Bëhu si një Fëmijë i Vogël
Nëse kemi një zemër për të mësuar dhe një gatishmëri për të ndjekur shembullin e fëmijëve, cilësitë e tyre hyjnore mund të mbajnë një çelës për të çelur vetë rritjen tonë shpirtërore.
Ati ynë në Qiell, në urtësinë dhe dashurinë e Tij të madhe, i dërgon bijtë dhe bijat e tij shpirtërore në këtë tokë si fëmijë. Ata u vijnë familjeve si dhurata të çmuara me një natyrë dhe të ardhme hyjnore. Ati ynë në Qiell e di që fëmijët janë mjete thelbësore për të na ndihmuar të bëhemi si Ai. Ka kaq shumë gjëra që mund të mësojmë nga fëmijët.
Kjo e vërtetë thelbësore u vu në dukje disa vite me parë, kur një anëtar i Të Shtatëdhjetëve ishte me detyrë në Hong-Kong. Ai vizitoi një lagje shumë të varfër, që po përpiqej në shumë mënyra, në pamundësi për të përmbushur vetë nevojat e saj. Kur peshkopi përshkroi gjendjen e tyre, Autoriteti i Përgjithshëm pati përshtypjen se anëtarët duhet të nxiteshin për të paguar të dhjetën. Peshkopi, duke i njohur rrethanat e tyre të skajshme, ishte i shqetësuar për mënyrën se si do ta ndiqte këtë këshillë. Ai mendoi rreth asaj dhe vendosi që t’u afrohej disa prej anëtarëve më besimplotë të lagjes së tij dhe t’u kërkonte atyre të paguanin të dhjetën. Të dielën e ardhshme, ai shkoi në klasën e Fillores. Ai i mësoi fëmijët rreth ligjit të Zotit për të dhjetën dhe i pyeti nëse ata do të ishin të gatshëm të paguanin të dhjetën me paratë që fitonin. Fëmijët thanë se do ta bënin. Dhe ata e bënë.
Më pas, peshkopi shkoi tek të rriturit e lagjes dhe u tha atyre që për gjashtë muajt e kaluar, fëmijët e tyre besnikë kishin paguar të dhjetën. Ai i pyeti nëse do të ishin të gatshëm të ndiqnin shembullin e këtyre fëmijëve dhe të bënin të njëjtën gjë. Njerëzit u prekën kaq shumë nga sakrificat që fëmijët e tyre qenë të gatshëm të bënin, saqë bënë ç’ishte e nevojshme për të paguar të dhjetën. Dhe pragjet e qiellit u hapën. Nga shembulli i këtyre fëmijëve besnikë, një lagje u rrit në bindje dhe në dëshmi.
Ishte Vetë Jezu Krishti që na mësoi t’i shohim fëmijët si një shembull. Dhiata e Re shënon përgjigjen e Tij kur Apostujt diskutuan se kush duhet të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Jezusi iu përgjigj pyetjes së tyre me një mësim të vogël me objekt konkret, por megjithatë të fuqishëm. Ai thërriti një fëmijë të vogël pranë Vetes dhe e vendosi në mesin e tyre dhe tha:
“Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:3–4).
Çfarë është ajo që duhet të mësojmë nga fëmijët? Çfarë cilësish kanë ata dhe çfarë shembujsh tregojnë ata që mund të na ndihmojnë në vetë zhvillimin tonë shpirtëror?
Këta fëmijë të çmuar të Perëndisë vijnë drejt nesh me zemra mirëbesuese. Ata janë plot besim e pranues ndaj ndjenjave të Shpirtit. Ata janë shembuj të cilësive të përulësisë, bindjes dhe dashurisë. Ata janë shpesh të parët që duan dhe të parët që falin.
Më lejoni të ndaj disa përvoja rreth mënyrës se si fëmijët mund të bekojnë jetën tonë me shembujt e tyre të pafajshëm, por megjithatë të fuqishëm, të cilësive si të Krishtit.
