2010–2019
Të Përballosh të Ardhmen me Besim
Prill 2011


Të Përballosh të Ardhmen me Besim

E vërteta, besëlidhjet dhe ordinancat e Tij na mundësojnë të mposhtim frikën dhe ta përballojmë të ardhmen me besim!

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ju falënderoj për ndikimin tuaj mbështetës, jo vetëm nëpërmjet dorës suaj të djathtë të ngritur lart, por nëpërmjet shërbimit tuaj lartësues në shtëpi, në Kishë dhe në komunitetet tuaja. Ne na pëlqen të jemi me ju dhe t’ju shohim mes familjeve e miqve tuaj. Kudo që jetoni, ne i vëmë re përpjekjet tuaja për ta bërë këtë botë një vend më të mirë. Ne ju mbështesim! Ne ju duam! Ashtu si ju luteni për ne, po ashtu lutemi ne për ju!

Ne përfytyrojmë familjet tuaja të mbledhura rreth televizorit ose në internet, për të ndjekur zhvillimet e konferencës së përgjithshme në shtëpi. Një nënë e baba të kujdesshëm më dërguan një kopje të një fotografie që bënë gjatë periudhës së një konference. Ata vunë re reagimin e birit të tyre, atëherë 18-muajsh, i cili njohu tiparet e fytyrës dhe zërin e folësit. Fëmija filloi të jepte puthje në drejtim të televizorit. Ai donte që të afrohej. Kështu që motra e tij më e madhe, e kujdesshme, e ngriti vëllain e saj të vogël mbi shpatulla dhe e afroi. Ja ku është ajo fotografi.

Po, pamja në televizor është e imja dhe ata fëmijë janë nipi e mbesa jonë. Në pak vite, ky djalë do të jetë një plak, me indaumentin e tempullit dhe gati për misionin e tij. Më vonë, ai do të vuloset me një shoqe të përjetshme që do ta zgjedhë vetë. A mund ta imagjinoni atë, një ditë, si burrë dhe baba me vetë fëmijët e tij? Dhe një ditë, ai do t’i japë lamtumirën gjyshërve të tij, me një njohuri të sigurt se vdekja është pjesë e jetës.

Kjo është e vërtetë. Ne jetojmë për të vdekur dhe vdesim për të jetuar përsëri. Nga një perspektivë e përjetshme, e vetmja vdekje, që është me të vërtetë e parakohshme, është vdekja e njeriut që nuk është përgatitur për të takuar Perëndinë.

Si apostuj dhe profetë, ne jemi të shqetësuar jo vetëm për fëmijët dhe nipërit e mbesat tanë, por gjithashtu për ju – dhe për secilin prej fëmijëve të Perëndisë. Gjithçkaje, që e ardhmja rezervon për secilin fëmijë të shenjtë të Perëndisë, do t’i jepet formë nga prindërit, familja, miqtë dhe mësuesit e tij apo saj. Kështu, besimi ynë tani, bëhet më vonë, pjesë e besimit të pasardhësve tanë.

Secili individ do të përshkojë udhën e tij apo saj, në një botë vazhdimisht në ndryshim – një botë me ideologji në garë për të pasur vëmendjen tonë. Forcat e së ligës do të jenë përherë në kundërshtim me forcat e së mirës. Satani vazhdimisht përpiqet të na ndikojë që të ndjekim udhët e tij dhe të na bëjë të mjeruar, madje siç është vetë.1 Dhe rreziqet e zakonshme të jetës, të tilla si sëmundja, dëmtimi dhe aksidenti, do të jenë përherë të pranishme.

Ne jetojmë në një periudhë trazire. Tërmetet dhe cunamet shkaktojnë shkatërrim, qeveritë rrëzohen, shqetësimet ekonomike janë të rënda, familja është nën kërcënim dhe përqindjet e divorcit janë në rritje. Ne kemi arsye të madhe për t’u shqetësuar. Por, ne nuk duhet t’i lejojmë pasiguritë tona të zëvendësojnë besimin tonë. Ne mund t’i luftojmë ato pasiguri nëpërmjet forcimit të besimit tonë.

