2010–2019
shpresa
Prill 2011


Shpresa

Shpresa jonë në Shlyerjen na fuqizon me këndvështrim përjetësie.

Familja jonë u rrit në zonën e lartë shkretëtirë në Jutan Jugore. Shirat janë të rrallë dhe ka shpresa të mëdha se do të ketë shira të mjaftueshëm për vapën e ardhshme të verës. Në kohën që rritesha, si edhe tani, ne shpresonim për shi, ne luteshim për shi dhe, në kohë të dëshpëruara, ne agjëronim për shi.

Atje tregohej historia e gjyshit që mori nipin e tij pesëvjeçar për një shëtitje përreth qytetit. Më në fund, ata arritën në një dyqan të vogël ushqimor në rrugën kryesore ku ndaluan për një pije të ftohtë të gazuar. Një makinë nga një shtet tjetër erdhi dhe shoferi u afrua te gjyshi. Duke treguar te një re në qiell, i huaji pyeti: “A mendoni se do të bjerë shi?”

“Unë sigurisht shpresoj kështu”, u përgjigj i moshuari, “nëse jo për hirin tim, për të djalit. Unë kam parë shi.”

Shpresa është një emocion që sjell pasuri në jetën tonë të përditshme. Ajo përkufizohet si “ndjesia që … ngjarjet do të kthehen për më të mirën”. Kur ne mbajmë shpresë, ne “mezi presim … me dëshirë dhe besim të arsyeshëm” (dictionary.reference.com/browse/hope). Si e tillë, shpresa sjell një ndikim qetësues në jetën tonë ndërsa ne me besim presim për ngjarjet e ardhshme.

Ndonjëherë ne shpresojmë për gjëra për të cilat kemi pak ose nuk kemi fare kontroll. Ne shpresojmë për mot të mirë. Ne shpresojmë për një pranverë të hershme. Ne shpresojmë për skuadrën tonë të parapëlqyer të sportit që të fitojë Kupën e Botës në futboll, apo Uorlld Siriës të kampionatit amerikan të bejsbollit.

Shpresa të tilla e bëjnë jetën tonë interesante dhe shpesh mund të çojnë në sjellje të pazakontë, madje paragjykuese. Për shembull, vjehërri im është një tifoz i jashtëzakonshëm sporti, por ai është i bindur se nëse ai nuk e ndjek skuadrën e tij të parapëlqyer të basketbollit në televizion, skuadra ka më shumë gjasa të fitojë. Kur isha 12 vjeç, unë këmbëngulja të vishja të njëjtat çorape të palara në çdo ndeshje bejsbolli të Ligës së të Vegjëlve me shpresë që të fitonim. Nëna ime më bëri t’i mbaja ato në verandën e pasme.

Herë të tjera shpresat tona mund të rezultojnë në ëndrra që mund të na frymëzojnë dhe të na çojnë në veprim. Nëse e kemi shpresën të ecim më mirë në shkollë, ajo shpresë mund të realizohet me anë të studimit me përkushtim dhe sakrificës. Nëse e kemi shpresën të luajmë në një skuadër fituese, ajo shpresë mund të na çojë drejt një praktike, përkushtimi, pune në grup të qëndrueshme dhe së fundi suksesit.

Roxher Banister ishte një student mjekësie në Angli që pati një shpresë pikësynuese. Ai dëshironte të ishte njeriu i parë që të vraponte një milje (1.6 km) në më pak se katër minuta. Për shumicën e gjysmës së parë të fillimeve të shekullit të 20-të, entuziastët e atletikës patën pritur me ankth ditën kur barriera katër minutëshe e miljes do të thyhej. Ndër vite, shumë vrapues të shquar qenë afruar, por përsëri barriera e katër minutave qëndronte. Banisteri e përkushtoi veten në një program trajnimi ambicioz me shpresë që ta realizonte qëllimin e vendosjes së një rekordi të ri botëror. Disa në komunitetin sportiv patën filluar të dyshonin nëse barriera e miljes katërminutëshe mund të thyhej. Njerëz që konsideroheshin ekspertë madje patën shprehur hipotezën se trupi njerëzor ishte i paaftë fiziologjikisht të vraponte me një shpejtësi të tillë në një largësi kaq të madhe. Në një ditë me re më 6 maj 1954, shpresa e madhe e Roxher Banisterit qe realizuar! Ai kaloi vijën e mbërritjes në 3:59.4 duke vendosur një rekord të ri botëror. Shpresa e tij që të thyente barrierën e miljes katërminutëshe u bë një ëndërr që u përmbush nëpërmjet trajnimit, punës së palodhur dhe përkushtimit.