Todi, një djalë i vogël, vetëm dy vjeç, shkoi së fundi me nënën e tij në një muze artesh që po paraqiste nje ekzpozitë të veçantë pikturash të bukura të Shpëtimtarit. Ndërsa kalonin mes këtyre pamjeve të shenjta, ajo dëgjoi djalin e saj të vogël duke thënë me nderim emrin “Jezus”. Ajo hodhi vështrimin poshtë dhe e pa atë duke mbledhur krahët dhe duke ulur kokën ndërsa shihte pikturat. A mund të mësojmë ne diçka nga Todi rreth qëndrimit me përulësi, nderimi dhe dashuri ndaj Zotit?
Vjeshtën e kaluar, unë pashë shembullin e një djaloshi 10-vjeçar në Armeni. Ndërsa prisnim që të fillonte mbledhja e sakramentit, ai vuri re anëtaren më të moshuar të degës që po vinte. Ai ishte i vetmi që shkoi me shpejtësi pranë saj, duke i zgjatur krahun e tij që ajo të mbahej ndërsa çapitej . Ai e ndihmoi atë për në rreshtin e parë të kishës, ku ajo mund të dëgjonte. A mund të na mësojë ne gjesti i tij i vogël i mirësjelljes, se ata që janë më të mëdhenj në mbretërinë e Zotit, janë ata që kërkojnë mundësi për t’u shërbyer të tjerëve?
Keti, një vajzë e vogël, na mësoi ne ndërsa pamë ndikimin e saj në familje. Ajo ndoqi Filloren dhe e tërhoqën mësimet e ungjillit. Me besim dhe dëshmi në rritje, Keti la një shënim mbi jastëkun e prindërve të saj. Ajo shkroi se të vërtetat e ungjillit kishin gjetur një “shtëpi në zemrën e saj”. Ajo ndau dëshirën e saj për të qenë pranë Atit Qiellor, për të qenë e bindur ndaj urdhërimeve të Tij dhe për ta pasur familjen të vulosur në tempull. Dëshmia e thjeshtë e bijës së tyre të ëmbël i preku zemrat e prindërve të saj në një mënyrë të fuqishme. Keti dhe familja e saj morën vërtet ordinancat e shenjta në tempull që e lidhën familjen e tyre përgjithmonë. Zemra e Ketit plot besim dhe shembulli i saj i besimit ndihmuan për t’i sjellë bekime të përjetshme familjes së saj. A mund të na drejtojë ne dëshmia e saj e sinqertë dhe dëshira e saj për të ndjekur planin e Zotit, që të shohim më qartë atë që ka më shumë rëndësi?
Familja jonë po mëson nga një i afërm i ngushtë, 6-vjeçari Liam. Gjatë vitit të kaluar ai ka luftuar me një kancer të rëndë në tru. Pas dy ndërhyrjeve të vështira kirurgjikale, u vendos se terapia e rrezatimit do të ishte gjithashtu e nevojshme. Gjatë këtyre trajtimeve me rrezatim, atij iu kërkua të ishte plotësisht vetëm dhe të qëndronte krejt pa lëvizur. Liami nuk dëshironte të merrte qetësues, pasi nuk i pëlqente mënyra sesi ata e bënin të ndihej. Ai ishte i vendosur se nëse thjesht do të dëgjonte zërin e të atit nga citofoni, ai mund të qëndronte pa lëvizur pa qetësues.
Gjatë atyre kohëve plot ankth, babai i tij i foli me fjalë inkurajimi dhe dashurie. “Liam, megjithëse ti nuk më sheh dot, unë jam këtu. Unë e di se ti mund t’ia dalësh. Unë të dua.” Liami i përfundoi me sukses të 33 trajtimet e nevojshme me rrezatim duke qendruar plotësisht pa lëvizur, një arritje kjo, të cilën mjekët e menduan të pamundur pa qetësues, për dikë kaq të ri në moshë. Përgjatë muajve me dhembje dhe vështirësi, optimizmi përhapës i Liamit ka qenë një shembull i fuqishëm i përputhjes së fatkeqësise me shpresën e madje edhe me lumturinë. Mjekët e infermierët e tij dhe shumë të tjerë janë frymëzuar nga guximi i tij.
Ne të gjithë po mësojmë mësime të rëndësishme nga Liami – mësime rreth zgjedhjes së besimit dhe mirëbesimit tek Zoti. Njësoj si Liami, ne nuk mund ta shohim Atin tonë Qiellor, por ne mund të dëgjojmë zërin e Tij që të na japë forcën që na duhet për të duruar sfidat e jetës.
