2010–2019
Ruajtëse të Virtytit
Prill 2011


Ruajtëse të Virtytit

Përgatituni tani që të mund të kualifikoheni për të marrë të gjitha bekimet që ju presin në tempujt e shenjtë të Zotit.

Ka çaste kur fjalët nuk mund ta shprehin atë që ndiejmë. Unë lutem që Shpirti t’u dëshmojë zemrave tuaja identitetin tuaj hyjnor dhe përgjegjësinë tuaj të përjetshme. Ju jeni shpresa e Izraelit. Ju jeni bija të zgjedhura e mbretërore të Atit tonë të dashur Qiellor.

Muajin e shkuar, pata rastin të marr pjesë në martesën në tempull të një të reje, të cilën e njoh që kur lindi. Kur u ula në dhomën e vulosjes, duke parë llambadarin e bukur që ndriçonte tempullin, kujtova ditën kur e mbajta për herë të parë. Nëna e saj e kishte veshur me një fustan të vogël të bardhë dhe mendova se ishte një nga foshnjat më të bukura që kisha parë ndonjëherë. Pastaj, kjo e re hyri në derë, edhe një herë e veshur në të bardha. Ajo ishte rrezatuese dhe e lumtur. Kur ajo hyri në dhomë, urova me të gjithë zemrën time që çdo e re të mund ta përfytyronte atë çast dhe të përpiqet fort që gjithmonë të jetë e denjë për të bërë e mbajtur besëlidhjet e shenjta dhe për të marrë ordinancat e tempullit në përgatitje për të gëzuar bekimet e ekzaltimit.

Kur ky çift u gjunjëzua në altarin e shenjtë, ata morën premtime përtej të kuptuarit njerëzor që do t’i bekojnë, forcojnë dhe ndihmojnë ata në udhëtimin e tyre në vdekshmëri. Qe një nga ato çaste kur bota ndenji pezull dhe i gjithë qielli gëzoi. Kur çifti i sapomartuar vështroi tek pasqyrat e mëdha në dhomë, pyetën dhëndrin se çfarë pa. Ai tha: “Të gjithë ata që jetuan para meje”. Pastaj çifti vështroi në pasqyrën e madhe në murin përkundruall dhe nusja tha me lot në sy: “Shoh të gjithë ata që do të vijnë pas nesh”. Ajo pa familjen e saj të ardhshme – pasardhësit e saj. E di se ajo e kuptoi përsëri në atë çast se sa e rëndësishme është të besosh në të qenit e dëlirë dhe e virtytshme. Nuk ka pamje më të bukur sesa një çift i përgatitur siç duhet, që gjunjëzohen së bashku tek altari i tempullit.

Vitet tuaj tek Të Rejat do t’ju përgatisin për tempullin. Atje do të merrni bekimet për të cilat keni të drejtën si një bijë e çmuar e Perëndisë. Ati juaj Qiellor ju do dhe dëshiron që të jeni të lumtura. Mënyra për ta bërë këtë është të “[ecni] në shtigjet e virtytit”1 dhe të “[kapeni] pas besëlidhjeve”2 tuaja.

Të reja, në një botë me gjithmonë e më shumë ndotje morale, lejim të së ligës, shfrytëzim të grave dhe shtrembërim të roleve, ju duhet të rrini në rojë të vetvetes, familjes suaj dhe të gjithë atyre me të cilët shoqëroheni. Ju duhet të jeni ruajtëse të virtytit.

Çfarë është virtyti dhe çfarë është një ruajtëse? “Virtyti është një formë e mendimit dhe e sjelljes e bazuar në standarde të larta morale. Ai përfshin dëlirësinë dhe pastërtinë morale.”3 Dhe çfarë është një ruajtëse? Një ruajtëse është dikush që ruan, mbron dhe bën rojë4. Kështu, si ruajtëse të virtytit, ju do të ruani, mbroni e bëni rojë për pastërtinë morale sepse fuqia për të krijuar jetë të vdekshme është një fuqi e shenjtë dhe e ekzaltuar dhe duhet të sigurohet derisa të martoheni. Virtyti është një kërkesë për të pasur shoqërimin dhe udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Juve do t’ju duhet ajo udhëheqje për të lundruar me sukses në botën ku jetoni. Të qenit të virtytshme është një kërkesë për të hyrë në tempull. Dhe është një kërkesë për të qenë të denja për të qëndruar në prani të Shpëtimtarit. Ju po përgatiteni tani për atë kohë. Përparimi Personal dhe standardet që gjenden në libërthin Për Forcën e Rinisë, janë të rëndësishme. Të bërit e gjërave që gjenden në secilin libërth, do t’ju forcojnë e do t’ju ndihmojnë të bëheni “më të përshtatshme për mbretërinë”5.

