2010–2019
Gratë SHDM Janë të Jashtëzakonshme!
Prill 2011


Gratë SHDM Janë të Hatashme!

Shumë nga ajo që përmbushim në Kishë është në saje të shërbimit vetëmohues të grave.

Autori dhe historiani Vallas Stegner shkruajti rreth migrimit mormon dhe grumbullimit në Luginën e Solt-Lejkut. Ai nuk e pranoi besimin tonë dhe në shumë drejtime ishte kritik; gjithsesi ai ishte habitur me përkushtimin dhe heroizmin e anëtarëve tanë të hershëm, sidomos me gratë. Ai deklaroi: “Gratë e tyre ishin fantastike”1. Unë i bëj jehonë sot atij mendimi. Gratë tona shenjtore të ditëve të mëvonshme janë të jashtëzakonshme!

Perëndia vendosi te gratë cilësi hyjnore të forcës, virtytit, dashurisë dhe vullnetin për të sakrifikuar për të ritur breza të ardhshëm të fëmijëve të Tij shpirtërorë.

Një studim i kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara pohon se gratë e të gjitha besimeve “besojnë më thellësisht në Perëndi”, dhe marrin pjesë në më shumë shërbime fetare sesa burrat. “Në thuajse çdo drejtim ato janë më fetare.”2

Unë nuk u befasova nga ky përfundim, sidomos pasi unë mendova mbi një rol të pakalueshëm të familjeve dhe të grave në besimin tonë. Doktrina jonë është e qartë: Gratë janë bija të Atit tonë Qiellor, që i do ato. Bashkëshortet janë të barabarta me bashkëshortët e tyre. Martesa kërkon një bashkëpjesëmarrje të plotë ku bashkëshortet dhe bashkëshortët punojnë së bashku për të plotësuar nevojat e familjes.3

Ne e dimë se ka shumë sfida për gratë, përfshirë ato që përpiqen të jetojnë ungjillin.

Trashëgimi e Motrave Pioniere

Një cilësi mbizotëruese në jetën e paraardhësve tanë pionierë është besimi i motrave. Gratë nga natyra hyjnore kanë një dhuratë dhe përgjegjësi më të madhe për shtëpinë dhe fëmijët dhe ushqimin atje dhe në vende të tjera. Duke patur parasysh këtë, besimi i motrave që të ishin të gatshme të linin shtëpitë e tyre për të kapërcyer rrafshina për të panjohurën ishte frymëzues. Nëse do të duhej të karakterizoje cilësinë e tyre më të rëndësishme, ajo do të ishte besimi i tyre i palëkundur te ungjilli i rivendosur i Zotit Jezu Krisht.

Tregimet historike të asaj që këto gra pioniere sakrifikuan dhe përmbushën ndërsa kapërcenin rrafshinat, është një trashëgimi e paçmueshme për Kishën. Unë jam mallëngjyer nga tregimi i Elizabeth Xhekson, bashkëshorti i së cilës, Aaroni, vdiq pas kalimit të fundit të lumit Platte me kompaninë Martin të karrocave të dorës. Ajo shkruante:

“Unë nuk do të përpiqem t’i përshkruaj ndjenjat e mia kur mbeta e ve me tre fëmijë, në rrethana kaq torturuese. … Unë besoj … se vuajtjet e mia për hir të ungjillit do të konsiderohen si akte hyjnore ndaj meje për të mirën time…

Unë [i thirra] Zotit, … Atij që pati premtuar të ishte bashkëshort për të venë dhe baba për jetimin. Unë i thirra Atij dhe Ai më erdhi në ndihmë.”4

Elisabeta tha se ajo po shkruante historinë në emër të atyre që kaluan skena tё ngjashme me shpresën se pasardhësit do të kenë vullnet të vuajnë dhe të sakrifikojnë të gjitha gjërat për Mbretërinë e Perëndisë.5

Gratë në Kishë janë të Forta dhe të Guximshme

Unë besoj se gratë e Kishës sot e plotësojnë atë sfidë dhe janë deri në një po aq të forta dhe besnike. Udhëheqja e priftërisë së kësaj Kishe në të gjitha nivelet me mirënjohje njeh shërbimin, sakrificën, angazhimin dhe ndihmesën e motrave.

