Çelësa të Shenjtë të Priftërisë Aarone
Zoti dëshiron që çdo mbajtës i Priftërisë Aarone t’i ftojë të gjithë të vijnë te Krishti – duke filluar me vetë familjen e tyre.
Një nga bijtë e mi, në moshën 12 vjeçe, vendosi të rriste lepuj. Ne ndërtuam kafazë dhe morëm lepuj nga një fqinj, një mashkull të madh dhe dy femra. Nuk e kisha idenë se çfarë pune po i hynim. Në një kohë shumë të shkurtër, streha jonë ishte mbushur plot me lepuj. Tani që biri im është rritur, duhet të rrëfej habinë time se si kontrolloheshin ata – herë pas here, qeni i një fqinji hynte në strehë dhe zvogëlonte tufën.
Por zemra ime prekej ndërsa shihja birin tim dhe vëllezërit e tij t’i ruanin dhe mbronin ata lepuj. Dhe tani, si bashkëshortë dhe etër, ata janë mbajtës të denjë të priftërisë që i duan, i forcojnë dhe i ruajnë vetë familjet e tyre.
Ndjenjat e mia janë të ëmbla ndërsa ju vërej ju të rinj të Priftërisë Aarone të ruani, mbështesni dhe forconi ata që keni përreth, përfshirë familjet tuaja, anëtarët e kuorumit tuaj dhe shumë të tjerë. Sa shumë ju dua!
Kohët e fundit vërejta se si një i ri 13-vjeçar u veçua si president i kuorumit të dhjakëve. Më pas, peshkopi i shtrëngoi dorën dhe iu drejtua atij si “president”, duke u shpjeguar anëtarëve të kuorumit se ai iu “drejtua atij si president për të theksuar shenjtërinë e thirrjes së tij. Presidenti i kuorumit të dhjakëve është njëri prej vetëm katër njerëzve në lagje, që mbajnë çelësat e presidencës. Me ato çelësa ai, bashkë me këshilltarët e tij, do të udhëheqë kuorumin nën frymëzimin e Zotit.” Ky peshkop kuptoi fuqinë e presidencës së udhëhequr nga një president që mban dhe ushtron çelësat e priftërisë së shenjtë. (Shih DeB 124:142–143.)
Më vonë, e pyeta këtë të ri nëse ishte gati të kryesonte mbi këtë kuorum të shkëlqyer. Përgjigjja e tij qe: “Jam i shqetësuar. Unë nuk e di se çfarë bën një president i kuorumit të dhjakëve. A mund të ma thuash ti?”
I thashë se ai kishte një peshkopatë dhe këshilltarë të mrekullueshëm që do ta ndihmonin atë që të bëhej një udhëheqës priftërie i suksesshëm e i fuqishëm. E dija se ata do të respektonin çelësat e shenjtë të presidencës që ai mbante.
Pastaj shtrova këtë pyetje: “A mendon se Zoti do të të thërriste në këtë thirrje të rëndësishme pa të dhënë drejtim?”
Ai mendoi, pastaj u përgjigj: “Ku ta gjej atë?”
Pas ca diskutimi, ai e kuptoi se do të gjente drejtim nga shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë dhe përgjigjet e lutjeve. Ne vendosëm të gjenim një shkrim të shenjtë, që do të ishte një pikë nisje për kërkimin e tij për të mësuar përgjegjësitë e thirrjes së tij të re.
Ne iu drejtuam seksionit të 107-të të Doktrinës e Besëlidhjeve, vargu 85. Ai përmend se një president i kuorumit të dhjakëve duhet të ulet në këshill me anëtarët e kuorumit të tij dhe t’u mësojë atyre detyrat e tyre. Ne vërejtëm se kuorumi i tij nuk është vetëm një klasë, por gjithashtu një këshill të rinjsh dhe ata duhet të forcojnë e lartësojnë njëri-tjetrin, nën drejtimin e presidentit. Unë shpreha besim se ai do të ishte një president i shkëlqyer që do të mbështetej në frymëzim nga Zoti dhe do të lartësonte thirrjen e tij të shenjtë ndërsa do t’u mësonte bashkëdhjakëve të tij detyrat e tyre.
Pastaj e pyeta: “Duke e ditur se ti duhet t’u mësosh dhjakëve detyrat e tyre, a e di se cilat janë këto detyra?”
Përsëri ne iu kthyem shkrimeve të shenjta dhe gjetëm:
-
Një dhjak caktohet për të vëzhguar dhe për të qenë shërbestar për Kishën (shih DeB 84:111).
