2010–2019
Mrekullia e Shlyerjes
Prill 2011


Mrekullia e Shlyerjes

Nuk ka mëkat ose shkelje, dhimbje ose brengë, që nuk mund të falet përmes fuqisë shëruese të Shlyerjes së Tij.

Ndërkohë që po përgatisja bisedën time për këtë konferencë, mora një telefonatë të papritur nga babai im. Ai tha se vëllai im më i vogël sapo kishte vdekur në gjumë, atë mëngjes. M’u copëtua zemra. Ai ishte vetëm 51 vjeç. Ndërsa po mendoja për të, ndjeva përshtypjen që të ndaja me ju disa ngjarje nga jeta e tij. E bëj këtë me leje.

Kur qe i ri, vëllai im qe i pashëm, miqësor dhe i shoqërueshëm – plotësisht i përkushtuar ndaj ungjillit. Pasi shërbeu një mision me nder, ai u martua me të dashurën e tij në tempull. Ata u bekuan me një bir dhe një bijë. E ardhmja e tij qe plot premtim.

Por pastaj iu dorëzua dobësisë. Ai zgjodhi të jetonte një jetë me qejfe, që i kushtoi humbjen e shëndetit, martesës dhe anëtarësisë së tij në Kishë.

Ai shkoi larg shtëpisë. E vazhdoi sjelljen e tij vetëshkatërruese për më shumë se një dekadë, por Shpëtimtari nuk e kishte harruar apo braktisur atë. Përfundimisht, dhimbja e dëshpërimit e lejoi shpirtin e përulësisë të hynte në shpirtin e tij. Ndjenjat e tij të inatit, kundërshtimit dhe agresivitetit, filluan të treten. Ashtu si biri plangprishës, ai “erdhi në vete”1. Ai filloi të drejtohej tek Shpëtimtari dhe të bënte rrugën e tij të kthimit në shtëpi dhe tek prindërit besnikë që kurrë nuk hoqën dorë prej tij.

Ai eci në shtegun e pendimit. Nuk qe e lehtë. Pasi qe jashtë Kishës për 12 vite, ai u ripagëzua dhe mori sërish dhuratën e Frymës së Shenjtë. Priftëria dhe bekimet e tempullit përfundimisht iu rivendosën.

Ai u bekua të gjente një grua që qe e gatshme t’i kapërcente sfidat shëndetësore të mbetura nga mënyra e tij e mëparshme e jetesës, dhe ata u vulosën në tempull. Së bashku patën dy fëmijë. Ai shërbeu besnikërisht në peshkopatë për disa vite.

Vëllai im vdiq të hënën në mëngjes, më 7 mars. Të premten e mëparshme, ai dhe bashkëshortja e tij shkuan në tempull. Të dielën në mëngjes, ditën para se të vdiste, ai dha mësimin e priftërisë në grupin e tij të priftërinjve të lartë. Ai shkoi në shtrat atë mbrëmje, që të mos zgjohej më kurrë në këtë jetë – por që të ngrihet në ringjalljen e të drejtëve.

Jam mirënjohës për mrekullinë e Shlyerjes në jetën e vëllait tim. Shlyerja e Shpëtimtarit është e disponueshme për secilin prej nesh – gjithmonë.

Ne kemi të drejtën e Shlyerjes nëpërmjet pendimit. Kur pendohemi, Zoti na lejon t’i lëmë pas gabimet e së shkuarës.

“Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.

Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij—vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato.”2

Secili prej nesh njeh një njeri që ka pasur sfida serioze në jetën e tij apo të saj – dikush që ka dalë nga rruga ose ka hequr dorë. Ai person mund të jetë një mik apo kushëri, një prind apo fëmijë, një bashkëshort apo bashkëshorte. Ai njeri madje mund të jeni ju.

Unë u flas të gjithëve, madje dhe juve. Unë flas për mrekullinë e Shlyerjes.

Mesia erdhi që të shëlbojë njerëzit nga Rënia e Adamit.3 Gjithçka në ungjillin e Jezu Krishtit vë në dukje sakrificën shlyese të Mesias, Birit të Perëndisë.4

Plani i shpëtimit nuk mund të realizohej pa një shlyerje. “Prandaj Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës, që të realizohet plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë, që Perëndia të mund të jetë një Perëndi i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm.”5

Sakrifica shlyese duhej të kryhej nga Biri i pamëkatë i Perëndisë, sepse njeriu i rënë nuk mund të shlyente për vetë mëkatet e tij.6 Shlyerja duhej të ishte e pafundme dhe e përjetshme – të zbatohej për të gjithë njerëzit, gjatë gjithë përjetësisë.7

Nëpërmjet vuajtjes dhe vdekjes së Tij, Shpëtimtari shleu për mëkatet e të gjithë njerëzve.8 Shlyerja e Tij filloi në Gjetsemani, vazhdoi në kryq dhe kulmoi me Ringjalljen.

“Po, … ai do të çohet, i kryqëzuar dhe i vrarë, mishi duke u nënshtruar madje deri në vdekje, vullneti i Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit.”9 Nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese, Ai dha “shpirtin e tij si fli për mëkatin”10.

Si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Ai trashëgoi fuqi mbi vdekjen fizike. Kjo e lejoi Atë ta mbante jetën e Tij, ndërkohë që vuajti “madje më shumë se sa njeriu mund të vuajë, përveçse në vdekje; pasi shikoni, gjaku del nga çdo por, kaq e madhe [ishte] dhembja e tij për ligësinë dhe neveritë e popullit të tij”11.

Jo vetëm që Ai pagoi çmimin për mëkatet e të gjithë njerëzve, Ai gjithashtu mori “përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij”. Dhe Ai mori “përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”12.