Shumë nga ajo që përmbushim në Kishë është në sajë të shërbimit vetëmohues të grave. Qoftë në Kishë apo në shtëpi, është një gjë e mrekullueshme të shohësh priftërinë dhe Shoqatën e Ndihmës të punojnë në një harmoni të përsosur. Një marrëdhënie e tillë është si një orkestër e drejtuar mirë dhe simfonia përfundimtare na frymëzon të gjithë.

Kur u caktova kohët e fundit në një konferencë në Misionin e Viejos të Kunjit të Kalifornisë, u preka nga një tregim për vallëzimin e tyre të Pragut të Vitit të Ri me të rinj nga të katër kunjat. Pas vallëzimit u gjet një çantë dore, që nuk mund të identifikohej nga jashtë. Unë po ju tregoj një pjesë të asaj që motra Monika Sedguik, presidentja e Të Rejave në kunjin e Laguna Niguelit, shënoi: “Ne nuk donim të bëheshim kureshtare; ky ishte një send vetjak i dikujt! Kështu me kujdes e hapëm dhe kapëm gjënë e parë që ishte sipër – me shpresë se do ta identifikonte atë. Ajo e bëri, por në një mënyrë tjetër – ajo ishte një pamflet Për Forcën e Rinisë. Ou! Kjo na tregoi diçka rreth saj. Pastaj e hapëm për sendin tjetër, një bllok shënimesh. Me siguri ky do të na jepte përgjigje, por jo të llojit që prisnim. Faqja e parë ishte një listë e shkrimeve të shenjta të parapëlqyera. Kishte edhe pesë faqe të tjera të shkrimeve të shenjta të shkruara me kujdes dhe shënime vetjake.”

Motrat menjëherë donin ta takonin këtë të re besnike. Ato u kthyen te çanta e dorës për të identifikuar pronaren e saj. Ato nxorrën disa mente, sapun, locion dhe një furçë. Unë i pëlqeva komentet e tyre: “Oh, gjëra të mira dalin prej gojës së saj; ajo ka duar të pastra dhe të buta dhe ajo kujdeset për veten.”

Ato me padurim pritën thesarin tjetër. Doli një qese e vogël mjeshtërore monedhash punuar në shtëpi me kuti kartoni tё lëngut tё frutave dhe disa para në një xhep me zinxhir. Ato thirrën: “Ah, ajo është krijuese dhe e përgatitur!” Ato u ndien si fëmijë të vegjël në një mëngjes Krishtlindjesh. Ajo që ato nxorrën pastaj i befasoi edhe më shumë. Një recetë për ëmbëlsirë çokollate Bllek Forest dhe një shënim për ta bërë ëmbëlsirën për një ditëlindje miku. Ato gati bërtitën: “Ajo është AMVISЁ! E vëmendshme ndaj të tjerëve dhe me mendje për shërbim.” Atëherë, po, më në fund, njëfarë identifikimi. Udhëheqëset e të rejave thanë se ndiheshin shumë të bekuara “të vëzhgonin shembullin e qetë të një zonjusheje që jetonte ungjillin”6.

Ky tregim ilustron zotimin e Të Rejave tona ndaj standardeve të Kishës7. Ai është gjithashtu një shembull i udhëheqëseve dashamirëse, të interesuara, të përkushtuara të Të Rejave kudo në botë. Ato janë të jashtëzakonshme!