Meqë familja është njësia bazë e Kishës, mjedisi më i rëndësishëm në të cilin mund të plotësojë këtë detyrë një mbajtës i Priftërisë Aarone është vetë shtëpia e tij. Ai u siguron shërbim priftërie babait dhe nënës së tij, ndërsa ata udhëheqin familjen. Ai gjithashtu vëzhgon mbi vëllezërit e motrat e tij, të rinjtë e kuorumit të tij dhe anëtarët e tjerë të lagjes.
-
Një dhjak e ndihmon mësuesin në gjithë detyrat e tij në Kishë, nëse rasti e kërkon (shih DeB 20:57).
Ne përcaktuam që, nëse një dhjak duhet ta ndihmojë mësuesin në detyrat e tij, ai duhet t’i dijë ato detyra. Ne pamë në shkrimet e shenjta dhe shpejt dalluam mbi një duzinë detyra për postin e mësuesit (shih DeB 20:53–59; 84:111). Çfarë përvoje e fuqishme do të ishte për çdo të ri – dhe atin e tij, këshilltarët e të gjithë ne – që të bënim saktësisht atë që bëri ky i ri: t’u drejtoheshim shkrimeve të shenjta e të zbulonim vetë se cilat janë detyrat tona. Hamendësoj se shumë nga ne do të çuditeshim – dhe do të frymëzoheshim – nga ajo çfarë do të gjenim. Detyra ndaj Perëndisë përmban përmbledhje të dobishme të detyrave të Priftërisë Aarone dhe është një burim i shkëlqyer për zhvillimin shpirtëror. Ju nxis që ta përdorni vazhdimisht.
-
Dhjakët dhe mësuesit gjithashtu duhet të “paralajmërojnë, të sqarojnë, të këshillojnë e të japin mësim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti” (DeB 20:59; shih vargjet 46 dhe 68 për priftërinjtë).
Shumë të rinj mendojnë se përvoja e tyre misionare fillon kur të mbushin 19 vjeç dhe të hyjnë në Qendrën e Trajnimit Misionar. Ne mësojmë nga shkrimet e shenjta se ajo fillon shumë më parë asaj. Zoti dëshiron që çdo mbajtës i Priftërisë Aarone t’i ftojë të gjithë të vijnë te Krishti – duke filluar me vetë familjen e tyre.
Më tej, për ta ndihmuar këtë president të ri ta kuptonte se ai dhe vetëm ai ishte drejtuesi kryesues në kuorum, sugjerova që ai të lexonte tri herë detyrat e para të renditura në Doktrinën e Besëlidhjet 107:85. Ai lexoi: “Të kryesojë mbi të dymbëdhjetë dhjakët”. E pyeta: “Çfarë po të thotë Zoti ty personalisht mbi detyrën tënde si president?”
“Epo”, tha ai, “disa gjëra më kanë ardhur në mendje ndërsa po flisnim. Mendoj se Ati Qiellor dëshiron që unë të jem president i dymbëdhjetë dhjakëve. Ne jemi vetëm pesë vetë që vijmë, dhe njëri vjen vetëm nganjëherë. Kështu që, si do t’i bëjmë dymbëdhjetë?”
Tani, unë nuk e kisha interpretuar kurrë këtë shkrim të shenjtë në mënyrën si e bëri ai, por atëherë, ai mbante çelësa të shenjtë që unë nuk i kisha. Po merrja mësim nga një president 13-vjeçar i kuorumit të dhjakëve mbi fuqinë zbuluese që u vjen atyre me çelësat e shenjtë të presidencës, pavarësisht nga intelekti, shtati ose mosha.
Iu përgjigja: “Nuk e di. Si mendon?”
Dhe ai tha: “Duhet të gjejmë se si ta bëjmë që ai të vazhdojë të vijë. E di se janë dy të tjerë që duhet të jenë në kuorumin tonë, por ata nuk vijnë dhe nuk i njoh ata. Ndoshta mund të bëhem shok i ngushtë me njërin dhe këshilltarët e mi të punojnë me tjetrin. Nëse vijnë të gjithë, do të kishim shtatë, po ku t’i gjejmë pesë të tjerë?”
“Unë nuk e di”, ishte përgjigjja ime, “por nëse Ati Qiellor i do ata këtu, Ai e di.”
“Atëherë ne duhet të lutemi si presidencë e kuorum që të zbulojmë se çfarë të bëjmë.” Ai pastaj pyeti: “A jam përgjegjës për të gjithë djemtë e moshës së dhjakut në lagjen tonë, edhe nëse ata nuk janë anëtarë?”
