2010–2019
Më Shumë se Fitimtarë për Hir të Atij që na Deshi
Prill 2011


Më Shumë se Fitimtarë për Hir të Atij që na Deshi

Sprovat nuk janë thjesht për të na provuar ne. Ato kanë rëndësi jetike në procesin e të bërit pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Jeta në tokë përfshin testime, sprova dhe fatkeqësi dhe disa nga sprovat që përballim në jetë mund të jenë torturuese. Qoftë nëse është sëmundje, tradhëti, tundime, humbja e një njeriu të dashur, fatkeqësi natyrore ose ndonjë provë e rëndë, vuajtja është pjesë e përvojës tonë në vdekshmëri. Shumë kanë vrarë mendjen se përse duhet të përballim sfida të vështira. E dimë se një arsye është të japë një provë të besimit tonë për të parë nëse do të bëjmë gjithçka që ka urdhëruar Zoti1. Për fat të mirë, kjo jetë tokësore është vendi i përsosur për të përballuar – dhe kapërcyer – këto testime2.

Por këto sprova nuk janë thjesht për të na provuar ne. Ato kanë rëndësi jetike në procesin e të bërit pjesëtarë të natyrës hyjnore3. Nëse i trajtojmë këto fatkeqësi si duhet, ato do të shenjtërohen për të mirën tonë4.

Plaku Orson F. Uitni tha: “Asnjë dhimbje që vuajmë, asnjë sprovë që përjetojmë, nuk shkon dëm. … Dhe gjithçka që vuajmë dhe gjithçka që i rezistojmё, veçanërisht nëse i rezistojmё me durim, ndërton karakterin tonë, pastron zemrën tonë, zgjeron shpirtin tonë dhe na bën më të butë e më bamirës. … Dhe ndodh përmes hidhërimit dhe vuajtjes, mundimit dhe fatkeqësisë, që ne e marrim atë edukim, gjë për të cilën erdhëm këtu.”5

Kohët e fundit, një djali nëntëvjeçar i diagnostikuan një kancer kockash të rrallë. Doktori shpjegoi diagnozën dhe trajtimin, që përfshinte muaj kemioterapie dhe operacion të rëndë. Ai tha se do të ishte një kohë shumë e vështirë për djalin dhe familjen e tij, por pastaj shtoi: “Njerëzit më pyesin: ‘A do të jem njëlloj pasi kjo të marrë fund?’ Unë u them: ‘Jo, ti nuk do të jesh njëlloj. Ti do të jesh shumë më i fortë. Ti do të jesh i hatashëm!’”

Nganjëherë mund të duket se sprovat tona janë të përqendruara në fusha të jetës ose pjesë të shpirtit tonë te të cilat e kemi më të vështirë të durojmë. Meqenëse rritja personale është rezultati i synuar i këtyre sfidave, nuk duhet të jetë habitëse që sfidat mund të jenë shumë personale – thuajse të drejtuara me kujdes për nevojat ose dobësitë tona të veçanta. Dhe asnjë nuk përjashtohet, veçanërisht jo shenjtorët që përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë. Disa shenjtorë të bindur mund të pyesin: “Përse mua? Unë po përpiqen të jem i mirë! Përse Zoti po e lejon të ndodhë kjo?” Furra e pikëllimit ndihmon për të pastruar edhe më të mirin e shenjtorëve duke shkrirë zgjyrën në jetën tonë dhe duke lënë pas ar të kulluar.6 Madje dhe minerali më i pasur ka nevojë për rafinim për të hequr papastërtitë. Të jesh i mirë nuk mjafton. Ne dëshirojmë të bëhemi si Shpëtimtari, që mësoi ndërkohë që vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”7.

