Shlyerja Mbulon të Gjitha Dhembjet
Sfida jonë e madhe vetjake në vdekshmëri është të bëhemi “shenjtorë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”.
Kur punoja si kirurg, pashë se një pjesë e rëndësishme e kohës sime profesionale përpihej nga tema e dhembjes. Nga nevoja unë me operacion e godisja atë thuajse përditë – dhe shumë nga përpjekja ime shpenzohej atëherë duke u përpjekur të kontrolloja dhe të lehtësoja dhembjen.
Unë kam menduar rreth qëllimit të dhembjes. Asnjë nga ne nuk është i imunizuar nga përjetimi i dhembjes. Unë kam parë njerëz të përballen me të në mënyra shumë të ndryshme. Disa i kthejnë shpinën Perëndisë të zemëruar, ndërsa të tjerë e lejojnë dhembjen e tyre që t’i çojë më afër Perëndisë.
Si dhe ju, unë e kam përjetuar dhembjen vetë. Dhembja është një mjet i procesit shërues. Ajo shpesh na mëson neve durimin. Ndoshta kjo është përse ne përdorim termin pacient/i duruar kur përmendim të sëmurin.
Plaku Orson F. Uitni shkroi: “Asnjë dhembje që ne vuajmë, asnjë provë që ne përjetojmë nuk shkon kot. Ajo na edukon dhe i shërben zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia. … Ndodh nëpërmjet brengës dhe vuajtjes, mundit dhe fatkeqësisë që ne fitojmë edukatën për të cilën vijmë këtu që ta arrijmë.”1
Po ashtu, Plaku Robert D. Hejls ka thënë:
“Dhembja ju sjell në një përulësi që ju lejon të mendoni thellë. Ajo është një përjetim që unë jam mirënjohës që e kam duruar. …
Unë mësova se dhembja fizike dhe shërimi i trupit pas një operacioni të rëndësishëm janë shumë të ngjashme me dhembjen shpirtërore dhe shërimin e shpirtit në procesin e pendimit.”2
Shumë nga vuajtja jonë nuk është domosdoshmërisht për fajin tonë. Ngjarje të papritura, rrethana kundërshtie apo zhgënjyese, sëmundje bllokuese dhe madje vdekja na rrethon ne dhe ndikon në përjetimin tonë tokësor. Përveç këtyre, ne mund të vuajmë goditje për shkak të veprimeve të të tjerëve.3 Lehi vërejti se Jakobi pati “vuajtur shumë hidhërime për shkak të paudhësisë së vëllezërve [të tij]”4. Kundërshtia është pjesë e planit të Atit Qiellor për lumturinë. Ne të gjithë do të ndeshim mjaft kundërshti për të arritur në dijen mbi dashurinë e Atit tonë dhe nevojën tonë për ndihmën e Shpëtimtarit.
Shpëtimtari nuk është një vëzhgues i qetë. Ai vetë e njeh personalisht dhe pafundësisht dhembjen që ne përballojmë.
“Ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë.”5
“Le t’i afrohemi … me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.”6
Ndonjëherë në thellësinë e dhembjes, ne tundohemi të pyesim: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek?”7 Unë dëshmoj se përgjigjja është po, ka një mjek. Shlyerja e Jezu Krishtit i mbulon të gjitha këto kushte dhe qëllime të vdekshmërisë.
Ka një tjetër lloj dhembjeje për të cilën ne jemi përgjegjës. Dhembja shpirtërore shtrihet thellë në shpirtrat tanë dhe mund të ndihet e pashueshme, madje duke qenë “tortur[uese]” me një “tmerr [të] papërshkrueshëm” siç e përshkroi Alma.8 Kjo vjen nga veprimet tona mëkatare dhe mungesa e pendimit. Për këtë dhembje gjithashtu ka një kurë që është universale dhe absolute. Ajo vjen prej Atit, nëpërmjet Birit dhe është për secilin prej nesh që dëshiron të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u penduar. Krishti tha: “A nuk do të ktheheni tani tek unë … dhe të ktheheni në besim, që të mund tʼju shëroj?”9
Krishti Vetë na mësoi:
“Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë. …
Prandaj, sipas fuqisë së Atit, unë do t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë.”10
Ndoshta puna më e rëndësishme e Tij është në punën në vazhdim me secilin prej nesh individualisht për të na ngritur, bekuar, forcuar, mbështetur, drejtuar dhe falur.