Filloni me fëmijët tuaj. Prindërit tuaj kanë përgjegjësinë parësore që të forcojnë besimin e tyre. Lërini të ndiejnë besimin tuaj, edhe kur ju vijnë sprova të vështira. Lëreni besimin tuaj të përqendrohet tek Ati ynë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij i dashur, Zoti Jezu Krisht. Mësojini me bindje të thellë, që të kenë këtë lloj besimi. Mësojeni secilin djalë ose vajzë të çmuar, që ai ose ajo është fëmijë i Perëndisë, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, me një qëllim dhe potencial të shenjtë. Secili ka lindur për të kapërcyer sfida dhe për të zhvilluar besim.2

Mësojini rreth besimit në planin e shpëtimit të Perëndisë. Mësojini që udhëtimi ynë në vdekshmëri është një periudhë prove, një kohë vështirësie dhe sprove, për të parë nëse ne do të bëjmë çfarëdo Zoti na urdhëron që të bëjmë.3

Mësojini rreth besimit për të mbajtur të gjitha urdhërimet e Perëndisë, duke ditur se ato janë dhënë që të bekojnë fëmijët e Tij dhe t’u sjellin gëzim.4 Paralajmërojini se do të hasin njerëz, që përzgjedhin se cilat urdhërime do të mbajnë dhe nuk i marrin parasysh [urdhërimet e] tjera, të cilat vendosin t’i shkelin. Unë e quaj këtë ta trajtosh bindjen si përzgjedhja e ushqimeve në një vakt tip bufe. Ky zakon i përzgjedhjes dhe i të vendosurit, nuk do të funksionojë. Do të udhëheqë drejt mjerimit. Që të përgatitet të takohet me Perëndinë, një njeri i mban të gjitha urdhërimet e Tij. Duhet besim për t’ju bindur atyre; dhe mbajtja e urdhërimeve të Tij do ta përforcojë atë besim.

Bindja bën të mundur që bekimet e Perëndisë të rrjedhin pa kufizim. Ai do t’i bekojë fëmijët e Tij të bindur, me liri nga robëria dhe mjerimi. Dhe Ai do t’i bekojë me më tepër dritë. Për shembull, një njeri e mban Fjalën e Urtësisë ngaqë e di se bindja, jo vetëm, që do të sjellë liri prej varësisë, por gjithashtu do të shtojë bekime të urtësisë dhe thesare diturie.5

Mësojini rreth besimit që të dinë se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë do të sigurojë mbrojtje fizike e shpirtërore. Dhe kujtoni, engjëjt e shenjtë të Perëndisë janë gjithmonë gati për të na ndihmuar. Kështu shpalli Zoti: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”6 Çfarë premtimi! Kur jemi besnikë, Ai dhe engjëjt e Tij do të na ndihmojnë.

Besimi i pashtershëm fuqizohet nëpërmjet lutjes. Lutjet tuaja të çiltra janë të rëndësishme për Të. Mendoni për lutjet e dendura dhe të flakta të Profetit Jozef Smith gjatë ditëve të tij të tmerrshme të burgosjes në Burgun e Libertisë. Zoti u përgjigj duke ndryshuar pikëpamjen e Profetit. Ai tha: “Dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”7.

Nëse lutemi duke mbajtur parasysh përjetësinë, ne nuk duhet të pyesim veten nëse po dëgjohen apo jo lutjet tona më të përlotura dhe të çiltra. Ky premtim nga Zoti është regjistruar në seksionin 98 të Doktrina e Besëlidhje:

“Lutjet tuaja kanë hyrë në veshët e Zotit … dhe janë regjistruar me këtë vulë dhe dëshmi – Zoti është betuar dhe ka shpallur se ato do të përmbushen.

Si rrjedhim, ai jua jep këtë premtim, me një besëlidhje të patundshme, që ato do të përmbushen dhe të gjitha gjërat me të cilat jeni munduar, do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit tim, thotë Zoti”8.

Zoti zgjodhi fjalët e Tij më të fuqishme për të na dhënë siguri! Vulë! Dëshmi! Betuar! Shpallur! Besëlidhje të patundshme! Vëllezër dhe motra, besojeni Atë! Perëndia do t’ia vërë veshin lutjeve tuaja të sinqerta e të çiltra; dhe besimi juaj do të forcohet.

Që të zhvillojmë një besim të qëndrueshëm, është thelbësor një zotim i qëndrueshëm për të qenë pagues i plotë i së dhjetës. Fillimisht kërkohet besim për të paguar të dhjetën. Pastaj paguesi i së dhjetës krijon më shumë besim deri në pikën sa e dhjeta bëhet një privilegj i çmuar. E dhjeta është një ligj i lashtë nga Perëndia.9 Ai i bëri një premtim fëmijëve të Tij se Ai do të hapte “pragjet e qiellit dhe … do të [derdhte] … aq shumë bekime, sa nuk do të [kishin] vend të mjaftueshëm ku ta [shtinin]”10. Jo vetëm kaq, e dhjeta do ta mbajë emrin tuaj të regjistruar mes njerëzve të Perëndisë dhe do t’ju mbrojë në “[ditën e] hakmarrjes dhe të djegies”11.

