Besoni në Perëndi pa Lëkundje
Nëse jemi të qëndrueshëm dhe nuk lëkundemi në besimin tonë, Zoti do ta rritë aftësinë tonë për ta ngritur veten mbi sfidat e jetës.
Të dashur vëllezër dhe motra, dua ta filloj mesazhin tim sot duke dëshmuar se unë e di që Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Perëndisë në kohën tonë. Këshilltarët e Tij në Presidencën e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt janë në fakt edhe profetë, shikues e zbulues. Ata përfaqësojnë Zotin Jezu Krisht dhe kanë të drejtë të deklarojnë mendimin dhe vullnetin e Tij sikurse u është zbuluar atyre. Unë dëshmoj se ka siguri në ndjekjen e këshillës së tyre. Zoti po i frymëzon ata që të theksojë forcimin e besimit tonë tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe te Shlyerja e Tij, në mënyrë që të mos lëkundemi kur ndeshim sfidat e kohës sonë.
Në Librin e Mormonit, ne lexojmë rreth një burri të quajtur Amon, i cili u dërgua nga toka e Zarahemlës në tokën e Lehi-Nefit për të pyetur lidhur me vëllezërit e tyre. Atje ai gjeti mbretin Limhi dhe popullin e tij, që ishin nën robërinë e lamanitëve. Mbreti Limhi u nxit nga gjërat që i tregoi Amoni rreth popullit të tij në Zarahemla. Zemra e tij u mbush me një shpresë dhe gëzim kaq të madh saqë e mblodhi popullin e tij në tempull dhe u tha:
“Prandaj, ngrini kokat tuaja, dhe gëzohuni dhe vini besimin tuaj te Perëndia. …
… Në qoftë se ju do të ktheheni te Zoti me qëllim të plotë të zemrës … dhe t’i shërbeni atij me të gjithë zellin e mendjes, … ai do t’ju nxjerrë nga robëria, në bazë të vullnetit dhe të dëshirës së tij”.
Besimi i popullit të mbretit Limhi u ndikua aq thellësisht nga fjalët e Amonit saqë ata bënë një besëlidhje me Perëndinë për t’i shërbyer Atij dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij, pavarësisht rrethanave të vështira të tyre. Në saje të besimit të tyre, ata qenë në gjendje të hartonin një plan që të shpëtonin nga duart e lamanitëve.
Vëllezër dhe motra, ju lutem mendoni për rëndësinë e ftesës që mbreti Limhi i bëri popullit të tij dhe lidhjen që ka me ne. Ai tha: “Ngrini kokat tuaja, dhe gëzohuni dhe vini besimin tuaj te Perëndia.” Me këto fjalë, Limhi e ftoi popullin e tij që të shihte drejt së ardhmes me sytë e besimit; t’i zëvendësonte frikërat e tij me optimizmin e shpresës së lindur në besim; dhe të mos lëkundej në vënien e besimit te Perëndia, pavarësisht rrethanave.
Jeta e vdekshme është një periudhë prove ku ne do të provohemi për të parë nëse do t’i bëjmë të gjitha gjërat që Zoti Perëndia ynë do të na urdhërojë. Kjo do të kërkojë besim të palëkundur te Krishti, edhe në kohë vështirësie të madhe. Kjo do të kërkojë që ne të çajmë përpara me besim të qëndrueshëm te Krishti, duke u udhëhequr nga Shpirti dhe duke besuar se Perëndia do të sigurojë për nevojat tona.
Në përfundim të shërbesës së Tij tokësore, pikërisht përpara se të merrej në burg, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”.
Përsiatni me mua për një çast – Jezu Krishti, Biri i Vetëmlindur i Atit, jetoi një jetë pa mëkat dhe i mposhti të gjitha tundimet, dhimbjet, sfidat dhe hidhërimet e botës. Ai derdhi pika gjaku në Gjetseman; Ai vuajti dhimbje të tmerrshme të papërshkrueshme. Ai mori mbi Vete të gjitha dhimbjet dhe sëmundjet tona. Ai qëndron i gatshëm për të ndihmuar – për ta ndihmuar secilin prej nesh – me çdo barrë. Nëpërmjet jetës, vuajtjes, vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, Ai hoqi çdo pengesë që ne të gëzohemi dhe të gjejmë paqe në këtë tokë. Përfitimet nga sakrifica e Tij Shlyese shtrihen ndaj të gjithë atyre që e pranojnë Atë dhe e mohojnë veten, dhe ndaj atyre që e marrin mbi vete kryqin e Tij dhe e ndjekin Atë si dishepuj të Tij të vërtetë. Prandaj, kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, ne do të forcohemi, barrët tona do të lehtësohen dhe nëpërmjet Tij ne do ta mposhtim botën.
Vëllezër dhe motra, kur marrim parasysh fuqinë dhe shpresën që mund të marrim nga Shpëtimtari, ne kemi arsye ta ngremë kokën lart, të gëzohemi dhe të çajmë përpara me besim dhe pa u lëkundur, “sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. … sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta”.
Mbreti Limhi nxiti po kështu: “Ktheh[u]ni te Zoti me qëllim të plotë të zemrës … t’i shërbeni atij me të gjithë zellin e mendjes, në qoftë se ju e bëni këtë, ai do t’ju nxjerrë nga robëria, në bazë të vullnetit dhe të dëshirës së tij.”
Vërini veshin fjalëve të vetë Shpëtimtarit kur Ai na përgjërohet:
“Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë, besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua. …
Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. …
Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”.