Shpresa mund të frymëzojë ëndrra dhe të na nxisë ne t’i realizojmë ato ëndrra. Shpresa vetëm, gjithsesi, nuk mund të na bëjë që të kemi sukses. Shumë shpresa të respektueshme kanë mbetur të paplotësuara, si anije të mbytura në shkëmbinjtë nënujorë të synimeve të mira dhe të përtacisë.

Si prindër, shpresat tona më të dashura përqendrohen rreth fëmijëve tanë. Ne shpresojmë se ata do të rriten që të bëjnë një jetë të përgjegjshme dhe të drejtë. Shpresa të tilla mund të shkatërrohen lehtësisht nëse ne nuk veprojmë si shembull i mirë. Vetëm shpresa nuk do të thotë se fëmijët tanë do të rriten në drejtësi. Ne duhet të shpenzojmë kohë me ta në mbrëmje familjare dhe në veprimtari familjare të vlefshme. Ne duhet t’u mësojmë atyre të luten. Ne duhet të lexojmë me ta në shkrimet e shenjta dhe t’u mësojmë parime të rëndësishme të ungjillit. Vetëm atëherë është e mundur që shpresat tona më të dashura të realizohen.

Ne kurrë nuk duhet ta lëmë shpresën të zëvendësohet nga dëshpërimi. Apostulli Pal shkroi se ne “duhet të lëroj[m]ë me shpresë” (1 Korintasve 9:10). Mbajtja e shpresës pasuron jetën tonë dhe na ndihmon të shohim përpara tek e ardhmja. Qoftë kur plugojmë ara për të mbjellë ose çajmë me vështirësi në jetë, është e nevojshme që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të kemi shpresë.

Në ungjillin e Jezu Krishtit, shpresa është dëshira e ndjekësve të tij për të fituar shpëtimin e përjetshëm nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Kjo është shpresa e vërtetë që ne duhet ta kemi të gjithë. Ajo është që na veçon nga pjesa tjetër e botës. Pjetri i këshilloi fort ndjekësit e hershëm të Krishtit: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur … kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju” (1 Pjetrit 3:15).

Shpresa jonë në Shlyerjen na fuqizon me këndvështrim përjetësie. Një këndvështrim i tillë na lejon të shohim përtej të këtushmes dhe të tanishmes drejt premtimit të përjetësive. Ne nuk duhet të ngecim në kufijtë e ngushtë të pritshmërive të paqëndrueshme të shoqërisë. Ne jemi të lirë të shohim drejt lavdisë çelestiale, të vulosur me familjet dhe të dashurit tanë.

Në ungjill, shpresa është thuajse gjithmonë e lidhur me besimin dhe dashurinë hyjnore. Presidenti Diter F. Uhtdorf na ka mësuar: “Shpresa është një këmbë e një froni me tre këmbë, bashkë me besimin dhe bamirësinë. Këto të treja e bëjnë të qëndrueshme jetën tonë, pavarësisht sipërfaqeve jo të sheshta që ne mund të ndeshim” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 21).

Në kapitullin e fundit të Librit të Mormonit Moroni shkroi:

“Prandaj, duhet të ketë besim; dhe në qoftë se duhet të ketë besim, duhet të ketë gjithashtu shpresë; dhe në qoftë se duhet të ketë shpresë, duhet të ketë gjithashtu dashuri hyjnore.

Dhe në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju nuk mund të shpëtoheni në asnjë mënyrë në mbretërinë e Perëndisë; as nuk mund të shpëtoheni në mbretërinë e Perëndisë, në qoftë se nuk keni besim, as në qoftë se nuk keni shpresë” (Moroni 10:20–21).

Plaku Rasëll M. Nelson na ka mësuar se “besimi është është rrënjosur në Jezu Krisht. Shpresa bazohet te Shlyerja. Dashuria hyjnore shfaqet në ‘dashurinë e pastër të Krishtit’. Këto janë cilësi që lidhen ngushtë si fijet në kabëll dhe mund të mos dallohen gjithmonë saktësisht. Së bashku ato bëhen lidhja jonë me mbretërinë çelestiale” (“A More Excellent Hope”, Ensign, shkurt 1997, f. 61).