Përse na duhet një besim kaq i patundur? Sepse përpara kemi ditë të vështira. Në të ardhmen, rrallë do të jetë e lehtë apo në modë që të jesh një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme. Secili prej nesh do të provohet. Apostulli Pal paralajmëroi se në ditët e mëvonshme, ata që e ndjekin Zotin me zell “do të përndiqen”12. Se shumë persekutime mund, ose t’ju dërrmojnë deri në dobësi të heshtur, ose t’ju motivojnë për të qenë më shembullor dhe të guximshëm në jetën tuaj të përditshme.

Mënyra se si përballeni me sprovat e jetës, është pjesë e rritjes së besimit tuaj. Forcë vjen kur kujtoni që keni natyrë hyjnore, një trashëgimi me vlerë të pafundme. Zoti ju ka kujtuar ju, fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja, që ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm, që jeni ruajtur në qiell për periudhën e vendin tuaj të veçantë për t’u lindur, për t’u rritur dhe bërë përfaqësuesit dhe populli i besëlidhjes së Tij. Ndërsa ecni në shtegun e drejtësisë të Zotit, ju do të bekoheni të vazhdoni në mirësinë e Tij dhe të jeni një dritë dhe një shpëtimtar për popullin e Tij.13

Vëllezër e motra, të disponueshme për secilin prej jush janë bekimet e fituara nëpërmjet fuqisë së Priftërisë së shenjtë Melkizedeke. Këto bekime mund të ndryshojnë rrethanat e jetës suaj, në çështje të tilla si shëndeti, shoqërimi i Frymës së Shenjtë, marrëdhëniet vetjake dhe mundësitë për të ardhmen. Fuqia dhe autoriteti i kësaj priftërie mbajnë çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të Kishës.14 Dhe më e mrekullueshmja, Zoti ka shpallur se Ai do t’i mbështesë ato bekime, sipas vullnetit të Tij.15

Më të mëdhatë e të gjitha bekimeve të priftërisë jepen në tempujt e shenjtë të Zotit. Besnikëria ndaj besëlidhjeve të bëra aty, do t’ju cilësojnë ju dhe familjen tuaj për bekimet e jetës së përjetshme.16

Shpërblimet tuaja nuk vijnë vetëm në jetën tjetër. Shumë bekime do të jenë tuajat në këtë jetë, mes fëmijëve dhe nipërve e mbesave tuaj. Juve, Shenjtorë besnikë, nuk ju duhet t’i luftoni të vetëm betejat e jetës. Mendojeni këtë! Zoti shpalli: “Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu”17. Më vonë erdhi ky premtim për popullin e Tij besnik: “Unë, Zoti, do t’i luftoja betejat e tyre dhe betejat e fëmijëve të tyre, dhe të fëmijëve të fëmijëve të tyre, … deri në brezin e tretë dhe të katërt”18.

Presidenti ynë i dashur Tomas S. Monson na ka dhënë dëshminë e tij profetike. Ai tha: “Unë ju dëshmoj se bekimet e premtuara janë të pamatshme. Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështesin dhe do t’i sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe mbajmë urdhërimet”.

Presidenti Monson vijoi: “Vëllezër dhe motra të mi të dashur, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.”19

Shpalljes së fuqishme të Presidentit Monson, i shtoj vetë timen. Dëshmoj se Perëndia është Ati ynë. Jezusi është Krishti. Kisha e Tij është rivendosur në tokë. E vërteta, besëlidhjet dhe ordinancat e Tij na mundësojnë të mposhtim frikën dhe ta përballojmë të ardhmen me besim! Unë dëshmoj për këtë, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih 2 Nefi 2:27.

  2. Pjetri e dha mësim atë koncept, kur shprehu shpresën që [do] “të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë” (2 Pjetrit 1:4).

  3. Shih Abrahami 3:25.

  4. Shih 2 Nefi 2:25.

  5. Shih Doktrina e Besëlidhje 89:19; shih edhe Isaia 45:3.

  6. Doktrina e Besëlidhje 84:88.

  7. Doktrina e Besëlidhje 122:7. Një shembull tjetër i ndryshimit të pikëpamjes është shënuar te Psalmet: “Ruaje jetën time … Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën. … Unë do të të lëvdoj ty, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë” (Psalmet 86:2–3, 12).

  8. Doktrina e Besëlidhje 98:2–3.

  9. E dhjeta përmendet në tetë libra të Dhiatës së Vjetër: Zanafilla, Levitiku, Numrat, Ligji i Përtërirë, 2 Kronikave, Nehemia, Amosi dhe Malakia.

  10. Malakia 3:10.

  11. Doktrina e Besëlidhje 85:3.

  12. 2 Timoteut 3:12.

  13. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:8–11.

  14. Shih Doktrina e Besëlidhje 107:18.

  15. Shih Doktrina e Besëlidhje 132:47, 59.

  16. Shih Abrahami 2:11.

  17. Isaia 49:25; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 105:14.

  18. Doktrina e Besëlidhje 98:37.

  19. Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.