2010–2019
Një Dëshmi e Gjallë
Prill 2011


Një Dëshmi e Gjallë

Dëshmia kërkon ushqimin nëpërmjet lutjes me besim, urinë për fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe bindjen ndaj së vërtetës.

Të dashura motra të mia të reja, ju jeni shpresa e ndritur e Kishës së Zotit. Qëllimi im sonte është që t’ju ndihmoj të besoni se është kështu. Nëse ai besim mund të bëhet një dëshmi e thellë nga Perëndia, ai do të formojë zgjedhjet tuaja të përditshme dhe të përorshme. Dhe pastaj nga ato që mund t’ju duken si zgjedhje të vogla, Zoti do t’ju udhëheqë te lumturia që dëshironi. Nëpërmjet zgjedhjeve tuaja Ai do të jetë në gjendje të bekojë të tjerë të panumërt.

Zgjedhja juaj për të qenë me ne sonte, është një shembull i zgjedhjeve që kanë rëndësi. Më shumë se një milion të reja, nëna dhe udhëheqëse qenë ftuar. Nga të gjitha gjërat e tjera që mund të kishit zgjedhur të bënit, ju zgjodhët të jeni me ne. Ju e bëtë këtë për shkak të besimit tuaj.

Ju jeni besimtare në ungjillin e Jezu Krishtit. Ju besoni mjaft për të ardhur këtu që të dëgjoni shërbëtorët e Tij dhe keni besim të mjaftueshëm për të shpresuar se diçka që do të dëgjoni apo do të ndieni do t’ju çojë drejt një jete më të mirë. Ju ndiet në zemrën tuaj se ndjekja e Jezu Krishtit ishte rruga drejt një lumturie më të madhe.

Tani, ju mund të mos e keni shquar atë si zgjedhje të vetëdijshme me ndonjë rëndësi të madhe. Ju ndoshta u ndiet të tërhequra për të qenë me ne nga miq apo familja. Ju mundet thjesht t’i jeni përgjigjur mirësisë së dikujt që ju ftoi të vini. Por edhe nëse ju nuk e vini re, ju ndiet të paktën një jehonë të lehtë të ftesës së Shpëtimtarit: “Eja, më ndiq”1.

Në orën që kemi qenë së bashku, Zoti ka thelluar besimin tuaj në Të dhe ka forcuar dëshminë tuaj. Ju keni dëgjuar më shumë se fjalë dhe muzikë. Ju keni ndier dëshminë e Shpirtit në zemrën tuaj se ka profetë të gjallë në tokë në Kishën e vërtetë të Zotit dhe se shtegu drejt lumturisë gjendet brenda mbretërisë së Tij. Dëshmia juaj është rritur se kjo është e vetmja Kishë e vërtetë dhe e gjallë sot në tokë.

Tani, ne nuk ndiem saktësisht të njëjtat gjëra. Për disa ishte një dëshmi e Shpirtit që Tomas S. Monson është një profet i Perëndisë. Për të tjerë ishte se ndershmëria, virtyti dhe bërja mirë ndaj të gjithë njerëzve janë cilësi të Shpëtimtarit. Dhe bashkë me të ndiet një dëshirë më të madhe për të qenë si Ai.

Të gjitha ju keni dëshirë që dëshmia juaj mbi ungjillin e Jezu Krishtit të forcohet. Presidenti Brigam Jang mundi ta shohë nevojën tuaj shumë vite përpara. Ai ishte profet i Perëndisë dhe me largpamje profetike 142 vite përpara, ai ju pa ju dhe nevojat tuaja. Ai ishte një atë i dashur dhe një profet i gjallë.

Ai mundi të shohë ndikimin e botës që vinte mbi vetë bijat e tij. Ai pa se ato ndikime të botës po i tërhiqnin ato larg nga shtegu i Zotit drejt lumturisë. Në kohën e tij, ato ndikime vinin pjesërisht nga hekurudha e re transkontinentale që lidhte me botën shenjtorët e izoluar dhe të mbrojtur.

