2010–2019
Duke Pritur në Rrugën për Damask
Prill 2011


Duke Pritur në Rrugën për Damask

Ata që kërkojnë me zell që të mësojnë për Krishtin përfundimisht do të arrijnë ta njohin Atë.

Një nga ngjarjet më të shquara në historinë e botës ndodhi në rrugën për Damask. Ju e njihni mirë historinë e Saulit, një i ri që “po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, … [duke i futur shenjtorët] në burg”1. Sauli qe kaq armiqësor, sa shumë anëtarë të Kishës së hershme morën arratinë nga Jeruzalemi me shpresë që t’i shpëtonin inatit të tij.

Sauli i ndoqi ata. Por ndërsa “po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli:

Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ‘Saul, Saul, përse më përndjek?’”2

Ky çast shndërrues e ndryshoi Saulin përgjithmonë. Vërtet, ai ndryshoi botën.

Ne e dimë se shfaqje të tilla si kjo, ndodhin. Në fakt, ne dëshmojmë se një përvojë hyjnore e ngjashme i ndodhi në vitin 1820 një djaloshi që quhej Jozef Smith. Është dëshmia jonë e qartë dhe e sigurt se qiejt janë hapur sërish dhe se Perëndia u flet profetëve dhe apostujve të Tij. Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të fëmijëve të Tij.

Prapëseprapë, ka disa që ndiejnë se po të mos kenë një përvojë të ngjashme me atë të Saulit ose të Jozef Smithit, ata nuk mund të besojnë. Ata qëndrojnë pranë ujërave të pagëzimit, por nuk hyjnë. Ata presin në prag të dëshmisë, por nuk mund të vijnë vetё tek njohuria e së vërtetës. Në vend që të ndërmarrin hapa të vegjël besimi në shtegun e të qenit dishepull, ata duan ndonjë ngjarje dramatike që t’i detyrojë të besojnë.

Ata i kalojnë ditët e tyre duke pritur në rrugën për Damask.

Besimi Vjen me Hapa Një e nga Një

Një motër e shtrenjtë ka qenë anëtare besnike e Kishës gjithë jetën e saj. Por ajo mbartte një brengë personale. Vite më parë, bija e saj kishte vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër dhe plagët nga kjo tragjedi ende nuk i mbylleshin. Ajo mundohej me pyetjet e thella që shoqërojnë një ngjarje si kjo. Ajo pranoi sinqerisht se dëshmia e saj nuk ishte ajo që kishte qenë. Ajo ndjeu që, nëse qiejt nuk do të çaheshin për të, ajo nuk do të ishte kurrë në gjendje që të besonte sërish.

Kështu, ajo e gjeti veten duke pritur.

Ka shumë të tjerë që, për arsye të ndryshme, e gjejnë veten duke pritur në rrugën për Damask. Ata vonojnë të përfshihen plotësisht si dishepuj. Ata shpresojnë ta marrin priftërinë, por ngurrojnë të jetojnë të denjë për atë privilegj. Ata dëshirojnë të hyjnë në tempull, por e vonojnë veprimin përfundimtar të besimit që të kualifikohen. Ata mbeten duke pritur për Krishtin që t’u jepet atyre si një pikturë e madhërishme e Karl Blohut – që të heqë një herë e përgjithmonë dyshimet e frikën e tyre.

E vërteta është se ata që kërkojnë me zell që të mësojnë për Krishtin, përfundimisht do të arrijnë ta njohin Atë. Ata do të marrin personalisht një shfaqje hyjnore të Mjeshtrit, megjithatë, më së shpeshti, kjo vjen në formën e një pazëlli – me pjesë një e nga një. Secila pjesë e veçantë mund të mos jetë lehtësisht e dallueshme më vete; mund të mos jetë e qartë se si lidhet me të tërën. Secila pjesë na ndihmon ta shohim figurën e madhe pak më qartë. Përfundimisht, pasi të jenë vendosur së bashku mjaftueshëm pjesë, ne dallojmë bukurinë e shkëlqyer të së tërës. Atëherë, duke e hedhur vështrimin pas tek përvoja jonë, kuptojmë se Shpëtimtari vërtet ka ardhur për të qenë me ne – jo përnjëherësh por pa zhurmë, butësisht, thuajse pa u vënë re.

