2010–2019
“Vetes … gjithmon’ i them: Mir’sia Fillon Te Ti”
Prill 2011


“Vetes … gjithmon’ i them: Mir’sia Fillon Te Ti”

Mirëdashja mund të sjellë gëzim e unitet në shtëpinë tuaj, klasën tuaj, lagjen tuaj dhe shkollën tuaj.

Para pak javësh, mora një mësim të rëndësishëm nga një e re e klasës së Dafinave, e cila qe folësja për rininë në lagjen time. Unë u preka kur ajo me vetëbesim dha mësim e dëshmoi për Jezu Krishtin. Ajo i mbylli fjalët e saj me këtë pohim: “Kur e vë Jezu Krishtin në qendër të jetës sime, dita ime ecën më mirë, jam më e mirë me të dashurit e mi dhe jam e mbushur me gëzim”.

E kam vënë re së largu këtë të re gjatë [këtyre] pak muajve të shkuar. Ajo i përshëndet të gjithë me sy që ndriçojnë dhe një buzëqeshje të menjëhershme. E kam parë të gëzohet nga suksesi i të rinjve të tjerë. Dy të reja të klasës së Trëndafilave, së fundmi më raportuan për vendimin e kësaj të reje për të hequr dorë nga biletat e saj për një film, kur e kuptoi se nuk do të kishte një përvojë “të virtytshme dhe të dashur”1. Ajo është e dashur, e sjellshme dhe e bindur. Ajo vjen nga një shtëpi me një prind të vetëm dhe jeta nuk ka qenë pa sfida për të, kështu që kam pyetur veten se si e ruan shpirtin e saj të gëzuar e të mirë. Kur kjo e re dëshmoi: “Unë vë Jezu Krishtin në qendër të jetës sime”, unë e mora përgjigjen.

“Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve.” Kjo listë e bukur cilësish si të Krishtit, që gjenden tek neni i trembëdhjetë i besimit, do të na përgatisë për bekimet e tempullit dhe jetën e përjetshme.

Do të doja të përqendrohesha vetëm në një prej këtyre fjalëve – mirëdashës. Mirëdashës është një fjalë e bukur që nuk e dëgjojmë shumë shpesh. Mirëdashës do të thotë “të dëshirosh të mirën për dikë”2. Të jesh mirëdashës është të jesh i sjellshëm, mirëbërës dhe të kesh qëllime të mira. Shumë prej jush mësuat rreth idesë së mirëdashjes kur ishit në Fillore dhe mësuat përmendësh këtë këngë:

I mir’ me të gjith’ dua të jem,

Kjo ësht’ e drejt’, e di.

Ndaj vetes sime gjithmon’ i them:

Mir’sia fillon te ti”3.

Shpëtimtari ynë bëri një jetë mirëdashëse dhe na mësoi për të. Jezusi i deshi të gjithë dhe u shërbeu të gjithëve. Përqendrimi i jetës sonë tek Jezu Krishti, do të na ndihmojë të fitojmë këtë cilësi të mirëdashjes. Që të zhvillojmë po këto cilësi si të Krishtit, ne duhet të mësojmë rreth Shpëtimtarit dhe të “ndjekim rrugët e Tij”4.

Prej shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë, ne mësojmë që duhet t’i duam të gjithë. Historia fillon tek Lluka kapitulli 10, kur një doktor i ligjit e pyeti Shpëtimtarin: “Çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?”

Përgjigja: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe më gjithë mendjen tënde edhe të afërmin tënd porsi vetveten”.

Atëherë doktori i ligjit pyeti: “Kush është i afërmi im?” Kjo ishte një pyetje shumë interesante që bëri doktori i ligjit, meqenëse judenjtë kishin fqinjë në veri samaritanët, të cilët nuk i pëlqenin aq shumë saqë kur udhëtonin nga Jeruzalemi në Galile, ata do të merrnin rrugën më të gjatë përmes luginës së Jordanit, më mirë sesa të udhëtonin përmes Samarisë.

Jezusi iu përgjigj pyetjes së doktorit të ligjit duke i treguar shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë. Sipas shëmbëlltyrës:

“Një burrë zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. …

Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem’.”5

Ndryshe nga prifti jude dhe leviti që vazhduan tutje burrit të plagosur, që ishte një prej tyre, samaritani ishte i dashur pavarësisht ndasive. Ai tregoi cilësinë si të Krishtit, mirëdashjen. Jezusi na mësoi përmes kësaj historie se gjithkush është fqinji ynë.

Kohët e fundit, një këshilltar në një Peshkopatë ndau një përvojë që na mëson se sa i rëndësishëm është secili fqinj. Teksa po shikonte kongregacionin, ai pa një fëmijë me një kuti të madhe shkumësash me ngjyrë, të mbushur me një shumëllojshmëri ngjyrash të ndryshme. Ndërsa pa anëtarët e shumtë të lagjes së tij, atij iu kujtua se ata ishin të ngjashëm ashtu si shkumësat me ngjyrë, por gjithashtu secili person ishte shumë i veçantë.