Ai mund të mos ketë parë mrekullitë teknologjike të sotme, ku me një pajisje që mund ta mbani në dorën tuaj, ju mund të zgjidhni të lidheni me ide dhe njerëz të panumërt nëpër botë. Por ai e pa vlerën për bijat e tij – dhe për ju – tek të bërit e zgjedhjeve të tyre bazuar në një dëshmi të fortë për një Perëndi të gjallë e të dashur dhe për planin e Tij të lumturisë.

Këtu është këshilla e tij profetike dhe e frymëzuar për bijat e tij dhe për ju gjithmonë.

Ajo është në qendër të mesazhit tim sonte. Ai tha në një dhomë në shtëpinë e tij më pak se një kilometër prej nga ky mesazh tani shkon te bijat e Perëndisë në kombe nëpër botë: “Ka një nevojë për bijat e reja të Izraelit që të marrin një dëshmi të gjallë të së vërtetës”2.

Ai pastaj krijoi një shoqatë të rejash që është bërë ajo që tani ne e quajmë në Kishën e Zotit, “Të Rejat”. Ju keni ndier sonte disa nga ndikimet e mrekullueshme të zgjedhjes së tij të bërë në atë mbrëmje të diele në sallonin e shtëpisë së tij.

Më shumë se 100 vite më pas, bijat e Izraelit nëpër botë e kanë atë dëshirë për një dëshmi të gjallë të së vërtetës për veten e tyre. Tani, për pjesën tjetër të jetës suaj, ju do të keni nevojë për atë dëshmi të gjallë dhe në rritje që t’ju forcojë dhe t’ju udhëheqë rrugën tuaj drejt jetës së përjetshme. Dhe me atë ju do të bëheni përçueset e dritës së Krishtit te vëllezërit dhe motrat tuaja nëpër botë dhe ndër brezat pasardhës.

Ju e dini nga vetë përvoja juaj se çfarë është një dëshmi. Plaku Jozef Filding Smith na mësoi se dëshmia “është një njohuri bindëse që i jepet nëpërmjet zbulesës [një personi] që përulësisht kërkon të vërtetën”. Ai tha për dëshminë dhe për Frymën e Shenjtë, që e sjell atë zbulesë: “Forca e saj bindëse është aq e madhe, saqë nuk mund të mbetet dyshim në mendje kur Shpirti ka folur. Ajo është e vetmja mënyrë që një person mundet me të vërtetë të dijë që Jezusi është Krishti dhe se ungjilli i tij është i vërtetë.”3

Ju e keni ndier vetë atë frymëzim. Ai mund të ketë qenë për të vërtetuar për një pjesë të ungjillit, siç ishte për mua sonte. Kur dëgjova fjalët nga neni i trembëdhjetë i neneve të besimit mbi të qenit “të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, [dhe] mirëdashës”, u ndjeva si t’i kishte thënë Zoti. Unë ndieva se ato janë cilësitë e Tij. Unë e ndjeva se Jozef Smithi ishte profeti i Tij. Kështu për mua ato nuk ishin thjesht fjalë.

Në mendjen time unë pashë pluhurin e rrugëve të Judesë dhe kopshtin e Gjetsemanit. Në zemrën time ndjeva diçka të ngjashme me gjunjëzimin, siç bëri Jozefi përpara Atit dhe Birit në një korije pemësh në Nju-Jork. Unë nuk mund të shihja në mendjen time një dritë më të shkëlqyer se dielli në mesditë siç bëri ai, por unë ndjeva ngrohtësinë dhe mrekullinë e një dëshmie.

Dëshmia do të vijë te ju pjesërisht, kur pjesë të së vërtetës së plotë të ungjillit të Jezu Krishtit vërtetohen. Për shembull, kur ju lexoni dhe mendoni mbi Librin e Mormonit, vargjet që i keni lexuar më parë do t’ju duken të reja dhe do t’ju sjellin ide të reja. Dëshmia juaj do të rritet në gjerësi dhe thellësi ndërsa Fryma e Shenjtë siguron se ato janë të vërteta. Dëshmia juaj e gjallë do të zgjerohet ndërsa studioni, luteni dhe mendoni mbi shkrimet e shenjta.