Siç e pa Nefi në një vegim, shumë nga shërbesa tokësore e Krishtit iu përkushtua bekimit dhe shërimit të të sëmurëve me të gjitha llojet e sëmundjeve – fizike, emocionale dhe shpirtërore. “Dhe unë vura re turma njerëzish të cilët ishin të sëmurë dhe të cilët ishin të prekur nga të gjitha llojet e sëmundjeve. … Dhe ata u shëruan nga fuqia e Qengjit të Perëndisë.”11
Alma profetizoi gjithashtu se “ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe … ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.” …
Që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”12
Një natë vonë shtrirë në shtratin e një spitali, këtë herë si pacient dhe jo si mjek, unë i lexova ato vargje përsëri dhe përsëri. Unë mendova: “Si bëhet kjo? Për kë? Çfarë kërkohet për t’u kualifikuar për të? A është si falje mëkati? A na duhet ta fitojmë dashurinë dhe ndihmën e tij?” Ndërsa mendoja, unë arrita të kuptoja se gjatë jetës së tij të vdekshme Krishti zgjodhi të përjetojë dhembjet dhe dobësitë me qëllim që të na kuptojë ne. Ndoshta ne gjithashtu kemi nevojë të përjetojmë thellësitë e vdekshmërisë me qëllim që ta kuptojmë Atë dhe qëllimet tona të përjetshme.13
Presidenti Henri B. Ajring na mësoi: “Ne do të kemi ngushëllim kur do të na duhet të presim në dëshpërim për ndihmën e premtuar të Shpëtimtarit që Ai e di, nga përvoja, si të na shërojë dhe ndihmojë ne. … Dhe besimi në atë fuqi do të na japë durim ndërsa lutemi dhe punojmë dhe presim për ndihmë. Ai mund ta kishte ditur se si të na ndihmojë thjesht me anë të zbulesës, por Ai zgjodhi të mësojë nëpërmjet përvojës së Tij personale.”14
Unë ndjeva “rrethimin e krahëve të dashurisë së Tij atë natë.15 Lotët lagën jastëkun tim në mirënjohje. Më vonë, ndërsa lexoja Mateun mbi shërbesën tokësore të Krishtit, unë bëra një zbulim tjetër: “Dhe kur u ngrys, i sollën shumë … dhe ai … i shëroi të gjithë të sëmurët”16. Ai i shëroi të gjithë ata që erdhën tek Ai. Asnjë nuk u kthye mbrapsht.
Siç na ka mësuar Plaku Dallin H. Ouks: “Bekimet e shërimit vijnë në shumë mënyra, secila e përshtatur me nevojat tona vetjake, siç janë të njohura për Atë që na do më shumë. Ndonjëherë një ‘shërim’ kuron sëmundjen tonë ose ngre barrën tonë. Por ndonjëherë ne ‘shërohemi’ duke na u dhënë forcë dhe kuptim apo durim për të duruar barrët e vendosura mbi ne.”17 Të gjithë që do të vijnë mund të “[merren] në krahët e Jezusit”18. Të gjithë shpirtrat mund të shërohen nëpërmjet fuqisë së Tij. Gjithë dhembjet mund të lehtësohen. Në Të, ne mund të “[gjejmë] prehje për shpirtrat [tanë]”19. Rrethanat tona në vdekshmëri mund të mos ndryshojnë menjëherë, por dhembja, shqetësimi, vuajtja dhe frika jonë mund të gëlltiten në qetësinë dhe balsamin e Tij shërues.
Unë kam vënë re se fëmijët janë shpesh më natyrshëm pranues të dhembjes dhe vuajtjes. Ata durojnë qetësisht me përulësi dhe butësi. Unë kam ndier një shpirt të mrekullueshëm, të ëmbël që i rrethon këta të vegjël.
Sheri trembëdhjetëvjeçare iu nënshtrua një operacioni 14-orësh për një tumor në shtyllën e saj kurrizore. Kur rifitoi vetëdijen në repartin e reanimacionit, ajo tha: “Babi, teze Sheril është këtu, dhe … gjyshi Norman … dhe gjyshja Braun janë këtu. Dhe, babi, kush është ai që qëndron pranë teje? … Ai ngjan si ty, vetëm më i gjatë. … Ai thotë se ai është vëllai yt, Xhimi.” Ungji i saj Xhimi kish vdekur në moshën 13 vjeç nga një fibrozë cistike.
“Për afro një orë, Sheri … përshkroi vizitorët e saj, të gjithë pjesëtarë të vdekur të familjes. E rraskapitur, ajo ra pastaj në gjumë.”
Më vonë ajo i tregoi babait të saj: “Babi, të gjithë fëmijët këtu në repartin e reanimacionit kanë engjëj që i ndihmojnë ata”20.
Të gjithëve Shpëtimtari na tha:
“Ju jeni fëmijë të vegjël dhe nuk mund t’i mbani të gjitha gjërat tani; ju duhet të rriteni në hir dhe në diturinë e së vërtetës.
Mos kini frikë, fëmijë të vegjël, sepse ju jeni të mitë. …
Si rrjedhim, unë jam në mesin tuaj dhe unë jam bariu i mirë.”21
Sfida jonë e madhe vetjake në vdekshmëri është të bëhemi “shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”22. Dhembja që ju dhe unë përjetojmë mund të jetë atje ku ky proces matet më shumë. Në fund, ne mund të bëhemi si fëmijë në zemrën tonë, ta përulim veten dhe “të lutemi dhe të punojmë dhe të presim”23 me durim për shërimin e shpirtit dhe të trupit tonë. Si Jobi, pasi të jemi pastruar nëpërmjet provave tona, ne do të “[dalim] si ari”24.
Unë jap dëshmi se Ai është Shëlbuesi ynë, Miku ynë, Avokati ynë, mjeku ynë, Shëruesi i madh. Në Të ne mund të gjejmë paqe dhe ngushëllim në dhe nga dhembja jonë dhe mëkatet tona vetëm nëse ne do të vijmë tek Ai me zemër të përulur. “Hiri [i Tij] është i mjaftueshëm.”25 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.