Motrat kanë role kyç në Kishë, në jetën e familjes dhe si individë që janë thelbësorë në planin e Atit Qiellor. Shumë nga këto përgjegjësi nuk sigurojnë shpërblim ekonomik, por sigurojnë kënaqësi dhe janë përjetësisht të rëndësishme. Kohët e fundit një grua e mahnitshme dhe shumë e aftë në një komision redaksie gazete kërkoi për një përshkrim të rolit të grave në Kishë. U shpjegua se të gjitha udhëheqëset në grupimet tona janë të papaguara. Ajo ndërpreu për të thënë se interesi i saj qe zvogëluar shumë. Ajo tha: “Unë nuk besoj se gratë kanë nevojë për më shumë punë të papaguara.”

Ne theksuam se organizata më e rëndësishme në tokë është familja ku “baballarët dhe nënat janë … bashkëpjesëmarrës të barabartë”8. Asnjë nuk shpërblehet financiarisht, por bekimet janë përtej çdo përshkrimi. Ne, sigurisht, i treguam asaj rreth organizatave të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores që drejtohen nga presidente gra. Ne shënuam se nga historia jonë më e hershme edhe burrat edhe gratë luten, luajnë muzikë, japin predikime dhe këndojnë në kor, madje në mbledhjen e sakramentit, mbledhja jonë më e rëndësishme.

Libri i kohëve të fundit, shumë i vlerësuar American Grace (Hijeshia Amerikane), raportonte mbi gratë në shumë besime. Ai shënonte se gratë SHDM janë të vetmet që janë jashtëzakonisht të kënaqura me rolin e tyre në udhëheqjen e Kishës9. Për më tepër, shenjtorët e ditëve të mëvonshme si një e tërë, burra dhe gra, kanë dashurinë më të fortë te feja e tyre sesa në cilëndo nga fetë e studiuara.10

Gratë tona nuk janë të jashtëzakonshme ngaqë kanë arritur të shmangin vështirësitë e jetës – krejt e kundërta. Ato janë të jashtëzakonshme për shkak të mënyrës me të cilën përballin sprovat e jetës. Megjithë sfidat dhe provat që jeta duhet t’u ofrojë – që nga martesa apo mungesa e martesës, zgjedhjet e fëmijëve, shëndeti i dobët, mungesa e mundësive dhe shumë probleme të tjera – ato qëndrojnë mrekullisht të forta dhe të patundura dhe të vërteta në besim. Motrat tona kudo në Kishë vazhdimisht “ndihmojnë të dobëtit, ngrenë duar që janë varur dhe forcojnë gjunjë të pafuqishëm”11.

Një presidente Shoqate Ndihme që e njohu këtë shërbim të jashtëzakonshëm tha: “Edhe kur motrat shërbejnë, ato mendojnë: ‘Sikur të mund të kisha bërë më shumë!’” Edhe pse ato nuk janë të përsosura dhe të gjitha përballen me përpjekje vetjake, besimi i tyre në Atin e dashur në Qiell dhe siguria nga sakrifica shlyese e Shpëtimtarit përshkojnë jetën e tyre.

Roli i Motrave në Kishë

Gjatë tre viteve të fundit Presidenca e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetëve kanë kërkuar drejtim, frymëzim dhe zbulesë ndërsa ne u këshilluam me udhëheqësit e priftërisë dhe të udhëheqësit e organizatave ndihmëse dhe punuam për manualet e rinj të Kishës. Në këtë proces ne kemi përjetuar ndjesi të një vlerësimi të jashtëzakonshëm për rolin thelbësor që motrat, si të martuarat edhe beqaret, historikisht kanë luajtur dhe luajnë tani si në familje edhe në Kishë.

