Dëshmia
Thelbi i marrjes dhe mbajtjes së një dëshmie mbi ungjillin e Jezu Krishtit është i drejtpërdrejtë, i qartë dhe brenda aftësive të çdo njeriu.
Një nga bekimet më të mëdha të jetës sime për shumë vite ka qenë mundësia për të qenë i rrethuar dhe për të punuar për të rinjtë e Kishës. Unë i mendoj këto shoqërime dhe miqësi për të qenë midis njerëzve më të ëmbël dhe më të vlefshëm të jetës sime. Ata gjithashtu, janë baza për pjesën më të madhe të optimizmit që unë kam për të ardhmen e Kishës, njerëzimit dhe botës.
Gjatë këtyre ndërveprimeve pata gjithashtu privilegjin të diskutoj me disa që kanë patur dyshime apo sfida të ndryshme me dëshmitë e tyre. Ndërsa veçoritë kanë qenë të ndryshme dhe me raste edhe të pashembullta, shumë nga pyetjet dhe shkaqet për ngatërrese kanë qenë krejt të ngjashme. Po kështu, këto janë çështje dhe shqetësime pa ndonjë kufizim demografik apo grup-moshe. Ato mund të prekin ata që janë anëtarë Kishe prej shumë brezash, anëtarë relativisht të rinj të Kishës dhe gjithashtu, ata që sapo janë njohur me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pyetjet e tyre janë zakonisht rezultat i një kërkimi apo kurioziteti të ndershëm. Ngaqë pasojat janë aq të rëndësishme dhe serioze për secilin prej nesh, mendoni rreth çështjes së dëshmive tona. Në kuadrin tonë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ne u referohemi dëshmive tona si dëshmisë sonë të sigurt të vërtetësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, gjë që fitohet nga zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Ndërsa një dëshmi është e thjeshtë dhe e qartë në këtë deklaratë përkufizuese, nga ajo ngrihen disa pyetje të mundshme, të tilla si: Kush ka të drejtën të ketë dëshmi? Si e arrin një person zbulesën e nevojshme? Cilat janë hapat për të arritur një dëshmi? A është marrja e një dëshmie një ngjarje apo një proces në vijim? Secila nga këto pyetje dhe të tjera kanë nënpyetjet e tyre, por thelbi i marrjes dhe mbajtjes së një dëshmie mbi ungjillin e Jezu Krishtit është i drejtpërdrejtë, i qartë dhe brenda aftësive të çdo njeriu.
Më lejoni t’u përgjigjem shkurt këtyre pasigurive të mundshme dhe pastaj t’ju paraqes disa thellime që janë dhënë kohët e fundit nga miq të besuar të rinj në moshë madhore që kanë patur përvojë vetjake në marrjen e dëshmive të tyre. Ata kanë patur gjithashtu mundësi t’u shërbejnë të tjerëve që ishin me sfida apo vështirësi në disa aspekte të fesë dhe besimit të tyre.
Së pari, kush ka të drejtë të ketë dëshmi? Kushdo që do të paguajë çmimin – domethënë të mbajë urdhërimet – mund të ketë një dëshmi. “Prandaj zëri i Zotit shkon te fundet e dheut që, gjithkush që do të dëgjojë le të dëgjojë” (DeB 1:11). Një shkak themelor për rivendosjen e ungjillit është pra “që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës; Që besimi gjithashtu të mund të rritet në tokë” (DeB 1:20–21).
Së dyti, si e merr njeriu zbulesën e nevojshme dhe cilët janë hapat themelorë për ta arritur atë? Modeli ka qenë i thjeshtë dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë historisë. Premtimi i dhënë për marrjen e një dëshmie për Librin e Mormonit zbatohet edhe në përgjithësi:
“Dhe kur ju tʼi merrni këto gjëra” – domethënë keni dëgjuar, lexuar, studiuar dhe menduar për çështjen në fjalë – “pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta” – domethënë që ju do të luteni me vëmendje, për gjëra konkrete dhe me nderim me një zotim të qëndrueshëm për të ndjekur përgjigjen ndaj lutjes suaj – “dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:4–5).
E treta, a është fitimi i një dëshmie një ngjarje e izoluar apo një proces në vijim? Dëshmia është e ngjashme me një organizëm të gjallë që rritet dhe zhvillohet kur trajtohet si duhet. Ajo kërkon ushqim, kujdes dhe mbrojtje të vazhdueshme për t’u zhvilluar dhe përparuar. Po kështu, nëse shpërfillim apo nuk përmbushim hapat e nevojshëm për mbajtjen e një dëshmie të fortë, dëshmia jonë do të dobësohet ose do të humbasë. Shkrimet e shenjta paralajmërojnë se mëkatimi apo shkelja e urdhërimeve të Perëndisë mund të çojë në humbjen e Shpirtit dhe madje edhe që njeriu të mohojë dëshminë që ai apo ajo ka patur (shih DeB 42:23).
Më lejoni tani t’ju tregoj 10 nga vëzhgimet dhe sugjerimet nga miqtë e mi të çmuar dhe besnikë. Idetë që ata ndajnë kanë një të përbashkët në mendim e përvojë; kështu, ngjashëm ata nuk do të jenë befasues për ndonjë nga ne. Fatkeqësisht dhe sidomos në raste të luftës apo dëshpërimit tonë, ne mundet përkohësisht të harrojmë apo të zvogëlojmë zbatueshmërinë e tyre te vetë ne.
