2010–2019
Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj
Prill 2011


“Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”

Vetë përvoja e durimit të ndëshkimit mund të na pastrojë e të na përgatisë për privilegje më të mëdha shpirtërore.

Ati ynë Qiellor është një Perëndi me pritshmëri të larta. Pritshmëritë e Tij për ne shprehen nga Biri i Tij, Jezu Krishti, në këto fjalë: “Unë do të doja që ju të jeni të përkryer, madje, sikurse jam unë, ose të përkryer si Ati juaj që është në qiell” (3 Nefi 12:48). Ai na propozon të bëhemi të shenjtë kështu që të mund “të duroj[m]ë një lavdi çelestiale” (DeB 88:22) dhe “të banoj[m]ë në prani të tij” (Moisiu 6:57). Ai e di çfarë kërkohet dhe kështu, për ta bërë të mundur shndërrimin tonë, Ai jep urdhërimet e besëlidhjet e Tij, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe, më e rëndësishmja, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Birit të Tij të Dashur.

Në të gjithë këtë, qëllimi i Perëndisë është që ne, fëmijët e Tij, të mund të jemi në gjendje të përjetojmë gëzimin përfundimtar, të jemi me Të përjetësisht dhe të bëhemi madje ashtu si është Ai. Disa vite më parë, Plaku Dallin H. Ouks shpjegoi: “Gjykimi i Fundit nuk është vetëm vlerësimi i një shume totale të veprave të mira dhe të liga – i asaj që kemi bërë. Ai është një pranim i efektit përfundimtar të veprave dhe mendimeve tona – i asaj që jemi bërë. Nuk mjafton që vetëm të shkojmë pas veprimeve. Urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit nuk janë një listë depozitash që na kërkohet t’i derdhim në një llogari qiellore. Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon si të bëhemi ajo çka Ati ynë Qiellor dëshiron të bëhemi”1.

Për fat të keq, shumë prej të krishterëve modernë nuk e dallojnë se Perëndia bën ndonjë kërkesë të vërtetë për ata që besojnë tek Ai, duke e parë Atë më tepër si një shërbëtor “që u plotëson nevojat kur e thërrasin” ose një terapist roli i të cilit është të ndihmojë njerëzit që “të ndihen mirë me veten”2. Ky është një këndvështrim fetar që “nuk pretendon të ndryshojë jetë”3. “Përkundrazi”, siç deklaron një autor, “Perëndia i portretizuar si në shkrimet e shenjta hebraike ashtu dhe në ato të krishtera kërkon, jo thjesht zotim, por vetë jetën tonë. Perëndia i Biblës trajton jetën dhe vdekjen, jo dashamirësinë, dhe kërkon dashuri sakrifikuese, jo mosangazhim neutral”4.

Dëshiroj të flas për një qëndrim dhe praktikë të veçantë që duhet të përvetësojmë nëse do të përmbushim pritshmëritë e larta të Atit tonë Qiellor. Është kjo: ta pranojmë me gatishmëri dhe madje ta kërkojmë korrigjimin. Korrigjimi është jetik nëse do ta përshtasim jetën tonë “te një njeri i përsosur, [që është] në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13). Pali tha për korrigjimin ose ndëshkimin hyjnor: “Sepse Perëndia ndreq atë që do” (Hebrenjve 12:6). Edhe pse shpesh është e vështirë të durojmë, vërtet, ne duhet të gëzohemi që Perëndia konsideron se ia vlen koha dhe mundimi që të na korrigjojë.

Ndëshkimi hyjnor ka të paktën tre qëllime: 1) të na mbushë mendjen që të pendohemi, 2) të na pastrojë e shenjtërojë ne dhe 3) nganjëherë ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë.