Verën e kaluar, një grup të rejash nga Elpajn e Jutas vendosën se do të bëheshin “më të përshtatshme për mbretërinë”. Ato vendosën të përqendroheshin tek tempulli duke shkuar nga Tempulli i Drejpërit në Juta deri tek Tempulli i Solt-Lejkut, një largësi e përgjithshme prej 35 km, ashtu si kishte bërë njëri nga pionierët, Xhon Roui Mojl. Vëlla Mojli ishte gurskalitës, që ishte thirrur nga profeti, Brigam Jangu, që të punonte në Tempullin e Solt-Lejkut. Çdo javë, ai përshkonte largësinë prej 35 kilometrash nga shtëpia e tij deri në tempull. Një nga detyrat e tij ishte të gdhendte fjalët “Shenjtëri Zotit” në anën lindore të Tempullit të Solt-Lejkut. Nuk qe e lehtë dhe atij iu desh të kapërcente shumë pengesa. Një ditë, atë e qëlloi në këmbë një nga lopët e tij. Meqë nuk po shërohej, atij iu desh t’ia prisnin këmbën. Por kjo nuk e pengoi atë nga zotimi i tij ndaj profetit dhe ndaj punës në tempull. Ai gdhendi një këmbë të drunjtë dhe pas shumë javësh përsëri përshkoi largësinë prej 35 kilometrash për të kryer punën që ishte zotuar të kryente.6

Të rejat në Lagjen e Gjashtë të Sedar-Hillsit vendosën të përshkojnë po atë largësi për një paraardhës dhe gjithashtu, për dikë që ishte frymëzimi i tyre për të mbetur të denja për të hyrë në tempull. Ato u stërvitën çdo javë tek Aktivitetet e Të Rejave dhe, ndërsa ecën, ndanë atë që po mësonin e po ndienin për tempujt.

Ato e nisën ecjen e tyre për në tempull herët në mëngjes, me një lutje. Kur u nisën, më bëri përshtypje besimi i tyre në vetvete. Ato ishin përgatitur mirë dhe e dinin se ishin përgatitur. Ato i kishin drejtuar sytë tek synimi i tyre. Çdo hap që hodhën, ishte simbolik për secilën prej jush pasi ju gjithashtu po përgatiteni tani të hyni në tempull. Stërvitja juaj personale ka filluar me lutjet tuaja të përditshme personale, leximin tuaj të përditshëm të Librit të Mormonit dhe me punën tuaj për Përparimin Personal.

Ndërsa këto të reja vazhduan të ecnin, kishte shpërqendrime përgjatë rrugës, por ato qëndruan të përqendruara tek synimi i tyre. Disa filluan të ndiejnë t’u formohen fshika dhe të tjera ndien gjunjët të nisnin të kishin probleme, por ato vazhduan të ecnin. Për secilën prej jush, ka shumë shpërqendrime, lëndime dhe pengesa përgjatë shtegut tuaj për në tempull, por ju gjithashtu jeni të vendosura dhe vazhdoni të ecni. Itinerari që morën këto të reja, u hartua nga udhëheqëset e tyre, që e kishin përshkuar e kryer rrugën dhe kishin përcaktuar mënyrën më të sigurt e të drejtpërdrejtë për të shkuar. Përsëri, rruga juaj është e shënuar dhe mund të siguroheni se Shpëtimtari jo vetëm e ka kryer rrugën, por përsëri do ta kryejë atë me ju – çdo hap të udhës.

Përgjatë këtij udhëtimi për në tempull, kishte etër, nëna, pjesëtarë të familjeve dhe udhëheqës të priftërisë që po vepronin si ruajtës. Detyra e tyre ishte të siguroheshin që secila të ishte e sigurt dhe e mbrojtur nga rreziqet. Ata siguruan që çdo e re të mbetej e hidratuar mirë dhe të kishte mjaftueshëm ushqim, që ta ruante forcën e saj. Kishte pika ndihme të siguruara nga udhëheqësit e tyre të priftërisë, me vende për të pushuar dhe për të pirë ujë. Të reja, etërit tuaj, nënat tuaja, peshkopët tuaj dhe kaq shumë të tjerë do të jenë ruajtësit tuaj kur përshkoni shtegun tuaj për në tempull. Ata do të thonë paralajmërime e do të drejtojnë rrugën tuaj dhe nëse dëmtoheni ose lëndoheni, ose dilni nga rruga, ata do t’ju ndihmojnë ju.