Krimson-Trejl në Logan-Kenion është një nga vendet e mia të parapëlqyera për marshime. Pjesa kryesore e shtegut zvarritet në majë të shkrepave të lartë prej guri gëlqeror dhe ofron pamje të mrekullueshme të kanionit dhe të luginës poshtë. Megjithatë, të arrish në majë të shkrepave nuk është e lehtë. Shtegu për atje është një ngjitje e vazhdueshme dhe, pikërisht para se të arrijë majën, alpinisti has pjesën më të thiktë të shtegut dhe pamjet e kanionit mbulohen nga vetë shkrepat. Pёrpjekja e fundit ia vlen më tepër se mundimi, sepse kur alpinisti arrin në majë, pamjet të lënë pa frymë. E vetmja mënyrë për të parë pamjet është të kryesh ngjitjen.

Një model në shkrimet e shenjta dhe në jetë tregon se shumë herë, testimet më të errëta, më të rrezikshme ndodhin menjëherë para ngjarjeve të shquara dhe rritjes së pamasë. “Pas shumë mundimesh vijnë bekimet.”8 Bijtë e Izraelit kishin ngecur para Detit të Kuq përpara se ai të ndahej.9 Nefi u përball me rrezikun, me inatin nga vëllezërit e tij dhe dështime të shumëfishta përpara se të mund të siguronte fletët e tunxhit.10 Jozef Smithi u pushtua nga një fuqi e ligë kaq e fortë, saqë dukej sikur qe dënuar me shkatërrimin më të plotë. Kur qe thuajse gati të zhytej në dëshpërim, ai ushtroi fuqitë e tij për t’i thirrur Perëndisë dhe, pikërisht në atë çast, atë e vizitoi Ati dhe Biri.11 Shpesh kërkuesit përballen me kundërshtim dhe fatkeqësi ndërsa i afrohen pagëzimit. Nënat e dinë se sfidat e dhimbjeve paraprijnë mrekullinë e lindjes. Herë pas here, ne shohim bekime të mrekullueshme menjëherë pas sprovave të mëdha.

Kur gjyshja ime qe rreth 19 vjeçe, ajo pati një çrregullim shëndeti që e la shumë të sëmurë. Më vonë ajo tha: “Unë nuk mund të ecja. Këmba ime e majtë nuk ishte fare në formë pasi kisha qenë në shtrat për disa muaj. Kockat ishin të buta si sfungjer dhe, kur e prekja këmbën në dysheme, ndieja një si goditje elektrike.”12 Kur nuk mundej të ngrihej nga shtrati dhe ishte në kulm të vuajtjes së saj, ajo mori dhe studioi pamflete nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo u kthye në besim dhe më vonë u pagëzua. Shumë herë, një sfidë e veçantë na ndihmon të përgatitemi për diçka me rëndësi jetike.

Në mes të problemeve, është thuajse e pamundur të shohim se bekimet që po vijnë, janë shumë më të mëdha se dhimbja, poshtërimi ose fatkeqësia që mund të jemi duke përjetuar në atë kohë. “Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.”13 Apostulli Pal na mësoi: “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie”14. Është interesante se Pali përdor termin “trishtim i lehtë”. Kjo vjen nga një njeri që e kishin rrahur, goditur me gurë, i ishte mbytur anija, e kishin burgosur dhe kishte provuar shumë sprova të tjera.15 Dyshoj nëse shumë nga ne do t’i quanim fatkeqësitë tona të lehta. Përsëri, në krahasim me bekimet dhe rritjen që marrim së fundi, si në këtë jetë edhe në përjetësi, fatkeqësitë tona vërtet janë të lehta.

Ne nuk i kërkojmë testimet, sprovat dhe vuajtjet tona. Udhëtimi ynë personal nëpër jetë do të sigurojë tamam sasinë e duhur për nevojat tona. Shumë sfida janë thjesht një pjesë e natyrshme e ekzistencës sonë në vdekshmëri, por ato luajnë një rol kaq të rëndësishëm në përparimin tonë.