Të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit janë për “të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve”12. “Puna e shpëtimit përfshin punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën për tempullin dhe historinë familjare, … mësimdhënien e ungjillit”13 dhe kujdesin për të varfërit dhe nevojtarët.14 Kjo drejtohet kryesisht nga këshilli i lagjes.15

Veçanërisht, në Manualet e rinj synohet që peshkopët, të ndjeshëm ndaj kërkesave ekzistuese, të ndajnë më shumë përgjegjёsitё. Anëtarët duhet të pranojnë se peshkopi është udhëzuar që të përfaqësohet. Anëtarët duhet ta mbështesin dhe ndihmojnë atë në zbatimin e kësaj këshille. Kjo do t’i lejojë peshkopit të shpenzojë më shumë kohë me të rinjtë, të rinjtë e të rejat e rritur beqarë dhe familjen e tij. Ai do të delegojë përgjegjësi të tjera të rëndësishme tek udhëheqësit e priftërisë, presidentët e organizatave ndihmëse dhe burra e gratë e veçanta. Në Kishë roli i gruas në shtëpi është shumë i respektuar16. Kur nëna merr një thirrje Kishe që kërkon kohë të konsiderueshme, babait shpesh, do t’i jepet një thirrje që kërkon më pak me qëllim që të ruhet drejtpeshimi në jetën e familjes.

Disa vite më parë unë ndoqa një konferencë kunji në Tonga. Të dielën në mëngjes tre rreshtat e para të kishës ishin mbushur me burra të moshës midis 26 dhe 35 vjeç. Unë mendova se ata ishin kori i burrave. Por kur po drejtoheshin punimet e konferencës, secili nga këta burra, 63 gjithsej, u ngritën kur po u lexoheshin emrat e tyre dhe u mbështetën për shugurim në priftërinë Melkizedeke. Unë edhe u kënaqa edhe u hutova.

Pas seancës unë pyeta Presidentin Mateaki, presidenti i kunjit, se si ishte përmbushur kjo mrekulli. Ai më tregoi se në një mbledhje të këshillit të kunjit ishte diskutuar mbi riaktivizimin. Presidentja e Shoqatës së Ndihmës së kunjit të tij, Motra Leinata Va’enuku pyeti nëse do të ishte e përshtatshme që ajo të thoshte diçka. Ndërsa ajo fliste, shpirti i vërtetoi presidentit se çka po sugjeronte ajo ishte e vërtetë. Ajo shpjegoi se kishte një numër të madh të rinjsh të mrekullueshëm në fundin e të 20-ave dhe 30-ave në kunjin e tyre që nuk kishin shërbyer nëpër misione. Ajo tha se shumë prej tyre e dinin se patën zhgënjyer peshkopë dhe udhëheqës të priftërisë, që i kishin nxitur fort të shërbenin në një mision dhe ata tani ndiheshin si anëtarë të kategorisë së dytë në Kishë. Ajo theksoi se këta të rinj e kishin kaluar moshën për mision. Ajo shprehu dashurinë dhe shqetësimin e saj për ta. Ajo shpjegoi se të gjitha ordinancat shpëtuese ishin ende të mundshme për ta dhe përqendrimi duhet të ishte tek ordinancat e priftërisë dhe tek ordinancat e tempullit. Ajo vërejti se ndërsa disa nga këta të rinj ishin ende beqarë, shumica e tyre qenë martuar me gra të mrekullueshme – disa aktivë, disa jo aktivë dhe disa jo anëtarë.

Pas një diskutimi të gjithanshëm në këshillin e kunjit, u vendos që burrat e priftërisë dhe gratë e Shoqatës së Ndihmës të ndihmonin për të shpëtuar këta burra dhe bashkëshortet e tyre, ndërsa peshkopët shpenzuan më shumë nga koha e tyre me të rinjtë dhe të rejat në lagjet. Ata që u përfshinë në shpëtimin u përqendruan kryesisht në përgatitjen e tyre për priftërinë, martesën e përjetshme dhe ordinancat shpëtuese në tempull. Gjatë dy viteve të tjerë thuajse të gjithë prej 63 burrave që qenë mbështetur për priftërinë Melkizedeke në konferencën ku isha i pranishëm morën indaumentin në tempull dhe u vulosën me bashkëshortet e tyre. Ky tregim nuk është veçse një shembull se sa vendimtare janë motrat tona në punën e shpëtimit në lagjet dhe kunjat tona dhe se si ato lehtësojnë zbulesën, veçanërisht në këshillat e Kishës.17