Përshkrimi më i mirë për mua se si të fitohet dhe të mbahet kjo dëshmi e gjallë tashmë është thënë. Ajo është në kapitullin e 32-të tek Alma në Librin e Mormonit. Ju mund ta keni lexuar atë shumë herë. Unë gjej dritë të re në të sa herë që e lexoj. Le ta shohim përsëri mësimin që jep ai edhe një herë sonte.

Neve na është mësuar në ato pjesë të frymëzuara ta fillojmë kërkimin tonë për dëshmi me “një pjesëz të besimit” dhe me dëshirë që ajo të rritet.4 Sonte ju keni ndier besim dhe atë dëshirë ndërsa dëgjonit bisedat e mrekullueshme për mirësinë e Shpëtimtarit, ndershmërinë e Tij dhe pastërtinë e urdhërimeve dhe të Shlyerjes së Tij që është mundësuar për ne.

Kështu një farë besimi tashmë është mbjellë në zemrën tuaj. Ju madje, mund të keni ndier një zgjerim të zemrës suaj të premtuar tek Alma. Unë po.

Por, si një bimë në rritje, ajo duhet të ushqehet ose ajo do të vyshket. Lutje të shpeshta dhe të ndiera me zemër janë ushqim vendimtar dhe i nevojshëm. Bindja që keni marrë ndaj së vërtetës, do ta mbajë dëshminë të gjallë dhe do ta forcojë. Bindja ndaj urdhërimeve është pjesë e ushqimit që duhet të siguroni për dëshminë tuaj.

Ju kujtoni premtimin e Shpëtimtarit: “Në qoftë se dikush do të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime”5.

Ajo është vërtetuar tek unë, siç do të ndodhë edhe për ju. Një nga doktrinat e ungjillit që m’u mësua kur isha i ri, ishte se më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë është jeta e përjetshme.6 Unë e mësova se një pjesë e jetës së përjetshme është të jetosh së bashku në dashuri me familjet përgjithmonë.

Nga hera e parë që i dëgjova ato të vërteta dhe ato u vërtetuan në zemrën time, unë u ndjeva i detyruar të bëja çdo zgjedhje që mundja, për të shmangur grindje dhe për të kërkuar paqe në familjen dhe shtëpinë time.

Tani, vetëm pas kësaj jete mundem unë të gëzoj plotësinë e atij më të madhit të të gjithë bekimeve, jetën e përjetshme. Por midis sfidave të kësaj jete, mua më janë dhënë të paktën shfaqje të shkurtra të asaj se si mund të duket familja ime në qiell. Nga ato përvoja dëshmia ime për realitetin e fuqisë së vulosjes që ushtrohet në tempuj, është rritur dhe është forcuar.

Duke parë dy bijat e mia të pagëzohen në tempull për paraardhësit e tyre, zemra ime është afruar tek ato dhe tek ata paraardhës, të cilëve u gjetëm emrat. Premtimi i Elias që zemrat do të kthehen te njera-tjetra në familjet, na është dhënë ne.7 Kështu që besimi për mua është bërë një njohuri, gjersa neve na është premtuar në librin e Almës.

Unë kam përjetuar të paktën disa gëzime që paraardhësit e mi i ndien kur Shpëtimtari erdhi në botën shpirtërore pas shërbesës së Tij në vdekshmëri. Këtu është përshkrimi në Doktrina e Besëlidhje:

“Dhe shenjtorët u gëzuan me shëlbimin e tyre dhe u gjunjëzuan dhe e njohën Birin e Perëndisë si Shëlbuesin dhe Çlirimtarin e tyre nga vdekja dhe nga zinxhirët e ferrit.