Ai vërejti: “Ngjyra që i sillnin lagjes dhe botës ishte e gjitha [ngjyra] e tyre vetjake. … Ata kishin përkatësisht pika të forta e të dobëta, dëshira të mëdha personale e ëndrra private vetjake. Por së bashku, ata përziheshin në një karusel ngjyrash të unitetit shpirtëror. …

Uniteti është një cilësi shpirtërore. Është [që të kesh] ndjenjat e ëmbla të paqes dhe vendosmërisë që vijnë nga të qenët pjesë e një familje. … Është që të duash më të mirën për të tjerët po aq sa e do për veten tënde. … Është që të dish se askush nuk ka qëllim të të dëmtojë. [Do të thotë se nuk do të jesh kurrë i vetmuar.]”6

Ne e ndërtojmë atë unitet dhe i ndajmë ngjyrat tona unike përmes mirëdashjes: veprave vetjake të mirësisë.

A jeni ndier ndonjëherë i vetmuar? A i vini re ata që janë të vetmuar, që jetojnë në një botë bardh e zi? Të reja, kam parë se si ju i sillni ngjyrat tuaja unike në jetën e të tjerëve me buzëqeshjet tuaja, fjalët tuaja të dashura apo me një pusullë inkurajimi.

Presidenti Tomas S. Monson na mësoi se si të bashkëveprojmë me bashkëmoshatarët tanë e këdo që takojmë, kur i tha të rejave të Kishës: “Motrat e mia të reja e të çmuara, unë ju përgjërohem të keni kurajën të përmbaheni nga gjykimi dhe kritika e njerëzve rreth jush, si dhe kurajën që të siguroni që gjithkush të përfshihet dhe të ndiejë se e duan dhe e vlerësojnë”7.

Ne mund të ndjekim shembullin e Samaritanit të mirë dhe të “ndryshojmë botën” për një njeri të vetëm duke qenë mirëdashës.8 Do të doja ta ftoja secilën prej jush që të bënte të paktën një vepër si të Samaritanit, këtë javë që vjen. Mund t’ju duhet që të arrini përtej miqve tuaj të zakonshëm apo të mposhtni druajtjen tuaj. Ju, me kurajë, mund të zgjidhni t’i shërbeni dikujt që nuk ju trajton mirë. Ju premtoj se nëse do të zgjateni përtej asaj që është e lehtë për t’u bërë, ju do të ndiheni kaq mirë përbrenda, sa që mirësia do të fillojë të bëhet pjesë e jetës suaj të përditshme. Ju do të shihni që mirëdashja mund të sjellë gëzim e unitet në shtëpinë tuaj, klasën tuaj, lagjen tuaj dhe shkollën tuaj. “Vetes … gjithmon’ i them: Mir’sia fillon te ti.”

Shpëtimtari ynë jo vetëm që i deshi të gjithë, Ai i shërbeu të gjithëve. Shtrijani mirësinë tuaj shumë [vetëve]. Të vjetër e të rinj mund të bekohen së tepërmi nga shërbimi juaj i dashur. Presidenti Monson, që nga koha kur ishte i ri, gjithmonë ka pasur një vend të veçantë në zemrën e tij për të moshuarit. Ai e njeh vlerën e një vizite të shkurtër, e një buzëqeshjeje të gatshme apo të një shtrëngimi nga një dorë e brishtë dhe e rrudhur. Vepra të tilla të thjeshta të dashurisë hyjnore sjellin ngjyrë në një jetë që ndonjëherë përbëhet nga ditë të gjata, të vetmuara e gri. Do ta ftoja gjithsecilën prej jush që të kujtohej për gjyshërit dhe të moshuarit tuaj. Nesër në kishë, shikoni përqark dhe gjeni ata që mund të përfitojnë nga shtimi i nuancës së ngjyrës tuaj, në jetën e tyre. Nuk duhet shumë: përshëndetini në emër, përfshijini në një bisedë të shkurtër, jini e gatshme për t’i ndihmuar ata. A mund t’u hapni një derë apo të ofroni që t’i ndihmoni me shtëpinë apo kopshtin e tyre? Ajo që është një detyrë e thjeshtë për ju në moshën tuaj të re, mund të jetë një detyrë dërrmuese për një njeri më të moshuar. “Vetes … gjithmon’ i them: Mir’sia fillon te ti.”