Roli i Motrave në Familje

Ne dallojmë që ka forca gjigante të rreshtuara kundër grave dhe familjeve. Studime të fundit kanë përcaktuar se ka përkeqësim në përkushtimin ndaj martesës me një zvogёlim në numrin e të rriturve të martuar18. Për disa, martesa dhe familja po bëhen “një zgjedhje menuje më shumë se një parim qendror organizimi të shoqërisë sonë”19. Gratë përballen me shumë mundësira dhe duhet të shqyrtojnë me lutje zgjedhjet që bëjnë dhe si e ndikon kjo familjen.

Kur isha në Zelandën e Re vitin e kaluar, unë lexova në gazetën e Oklendit për gra, jo të fesë sonë, që luftonin me këto çështje. Një nënë tha se kuptonte që në rastin e saj, zgjedhja nëse duhej të punonte apo të rrinte në shtëpi, lidhej me një qilim tё ri dhe një makinë të dytë për të cilat ajo në të vërtetë nuk kishte nevojë. Një grua tjetër, gjithsesi, ndiente se armiku më i madh i “njё jete familjare të lumtur ishte puna pa pagesë – ishte televizioni.” Ajo tha se familjet janë të pasura në kohë për TV dhe të varfra në kohë për njëri-tjetrin.20

Këto janë vendime shumë emocionale, vetjake, por ka dy parime që duhet t’i mbajmë gjithnjë në mendje. I pari, asnjë grua nuk duhet kurrë të ndiejë nevojën të kërkojë falje apo të ndiejë se ndihmesa e saj është më pak e rëndësishme ngaqë ajo po ia kushton përpjekjet e saj kryesore rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme në planin e Atit tonë në Qiell. I dyti, ne duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm që të mos jemi gjykues apo të mendojmë se motrat janë më pak të guximshme, nëse vendosin të punojnë jashtë shtëpie. Ne rrallë i kuptojmë apo vlerësojmë plotësisht rrethanat e njerëzve. Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet me lutje të këshillohen së bashku duke kuptuar se ata janë përgjegjës përpara Perëndisë për vendimet e tyre.

Ju motra të përkushtuara që jeni prindër të vetëm për çfarëdo arsyeje, zemrat tona drejtohen te ju me vlerësim. Profetët e kanë bërë të qartë “që shumë duar qëndrojnë gati që t’ju ndihmojnë. Zoti nuk është i shkujdesur ndaj jush. As Kisha e Tij”21. Unë shpresoj se shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të jenë në ballë për krijimin e një mjedisi më mirëkuptues dhe më të gjindshëm edhe për gratë edhe për burrat në vendin e punës në përgjegjësitë e tyre si prindër.

Ju motra të guximshme dhe besnike beqare, ju lutemi dijeni se ne ju duam dhe ju vlerësojmë dhe ju sigurojmë se asnjë bekim i përjetshëm nuk do t’ju ndalohet.

Gruaja pioniere e shkëlqyer, Emili H. Udmansi, shkroi tekstin e himnit: “As Sisters in Zion” (“Si Motra në Sion”). Ajo me të drejtë siguron se “detyra e engjëjve u jepet grave”22. Kjo është përshkruar si “asgjë më pak se lidhja e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme me Atin tonë në Qiell, dhe ‘kjo është një dhuratë që … motrat … e kërkojnë’”23.

Të dashura motra, ne ju duam dhe ju admirojmë. Ne e vlerësojmë shërbimin tuaj në mbretërinë e Zotit. Ju jeni të jashtëzakonshme! Unë shpreh vlerësim të veçantë për gratë në jetën time. Unë dëshmoj për vërtetësinë e Shlyerjes, hyjninë e Shpëtimtarit dhe Rivendosjen e Kishës së Tij, në emër të Jezu Krishtit, amen.

