Shkëlqimi i Shenjtërisë
Ati ynë në Qiell ka siguruar për ne gjithçka që kërkohet në mënyrë që të mund të bëhemi të shenjtë siç është Ai i shenjtë.
Teksa përgatitesha për këtë mbledhje, zemra ime është kthyer drejt shumë motrave besnike që unë kam takuar, afër e larg. Për mua, ato janë përshkruar më së miri në një psalm falënderimi nga mbreti David: “Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij”.
Unë e shoh shkëlqimin e shenjtërisë te motrat zemrat e të cilave janë përqendruar në gjithçka që është e mirë, të cilat dëshirojnë të bëhen më shumë si Shpëtimtari. Ato i ofrojnë Zotit gjithë shpirtin, zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre në mënyrën se si ato jetojnë çdo ditë. Shenjtëria vjen nga përpjekja dhe orvatja për t’i mbajtur urdhërimet dhe për t’i nderuar besëlidhjet që kemi bërë me Perëndinë. Shenjtëria është të bërit e zgjedhjeve që do ta mbajnë Frymën e Shenjtë si udhëzuesin tonë. Shenjtëria është të lënët mënjanë e prirjeve tona të natyrshme dhe të bërit “shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”. “Çdo çast i [jetës sonë] duhet t’i shenjtërohet Zotit.”
Perëndia i qiellit i urdhëroi fëmijët e Izraelit: “Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u infektoni”.
Plaku D. Tod Kristoferson ka dhënë mësim: “Ati ynë Qiellor është një Perëndi me pritshmëri të larta. … Ai na propozon të bëhemi të shenjtë kështu që të mund ‘të duroj[m]ë një lavdi çelestiale’ (DeB 88:22) dhe ‘të banoj[m]ë në prani të tij’ (Moisiu 6:57).” Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin] shpjegon: “Asnjë qenie nuk mund ta gëzojë lavdinë e Tij pa pasur përsosuritë dhe shenjtërinë e Tij”. Ati ynë në Qiell na njeh. Ai na do dhe Ai ka siguruar për ne gjithçka që kërkohet në mënyrë që të mund të bëhemi të shenjtë siç është Ai i shenjtë.
Ne jemi bija të Atit Qiellor dhe secila prej nesh ka një trashëgimi hyjnore të shenjtërisë. Ati ynë në Qiell ka shpallur: “Vër re, unë jam Perëndi; Njeri i Shenjtërisë është emri im”. Në botën para lindjes, ne e donim Atin tonë dhe e adhuronim Atë. Ne dëshironim të ishim si Ai. Nga dashuria e përsosur atërore, Ai dha Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai është Biri i Njeriut të Shenjtërisë. “Emri i [Tij] është i ‘Shenjti’”, “i Shenjti i Izraelit”.
Shpresa jonë për shenjtëri është e përqendruar te Krishti, në mëshirën e Tij dhe në hirin e Tij. Me besim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, ne mund të bëhemi të pastër, pa njollë, kur ne ia mohojmë vetes ligësinë dhe pendohemi me sinqeritet. Ne pagëzohemi me ujë për heqjen e mëkateve. Shpirtrat tanë shenjtërohen kur ne e marrim Frymën e Shenjtë me zemra të hapura. Çdo javë, ne marrim ordinancën e sakramentit. Në një shpirt pendimi, me dëshira të sinqerta për drejtësi, ne bëjmë besëlidhje se ne jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Krishtit, ta kujtojmë Atë dhe të zbatojmë urdhërimet e Tij që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Me kalimin e kohës, ndërsa përpiqemi në mënyrë të vazhduar të bëhemi një me Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, ne bëhemi pjesëtarë të natyrës së Tyre hyjnore.
Shenjtëria Është të Mbajturit e Besëlidhjeve Tona
Ne e njohim numrin e madh të provave, tundimeve dhe mundimeve që mund të na tërheqin larg nga gjithçka që është e virtytshme dhe e denjë për t’u lavdëruar përpara Perëndisë. Por përvojat tona në vdekshmëri na ofrojnë mundësinë të zgjedhim shenjtërinë. Më së shpeshti janë sakrificat që ne bëjmë për t’i mbajtur besëlidhjet tona që na shenjtërojnë dhe na bëjnë të shenjtë.