Kjo mund të jetë përvoja jonë nëse ecim përpara me besim dhe nuk presim tepër gjatë në rrugën për Damask.

Vini Veshin dhe Mbani Parasysh

Unë dëshmoj se Ati ynë në Qiell i do fëmijët e Tij. Ai na do ne. Ai ju do ju. Kur është e nevojshme, Zoti madje do t’ju mbartë mbi pengesa, ndërsa ju kërkoni paqen e Tij me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Shpesh Ai na flet në mënyra që mund t’i dëgjojmë vetëm me zemrën tonë. Që ta dëgjojmë më mirë zërin e Tij, do të ishte e mençur ta ulnim volumin e zërit të zhurmës së botës në jetën tonë. Nëse s’i marrim parasysh apo i bllokojmë nxitjet e Shpirtit, për çfarëdo arsye, ato bëhen më pak të dallueshme derisa nuk mund t’i dëgjojmë më fare. Le të mësojmë t’ua vëmë veshin nxitjeve të Shpirtit dhe pastaj të bëhemi të etur për t’i mbajtur parasysh ato.

Profeti ynë i dashur, Tomas S. Monson, është shembulli ynë në lidhje me këtë. Ndodhitë e vëmendjes së tij ndaj pëshpëritjeve të Shpirtit janë të shumta. Plaku Xhefri R. Holland tregon për një shembull të tillë:

Një herë, ndërsa Presidenti Monson qe me detyrë në Luizianë, një president kunji e pyeti nëse do të kishte kohë të vizitonte një vajzë 10-vjeçare, që quhej Kristal, e cila ishte në fazat e fundit të sëmundjes me kancer. Familja e Kristalit ishte lutur që Presidenti Monson të mund të vinte. Por shtëpia e tyre qe shumë larg dhe programi qe kaq i ngjeshur saqë nuk kishte kohë. Kështu që, në vend të kësaj, Presidenti Monson kërkoi që ata që do të bënin lutje gjatë konferencës së kunjit, ta përfshinin Kristalin në lutjet e tyre. Sigurisht që Zoti dhe familja do ta kuptonin.

Gjatë sesionit të së shtunës të konferencës, ndërsa Presidenti Monson u ngrit për të folur, Shpirti i pëshpëriti: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë”3.

“Shënimet e tij u mjegulluan. Ai u përpoq të vijonte temën e mbledhjes siç ishte planifikuar, por emri dhe figura e [vajzës së vogël] nuk do t’i hiqeshin nga mendja”4.

Ai dëgjoi Shpirtin dhe e riorganizoi programin e tij. Herët në mëngjesin tjetër, Presidenti Monson i la të nëntëdhjetë e nëntë [delet] dhe përshkoi shumë kilometra që të ishte pranë shtratit të njërës.

Kur qe atje, ai “ia nguli sytë një fëmije tepër të sëmurë sa të mund të ngrihej, tepër të dobët sa të mund të fliste. Sëmundja e saj e kishte verbuar atë tani. I prekur thellë nga skena dhe Shpirti i Zotit …, Vëllai Monson … e mori dorën e brishtë të fëmijës në dorën e tij. ‘Kristal’, i pëshpëriti ai, ‘jam këtu.’

Me përpjekje të madhe ajo iu përgjigj me pëshpërimë: ‘Vëlla Monson, e dija se do të vije’.”5

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, le të përpiqemi fort të jemi mes atyre tek të cilët Zoti mund të mbështetet që të dëgjojnë pëshpëritjet e Tij dhe të përgjigjen, ashtu si bëri Sauli në rrugën e tij për Damask: “Zot, ç’don ti të bëj unë?”6

Shërbeni

Një tjetër arsye, pse ne nganjëherë nuk e dallojmë zërin e Zotit në jetën tonë, është sepse zbulesat e Shpirtit mund të mos na vijnë neve drejtpërsëdrejti si përgjigje për lutjet tona.