  1. Wallace Stegner, The Gathering of Zion: The Story of the Mormon Trail (1971), f. 13.

  2. Robert D. Putnam and David E. Campbell, American Grace: How Religion Divides and Unites Us (2010), f. 233.

  3. Shih Handbook 2: Administering the Church (2010), 1.3.1; shih gjithashtu Moisiu 5:1, 4, 12, 27.

  4. Në Andrew D. Olsen, The Price We Paid: The Extraordinary Story of the Willie and Martin Handcart Pioneers (2006), f. 445.

  5. Shih “Leaves From the Life of Elizabeth Horrocks Jackson Kingsford”, Historical Society, Manuscript A 719. “Remembering the Rescue,” Ensign, gusht 1997, f. 47.

  6. Ndërthurur dhe shkurtuar nga një e-mail shkruar nga Monika Sedguik, presidente e Të Rejave të Kunjit të Laguna Niguel në Kaliforni, dhe një bisedë dhënë nga Lesli Mortensen, presidente e Të Rejave të Kunjit të Misionit Viejo të Kalifornisë.

  7. Në një artikull të titulluar, “Why Do We Let Them Dress Like That?” (Përse i Lejoni Ato të Vishen Ashtu?) (Wall Street Journal, 19–20 mars 2011, C3), një nënë e vëmendshme hebreje mbron standardet e veshjes dhe virtytin dhe vlerëson shembullin e grave mormone.

  8. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  9. Shih Putnam and Campbell, American Grace, f.244—245.

  10. Shih Putnam and Campbell, American Grace, f.504.

  11. Doktrina e Besëlidhje 81:5; shih gjithashtu Mosia 4:26.

  12. Doktrina e Besëlidhje 138:56.

  13. Handbook 2: Administering the Church (2010), f. 22.

  14. Shih Handbook 2, 6.1.

  15. Shih Handbook 2, 4.5.

  16. Shih Emily Matchar, “Why I Can’t Stop Reading Mormon Housewife Blogs”, salon.com/life/feature/2011/01/15/feminist_obsessed_with_mormon_blogs. Kjo e vetëshpallur si feministe dhe ateiste e njeh këtë respekt dhe thotë se asaj i është bërë mani të lexojë shënimet kronologjike vetjake online të shtëpiakeve mormone (blog-et).

  17. Nga bisedat me Presidentin Leonitai Mateaki të Nuku’alofa Tonga Ha’akame (i cili më pas shërbeu si president misioni në Misionin e Port Moresbit në Papua të Guinesë së Re) dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës së Kunjit Leinata Va’enuku.

  18. Shih D’Vera Cohn and Richard Fry, “Women, Men, and the New Economics of Marriage”, Pew Research Center, Social and Demographic Trends, pewsocialtrends.org. Numri i fëmijëve që lindin është ulur gjithashtu ndjeshëm në shumë vende. Kjo është quajtur Dimri Demografik.

  19. “A Troubling Marriage Trend”, Deseret News, 22 nëntor 2010, A14, citim nga një raport në msnbc.com

  20. Shih Simon Collins, “Put Family before Moneymaking Is Message from Festival”, New Zealand Herald, 1 shkurt 2010, A2.

  21. Gordon B. Hinckley, “Women of the Church”, Ensign, nëntor 1996, f. 69; shih gjithashtu Spencer W. Kimball, “Our Sisters in the Church”, Ensign, nëntor 1979, f. 48–49.

  22. “As Sisters in Zion” (Si Motra në Sion), Hymns, nr. 309.

  23. Karen Lynn Davidson, Our Latter-day Hymns: The Stories and the Messages, botim i rishikuar (2009), f. 338–339.