Fytyrat e tyre shkëlqyen dhe rrezatimi nga prania e Zotit qëndroi mbi ta dhe ata i kënduan përlëvdime emrit të tij të shenjtë.”8

Ndjesia ime për gëzimin e tyre erdhi nga veprimi mbi dëshminë time që premtimi i Zotit për jetë të përjetshme është i vërtetë. Ajo dëshmi u forcua nga zgjedhja ime për të vepruar mbi të, siç Shpëtimtari premtoi se do të ndodhë.

Ai na ka mësuar gjithashtu se, përveç zgjedhjes për të qenë të bindur, ne duhet të kërkojmë në lutje për dëshminë e së vërtetës. Zoti na i mësoi atë neve në urdhërimin e Tij që të lutemi rreth Librit të Mormonit. Ai tha nëpërmjet profetit të Tij Moronit:

“Vini re, unë do t’ju këshilloj që kur t’i lexoni këto gjëra, në qoftë se është urtësi në Perëndi që ju t’i lexoni ato, të kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në kohën kur do t’i merrni këto gjëra dhe t’i meditoni në zemrat tuaja.

Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave”9.

Unë shpresoj se ju të gjithë e keni provuar vetë atë premtim ose që do ta bëni shpejt atë. Përgjigjja mund të mos vijë në një përjetim të vetëm dhe të fuqishëm shpirtëror. Për mua ajo erdhi qetësisht në fillim. Por ajo vjen gjithnjë dhe më fuqishëm çdo herë që kam lexuar dhe jam lutur mbi Librin e Mormonit.

Unë nuk mbështetem në atë që ka ndodhur në të shkuarën. Që ta mbaj të sigurt dëshminë time të gjallë mbi Librin e Mormonit, unë e marr shpesh premtimin e Moronit. Unë nuk e quaj atë bekim dëshmie të dhënë si pronësi e përhershme.

Dëshmia kërkon ushqimin nëpërmjet lutjes me besim, urinë për fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe bindjen ndaj së vërtetës që kemi marrë. Ka rrezik në lënien pas dore të lutjes. Ka rrezik për dëshminë tonë te studimi dhe leximi vetëm rastësor i librave të shenjta. Ato janë ushqyes të domosdoshëm për dëshminë tonë.

Ju kujtoni paralajmërimin nga Alma:

“Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë; dhe kur të vijë nxehtësia e diellit dhe ta përzhisë, pasi ajo nuk ka rrënjë, ajo fishket dhe thahet; dhe ju e shkulni dhe e flakni tej.

Tani, kjo nuk ndodh sepse fara nuk ishte e mirë, as nuk është sepse fruti i saj nuk do të ishte i dëshirueshëm; por është sepse toka juaj është shterpë dhe ju nuk do ta ushqeni pemën, prandaj ju nuk do të mund të keni frutin e saj”10.

Të ushqyerit me bollëk me Fjalën e Perëndisë, lutja e ndier me zemër dhe bindja ndaj urdhërimeve të Zotit, duhet të zbatohen rregullisht dhe vazhdimisht që dëshmia juaj të rritet dhe të sjellë sukses. Të gjithë ne herë pas here kemi rrethana përtej kontrollit tonë që ndërpresin rregullin tonë të studimit të shkrimeve të shenjta. Mund të ketë periudha kohe kur ne zgjedhim për një arsye të mos lutemi. Mund të ketë urdhërime që ne zgjedhim për një kohë të mos i marrim parasysh.

Por nuk do ta keni dëshirën tuaj për një dëshmi të gjallë të dhënë nëse ju harroni paralajmërimin dhe premtimin e Almës:

“Dhe kështu, në qoftë se ju nuk do ta ushqeni fjalën, duke pritur me një sy besimi te fruti i saj, ju nuk do të mund të vilni kurrë frutin nga pema e jetës.

Por, në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën, po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, me besimin tuaj, me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj, do të lëshojë rrënjë; dhe vini re, do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme.