Perëndia na bekon sipas besimit tonë. Besimi është burimi i të jetuarit me një qëllim hyjnor dhe këndvështrim përjetësie. Besimi është një parim praktik që nxit zell. Ai është një shfaqje e forcës së gjallë të qëndrimit tonë pozitiv dhe të dëshirës për të bërë me gatishmëri çdo gjë që Perëndia dhe Jezu Krishti kërkojnë nga ne. Ai na ul në gjunjtë tanë për t’iu përgjëruar Zotit për drejtim dhe për t’u ngritur e vepruar me besim për të arritur gjëra që janë në përputhje me vullnetin e Tij.
Vite më parë ndërsa shërbeja si president misioni, mora një thirrje telefonike nga prindërit e njërit prej misionarëve tanë të dashur që më informoi për vdekjen e motrës së tij. Më kujtohet, në dhimbjen e atij çasti, që misionari dhe unë diskutuam planin e mrekullueshëm të Perëndisë për shpëtimin e fëmijëve të Tij dhe se si kjo njohuri do ta ngushëllonte atë.
Edhe pse ishte i hutuar dhe i dëshpëruar nga ajo fatkeqësi, ky misionar – me lotët e tij dhe me besim te Perëndia – gëzohej në jetën e motrës së tij. Ai shprehu mirëbesim të palëkundur në mëshirat e dhembshura të Zotit. Me vendosmëri, ai më tha se do të vazhdonte të shërbente në misionin e tij me gjithë besimin dhe zellin, me qëllim që të ishte i denjë për premtimet që Perëndia kishte për të dhe familjen e tij. Në këtë kohë nevoje, ai misionar besnik e ktheu zemrën e vet drejt Perëndisë, e vendosi gjithë besimin tek Ai dhe ripërtëriu zotimin e tij për t’i shërbyer Zotit me besim dhe me gjithë zellin.
Vëllezër dhe motra, nëse ne nuk jemi rrënjosur me besim të qëndrueshëm te Perëndia dhe dëshirë për t’i shërbyer Atij, përvojat e dhimbshme të vdekshmërisë mund të na bëjnë të ndiejmë sikur jemi rënduar nga një zgjedhë e rëndë; dhe mund ta humbasim shtysën për ta jetuar ungjillin plotësisht. Pa besim, ne do të përfundojmë në humbjen e aftësisë për t’i vlerësuar ato plane të Perëndisë sonë lidhur me gjërat që do të na ndodhin më vonë në jetë.
Në këto çaste sprove, kundërshtari – që është kurdoherë syçelët – përpiqet ta përdorë logjikën dhe arsyetimin tonë kundër nesh. Ai përpiqet të na bindë se është e kotë t’i jetosh parimet e ungjillit. Ju lutem kujtoni se logjika e njeriut natyror “nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi”. Kujtoni që Satani “është armik i Perëndisë dhe lufton kundër tij përherë dhe fton, dhe [na] nxit në mëkat dhe për të bërë atë që është e ligë përherë”. Ne nuk duhet ta lejojmë atë të na mashtrojë; sepse kur e lejojmë, besimi ynë lëkundet dhe ne e humbasim fuqinë për t’i marrë bekimet e Perëndisë.
Nëse jemi të qëndrueshëm dhe nuk lëkundemi në besimin tonë, Zoti do ta rritë aftësinë tonë për ta ngritur veten mbi sfidat e jetës. Ne do të aftësohemi për t’i nënshtruar impulset negative dhe do të zhvillojmë aftësinë për të mposhtur madje edhe ato që duken si pengesa të pakalueshme. Kjo ishte ajo që i aftësoi njerëzit e mbretit Limhi të bënin një ikje mahnitëse nga robëria e tyre te lamanitët.
Vëllezër dhe motra, unë ju ftoj ta vendosni gjithë besimin tuaj te Perëndia dhe mësimet e profetëve të Tij. Unë ju ftoj t’i ripërtërini besëlidhjet tuaja me Perëndinë, t’i shërbeni Atij me gjithë zemrën tuaj, pavarësisht situatave të ndërlikuara të jetës. Unë dëshmoj se me anë të fuqisë së besimit tuaj të palëkundur te Krishti, ju do të çliroheni nga robëria e mëkatit, e dyshimit, e mosbesimit, e hidhërimit, e vuajtjes; dhe ju do t’i merrni të gjitha bekimet e premtuara nga Ati ynë i dashur Qiellor.
Unë dëshmoj se Perëndia është i vërtetë. Ai jeton. Ai na do. Ai i dëgjon lutjet tona në çastet tona të lumturisë dhe në çastet tona të dyshimit, trishtimit e dëshpërimit. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Ai është Shëlbuesi.
Unë po i mbyll komentet e mia sot me vargjet e himnit: “Not Now but in the Coming Years” (Jo Tani, por në Vitet e Ardhshme) që gjenden në librin e himneve në portugalisht:
Nëse retë në vend të diellit përhapin hije mbi zemrën tonë,
Nëse dhimbja na godet, s’ka gjë; kush je Ti shpejt do ta mësojmë.
Jezusi na drejton me dorën e Tij, dhe psenë Ai do të na tregojë;
Nëse mbajmë vesh zërin e Tij, Ai shpejt do të na udhëzojë.
Besoni te Perëndia pa lëkundje, dhe lëreni Atë të na ndihmojë;
Këndojini lavdisë së Tij pafundësisht, se më pas Ai do të shpjegojë.
Unë i them këto gjëra në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.