju dhe po ju fton ta ndiqni Atë.
Disa vite më parë u thirra, bashkë me gruan time, Xhakui, për të kryesuar mbi Misionin e Spokejnit në Uashington. Ne arritëm në terrenin e misionit me një ndërthurje të frikës dhe entuziazmit ndaj përgjegjësisë të të punuarit me kaq shumë misionarë të rinj dhe të jashtëzakonshëm. Ata vinin nga prejardhje të ndryshme dhe shumë shpejt u bënë si vetë bijtë dhe bijat tona.
Edhe pse shumica po ia dilnin mrekullisht mirë, pak prej tyre po mundoheshin me pritshmëritë e larta të thirrjes së tyre. Mbaj mend një misionar që më tha: “President, unë thjesht nuk i kam qejf njerëzit”. Disa më thanë që u mungonte dëshira për të ndjekur rregullat disi të rrepta të misionarëve. Unë shqetësohesha dhe vrisja mendjen se çfarë mund të bënim për t’i ndryshuar zemrat e atyre pak misionarëve të cilët nuk e kishin mësuar ende gëzimin e të qenit të bindur.
Një ditë ndërsa ngisja makinën nëpër fushat e bukura me grurë që shtrihen në kufirin midis Uashingtonit dhe Ajdahos, po dëgjoja një regjistrim të Dhiatës së Re. Teksa po dëgjoja tregimin e njohur të të riut pasanik që shkoi te Shpëtimtari për të pyetur se çfarë mund të bënte për të pasur jetë të përjetshme, mora një zbulesë vetjake të papritur, por të thellë që është tashmë një kujtim i shenjtë.
Pasi dëgjova Jezusin të citonte urdhërimet dhe të riun që u përgjigj se i kishte respektuar të gjitha këto urdhërime që nga fëmijëria e tij, mbajta vesh për korrigjimin e butë të Shpëtimtarit: “Një gjë të mungon: shit të gjitha ato që ke, dhe … eja më ndiq”. Por për habinë time, në vend të kësaj dëgjova gjashtë fjalë para asaj pjese të vargut të cilat m’u duk sikur nuk i kisha lexuar ose dëgjuar më parë. Ishte sikur ato të ishin shtuar në shkrimet e shenjta. U mahnita nga kuptimi i frymëzuar që u shpalos më pas.
Cilat ishin ato gjashtë fjalë që patën një efekt aq të thellë? Mbani vesh për të parë nëse i dalloni këto fjalë në dukje të zakonshme, që nuk gjenden në rrëfimet e tjera të ungjillit, por gjenden vetëm në ungjillin e Markut:
“I doli përpara dikush me vrap … dhe e pyeti, Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?
Dhe Jezusi i tha, …
‘Ti i njeh urdhërimet: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde.’”
Dhe ai duke iu përgjigjur, i tha: ‘Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time’.
Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ‘Një gjë të mungon: shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq’”.
“Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të.”
Teksa i dëgjoja ato fjalë, mendja m’u kaplua nga një imazh i gjallë i Zotit tonë tek ndalonte dhe e vështronte në fytyrë këtë të ri. E vështroi në fytyrë – si të ishte duke parë thellësisht dhe duke depërtuar brenda shpirtit të tij, duke e dalluar mirësinë dhe potencialin e tij, si dhe duke e shquar nevojën e tij më të madhe.
Pastaj fjalët e thjeshta – Jezusi ndjeu dashuri për të. Ai ndjeu një dhembshuri dhe dashuri të skajshme për këtë të ri të mirë, dhe për shkak të kësaj dashurie, dhe me këtë dashuri, Jezusi kërkoi edhe më shumë prej tij. E përfytyrova se si mund të jetë ndier ky i ri i rrethuar nga një dashuri e tillë, madje edhe gjatë kohës që po i kërkohej të bënte diçka kaq tejet të vështirë si shitja e gjithçkaje që zotëronte dhe dhurimi i saj tek të varfërit.
Në atë çast, unë e dija se nuk ishin vetëm zemrat e disa prej misionarëve tanë që kishin nevojë të ndryshonin. Ishte edhe zemra ime. Pyetja nuk ishte më “Si ia arrin një president i lodhur misioni që ta bëjë një misionar të sillet më mirë?” Në vend të kësaj pyetja ishte “Si mund të mbushem me dashuri si të Krishtit, në mënyrë që një misionar të mund ta ndiejë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet meje dhe të dëshirojë të ndryshojë?” Si mundem unë t’i vështroj në fytyrë ata në të njëjtën mënyrë që Zoti e vështroi të riun pasanik, duke i parë ata siç janë në të vërtetë dhe se si ata mund të bëhen, në vend që t’i shoh vetëm për atë që po bëjnë apo nuk po bëjnë? Si mund të jem më shumë si Shpëtimtari?
“Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të”.
