2010–2019
Bekimet e Përjetshme të Martesës
Prill 2011


Bekimet e Përjetshme të Martesës

Vulosja në tempull merr kuptim më të madh ndërsa jeta shpaloset. Ajo do t’ju ndihmojë t’i afroheni edhe më pranë njëri-tjetrit dhe të gjeni gëzim e përmbushje më të madhe.

Ai mesazh i bukur nga ky kor i mrekullueshëm përshkruan, mendoj unë, modelin e jetës për kaq shumë prej nesh: “Në përpjekje të jemi si Jezusi”.

Më 16 korrik 1953, Zhanina ime e dashur dhe unë u gjunjëzuam, si një çift i ri, në një altar në Tempullin e Mantit të Jutas. Presidenti Ljuis R. Anderson ushtroi autoritetin vulosës dhe na shpalli si bashkëshort e bashkëshorte, të martuar për kohën dhe për të gjithë përjetësinë. Nuk kam forcë të përshkruaj paqen dhe qetësinë që vijnë nga siguria se, ndërsa vazhdoj të jetoj denjësisht, unë do të jem në gjendje të jem përgjithmonë me Zhaninën time të dashur dhe fëmijët tanë, për shkak të asaj ordinance të shenjtë të kryer me autoritetin e duhur të priftërisë në shtëpinë e Zotit.

Shtatë fëmijët tanë janë të lidhur me ne nëpërmjet ordinancave të shenjta të tempullit. Bashkëshortja ime e shtrenjtë, Zhanina, dhe dy prej fëmijëve tanë janë përtej velit. Ata na japin motivim të fuqishëm për secilin prej anëtarëve të mbetur të familjes sonë, që të jetojë në mënyrë të tillë që së bashku ne të marrim të gjitha bekimet e përjetshme të premtuara në tempull.

Dy nga kolonat jetike, që mbështesin planin e lumturisë të Atit në Qiell, janë martesa dhe familja. Domethënia e tyre shumë e lartë theksohet nga përpjekjet këmbëngulëse të Satanit për të copëtuar familjen dhe për të dobësuar gradualisht domethënien e ordinancave të tempullit, që e lidhin së bashku familjen për përjetësinë. Vulosja në tempull ka kuptim më të madh ndërsa jeta shpaloset. Ajo do t’ju ndihmojë t’i afroheni edhe më pranë njëri-tjetrit dhe të gjeni gëzim e përmbushje më të madhe në vdekshmëri.

Dikur, mora një mësim të rëndësishëm nga bashkëshortja ime. Udhëtoja gjerësisht në punën time. Nuk kisha qenë për gati dy javë dhe u ktheva në shtëpi një mëngjes të shtune. Kisha katër orë kohë përpara se të më duhej të shkoja në një mbledhje tjetër. Vura re se makina jonë e vogël larëse ishte prishur dhe gruaja ime po i lante rrobat me dorë. Fillova ta rregulloj makinën.

Zhanina erdhi dhe tha: “Riç, çfarë po bën?”

I thashë: “Po riparoj makinën larëse, që të mos të të duhet të lash me dorë”.

Ajo tha: “Jo. Shko të luash me fëmijët.”

I thashë: “Mund të luaj me fëmijët në çfarëdo kohe. Dua të të ndihmoj ty.”

Atëherë ajo tha: “Riçard, të lutem shko të luash me fëmijët”.

Kur më foli me aq autoritet, unë u binda.

Kalova një kohë të mrekullueshme me fëmijët tanë. Ne ndoqëm njëri-tjetrin rreth e rrotull dhe u rrokullisëm mbi gjethet e vjeshtës. Më vonë, shkova në mbledhjen time. Ndoshta do ta kisha harruar atë përvojë sikur të mos ishte për mësimin që ajo dëshironte që të mësoja.

Mëngjesin tjetër, rreth orës 4 të mëngjesit, u zgjova kur ndjeva dy krahë të vegjël në qafë, një puthje në faqe dhe këto fjalë të pëshpëritura në veshin tim, që nuk do t’i harroj kurrë: “Babi, unë të dua. Ti je miku im më i mirë.”

Nëse po e provoni atë lloj përvoje në familjen tuaj, ju po provoni një nga gëzimet hyjnore të jetës.

Nëse jeni të rinj në moshën e përshtatshme dhe nuk jeni martuar, mos e shkoni dëm kohën me aktivitete boshe. Shkoni përpara në jetë dhe përqendrohuni tek lidhja e martesës. Jo thjesht të endeni pa përpjekje në këtë periudhë të jetës. Të rinj, shërbeni një mision të denjë. Pastaj, bëjeni përparësinë tuaj më të lartë gjetjen e një shoqeje të denjë, të përjetshme. Kur të kuptoni se po krijoni një interes për një të re, tregojini asaj se jeni një njeri i veçantë që për të do të ishte interesante ta njihte më mirë. Çojeni atë në vende që ia vlen. Shfaqni një farë zgjuarsie. Nëse dëshironi të keni një bashkëshorte të mrekullueshme, duhet ta bëni atë t’ju shohë si një burrë të mrekullueshëm dhe bashkëshort të mundshëm.