Ati ynë në Qiell pret që ne t’i studiojmë ato së pari dhe pastaj të lutemi për udhëheqje, ndërsa kërkojmë përgjigje për pyetjet dhe shqetësimet në jetën tonë personale. Ne kemi sigurimin e Atit tonë Qiellor se Ai do t’i dëgjojë e do t’u përgjigjet lutjeve tona. Përgjigjja mund të vijë nëpërmjet zërit e urtësisë së miqve të besuar e të familjes, shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve.

Ka qenë përvoja ime se disa nga nxitjet më të fuqishme që marrim, nuk janë vetëm për dobinë tonë por gjithashtu për dobinë e të tjerëve. Nëse po mendojmë vetëm për veten, mund të humbasim disa nga përvojat më të fuqishme shpirtërore dhe zbulesa të thella të jetës sonë.

Presidenti Spenser W. Kimball e mësoi këtë koncept kur tha: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona. Si rrjedhim, është jetësore që t’i shërbejmë njëri-tjetrit.”7 Vëllezër e motra, secili prej nesh ka një përgjegjësi prej besëlidhjeve që të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve dhe të shërbejë ashtu si bëri Shpëtimtari – për të ndihmuar, bekuar dhe ngritur moralisht ata që janë rreth nesh.

Shpesh, përgjigjja ndaj lutjes sonë nuk vjen kur jemi në gjunjë, por ndërsa jemi në këmbë, duke i shërbyer Zotit dhe duke u shërbyer atyre që janë rreth nesh. Veprimet vetëmohuese të shërbimit dhe përkushtimit kullojnë shpirtrat tanë, i heqin luspat nga sytë tanë shpirtërorë dhe hapin pragjet e qiellit. Duke u bërë përgjigjja për lutjen e një tjetri, ne shpesh gjejmë përgjigjen për lutjen tonë.

Ndani

Ka çaste kur Zoti na zbulon gjëra që janë caktuar vetëm për ne. Megjithatë, në shumë, shumë raste, Ai ia beson një dëshmi të së vërtetës atyre që do ta ndajnë me të tjerët. Kështu ka qenë me secilin profet që nga koha e Adamit. Zoti gjithashtu pret që ne, anëtarët e Kishës së Tij të rivendosur të “hap[im] gojën në çdo kohë, duke shpallur ungjillin [e Tij] me tinguj gëzimi”8.

Kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Disa, më mirë do të tërhiqnin një karrocë dore përmes rrafshnaltave sesa të trajtojnë temën e besimit dhe të fesë me miqtë e kolegët e tyre. Ata shqetësohen se si do të mund të perceptoheshin ose se si ajo do të mund të dëmtonte marrëdhënien e tyre. Nuk ka nevojë të jetë ashtu, sepse ne kemi një mesazh të lumtur për ta ndarë dhe ne kemi një mesazh gëzimi.

Vite më parë, familja jonë jetonte e punonte mes njerëzish që, pothuajse në çdo rast, nuk ishin të besimit tonë. Kur ata na pyesnin se si qe fundjava jonë, përpiqeshim t’i kalonim temat e zakonshme – si ngjarjet sportive, kinemaja ose moti – dhe përpiqeshim të ndanim përvoja fetare që kishim pasur si familje gjatë fundjavës – për shembull, çfarë tha një folës i ri nё moshё për standardet nga broshura Për Forcën e Rinisë ose se sa u prekëm nga fjalët e një të riu që po largohej për në misionin e tij, ose se si ungjilli dhe Kisha na ndihmuan ne si familje për të kapërcyer një sfidë të veçantë që kishim. U përpoqëm të mos ishim predikues ose imponues. Bashkëshortja ime, Harrieta, ishte gjithmonë më e mira për të gjetur diçka frymëzuese, lartësuese, ose humoristike për të ndarë. Kjo shpesh do të çonte në diskutime më të thella. Në mënyrë mjaft interesante, kurdoherë që flisnim me miqtë mbi përballimin e sfidave të jetës, shpesh dëgjuam komentin: “Është e lehtë për ju, ju keni kishën tuaj”.