Që nga ajo kohë dhe në vazhdim, teksa ulesha gju më gju me një misionar të ri që po mundohej me ndonjë aspekt të bindjes, brenda zemrës sime unë tashmë shihja një të ri apo të re besnik/e që kishte ndjekur një dëshirë për të ardhur në një mision. Më pas unë isha në gjendje të thoja me gjithë ndjeshmërinë e ngjashme me atë të një prindi të dashur: “Plaku ose Motra, nëse unë nuk do të të doja, nuk do të më interesonte se çfarë të ndodh në misionin tënd. Por unë të dua ty, dhe për shkak se të dua, më intereson se kush do të bëhesh. Kështu që të ftoj t’i ndryshosh ato gjëra që janë të vështira për ty dhe të bëhesh ai që Zoti do që ti të bëhesh.”
Çdo herë që shkoja për t’i intervistuar misionarët, së pari lutesha për dhuratën e dashurisë hyjnore dhe që të mund ta shihja çdo djalë apo vajzë misionare ashtu siç e shikon Zoti.
Përpara konferencës së zonës, teksa motra Palmer dhe unë takonim çdo misionar një e nga një, unë e kisha zakon të ndaloja dhe të shihja thellësisht në sytë e tyre, duke i vështruar në fytyrë ata – një intervistë pa fjalë – dhe gjithmonë mbushesha me dashuri të madhe për këta bij e bija të çmuar të Perëndisë.
Kam marrë shumë mësime që më kanë ndryshuar jetën nga kjo përvojë thellësisht vetjake me kapitullin 10 të Markut. Ja tek janë katër nga këto mësime që besoj se do ta ndihmojnë secilin prej nesh:
-
Teksa mësojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh Zoti në vend që t’i shohim me sytë tanë, dashuria jonë për ta do të rritet dhe kështu do të rritet edhe dëshira jonë për t’i ndihmuar ata. Ne do të shohim potencial brenda të tjerëve që ata me shumë gjasë nuk e shohin te vetja. Me dashuri si të Krishtit ne nuk do të kemi frikë të flasim me guxim, sepse “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën”. Dhe ne nuk do të dorëzohemi kurrë, duke e mbajtur mend se ata të cilët janë më të vështirët për t’u dashur kanë nevojën më të madhe për dashuri.
-
Asnjë mësimdhënie apo nxënie e vërtetë nuk ka për të ndodhur ndonjëherë kur bëhet me acarim apo zemërim dhe zemrat nuk do të ndryshojnë atje ku dashuria nuk është e pranishme. Edhe kur veprojmë në rolet tona si prindër, mësues apo udhëheqës, mësimdhënia e vërtetë do të ndodhë vetëm në një atmosferë mirëbesimi dhe jo ndëshkimi. Shtëpitë tona duhet të jenë përherë një vend i sigurt për fëmijët tanë – dhe jo një mjedis armiqësor.
-
Dashuria kurrë nuk duhet t’i hiqet një fëmije, miku ose pjesëtari të familjes kur ai nuk i arrin pritshmëritë tona. Ne nuk e dimë çfarë i ndodhi të riut pasanik pasi u largua i hidhëruar, por kam besim se Jezusi prapëseprapë e donte atë përsosmërisht edhe pse ai zgjodhi rrugën më të lehtë. Ndoshta më vonë në jetë, kur ai i pa pasuritë e veta të mëdha që ishin zbrazëti, ai e kujtoi dhe veproi sipas asaj përvoje të pashoqe kur Zoti i Tij e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe e ftoi ta ndiqte Atë.
-
Për shkak se Ai na do, Zoti pret shumë prej nesh. Nëse jemi të përulur, ne do ta mirëpresim ftesën e Zotit për t’u penduar, sakrifikuar dhe shërbyer si provë e dashurisë së Tij të përsosur për ne. Në fund të fundit, një ftesë për t’u penduar është gjithashtu një ftesë për të marrë dhuratën e mrekullueshme të faljes dhe paqes. Prandaj, “mos e përçmo … qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton: sepse Perëndia ndreq atë që do.”
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa herë të ndieni se po ju kërkohet të bëni diçka të vështirë – të hiqni dorë nga një zakon i keq ose varësi, t’i lini mënjanë qëllimet tokësore, të sakrifikoni një veprimtari të parapëlqyer sepse është ditë Shabati, të falni dikë që ju ka bërë keq – mendoni se Zoti po ju vështron, ndjen dashuri për ju dhe po ju fton ta lini pas atë gjë dhe ta ndiqni Atë. Dhe unë e falënderoj Atë që ju do aq sa t’ju kërkojë të bëni më shumë.
Unë dëshmoj për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe e pres me padurim ditën kur Ai do të hedhë krahët e Tij rreth secilit prej nesh, do të na vështrojë në fytyrë dhe do të na rrethojë me dashurinë e Tij të përsosur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.