Ndërsa shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri po i afrohej fundit, Ai përjetoi sfidën më të vështirë të të gjithë kohëve – vuajtjen e pabesueshme në Gjetsemani dhe në Golgota. Kjo i parapriu Ringjalljes së lavdishme dhe premtimit se gjithë vuajtja jonë një ditë do të zhduket. Vuajta e Tij qe një kusht paraprak për varrin e zbrazët atë mëngjes Pashke dhe për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme në të ardhmen.

Nganjëherë ne dëshirojmë të kemi rritje pa sfida dhe të forcohemi pa asnjë përpjekje. Por rritja nuk mund të vijë duke ndjekur udhën e lehtë. Ne e kuptojmë qartë se një atlet që nuk bën trajnim të fortë, nuk do të bëhet kurrë atlet i klasit botëror. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos kemi zët vetë ato gjëra që na ndihmojnë të veshim natyrën hyjnore.

Asnjë nga sprovat dhe fatkeqësitë që përballim, nuk është përtej kufijve tanë, sepse ne kemi të drejtë për ndihmë nga Zoti. Ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat me anë të Krishtit që na forcon16.

Pasi u shërua nga sfida të rënda shëndetësore, Plaku Robert D. Hejls ndau sa vijon në një konferencë të përgjithshme: “Në disa raste, i thashë Zotit se sigurisht që i kisha mësuar mësimet që duhet të merrja dhe nuk do të ishte e nevojshme të duroja dhimbje të mëtejshme. Përgjërime të tilla dukeshin pa efekt, sepse m’u bë e qartë se ky proces pastrimi me testim duhej të durohej sipas kohës së Zotit dhe në vetë mënyrën e Zotit. … Unë … mësova se nuk do të mbetesha vetëm për t’i përballuar këto sprova dhe fatkeqësi, por se engjëjt mbrojtës do të kujdeseshin për mua. Qenë disa që ishin thuajse engjëj, në formën e mjekëve, infermierëve dhe, mbi të gjitha, shoqja ime e ëmbël, Meri. Dhe me raste, kur Zoti e dëshironte, unë do të ngushëllohesha me vizita të ushtrive qiellore, që sollën ngushëllim dhe sigurime të përjetshme në kohën time të nevojës.”17

Ati ynë Qiellor na do dhe ne e dimë “se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit”18. Njё ditё, kur të shkojmë në anën tjetër të velit, ne dëshirojmë më shumë sesa dikush thjesht të na thotë: “Mirë, u krye”. Përkundrazi, ne dëshirojmë që Zoti të thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”19.

Unë i dua fjalët e Palit:

“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? …

Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.”20

Unë e di se Perëndia jeton dhe se Biri i Tij, Jezu Krishti, jeton. Unë e di gjithashtu se nëpërmjet ndihmës së Tyre, ne mund të bëhemi “më shumë se fitimtarë” të fatkeqësive që përballim në këtë jetë. Ne mund të bëhemi si Ata. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih 1 Pjetrit 1:6–8; Abrahami 3:25.

  2. Shih 1 Pjetrit 2:20.

  3. Shih 2 Pjetrit 1:4.

  4. Shih 2 Nefi 2:2.

  5. Orson F. Whitney, në Spencer W. Kimball, Faith Precedes the Miracle (1972), f. 98.

  6. Shih Isaia 48:10; 1 Nefi 20:10.

  7. Shih Alma 7:11–12.

  8. Doktrina e Besëlidhje 58:4.

  9. Shih Eksodi 14:5–30.

  10. Shih 1 Nefi 3–4.

  11. Shih Joseph Smith—Historia 1:15–17.

  12. Amalie Hollenweger Amacher, histori e pabotuar në zotërim të autorit.

  13. Hebrenjve 12:11.

  14. 2 Korintasve 4:17.

  15. Shih 2 Korintasve 11:23–28.

  16. Shih Filipianëve 4:13.

  17. Robert D. Hales, “The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Liahona, janar 2001, f. 6.

  18. Alma 36:3.

  19. Mateu 25:21.

  20. Romakëve 8:35, 37.