Merrni parasysh së pari pendimin, kushtin e nevojshëm për falje dhe pastrim. Zoti deklaroi: “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu” (Zbulesa 3:19). Përsëri, Ai tha: “Dhe populli im duhet të ndëshkohet derisa ata të mësojnë bindjen, nëse duhet, nëpërmjet gjërave që i vuajnë” (DeB 105:6; shih edhe DeB 1:27). Në një zbulesë të ditëve të mëvonshme, Zoti i urdhëroi katër udhëheqës të lartë të Kishës të pendoheshin (siç mund të urdhëronte shumë prej nesh), sepse nuk i kishin mësuar siç duhet fëmijët e tyre “sipas urdhërimeve” dhe sepse nuk kishin qenë “më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi” (shih DeB 93:41–50). Vëllai i Jaredit në Librin e Mormonit u pendua kur Zoti qëndroi në një re dhe foli me të “për hapësirën e tri orëve … dhe e ndëshkoi rëndë, sepse ai nuk ishte kujtuar të thërriste në emrin e Zotit” (Ethëri 2:14). Meqë ai iu përgjigj me kaq gatishmëri këtij qortimi të rëndë, vëllait të Jaredit iu dha më vonë privilegji që ta shihte dhe të udhëzohej nga Shëlbuesi në formën e paravdekshmërisë (shih Ethëri 3:6–20). Fryti i ndëshkimit prej Perëndisë është pendimi, që çon në drejtësi (shih Hebrenjve 12:11).

Përveç nxitjes së pendimit tonë, vetë përvoja e durimit të ndëshkimit mund të na pastrojë e të na përgatisë për privilegje më të mëdha shpirtërore. Tha Zoti: “Populli im duhet të provohet në gjithçka, që ata të mund të përgatiten për të marrë lavdinë që unë kam për ta, madje lavdinë e Sionit; dhe ai që nuk do ta durojë ndëshkimin, nuk është i denjë për mbretërinë time” (DeB 136:31). Në një vend tjetër Ai thotë: “Sepse të gjithë ata që nuk do ta durojnë ndëshkimin, por do të më mohojnë, nuk mund të shenjtërohen” (DeB 101:5; shih edhe Hebrenjve 12:10). Siç tha këtë mëngjes Plaku Pol V. Xhonson, duhet të kemi kujdes që të mos marrim zët vetë gjërat që na ndihmojnë të veshim natyrën hyjnore.

Pasuesit e Almës themeluan një komunitet Sioni në Helam, por pastaj ata u çuan në robëri. Ata nuk e meritonin vuajtjen e tyre – ishte krejt e kundërta – por anali thotë:

“Megjithatë, Zoti e shikon të arsyeshme ta qortojë popullin e tij; po, ai provon durimin e tyre dhe besimin e tyre.

Megjithatë—kushdo që vendos besimin e tij në të, po ai do të ngrihet në ditën e fundit. Po, dhe kështu ishte me këtë popull” (Mosia 23:21–22).

Zoti i forcoi ata dhe u lehtësoi barrët deri në atë pikë saqë ata mezi i ndienin në shpinat e tyre dhe pastaj, në kohën e duhur, i çliroi ata (shih Mosia 24:8–22). Besimi i tyre u forcua pa masë nga përvoja e tyre dhe, që atëherë, gëzuan një lidhje të veçantë me Zotin.

Perëndia përdor një formë tjetër ndëshkimi ose korrigjimi për të na drejtuar tek një e ardhme që ne nuk e parashikojmë ose nuk mundemi ta parashikojmë tani, por që Ai e di se është rruga më e mirë për ne. Presidenti Hug B. Braun, ish-anëtar i Të Dymbëdhjetëve dhe këshilltar në Presidencën e Parë, dha një përvojë personale. Ai tregoi se kishte blerë një fermë në gjendje të keqe në Kanada shumë vite më parë. Ndërsa po bënte pastrime dhe riparime të pronës së tij, ai ndeshi një shkurre frutore që ishte rritur në më shumë se 1.8 m lartësi dhe nuk po jepte fryte, kështu që ai e krasiti atë së tepërmi, duke lënë vetëm cungje të vegjël. Pastaj ai pa një pikë si një lot në majë të secilit prej këtyre cungjeve të vegjël, sikur shkurrja frutore të ishte duke qarë dhe ai mendoi se e dëgjoi të thoshte:

“Si munde të ma bësh këtë mua? Unë po rritesha kaq shkëlqyeshëm. … Dhe tani ti më preve. Çdo bimë në kopsht do të më shohë nga lart. … Si munde të ma bësh këtë mua? Mendoja se ti ishte kopshtari këtu.”

Presidenti Braun iu përgjigj: “Shih, shkurre e vogël frutore, unë jam kopshtari këtu dhe e di se çfarë dua që të bëhesh. Unë nuk kisha për qëllim që ti të bëhesh një pemë frutore ose një pemë për hije. Unë dëshiroj që ti të jesh një shkurre frutore dhe një ditë, shkurre e vogël frutore, kur të jesh plot me fruta, ti do të thuash: ‘Faleminderit, z. Kopshtar, që më do aq shumë sa të më presësh’.”