Me kaq shumë burime shoqërore mediatike dhe një mori mjetesh më shumë a më pak të dobishme në dispozicionin tonë, ndarja e lajmeve të mira të ungjillit është më e lehtë dhe ka ndikime më të gjera se kurrë më parë. Në fakt, kam frikë se disa që po dëgjojnë, kanë çuar tashmë mesazhe si: “Ai ka 10 minuta që po flet dhe ende s’ka bërë ndonjë krahasim me aviacionin!” Miqtë e mi të rinj, ndoshta nxitja e Zotit për të “hap[ur] gojët [tuaja]”9 mund të përfshijë sot “përdorimin e duarve tuaja”, për t’ia çuar ungjillin me mesazhe në blog dhe në celular gjithë botës! Por ju lutem kujtoni, gjithçka në vendin dhe kohën e duhur.

Vëllezër e motra, me bekimet e teknologjisë moderne, ne mund të shprehim mirënjohje dhe gëzim për planin e shkëlqyer të Perëndisë për fëmijët e Tij në një mënyrë që mund të dëgjohet jo vetëm nëpër vendin tonë të punës por përreth botës. Nganjëherë, një frazë e vetme dëshmie mund të vërë në lëvizje ngjarje që ndikojnë jetën e dikujt për përjetësinë.

Mënyra më efikase për të predikuar ungjillin është nëpërmjet shembullit. Nëse jetojmë sipas besimeve tona, njerëzit do ta vënë re. Nëse shëmbëlltyra e Jezu Krishtit shkëlqen në jetën tonë10, nëse jemi të gëzuar dhe në paqe me botën, njerëzit do të dëshirojnë ta dinë përse. Një nga predikimet më të shkëlqyera të shqiptuara mbi punën misionare është mendimi i thjeshtë që i atribuohet Shën Françeskut të Asisit: “Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët”11. Mundësitë për të bërë kështu janë kudo rreth nesh. Mos i humbisni ato duke pritur tepër gjatë në rrugën për Damask.

Rruga Jonë për Damask

Unë dëshmoj se Zoti u flet profetëve dhe apostujve të Tij në kohën tonë. Ai gjithashtu u flet të gjithëve që shkojnë tek Ai, me një zemër të sinqertë dhe qëllim të vërtetë12.

Mos dyshoni. Kujtoni: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”13. Perëndia ju do. Ai i dëgjon lutjet tuaja. Ai u flet fëmijëve të Tij dhe u ofron ngushëllim, paqe e kuptueshmëri atyre që e kërkojnë Atë dhe e nderojnë Atë duke ecur në udhën e Tij. Unë jap dëshminë time të shenjtë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është në rrugën e duhur. Ne kemi një profet të gjallë. Kisha udhëhiqet nga Ai, emrin e të cilit mbajmë, madje Shpëtimtari Jezu Krisht.

Vëllezër e motra, miq të dashur, le të mos presim tepër gjatë në rrugën tonë për Damask. Përkundrazi, le të lëvizim përpara me besim, shpresë e dashuri hyjnore dhe do të bekohemi me dritën që të gjithë po e kërkojmë në shtegun e të qenit vërtet dishepull. Për këtë lutem unë dhe ju lë bekimin tim, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Veprat e Apostujve 8:3.

  2. Veprat e Apostujve 9:3–4.

  3. Marku 10:14.

  4. Shih Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Always ‘on the Lord’s Errand’”, Tambuli, tetor–nëntor 1986, f. 20.

  5. Jeffrey R. Holland, Tambuli, tetor–nëntor 1986, f. 20.

  6. Veprat e Apostujve 9:6.

  7. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 82.

  8. Doktrina e Besëlidhje 28:16.

  9. Doktrina e Besëlidhje 60:2.

  10. Shih Alma 5:14.

  11. Në William Fay and Linda Evans Shepherd, Share Jesus without Fear (1999), f. 22.

  12. Shih Moroni 10:3–5.

  13. Gjoni 20:29.