A mundet të na ndihmojë shembulli i Liamit, për të kuptuar më mirë fjalët e mbretit Benjamin për t’u bërë si një fëmijë – të nështruar, të bindur, të përulur, të duruar dhe plot me dashuri? (shih Mosia 3:19).
Këta fëmijë po japin shembuj të disa cilësive fëmijërore që ne duhet të zhvillojmë ose të rizbulojmë brenda vetes, në mënyrë që të hyjmë në mbretërinë e qiellit. Ata janë shpirtra të ndritur që janë të panjollosur nga bota – të mësueshëm dhe plot besim. Nuk është çudi që Shpëtimtari ka një dashuri dhe vlerësim të veçantë për fëmijët e vegjël.
Midis ngjarjeve të mrekullueshme nga vizita e Shpëtimtarit në Amerikë, shërbesa e Tij e dhembshur ndaj fëmijëve, qëndron më vete. Në një mënyrë të dhembshur, Ai u afrua drejt çdo fëmije.
“Dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.
Dhe pasi e bëri këtë gjë ai qau. …
Dhe i foli turmës dhe u tha atyre: Vini re të vegjlit tuaj” (3 Nefi 17:21–23).
Plaku M. Rasëll Ballard na ka mësuar rëndësinë e këshillës së Shpëtimtarit që të “vini re të vegjlit tuaj” kur tha: “Vini re që Ai nuk tha ‘hidhini një sy’, as ‘vëzhgojini ata me raste’, as ‘hidhni një vështrim në drejtimin e tyre të përgjithshëm’. Ai tha t’i vini re ata. Për mua kjo do të thotë që ne duhet t’i rrethojmë ata me sytë tanë dhe zemrat tona; ne duhet t’i shohim dhe t’i vlerësojmë ata për atë që janë në të vërtetë: fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor me cilësi hyjnore” (“Behold Your Little Ones,” Tambuli, tetor 1994, f. 40; theksimet janë shtuar).
Nuk ka vend më të përkryer për të “vënë re të vegjlit tanë” sesa në familjet tona. Shtëpia është një vend ku ne të gjithë mund të mësojmë dhe të rritemi së bashku. Një nga këngët tona të bukura të Fillores na mëson këtë të vërtetë:
Per’ndia familjet na dha
Që ne t‘bëhemi siç do Ai—
Kështu na shfaq dashuri
Se familja vjen prej Tij.
Është këtu në familjet tona, në një mjedis dashurie, ku ne shohim dhe vlerësojmë në një mënyrë më vetjake cilësitë hyjnore të fëmijëve të Tij shpirtërorë. Është këtu në familjet tona, ku zemrat tona mund të zbuten dhe ku në përulësi ne dëshirojmë të ndryshojmë, të bëhemi më shumë si fëmijë. Është një proces nëpërmjet të cilit ne mund të bëhemi më shumë si Krishti.
A jua kanë marrë disa nga përvojat e jetës zemrën mirëbesuese dhe besimin prej fëmije që kishit dikur? Nëse po, hidhni një sy rreth fëmijëve në jetën tuaj. Dhe pastaj shikoni përsëri. Ata mund të jenë fëmijë në familjen tuaj, matanë rrugës apo në Filloren në lagjen tuaj. Nëse kemi një zemër për të mësuar dhe një gatishmëri për të ndjekur shembullin e fëmijëve, cilësitë e tyre hyjnore mund të mbajnë një çelës për të çelur vetë rritjen tonë shpirtërore.
Unë do të jem gjithmonë mirënjohës që jam bekuar me vetë fëmijët e mi. Shembulli i secilit prej tyre më ka mësuar mësimet që më duhen. Ata më kanë ndihmuar të ndryshoj për më mirë.
Unë jap dëshminë time të përulur por të sigurt që Jezusi është Krishti. Ai është Biri i vetëm i përkryer – i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar dhe kaq plot me dashuri. Le të ketë secili prej nesh një zemër për të ndjekur shembullin e Tij, për t’u bërë si një fëmijë i vogël dhe në këtë mënyrë të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore, për këtë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.