Unë pashë shenjtëri në fytyrën e Evanxhelisë, një vajzë 13-vjeçare në Ganë. Një nga mënyrat se si ajo i mban besëlidhjet e saj është duke e lartësuar thirrjen e saj si presidente e klasës së Kosheres. Ajo me përulësi shpjegoi se ajo shkon në shtëpitë e shoqeve të saj, të rejave më pak aktive, për t’u kërkuar prindërve të tyre që t’i lënë ato të vijnë në Kishë. Prindërit i thonë asaj që është e vështirë për shkak se të dielën fëmijët duhet të bëjnë punët e shtëpisë. Kështu që Evanxhelia shkon dhe i ndihmon me punët, dhe nga përpjekjet e saj shoqet e veta shpesh lejohen të vijnë në Kishë.
Ordinancat e shenjta të priftërisë do të na ndryshojnë, do të na shenjtërojnë dhe do të na përgatitin për të hyrë në praninë e Zotit, nëse ne do t’i mbajmë besëlidhjet e lidhura me to. Kështu ne mbajmë barrët e njëri-tjetrit; ne e forcojmë njëri-tjetrin. Ne mbajmë një heqje të mëkateve kur i sjellim lehtësim shpirtëror dhe material të varfërve, të uriturve, të zhveshurve dhe të sëmurëve. Ne e mbajmë veten të pastër nga bota kur e mbajmë ditën e Shabatit dhe e marrim sakramentin me denjësi në ditën e shenjtë të Zotit.
Ne bekojmë familjet tona dhe i bëjmë vende të shenjta shtëpitë tona. Ne i frenojmë pasionet tona në mënyrë që të mund të jemi të mbushur me dashuri të pastër dhe të qëndrueshme. Ne i ndihmojmë të tjerët në mirësi, me dhembshuri dhe qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë. Ne bëhemi popull i Sionit, i një zemre dhe i një mendjeje, një popull i kulluar që banon së bashku në unitet dhe drejtësi. “Sepse Sioni duhet të rritet në bukuri dhe në shenjtëri.”
Motra, ejani në tempull. Që ne të jemi një popull i shenjtë i përgatitur për ta pranuar Shpëtimtarin në ardhjen e Tij, ne duhet të ngrihemi dhe të veshim rrobat tona të bukura. Në forcë dhe nder, ne i braktisim mënyrat e botës dhe i mbajmë besëlidhjet tona që të mund të jemi “të veshur me pastërti, po, madje edhe me rrobën e drejtësisë”.
Shenjtëria Është të Marrësh Frymën e Shenjtë si Udhëzuesin Tonë
Shenjtëria është një dhuratë e Shpirtit. Ne e pranojmë këtë dhuratë kur zgjedhim të bëjmë ato gjëra që do ta rritin fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë në jetën tonë.
Kur Marta e priti Jezu Krishtin në shtëpinë e saj, ajo ndjeu një dëshirë të jashtëzakonshme për t’i shërbyer Zotit sa më mirë që mundej. Motra e saj, Maria, zgjodhi të ulej “te këmbët e Jezusit” dhe të dëgjonte fjalën e Tij. Kur Marta u ndje e ngarkuar nga të shërbyerit pa asnjë ndihmë, ajo u ankua: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej?”
Më pëlqejnë shumë fjalët e të qortuarit më të butë që mund të përfytyroj. Me dashuri të përsosur dhe dhembshuri të pafund, Shpëtimtari këshilloi:
“Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet”.