Vite më vonë, Presidenti Braun qe oficer në shërbim i Ushtrisë Kanadeze, që shërbente në Angli. Kur një oficer më i lartë u dëmtua në betejë, Presidenti Braun kishte radhën që të gradohej gjeneral dhe e thirrën në Londër. Por edhe pse ai qe plotësisht i kualifikuar për gradimin, kjo iu mohua sepse ishte mormon. Gjenerali komandues tha në thelb: “Ti e meriton gradimin, por unë nuk mund të ta jap”. Ajo për të cilën Presidenti Braun kishte shpenzuar dhjetë vite duke shpresuar, duke u lutur dhe duke u përgatitur, i shkau nëpër gishta në atë çast, për shkak të diskriminimit të hapur. Duke vazhduar ndodhinë e tij, Presidenti Braun kujtoi:

“Unë hipa në tren dhe u ktheva … me një zemër të copëtuar dhe hidhërim në shpirt. … Kur shkova në çadrën time, … e flaka kapelen tek shtrati portativ. Shtrëngova grushtat dhe ia tunda qiellit. Unë thashë: ‘Si munde të ma bësh këtë mua, Perëndi? Unë bëra gjithçka që munda që të kualifikohesha. Nuk ka asgjë që mund ta kisha bërë – që duhet ta kisha bërë – që nuk e kam bërë. Si munde të ma bësh këtë mua?’ Isha bërë pikë e vrer.

Atëherë dëgjova një zë dhe e njoha tonin e atij zëri. Ishte vetë zëri im dhe zëri tha: ‘Unë jam kopshtari këtu. Unë e di se çfarë dua që të bësh ti.’ Hidhërimi doli nga shpirti im dhe rashë në gjunjë pranë shtratit portativ që të kërkoja falje për mosmirënjohjen time. …

… Dhe tani, thuajse 50 vite më vonë, unë i drejtohem [Perëndisë] dhe them: ‘Faleminderit, z. Kopshtar, që më preve, që më do aq shumë sa të më lëndosh’.”5

Perëndia e dinte se çfarë duhej të bëhej Hug B. Braun dhe se çfarë duhej që të ndodhte kjo, dhe Ai e ridrejtoi orientimin e tij që ta përgatiste atë për apostullimin e shenjtë.

Nëse ne dëshirojmë sinqerisht dhe përpiqemi fort për të përmbushur pritshmëritë e larta të Atit tonë Qiellor, Ai do të sigurojë që ne të marrim të gjithë ndihmën që na duhet, qoftë nëse është ngushëlluese, forcuese, apo ndëshkuese. Nëse jemi të gatshëm ndaj tij, korrigjimi i nevojshëm do të vijë në shumë forma dhe nga shumë burime. Ai mund të vijë gjatë lutjeve tona sepse Perëndia i flet mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shih DeB 8:2). Ai mund të vijë në formën e lutjeve që marrin përgjigjen “Jo”, ose ndryshe nga ç’e kemi pritur ne. Ndëshkimi mund të vijë kur studiojmë shkrimet e shenjta dhe kujtohemi për mungesat, mosbindjen, apo thjesht çështje që i kemi lënë pas dore.

Korrigjimi mund të vijë nga të tjerë, veçanërisht ata që janë të frymëzuar nga Perëndia që të nxisin lumturinë tonë. Apostuj, profetë, patriarkë, peshkopë e të tjerë janë vendosur në Kishë sot tamam si në kohët e lashta “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit” (Efesianëve 4:12). Ndoshta disa nga gjërat e thëna në këtë konferencë kanë ardhur tek ju si një thirrje për pendim ose ndryshim që, nëse i vihet veshi, do t’ju ngrejë në një vend më të lartë. Ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin si bashkanëtarë të Kishës; është një nga arsyet parësore pse Shpëtimtari themeloi një kishë. Edhe kur hasim kritikë dashakeqe nga persona që kanë pak konsideratë apo dashuri për ne, mund të jetë e dobishme që të ushtrojmë mjaftueshëm butësi sa ta peshojmë dhe të nxjerrim çfarëdo gjëje që mund të na sjellë përfitim.