Dhe për shkak të zellit tuaj dhe të besimit tuaj dhe të durimit tuaj me fjalën, duke e ushqyer atë, që ajo të mund të lëshojë rrënjë në ju, vini re, ca nga ca, ju do të vilni frutin e saj që është shumë i çmueshëm, që është më i ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël dhe që është më i bardhë nga çdo gjë që është e bardhë, po, dhe i kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar; dhe ju do të ushqeheni me bollëk me këtë frut, madje derisa të ngopeni, që të mos keni uri, as të mos keni etje.

Atëherë … ju do të korrni shpërblimet e besimit tuaj dhe të zellit tuaj dhe të durimit, dhe të durueshmërisë, duke pritur që pema t’ju japë frut”11.

Fjalët në atë shkrim të shenjtë “duke pritur frutin e saj” drejtuan mësimin e urtë që ju morët këtë mbrëmje. Kjo është pse sytë tuaj ishin drejtuar te një ditë e ardhshme në një dhomë vulosjeje në tempull. Kjo është pse ju u ndihmuat ta përfytyroni sonte zinxhirin në dukje të pafund të dritës së pasqyruar në pasqyrat e përballura në muret e një dhome vulosjeje, ku ju mund të martoheni në një tempull të Perëndisë.

Nëse mund të shihni përpara te një ditë e tillë me mjaft dëshirë të lindur nga dëshmia, ju do të forcoheni që t’u rezistoni tundimeve të botës. Sa herë që zgjidhni të përpiqeni të jetoni më shumë si Shpëtimtari, ju do ta keni dëshminë tuaj të forcuar. Ju do të arrini në kohë që ta dini vetë se Ai është drita e botës.

Ju do të arrini të ndieni dritën që rritet në jetën tuaj. Ajo nuk do të vijë pa përpjekje. Por ajo do të vijë kur dëshmia juaj rritet dhe ju zgjidhni ta ushqeni atë. Këtu është premtimi i sigurt nga Doktrina e Besëlidhjet: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”12.

Ju do të jeni një dritë për botën ndërsa ju e ndani dëshminë tuaj me të tjerë. Ju do të pasqyroni te të tjerët dritën e Krishtit në jetën tuaj. Zoti do të gjejë mënyra që ajo dritë të prekë ata që ju i doni. Dhe nëpërmjet besimit dhe dëshmisë së kombinuar të bijave të Tij, Perëndia do të prekë jetën e milionave në mbretërinë e Tij dhe nëpër të gjithë botën me dritën e Tij.

Në dëshminë tuaj dhe zgjedhjet tuaja qëndron shpresa e Kishës dhe e brezave që do të ndjekin shembullin tuaj për dëgjimin dhe pranimin e ftesës së Zotit: “Eja, më ndiq”. Zoti ju njeh dhe ju do ju.

Unë ju lë dashurinë time dhe dëshminë time. Ju jeni bija të një Ati të dashur dhe të gjallë në qiell. Unë e di se Biri i Tij i ringjallur, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe drita e botës. Unë dëshmoj se Fryma e Shenjtë ka dërguar mesazhe te ju sonte duke pohuar të vërtetën në zemrën tuaj. Presidenti Tomas S. Monson është Profeti i gjallë i Perëndisë. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Lluka 18:22.

  2. Brigham Young, në A Century of Sisterhood: Chronological Collage, 1869–1969 (1969), f. 8.

  3. Joseph Fielding Smith, Answers to Gospel Questions, vepra e plotë Joseph Fielding Smith Jr., 5 volume (1957–1966), 3:31.

  4. Shih Alma 32:27.

  5. Gjoni 7:17

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 14:7.

  7. Shih Malakia 4:5–6; Joseph Smith—Historia 1:38–39.

  8. Doktrina e Besëlidhje 138:23–24.

  9. Moroni 10:3–5.

  10. Alma 32:38–39.

  11. Alma 32:40–43.

  12. Doktrina e Besëlidhje 50:24.