Më bëri përshtypje që në kilometrat e fundit të ecjes, vëllezërit e tyre dhe të rinj të tjerë e miq erdhën që t’i mbështesnin këto të reja të vendosura e t’i nxisnin ato. Një vëlla ngriti motrën e tij, që kishte fshika të mëdha në këmbë, dhe e mbarti në shpinë në largësinë e fundit për në tempull. Kur këto të reja të jashtëzakonshme e arritën synimin e tyre, lotë u derdhën kur secila preku tempullin dhe bëri një zotim të heshtur që gjithmonë të jetë e denjë për të hyrë atje.

Ecja për në tempull është një metaforë për jetën. Prindërit dhe udhëheqësit e priftërisë qëndruan në rojë përgjatë rrugës. Ata siguruan mbështetje dhe ndihmë. Të rejat e ruajtën dhe e nxitën njëra-tjetrën. Të rinjtë admiruan fuqinë, zotimin dhe forcën fizike të të rejave. Vëllezërit i mbartën motrat që ishin dëmtuar. Familjet gëzuan me bijat e tyre kur ato përfunduan ecjen për në tempull dhe i morën të sigurta në shtëpi.

Me qëllim që të qëndroni në shtegun për në tempull, ju duhet të ruani virtytin tuaj personal dhe virtytin e të tjerëve me të cilët shoqëroheni. Përse? Mormoni dha mësim në Librin e Mormonit se virtyti dhe dëlirësia janë “më [të] dashur[a] dhe më [të] çmueshme përmbi të gjitha gjërat”7.

Çfarë mund të bëjë secila prej jush për të qenë një ruajtëse e virtytit? Kjo fillon me besimin se mund të sillni një ndryshim. Kjo fillon me bërjen e një zotimi. Kur isha e re, mësova se disa vendime nevojitet të bëhen vetëm një herë. Unë shkrova listën time të gjërave që do të bëja gjithmonë dhe të gjërave që nuk do të bëjakurrë , në një bllok të vogël. Ajo përfshinte gjëra të tilla si bindja ndaj Fjalës së Urtësisë, lutja e përditshme, pagesa e së dhjetës time dhe një zotim që të mos mungoja kurrë në kishë. Unë i mora këto vendime njëherë dhe pastaj në çastin e vendimit, e dija saktësisht se çfarë të bëja sepse e kisha vendosur që më parë. Kur shokët e mi në shkollë të mesme thanë “thjesht një pije s’bën dëm”, unë qesha dhe thashë “kam vendosur kur isha 12 vjeçe që të mos e bëj atë”. Marrja e vendimeve paraprakisht do t’ju ndihmojë të bëheni ruajtëse të virtytit. Shpresoj që secila prej jush do të shkruajë një listë të gjërave që do të bëni gjithmonë dhe të gjërave që nuk do të bëni kurrë. Pastaj jetoni sipas listës suaj.

Të qenit ruajtëse të virtytit do të thotë se gjithmonë do të jeni modeste jo vetëm në veshjen tuaj, por dhe në fjalën tuaj, veprimet tuaja dhe përdorimin tuaj të mjeteve shoqërore të komunikimit. Të qenit ruajtëse e virtytit do të thotë se nuk do t’u dërgoni kurrë me celular të rinjve fjalë ose figura që mund të bëjnë që ata të humbasin Shpirtin, të humbasin fuqinë e tyre të priftërisë, ose të humbasin virtytin e tyre. Kjo do të thotë se ju e kuptoni rëndësinë e dëlirësisë sepse ju e kuptoni gjithashtu që trupi juaj është një tempull dhe që fuqitë e shenjta të riprodhimit nuk duhen trazuar përpara martese. Ju e kuptoni se zotëroni një fuqi të shenjtë, që përfshin përgjegjësinë e shenjtë të sjelljes së shpirtrave të tjerë në tokë, për të marrë një trup në të cilin të strehojnë shpirtin e tyre të përjetshëm. Kjo fuqi përfshin një shpirt tjetër të shenjtë. Ju jeni një ruajtëse e diçkaje “më [të] çmuar se perlat”8. Jini besnike. Jini të bindura. Përgatituni tani që të mund të kualifikoheni për të marrë të gjitha bekimet që ju presin në tempujt e shenjtë të Zotit.