Motra, në mënyrë që të jemi të shenjta, ne duhet të mësojmë që të ulemi te këmbët e Të Shenjtit të Izraelit dhe t’i japim kohë shenjtërisë. A e lëmë mënjanë telefonin, listën e pafund të “gjërave për t’u bërë” dhe shqetësimet rreth gjërave të botës? Lutja, studimi dhe vënia vesh fjalës së Perëndisë e ftojnë dashurinë e Tij pastruese dhe shëruese në shpirtrat tanë. Le të gjejmë kohë të jemi të shenjta, që të mund të mbushemi me Shpirtin e Tij të shenjtë dhe shenjtërues. Me Frymën e Shenjtë si udhëzuesin tonë, ne do të jemi të përgatitura ta pranojmë Shpëtimtarin në shkëlqimin e shenjtërisë.
Shenjtëria Është të Bërit Shenjtor nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit
Sipas fjalëve të frymëzuara të mbretit Beniamin, ata që bëhen shenjtorë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit janë ata që janë të nënshtruar, të bindur, të përulur, të duruar dhe plot me dashuri, ashtu siç është Shpëtimtari. Ai profetizoi se Jezu Krishti, “Zoti i Plotfuqishëm që mbretëron, i cili ishte dhe është nga gjithë përjetësia në përjetësi, do të vijë poshtë nga qielli mes fëmijëve të njerëzve dhe do të banojë në një tabernakull prej argjile”. Ai erdhi për të bekuar të sëmurët, të çalët, të shurdhët dhe të verbrit dhe për të ngritur në jetë ata që kishin vdekur. Dhe përsëri Ai vuajti “më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje”. Dhe ndonëse Ai është i vetmi me anë të të cilit vjen shpëtimi, Ai u tall, u fshikullua dhe u kryqëzua. Por Biri i Perëndisë u ngrit nga varri që ne të gjithë të mund ta mposhtim vdekjen. Ai është ai që do të qëndrojë për të gjykuar botën në drejtësi. Ai është ai që do të na shëlbojë të gjithëve ne. Ai është i Shenjti i Izraelit. Jezu Krishti është shkëlqimi i shenjtërisë.
Kur populli i mbretit Beniamin dëgjoi fjalët e tij, ata ranë përtokë, kaq e madhe qe përulësia e tyre dhe nderimi i tyre për hirin dhe lavdinë e Perëndisë tonë. Ata pranuan gjendjen e tyre të mishit. A e shohim ne varësinë tonë absolute nga hiri dhe mëshira e Krishtit, Zotit tonë? A e pranojmë ne se çdo dhuratë e mirë, materiale dhe shpirtërore, na vjen me anë të Krishtit? A e mbajmë ne mend se sipas planit të përjetshëm të Atit, paqja në këtë jetë dhe lavditë e përjetësisë janë tonat vetëm në dhe nëpërmjet Birit të Tij të shenjtë?
U bashkofshim ne me popullin e mbretit Beniamin teksa ata thirrën me zë të lartë njëzëri: “O, ki mëshirë dhe përdor gjakun shlyes të Krishtit, që ne të mund të marrim faljen e mëkateve tona dhe zemrat tona të mund të pastrohen; pasi ne besojmë në Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, që krijoi qiellin dhe tokën dhe të gjitha gjërat”.
Unë dëshmoj se ndërsa ne vijmë tek i Shenjti i Izraelit, Shpirti i Tij do të vijë te ne që të mund të mbushemi me gëzim dhe të marrim heqje të mëkateve dhe paqe të ndërgjegjes.
Ati Qiellor i ka dhënë secilit prej nesh aftësinë për të qenë të shenjtë. Bëfshim më të mirën që mundemi për t’i mbajtur besëlidhjet tona dhe për ta marrë Frymën e Shenjtë si udhëzuesin tonë! Me besim në Jezu Krisht, ne bëhemi shenjtorë nëpërmjet Shlyerjes së Tij, që të mund të marrim pavdekësinë dhe jetën e përjetshme dhe t’i japim Perëndisë, Atit tonë, lavdinë që i takon emrit të Tij. Qofshin përherë jetët tona një ofertë e shenjtë, që ne të mund të qëndrojmë përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë! Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.