Ndonjëherë më e vështira është që të jemi mirëdashës në vetë familjet tona. Familjet e forta kërkojnë përpjekje. “Jini të qeshur, gati për të ndihmuar dhe tregohuni të ndjeshëm ndaj të tjerëve. Shumë probleme në familje krijohen, sepse anëtarët e familjes flasin e veprojnë në mënyrë egoiste apo të pahijshme. Tregoni interes për nevojat e pjesëtarëve të tjerë të familjes. Mundohuni të sillni paqe dhe jo të tallni, të ziheni apo të grindeni.”9 “Vetes … gjithmon’ i them: Mir’sia fillon te ti.”

Jezusi i deshi fëmijët, i mori në krahët e tij dhe i bekoi.10 Ashtu si Shpëtimtari, mirësia juaj mund të bekojë të gjithë fëmijët, jo vetëm ata brenda shtëpisë suaj.

Ju mund të mos e dini ndikimin që jeta e shembulli juaj mund të kenë te një fëmijë i vogël. Kohët e fundit, mora një pusullë nga një shoqe që drejton një qendër përkujdesjeje ditore për fëmijë në një shkollë të mesme vendase. Disa të rinj e të reja, që janë anëtarë të Kishës, ndjekin atë shkollë të mesme. Ajo ndau me mua këtë përvojë: “Teksa eci përmes salloneve me fëmijët e vegjël, është bukur të shohësh se sa shumë dollapë me kyç kanë fotografi të Jezusit apo të tempujve të ngjitura nga përbrenda kanateve. Një prej fëmijëve pa një fotografi të Jezusit nga brenda kanatës së hapur të dollapit me kyç të një [të reje] dhe tha: ‘Shiko, Jezusi është në shkollën tonë!’ Studentja u mallëngjye në lot teksa u përkul dhe i dha një përqafim fëmijës. E falënderova të renë që ishte shembull i mirë për ata përreth saj. Është frymëzuese të dish që ka kaq shumë të rinj që po përpiqen të qëndrojnë për të vërtetën e drejtësinë, dhe të bëjnë pjesën e tyre që të ftojnë Shpirtin në jetën e tyre, megjithëse nganjëherë është e vështirë me gjithë zhurmën dhe vrazhdësinë në botën përreth tyre. Ne kemi fort të rinj të mrekullueshëm në Kishë.”

Më shumë se kaq nuk mund të bija dakord! Të reja, ju po ndryshoni botën duke vënë në qendër të jetës suaj Jezu Krishtin dhe ju po “bëheni ato që Ai do që ju të jeni”11.

Ju falënderoj për jetën tuaj mirëdashëse; që përfshini ata që mund të jenë të ndryshëm; për mirësinë tuaj ndaj bashkëmoshatarëve tuaj, të moshuarve, familjes suaj dhe fëmijëve të vegjël; që jeni fqinja ndaj atyre që janë të vetmuar dhe atyre që kanë sfida e pikëllim. Përmes mirëdashjes suaj, po i “drejtoni [të tjerët] tek drita e Shpëtimtarit”12. Ju falënderoj që kujtoni se “mir’sia fillon te [vetja]”.

E di se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Perëndisë, jeta e të cilit ka qenë një model i mirëdashjes nga e cila ne mund të mësojmë. Ndiqni profetin tonë. Mësoni prej shembullit të tij dhe dëgjoni fjalët e tij. Unë besoj në ungjillin e Jezu Krishtit; dhe e di se nëpërmjet Jozef Smithit, priftëria është rivendosur në tokë.

E di se Shpëtimtari ynë jeton dhe e do secilin prej nesh. Ai ka dhënë jetën e Tij për të gjithë. Lutem që ne do ta vëmë Jezu Krishtin në qendër të jetës sonë dhe do të “ndjekim rrugët e Tij” duke dashur e i shërbyer njëri-tjetrit.13 Duke e bërë këtë, e di se ne mund ta bëjmë botën një vend më të mirë nga që “ne besojmë në qenien … mirëdashës”14. Unë dëshmoj për këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Nenet e Besimit 1:13.

  2. Shih Oxford English Dictionary Online, bot. i 2-të (1989), “benevolent”, oed.com.

  3. “Mirësia Fillon tek Unë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 63; Parimet e Ungjillit, f. 369.

  4. “Guardians of Virtue,” Strength of Youth Media 2011: We Believe (DVD, 2010); e disponueshme gjithashtu tek lds.org/youth/video/youth-theme-2011-we-believe.

  5. Lluka 10:25, 27, 29, 30, 33–35.

  6. Jerry Earl Johnston, “The Unity in a Ward’s Uniqueness”, Mormon Times, 9 shkurt 2011, M1, M12.

  7. Tomas S. Monson, “Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 125.

  8. “Guardians of Virtue.”

  9. Për Forcën e Rinisë (libërth, 2001), f. 10.

  10. Shih Marku 10:16.

  11. “Guardians of Virtue.”

  12. “Guardians of Virtue.”

  13. “Guardians of Virtue.”

  14. Nenet e Besimit 1:13.