Shpëtimtari ndjeu peshën e ankthit të të gjithë njerëzimit – ankthin e mëkatit dhe dhimbjes. “Me siguri, ai ka mbajtur brengat tona dhe qe i ngarkuar me dhimbjet tona.”13

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai shëron jo vetëm shkelësin; Ai shëron gjithashtu të pafajshmin që vuan për shkak të atyre shkeljeve. Ndërkohë që të pafajshmit ushtrojnë besim tek Shpëtimtari e tek Shlyerja e Tij dhe e falin shkelësin, ata gjithashtu mund të shërohen.

Ka çaste kur secili prej nesh “[ka] nevojë për një lehtësim nga ndjenja e fajit që vjen si pasojë e gabimeve dhe mëkateve”14. Kur pendohemi, Shpëtimtari e heq fajin nga shpirti ynë.

Nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese, mëkatet tona falen. Me përjashtim të bijve të humbjes, Shlyerja është e disponueshme për gjithësecilin, gjithë kohës, pavarësisht sa i madh ose i vogël është mëkati, “me kushtin e pendimit”15.

Për shkak të dashurisë të Tij të pafundme, Jezu Krishti na fton të pendohemi që të mos na duhet të vuajmë peshën e plotë të vetë mëkateve tona:

“Pendoh[u] – pendohu, përndryshe … vuajtjet e tua do të jenë të ashpra – sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt.”16

Shpëtimtari u ofron shërim atyre që vuajnë nga mëkati. “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”17

Jezu Krishti është Shëruesi i Madh i shpirtit tonë. Me përjashtim të mëkateve të humbjes së shpirtit, nuk ka mëkat ose shkelje, dhimbje ose brengë, që nuk mund të falet përmes fuqisë shëruese të Shlyerjes së Tij.

Kur mëkatojmë, Satani na thotë se jemi të humbur. Në dallim, Shëlbuesi ynë ofron shëlbim për të gjithë – pavarësisht se çfarë kemi bërë gabim – madje dhe juve dhe mua.

Ndërsa merrni parasysh vetë jetën tuaj, a ka gjëra që duhet të ndryshoni? A keni bërë gabime që ende duhet të korrigjohen?

Nëse po vuani nga ndjenja faji ose keqardhjeje, hidhërimi ose inati, ose të humbjes së besimit, unë ju ftoj të kërkoni lehtësim. Pendohuni dhe braktisini mëkatet tuaja. Pastaj, me lutje, kërkojini falje Perëndisë. Kërkoni falje nga ata ndaj të cilëve keni gabuar. Falini ata që kanë gabuar ndaj jush. Faleni veten.

Shkoni tek peshkopi nëse është e nevojshme. Ai është lajmëtari i mëshirës prej Zotit. Ai do t’ju ndihmojë kur përpiqeni fort të bëheni të pastër nëpërmjet pendimit.

Zhyteni veten në lutje dhe studim të shkrimit të shenjtë. Kur ta bëni këtë, ju do të ndieni ndikimin shenjtërues të Shpirtit. Shpëtimtari tha: “Të shenjtëroheni; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart … tuaja përpara meje, që unë të mund t’ju bëj të pastër”18.

Ndërkohë që bëhemi të pastër nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari bëhet avokati ynë me Atin, duke u përgjëruar:

“Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; vër re gjakun e Birit tënd që u derdh, gjakun e atij të cilin e dhe që ti vetë të mund të përlëvdoheshe;

Si rrjedhim, Atë, kurseji këta vëllezërit e mi që besojnë në emrin tim, që ata të mund të vijnë tek unë dhe të kenë jetë të përhershme.”19

Secilit prej nesh i është dhënë dhurata e lirisë morale të zgjedhjes. “Njerëzit janë të lirë … të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas … fuqisë së djallit.”20

Vite më parë, vëllai im ushtroi lirinë e tij të zgjedhjes kur zgjodhi një stil jetese që i kushtoi humbjen e shëndetit, familjes dhe anëtarësisë së tij në Kishë. Vite më vonë, ai ushtroi po atë liri zgjedhjeje kur zgjodhi të pendohej, ta përputhte jetën e tij me mësimet e Shpëtimtarit dhe të rilindej me kuptimin e plotë të fjalës nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes.

Unë dëshmoj për mrekullinë e Shlyerjes. Unë kam parë fuqinë e saj shëruese në jetën e vëllait tim dhe e kam ndier atë në vetë jetën time. Shërimi dhe fuqia shëlbuese e Shlyerjes është e disponueshme për secilin prej nesh – gjithmonë.

Unë dëshmoj që Jezusi është Krishti – Shëruesi i shpirtit tonë. Unë lutem që secili prej nesh të zgjedhë t’i përgjigjet ftesës së Shpëtimtarit: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”21 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Lluka 15:17.

  2. Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

  3. Shih 2 Nefi 2:25–26.

  4. Shih Alma 34:14.

  5. Alma 42:15.

  6. Shih Alma 34:11.

  7. Shih Alma 34:10.

  8. Shih Alma 22:14.

  9. Mosia 15:7.

  10. Mosia 14:10.

  11. Mosia 3:7.

  12. Alma 7:11–12.

  13. Mosia 14:4.

  14. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 2.

  15. Doktrina e Besëlidhje 18:12.

  16. Doktrina e Besëlidhje 19:15–18.

  17. 3 Nefi 9:13.

  18. Doktrina e Besëlidhje 88:74.

  19. Doktrina e Besëlidhje 45:4–5.

  20. 2 Nefi 2:27.

  21. 3 Nefi 9:13.