Së pari, secili ka vlerë sepse ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë. Ai na njeh ne, na do ne dhe do që ne të kemi sukses dhe të kthehemi tek Ai. Ne duhet të mësojmë të besojmë te dashuria e Tij dhe te koha e Tij më shumë sesa në dëshirat tona të paduruara dhe të papërsosura.
Së dyti, kur ne besojmë plotësisht te ndryshimi i madh në zemrat përshkruar në shkrimet e shenjta (shih Mosia 5:2; Alma 5:12–14, 26), ne duhet të kuptojmë se ajo shpesh ndodh gradualisht sesa menjëherë apo tërësisht dhe sipas çështjeve, përvojave dhe shqetësimeve të dhëna si dhe nga studimi dhe lutja jonë.
Së treti, ne kemi nevojë të kujtojmë se një qëllim themelor i jetës është që të provohet dhe të sprovohet dhe kështu të mund të mësojmë të rritemi nga sfidat tona dhe të jemi mirënjohës për njohuritë e fituara që nuk mund t’i marrim në mënyrë më të lehtë.
Së katërti, ne duhet të mësojmë të besojmë në gjërat në të cilat besojmë ose të dimë ta mbështesim veten në kohë pasigurie apo në çështje ku luftojmë.
Së pesti, siç na mësoi Alma, fitimi i dëshmisë është zakonisht një përparim gjatë një vazhde të të shpresuarit, të të besuarit dhe së fundi të njohurisë të së vërtetës së një parimi, doktrine, apo të vetë ungjillit (shih Alma 32).
Së gjashti, mësimi i dikujt tjetër mbi atë që ne dimë forcon vetë dëshminë tonë ndërsa ndërtojmë atë të një tjetri. Kur i jepni dikujt para apo ushqim, ju do të keni më pak. Gjithsesi, kur ju ndani dëshminë tuaj, ajo forcohet dhe rritet edhe për mbajtësin edhe për dëgjuesin.
Së shtati, ne duhet të bëjmë pak, por gjërat e nevojshme çdo ditë dhe rregullisht. Lutjet, shkrimet e shenjta dhe studimi i ungjillit, pjesëmarrja në mbledhjet e Kishës, adhurimi në tempull, kryerja e vizitave mësimore, mësimdhënia në shtëpi dhe detyra të tjera të gjitha forcojnë besimin tonë dhe ftojnë Shpirtin në jetën tonë. Kur shpërfillim cilëndo nga këto gjëra, ne vëmë dëshminë tonë në rrezik.
Së teti, ne nuk duhet të kemi standarde më të larta për të tjerët sesa për vete. Shumë shpesh lejojmë që gabime apo dështime të të tjerëve, sidomos të udhëheqësve apo anëtarëve të Kishës, të ndikojnë te mënyra si ndihemi për veten apo dëshmitë tona. Vështirësitë e njerëzve të tjerë nuk janë justifikim për vetë mangësitë tona.
Së nënti, është mirë të kujtoni se të qenit tepër të ashpër ndaj vetes kur bëni një gabim mund të jetë po aq rrezikshme sa edhe të jesh tepër i shkujdesur kur nevojitet një pendesë e vërtetë.
Dhe e dhjeta, ne duhet gjithmonë të jemi të qartë që Shlyerja e Krishtit është plotësisht dhe vazhdimisht vepruese për secilin prej nesh kur lejojmë që të jetë kështu. Pastaj çdo gjë tjetër shkon në vend edhe kur ne vazhdojmë të luftojmë me disa hollësira, zakone apo pjesë që duket se mungojnë në mozaikun e besimit tonë.
Unë jam mirënjohës për thellimet, forcat dhe dëshmitë e aq miqve dhe shokëve të mi të rinj shembullorë. Kur jam me ta, unë forcohem, dhe kur e di se ata janë me të tjerë, unë nxitem nga dija për të mirën që po bëjnë dhe shërbimi që janë duke dhënë në emër të Mjeshtrit që ata e adhurojnë dhe përpiqen t’i binden.
Njerëzit bëjnë gjëra të mira dhe të rëndësishme sepse ata kanë dëshmi. Ndërsa kjo është e vërtetë, ne gjithashtu fitojmë dëshmi për shkak të asaj që bëjmë. Jezusi tha:
“Doktrina ime nuk është e imja, por e atij që më ka dërguar.
Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:16–17).
“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).
Si Nefi dhe Mormoni të lashtësisë “unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” 1 Nefi 11:17; shih gjithashtu Fjalët e Mormonit 1:7), por më lejoni t’ju tregoj ato që di.
Unë e di se Perëndia Ati ynë Qiellor jeton dhe na do ne. Unë e di se Biri i Tij krejtësisht i veçantë, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe kreu i Kishës, që mban emrin e Tij. Unë e di se Jozef Smithi përjetoi të gjithë atë që tregoi dhe dha mësim lidhur me rivendosjen e ungjillit në ditët tona. Unë e di se ne udhëhiqemi nga apostuj dhe profetë dhe që Presidenti Tomas S. Monson mban të gjitha çelësat e priftërisë të nevojshëm për të bekuar jetën tonë dhe të çojmë përpara punën e Zotit. Unë e di se të gjithë kemi të drejtën që ta kemi njohurinë që kam unë dhe nëse ju luftoni, ju mund të mbështeteni në vërtetësinë e dëshmive që dëgjoni nga kjo foltore në këtë konferencë. Këto gjëra unë i di dhe i dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.