Nëse keni gjetur dikë, ju mund të krijoni një periudhë para martese e një martesë jashtëzakonisht të mrekullueshme dhe të jeni shumë, shumë të lumtur përjetësisht, duke ndenjur brenda kufijve të denjësisë që ka caktuar Zoti.

Nëse jeni të martuar, a jeni besnikë ndaj bashkëshortes mendërisht si dhe fizikisht? A jeni besnikë ndaj besëlidhjeve të martesës duke mos u përfshirë kurrë në bisedë me një person tjetër që nuk do të dëshironit ta dëgjonte bashkëshortja? A jeni të sjellshëm dhe mbështetës për bashkëshorten dhe fëmijët tuaj?

Vëllezër, a kryesoni në aktivitete familjare të tilla si studimi i shkrimit të shenjtë, lutja familjare dhe mbrëmja familjare, apo e mbush bashkëshortja boshllëkun që mungesa juaj e vëmendjes krijon në shtëpi? A i thoni shpesh bashkëshortes tuaj se sa shumë e doni? Kjo do t’i sjellë asaj lumturi të madhe. Kam dëgjuar burra që, kur e them këtë, thonë: “Oh, ajo e di”. Ju duhet t’ia thoni. Një grua zhvillohet dhe bekohet shumë prej atij risigurimi. Shpreheni mirënjohjen për atë çfarë bën për ty bashkëshortja jote. Shpreheni shpesh atë dashuri dhe mirënjohje. Kjo do ta bëjë jetën shumë më të pasur, më të këndshme e më qëllimplote. Mos i refuzoni ato shprehje të natyrshme të dashurisë. Dhe funksionon shumë më mirë nëse e mbani atë pranë jush kur t’ia thoni.

Mësova nga bashkëshortja ime rëndësinë e shprehjeve të dashurisë. Qysh herët në martesën tonë, shpesh do të hapja shkrimet e mia të shenjta për të dhënë një mesazh në një mbledhje dhe do të gjeja një shënim të dashur e mbështetës nga Zhanina, të shkiste nëpër faqe. Nganjëherë qenë kaq të ëmbël sa mezi mund të flisja. Ato shënime të çmuara nga një bashkëshorte e dashuruar ishin dhe vazhdojnë të jenë një thesar i paçmueshëm ngushëllimi dhe frymëzimi.

Fillova të bëja të njëjtën gjë për të, pa e kuptuar se sa shumë kuptim kishte vërtet kjo për të. Më kujtohet një vit kur nuk kisha të ardhura që t’i bëja një dhuratë për Shën Valentin, kështu që vendosa të pikturoja me bojëra uji në pjesën e përparme të frigoriferit. Bëra më të mirën që mundja, vetëm se bëra një gabim. Ishte bojë smalti, nuk ishte bojë uji. Ajo nuk më la kurrë të provoja ta hiqja atë bojë të qëndrueshme nga frigoriferi.

Më kujtohet një ditë, mora disa nga ato rrathët e vegjël prej letre që formohen kur bëni vrima në një letër dhe shkrova mbi ta numrat nga 1 deri në 100. I ktheva mbrapsht dhe i shkrova asaj një mesazh, një fjalë në çdo rreth. Pastaj i mblodha dhe i futa në një zarf. Mendova se ajo do të zbavitej shumë.

Kur ajo ndërroi jetë, zbulova në sendet e saj vetjake se sa shumë i vlerësoi ajo mesazhet e thjeshta që ndamë me njëri-tjetrin. Vura re se ajo e kishte ngjitur me kujdes secilin prej atyre rrathëve në një copë letër. Ajo jo vetëm që i mbajti shënimet e mia për të, por edhe i mbrojti me veshje plastike, si të ishin një thesar me vlerë. Vetëm njërin ajo nuk e vuri me të tjerët. Ai ndodhet ende pas xhamit të sahatit tonë të kuzhinës. Aty shkruhet: “Zhaninë, është koha të të them që të dua”. Ai mbetet atje dhe më kujton për atë bijë të jashtëzakonshme të Atit në Qiell.

Kur kam menduar për jetën tonë së bashku, kam kuptuar se sa të bekuar kemi qenë. Ne nuk kemi pasur debate në shtëpinë tonë ose fjalë të pasjellshme mes nesh. Tani e kuptoj se ai bekim ka ardhur për shkak të saj. Ai ka ardhur nga gatishmëria e saj për të dhënë, për të ndarë dhe për të mos menduar kurrë për vete. Në jetën tonë të mëvonshme së bashku, u përpoqa të ndiqja shembullin e saj. Ju sugjeroj që, si bashkëshort e bashkëshorte, të bëni të njëjtën gjë në shtëpinë tuaj.