Për nënat që dëgjojnë sonte, ju jeni shembulli më i rëndësishëm i modestisë dhe i virtytit për bijat tuaja – faleminderit. Mos ngurroni kurrë t’u mësoni atyre se janë bija mbretërore të Perëndisë dhe se vlera e tyre nuk bazohet tek joshja e tyre sensuale. Dhe lërini të shohin besimin tuaj të marrë formë saktësisht dhe vazhdimisht në sjelljen dhe paraqitjen tuaj vetjake9. Ju jeni gjithashtu ruajtëse të virtytit.

Këtë javë, përsëri u ngjita në Insajn-Pik [Maja e Flamurit]. Ishte herët në mëngjes dhe, ndërsa shihja poshtë nga ai mal për tek Mali i Shtëpisë së Zotit – Tempulli i Solt-Lejkut – rëndësia qe përsëri shumë e qartë. Pionierët dhanë gjithçka që patën që të vinin në majë të maleve, që ju dhe unë të mund të kishim bekimet e tempullit dhe të vuloseshim përjetësisht si familje. Dyzet vite sakrifice, pune të përpiktë dhe ecja nga Elpajn deri tek tempulli – përse? Sepse, ashtu si ju, ata besuan! Ata besuan tek një profet. Ata besuan se ai i kishte parë dhe kishte folur me Perëndinë e Birin e Tij të dashur. Ata besuan tek Shpëtimtari. Ata besuan tek Libri i Mormonit. Kjo është arsyeja pse ata mund të thoshin: “Ne besojmë të gjitha gjërat, ne shpresojmë të gjitha gjërat, ne i kemi duruar të gjitha gjërat dhe shpresojmë të jemi në gjendje t’i durojmë të gjitha gjërat”10. Ata duruan shumë gjëra dhe po kështu mund të bëjmë ne. Neni i trembëdhjetë i besimit është ajo çfarë besojmë sepse ato janë gjërat që na kualifikojnë që të jemi të denja për të hyrë në tempull dhe që një ditë të qëndrojmë në praninë e Atit tonë Qiellor – të provuara, të dëlira dhe të vulosura. Kjo do të kërkojë që ju të jeni “më të përshtatshme për mbretërinë” dhe që ju të përgatiteni tani e të fitoni besimin tek vetvetja se ju mund të bëni gjëra të vështira.

Të reja, ju jeni përfshirë në një punë të shkëlqyer! Dhe ju nuk jeni vetëm! Ndërsa ruani virtytin e dëlirësinë tuaj, juve do t’ju jepet forcë. Ndërsa mbani urdhërimet që keni bërë, Fryma e Shenjtë do t’ju udhëheqë e ruajë ju. Ju do të rrethoheni nga ushtri qiellore engjëjsh. Presidenti Monson na sjell në mend: “Kujtoni se ne nuk vrapojmë vetëm në këtë vrapim të madh të jetës; ne kemi të drejtën të kemi ndihmën e Zotit”11. Përgatituni për atë ditë kur do të vini tek tempulli i Zotit të denja e të përgatitura për të bërë besëlidhje të shenjta. Si ruajtëse të virtytit, ju do të dëshironi të kërkoni Shpëtimtarin në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe se Biri i Tij i dashur, Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti jeton dhe për shkak të fuqisë shëlbuese dhe mundësuese të Shlyerjes së Tij të pafundme, secila prej jush do të udhëhiqet dhe ruhet në shtegun tuaj për në tempull dhe në kthimin në praninë e Tyre. Unë lutem që secila prej jush të forcohet për atë punë që do të jetë ora juaj më e mirë. Jetoni për atë ditë të bukur që është treguar në Librin e Zbulesës kur ju do të “ec[ni] … në të bardha, sepse [jeni] të denj[a]”12. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Doktrina e Besëlidhje 25:2.

  2. Doktrina e Besëlidhje 25:13.

  3. Përparimi Personal i Të Rejave (broshurë, 2009), f. 70.

  4. Shih thefreedictionary.com/guardian.

  5. “More Holiness Give Me”, Hymns, nr. 131.

  6. Shih Dieter F. Uhtdorf, “Ngrini Atje ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 53.

  7. Moroni 9:9.

  8. Fjalët e Urta 3:15.

  9. Shih M. Rasëll Ballard, “Nëna dhe Bija”, Liahona, maj 2010, f. 18–21.

  10. Nenet e Besimit 1:13.

  11. Thomas S. Monson, “Great Expectations” (Mbledhje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës për të rinj në moshë madhore, 11 janar 2009), http://lds.org/library/display/0,4945,538-1-4773-1,00.html.

  12. Zbulesa 3:4.