Me nderim, i thashë: “Sipas pikëpamjes së Zotit, a ka përgjegjësi peshkopi juaj vetëm për anëtarët e lagjes apo për të gjithë ata që jetojnë brenda kufijve të saj?”
Ky “shërbestar” i ri e kuptoi atë. Ai u njoh me rolin e çdo dhjaku, mësuesi dhe prifti për të vëzhguar Kishën dhe për t’i ftuar të gjithë të vijnë te Krishti.
Mendimet e mia shkojnë tek një shkrim i shenjtë kur mendoj për të rinjtë e të rejat e mrekullueshme të Kishës – një shkrim që Moroni i citoi Jozef Smithit, duke thënë se “ende nuk ishte përmbushur, por shpejt do të përmbushej” (Joseph Smith – Historia 1:41) – “Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, … të rinjtë tuaj do të kenë vegime” (Joeli 2:28).
Ajo çfarë i erdhi në mendje këtij presidenti të ri ishte një vegim i asaj që Ati Qiellor dëshiron që të jetë kuorumi i tij. Ishte zbulesa se ai kishte nevojë të forconte anëtarët aktivë të kuorumit të tij, të shpëtonte ata që ishin të trazuar dhe t’i ftonte të gjithë të vijnë tek Krishti. I frymëzuar kështu, ai bëri plane që të zbatonte vullnetin e Zotit.
Zoti i mësoi këtij presidenti të ri se priftëria do të thotë të zgjatesh për t’u shërbyer të tjerëve. Ashtu si shpjegon profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson: “Priftëria nuk është vërtet aq shumë një dhuratë sa një detyrë për të shërbyer, një privilegj për të lartësuar moralisht dhe një mundësi për të bekuar jetën e të tjerëve” (“Our Sacred Priesthood Trust”, Liahona, maj 2006, f. 57).
Në fakt, shërbimi është vetë themeli i priftërisë – shërbimi ndaj të tjerëve siç u bë shembull nga Shpëtimtari. Unë dëshmoj se është priftëria e Tij, ne jemi në punën e Tij dhe Ai u ka treguar të gjithë mbajtësve të priftërisë mënyrën e shërbimit besnik të priftërisë.
Unë e ftoj çdo presidencë kuorumi të dhjakëve, të mësuesve dhe të priftërinjve që të këshilloheni, të studioni dhe të luteni rregullisht për të mësuar se cili është vullneti i Zotit për kuorumin tuaj dhe pastaj shkoni e veproni. Përdoreni libërthin Detyrë ndaj Perëndisë për t’ju ndihmuar t’u mësoni anëtarëve të kuorumit tuaj detyrën e tyre. Unë ftoj çdo anëtar kuorumi, që ta mbështesni presidentin e kuorumit tuaj dhe t’i drejtoheni atij për këshillë ndërsa mësoni dhe përmbushni drejtësisht të gjitha detyrat tuaja të priftërisë. Dhe e ftoj secilin prej nesh t’i shohë këta të rinj të shquar ashtu si Zoti i sheh ata – një burim i fuqishëm për ta ndërtuar dhe forcuar mbretërinë e Tij, këtu dhe tani.
Ju të rinj të mahnitshëm mbani Priftërinë Aarone, të rivendosur nga Gjon Pagëzori tek Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri pranë Harmonisë në Pensilvani. Priftëria juaj mban çelësat e shenjtë, të cilët hapin derën për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që të vijnë tek Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe ta ndjekin Atë. Kjo sigurohet nëpërmjet “ungjillit të pendimit e të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve”, ordinancës javore të sakramentit dhe “shërbesës së engjëjve” (DeB 13:1; Joseph Smith – Historia 1:69). Ju vërtet jeni shërbestarë që duhet të jeni burra të pastër, të denjë, besnikë, të priftërisë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Përse? Dëgjoni fjalët e Presidencës sonë të Parë e të dashur, të dhëna secilit prej jush në libërthin tuaj Detyrë ndaj Perëndisë:
“Ju keni autoritetin për të administruar ordinancat e Priftërisë Aarone. … [Ju] do të bekoni së tepërmi jetën e atyre që janë përreth jush. …
Ati Qiellor ka tek ju mirëbesim e besim të madh dhe ka për ju një mision të rëndësishëm për të kryer” (Plotësoj një Detyrë ndaj Perëndisë: Për Mbajtësit e Priftërisë Aarone [2010], f. 5).
Unë e di se këto fjalë janë të vërteta dhe lutem që secili prej nesh do të ketë po këtë dëshmi. Dhe i them këto gjëra, në emrin e shenjtë të Atij, priftërinë e të cilit mbajmë, Jezu Krishtit, amen.