Dashuria e dëlirë është një forcë e pakrahasueshme, e fuqishme për mirë. Dashuria e drejtë është themeli i një martese të suksesshme. Është shkaku parësor i fëmijëve të kënaqur e të zhvilluar mirë. Cili mund ta masë saktë ndikimin e drejtë të dashurisë së një nëne? Çfarë frytesh të qëndrueshme rezultojnë nga farat e së vërtetës që një nënë mbjell me kujdes e kultivon me dashuri në dheun pjellor të mendjes dhe zemrës mirëbesuese të një fëmije? Si nënë, ty të janë dhënë instinkte hyjnore për të të ndihmuar që të ndiesh talentet e veçanta dhe aftësitë unike të fëmijës tënd. Me bashkëshortin tënd, ti mund t’i ushqesh, t’i forcosh e t’i bësh të lulëzojnë ato tipare.

Është kaq shumë shpërblyese të jesh i martuar. Martesa është e mrekullueshme. Me kohë, ju filloni të mendoni njësoj, të keni të njëjtat ide dhe përshtypje. Ju keni çaste kur jeni jashtëzakonisht të lumtur, çaste testimi dhe çaste sprove, por Zoti ju drejton së bashku nëpër të gjitha këto përvoja rritjeje.

Një natë, djali ynë i vogël, Riçardi, që kishte një problem zemre, u zgjua duke qarë. Të dy ne e dëgjuam këtë. Normalisht, gruaja ime ngrihej gjithmonë që të kujdesej për foshnjën që qante, por këtë herë unë thashë: “Do të kujdesem unë për të”.

Për shkak të problemit të tij, kur fillonte të qante, zemra e tij e vogël do t’i rrihte shumë shpejt. Ai do ta nxirrte ç’kishte ngrënë dhe do të ndotëte mbulesat e shtratit. Atë natë e mbajta shumë pranë që të përpiqesha t’i qetësoja zemrën që i rrihte dhe ta pushoja së qari, ndërsa i ndërrova rrobat dhe vura shtresa të tjera shtrati. E mbajta derisa e zuri gjumi. Nuk e dija atëherë, se vetëm disa muaj më vonë, ai do të ndërronte jetë. Do ta kujtoj gjithmonë duke e mbajtur në krahë në mes të asaj nate.

Më kujtohet mirë dita kur ai ndërroi jetë. Ndërsa Zhanina dhe unë po ktheheshim nga spitali, ndaluam makinën në anë të rrugës. E mbajta në krahët e mi. Secili prej nesh qau pak, por e kuptuam se do ta kishim atë përtej velit, për shkak të besëlidhjeve që kishim bërë në tempull. Kjo e bëri humbjen e tij disi më të lehtë për ta pranuar.

Mirësia e Zhaninës më mësoi kaq shumë gjëra të çmueshme. Unë isha kaq i papjekur dhe ajo qe kaq e disiplinuar e kaq shpirtërore. Martesa siguron një mjedis ideal për të kapërcyer çfarëdo prirje për të qenë egoist ose i përqendruar tek vetja. Mendoj se një nga arsyet se pse ne na këshillojnë të martohemi qysh herët në jetë, është që të shmangim zhvillimin e tipareve të papërshtatshme të karakterit, që janë të vështira të ndryshojnë.

Më vjen keq për cilindo burrë që s’e ka bërë ende atë zgjedhje që të kërkojë një shoqe të përjetshme dhe zemra ime qan për motrat që nuk e kanë pasur mundësinë që të martohen. Disa prej jush mund të ndihen të vetmuar e të pavlerësuar dhe nuk mund të shohin se si do të jetë e mundur që të kenë bekimet e martesës dhe fëmijë, apo vetë familjen e tyre. Për Zotin çdo gjë është e mundur dhe Ai i mban premtimet që i frymëzon të deklarojnë profetët e Tij. Përjetësia është një kohë e gjatë. Kini besim në ato premtime dhe jetoni të denjë për to, kështu që në kohën e Tij, Zoti të mund t’i realizojë në jetën tuaj. Me siguri, ju do të merrni çdo bekim të premtuar për të cilin jeni të denjë.

Ju lutem, më falni që flas për bashkëshorten time të shtrenjtë, Zhaninën, por ne jemi një familje e përjetshme. Ajo qe gjithmonë e lumtur plot gëzim dhe shumë prej kësaj rridhte nga shërbimi për të tjerët. Edhe kur qe shumë e sëmurë, në lutjen e saj të mëngjesit ajo do t’i kërkonte Atit të saj në Qiell që ta udhëhiqte tek dikush që ajo mund ta ndihmonte. Ajo lutje e sinqertë mori përgjigje përsëri e përsëri. Barrët e shumë vetëve u lehtësuan, jeta e tyre u ndriçua. Ajo u bekua vazhdimisht që qe një mjet i drejtuar nga Zoti.

E di se si është të dashurosh një bijë të Atit në Qiell, që plot hir e përkushtim jetoi shkëlqimin e plotë femëror të qenies së saj drejtësisht si grua. Kam besim se kur në të ardhmen tonë, ta shoh atë përsëri përtej velit, ne do ta kuptojmë se jemi edhe më thellësisht të dashuruar. Ne do ta vlerësojmë edhe më shumë njëri-tjetrin, pasi kemi kaluar këtë kohë të ndarë nga veli. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.