Korrigjimi, me shpresë i butë, mund të vijë nga bashkëshorti/ja i/e dikujt. Plaku Riçard G. Skot, që sapo na foli, kujton një kohë nga fillimi i martesës, kur bashkëshortja e tij, Zhanina, e këshilloi t’i shihte drejt njerëzit kur u fliste. “Ti sheh dyshemenë, tavanin, dritaren, kudo përveçse në sytë e tyre”, tha ajo. Ai ia vuri veshin këtij qortimi të butë dhe kjo e bëri atë shumë më efikas në këshillimin dhe punën me njerëzit. Si dikush që ka shërbyer si misionar kohëplotë nën drejtimin e ish-Presidentit Skot, unë mund të vërtetoj se ai e sheh tjetrin drejtpërsëdrejti në sy në bashkëbisedimet e tij. Unë mund të shtoj gjithashtu se, kur dikush ka nevojë për korrigjim, ai vështrim mund të jetë shumë depërtues.

Prindërit mund dhe duhet të korrigjojnë, madje të ndëshkojnë, që fëmijët e tyre të mos lihen në mëshirë të një kundërshtari të pamëshirëshëm dhe të mbështetësve të tij. Presidenti Bojd K. Paker ka vërejtur se, kur një njeri në pozitën që ta korrigjojë një tjetër nuk e bën këtë, ai po mendon për veten. Kujtoni se qortimi duhet të bëhet në kohën e duhur, me mprehtësi ose qartësi, “kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij” (DeB 121:43).

Kujtoni që, nëse ne e kundërshtojmë korrigjimin, të tjerët mund të mos e ofrojnë më fare atë, pavarësisht nga dashuria e tyre për ne. Nëse ne vazhdimisht do të dështojmë të veprojmë sipas ndëshkimit të një Perëndie të dashur, atëherë Ai gjithashtu do ta ndërpresë. Ai ka thënë: “Shpirti im nuk do të përpiqet gjithmonë me njeriun” (Ethëri 2:15). Përfundimisht, shumica e ndëshkimit tonë duhet të vijë së brendshmi – ne duhet të bëhemi vetëkorrigjues. Një nga mënyrat se si kolegu ynë i dashur, tani i ndjerë, Plaku Jozef B. Uirthlin, u bë dishepulli i kulluar dhe i përulur që ishte, qe duke analizuar kryerjen e tij në çdo funksion dhe detyrë. Në dëshirën e tij për të kënaqur Perëndinë, ai vendosi të mësonte se çfarë mund të kishte bërë më mirë dhe pastaj ta zbatonte me zell çdo mësim që kishte mësuar.

Të gjithë ne mund të përmbushim pritshmëritë e larta të Perëndisë, pavarësisht se sa të mëdha apo të vogla mund të jenë aftësia dhe talenti ynë. Moroni pohon: “Në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i [Krishtit] mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht” (Moroni 10:32). Përpjekja e zellshme dhe e përkushtuar nga ana jonë sjell këtë hir fuqizues dhe aftësues, një përpjekje që sigurisht përfshin nënshtrimin ndaj dorës ndëshkuese të Perëndisë dhe pendim të sinqertë të plotë. Le të lutemi për korrigjimin e Tij të frymëzuar nga dashuria.

Perëndia ju mbështettë në përpjekjen tuaj të fortë për të plotësuar pritshmëritë e Tij të larta dhe ju dhëntë një masë të plotë lumturie dhe paqeje, që vijojnë natyrshëm. Unë e di se ju dhe unë mund të bëhemi një me Perëndinë dhe Krishtin. Për Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij të dashur, si dhe potencialin e gëzueshëm që kemi për shkak të Tyre, jap dëshmi përulësisht dhe me besim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become,” Liahona, janar 2001, f. 40.

  2. Kenda Creasy Dean, Almost Christian: What the Faith of Our Teenagers Is Telling the American Church (2010), f. 17.

  3. Dean, Almost Christian, f. 30; shih edhe Christian Smith and Melinda Lundquist Denton, Soul Searching: The Religious and Spiritual Lives of American Teenagers (2005), f. 118–171.

  4. Dean, Almost Christian, f. 37.

  5. Hugh B. Brown, “The Currant Bush,” Liahona, mars 2002, f. 22, 24.