Kur Nefi profetizoi mbi Jezu Krishtin në fund të shënimeve të tij, ai shkroi: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” (2 Nefi 31:20).

Ky “ndriçim i përkryer i shpresës” për të cilin flet Nefi është shpresa te Shlyerja, shpëtimi i përjetshëm i mundësuar nga sakrifica e Shpëtimtarit tonë. Kjo shpresë i ka udhëhequr burrat dhe gratë gjatë historisë që të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Apostujt e kohëve të lashta udhëtuan nëpër botë dhe dëshmuan për Të dhe më në fund dhanë jetën e tyre në shërbim të Tij.

Në këtë periudhë ungjillore shumë anëtarë të hershëm të Kishës lanë shtëpitë e tyre, me zemrat plot shpresë dhe besim ndërsa udhëtonin drejt perëndimit nëpër Rrafshinat e Mëdha drejt Luginës së Solt-Lejkut.

Në 1851-shin, Meri Murrej Mardok iu bashkua Kishës në Skoci si e ve në moshën gjashtëdhjetë e shtatë vjeç. Një grua e imët 1,2 metra e gjatë dhe më pak se 41 kilogram, ajo lindi tetë fëmijë, gjashtë prej të cilëve jetuan deri në moshë të pjekur. Për shkak të madhësisë së saj, fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj me dashuri e thërrisnin “Gjyshe e Vogël”.

Biri saj, Xhon Mardok dhe bashkëshortja e tij gjithashtu u bashkuan me Kishën dhe u nisën për në Juta në 1852-shin me dy fëmijët e tyre të vegjël. Me gjithë vështirësitë e vetë familjes së tij, katër vite më vonë Xhoni i dërgoi nënës së tij paratë e nevojshme në mënyrë që ajo të mund të bashkohej me familjen në Solt-Lejk-Siti. Me një shpresë shumë më të madhe se masa e saj e vogël, Meri filloi udhëtimin e vështirë të perëndimit për në Juta në moshën 73-vjeçare.

Pas një kalimi të sigurt nëpër Atlantik, ajo më në fund u bashkua me Kompaninë fatkeqe Martin të Karrocave të Dorës. Më 28 korrik këta pionierë të karrocave të dorës filluan udhëtimin drejt perëndimit. Vuajtja e kësaj kompanie është e famshme. Nga 576 anëtarët e grupit, thuajse një e katërta vdiqën përpara se të arrinin në Juta. Më shumë do të kishin vdekur pa përpjekjen e shpëtimit organizuar nga Presidenti Brigam Jang, që dërgoi karroca dhe furnizime për të gjetur shenjtorët e penguar dhe bllokuar nga dëbora.

Meri Mardok vdiq më 2 tetor 1856 pranë Çimni-Rok, në Nebraska. Këtu ajo u dorëzua nga lodhja, ndeshja me motin e ashpër dhe vështirësitë e udhëtimit. Trupi i saj i brishtë thjesht u dha prej vështirësive fizike që shenjtorët ndeshën. Ndërsa ajo u shtri pranë vdekjes mendimet e saj ishin përfamiljen e saj në Juta. Fjalët e fundit të kësaj gruaje pioniere besnike ishin: “I thoni Xhonit se vdiqa me fytyrë drejt Sionit”. (Shih Kenneth W. Merrell, Scottish Shepherd: The Life and Times of John Murray Murdoch, Utah Pioneer [2006], f. 34, 39, 54, 77, 94–97, 103, 112–113, 115.)

Meri Murrej Mardok jep shembullin e shpresës dhe të besimit të shumë prej pionierëve të hershëm që bënë udhëtimin kurajoz drejt perëndimit. Udhëtimet shpirtërore të sotme kërkojnë jo më pak shpresë apo besim sesa ato udhëtime të pionierëve të hershëm. Sfidat tona mund të jenë të ndryshme por luftrat janë po aq madhështore.

Është lutja ime që shpresat tona të na udhëheqin drejt përmbushjes së ëndrrave tona të drejta. Unë lutem veçanërisht që shpresa jonë te Shlyerja të na forcojë besimin dhe dashurinë tonë hyjnore dhe të na japë këndvështrim të përjetshëm për jetën tonë të ardhshme. Paçim të gjithë këtë ndriçim të përkryer të shpresës, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.