2010–2019
Pasues të Krishtit
Prill 2011


Pasues të Krishtit

Pasuesit e Krishtit e modelojnë jetën e tyre sipas Shpëtimtarit që të ecin në dritë.

Tetorin e kaluar, unë dhe gruaja ime shoqëruam Plakun dhe Motrën Nil L. Andersen për ceremoninë e fillimit të ndërtimit të një tempulli të ri në Kordova të Argjentinës. Siç është bërë zakon, një konferencë për shtyp pasoi ceremoninë. Një gazetare, jo anëtare e Kishës sonë, komentoi se ajo kishte vënë re se sa mirë burrat i trajtonin bashkëshortet e tyre. Pastaj, papritmas, ajo pyeti: “A është kjo realitet apo trillim?” Jam i sigurt që ajo pa dhe ndjeu diçka të ndryshme ndër anëtarët tanë. Ajo mund të ketë perceptuar dëshirën e anëtarëve tanë për të ndjekur Krishtin. Anëtarë kudo nëpër botë kanë një dëshirë të tillë. Në të njëjtën kohë, miliona që nuk janë anëtarë të Kishës, kanë gjithashtu një dëshirë për ta ndjekur Atë.

Kohët e fundit, gruas sime dhe mua na bënë përshtypje njerëzit që pamë në Ganë dhe Nigeri. Shumica nuk ishin anëtarë të kishës sonë. Ne qemë të lumtur të shihnim dëshirën e tyre për të ndjekur Krishtin që shprehej në shumë prej bisedave të tyre në shtëpitë e tyre, në makinat e tyre, mbi muret e tyre dhe mbi tabelat e tyre. Kurrë nuk kishim parë kaq shumë kisha të krishtera pranë njëra-tjetrës.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, detyra jonë është që të ftojmë miliona [njerëz] si këta, që të vijnë e të shohin atë që kisha jonë mund t’u shtojë gjërave të mira që ata kanë tashmë. Cilido individ nga cilido kontinent, klimë apo kulturë mund ta dijë për veten e vet se Profeti Jozef Smith pa Atin dhe Birin në një vegim. Ai apo ajo mund ta dijë që lajmëtarë qiellorë rivendosën priftërinë dhe se Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Me fjalët e Enokut: “Drejtësi [është dërguar] nga qiejt; dhe [e] vërtetë [është dërguar] nga toka, për të [dëshmuar] për të Vetëmlindurin [e Atit]”1.

Shpëtimtari ka premtuar: “Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”2. Pasuesit e Krishtit e modelojnë jetën e tyre sipas Shpëtimtarit që të ecin në dritë. Dy karakteristika mund të na ndihmojnë që të dallojmë shkallën në të cilën po e ndjekim Atë. Së pari, pasuesit e Krishtit janë njerëz të dashur. Së dyti, pasuesit e Krishtit bëjnë dhe mbajnë besëlidhje.

Karakteristika e parë e të qenit të dashur, është ndoshta një gjë që gazetarja në Kordova vuri re ndër anëtarët e Kishës sonë. Ne e ndjekim Krishtin sepse e duam Atë. Kur e ndjekim Shëlbuesin nga dashuria, ne jemi duke ndjekur vetë shembullin e Tij. Nga dashuria, Shpëtimtari qe i bindur ndaj vullnetit të Atit në çfarëdo rrethanë. Shpëtimtari ynë qe i bindur edhe kur kjo donte të thoshte dhimbje të madhe fizike dhe emocionale; edhe kur kjo do të thoshte që do të fshikullohej e përqeshej; edhe kur kjo do të thoshte që armiqtë e Tij do ta torturonin ndërsa miqtë e Tij e braktisnin Atë. Sakrifica shlyese, e cila është unike në misionin e Shpëtimtarit, është shprehja më e madhe e dashurisë ngaherë. “Ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.”3

Ashtu si Krishti ndoqi Atin në çfarëdo rrethane, ne duhet të ndjekim Birin e Tij. Nëse veprojmë kështu, nuk ka rëndësi lloji i mjerimit, vuajtjes apo “gjembit në mish”4 me të cilin përballemi. Ne nuk jemi vetëm. Krishti do të na ndihmojë. Mëshirat e Tij të dhembshura do të na bëjnë të pushtetshëm në çfarëdo rrethane5.

Ndjekja e Krishtit mund të thotë të braktisësh shumë gjëra të dashura siç bëri Ruthi, moabitja. Si një e kthyer e re në besim, nga dashuria për Perëndinë dhe Naomin, ajo la pas gjithçka që të jetonte sipas besimit të saj6.

Mund të thotë gjithashtu t’i bësh ballë fatkeqësisë dhe tundimit. Në rininë e tij, Jozefi u shit si skllav. Atij iu mor gjithçka që donte. Më vonë ai u tundua për të qenë jo i dëlirë. Ai i rezistoi tundimit dhe tha: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër?”7 Dashuria e Tij për Perëndinë ishte më e fuqishme se çfarëdo fatkeqësie apo tundimi.

Sot, ne kemi Ruth-ë dhe Jozef-ë të ditëve tona kudo nëpër botë. Kur vëllai Xhimi Olvera nga Guajakuli i Ekuadorit, mori thirrjen e tij të misionit, familja e tij po luftonte [për jetesën] së tepërmi. Ditën që po largohej, iu tha se nëse dilte nga dera [e shtëpisë], ai do të humbiste familjen e tij. Me zemër të thyer, ai doli nga ajo derë. Kur ishte në mision, e ëma i kërkoi të qëndronte më gjatë në terrenin [e misionit] nga që ata po merrnin aq shumë bekime. Sot, vëllai Olvera shërben si patriark i kunjit.

Dashuria e vërtetë për Krishtin, siguron forcën që kërkohet për ta ndjekur Atë. Vetë Zoti e tregoi këtë kur e pyeti Pjetrin tre herë: “A më do ti mua?” Pasi Pjetri ia ripohoi dashurinë e vet me forcë, Zoti i tregoi Pjetrit rreth vështirësive të ardhshme. Atëherë erdhi këshillimi: “Ndiqmë”. Pyetja e Shpëtimtarit parashtruar Pjetrit mund të na bëhet edhe ne: “A më do ti mua”, pasuar nga thirrja për veprim: “Ndiqmë”8.

Dashuria është një ndikim i fuqishëm në zemrën tonë në përpjekjen tonë për të qenë të bindur. Dashuria për Shpëtimtarin tonë na frymëzon që të mbajmë urdhërimet e Tij. Edhe dashuria për nënën, babanë ose bashkëshortin apo bashkëshorten, mund të frymëzojnë bindjen tonë ndaj parimeve të ungjillit. Mënyra se si i trajtojmë të tjerët pasqyron shkallën në të cilën ne ndjekim Shpëtimtarin tonë në dashurinë ndaj njëri-tjetrit9. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Të, kur ndalojmë për të ndihmuar të tjerët, kur jemi “krejtësisht të ndershëm dhe të drejtë për çdo gjë”10 dhe kur bëjmë e mbajmë besëlidhje.

Karakteristika e dytë, që kanë pasuesit e Krishtit, është që bëjnë e mbajnë besëlidhje siç bëri Ai. Moroni nxori në pah se “[derdhja] [e] gjakut të Krishtit … është në besëlidhjen e Atit për heqjen e mëkateve tuaja, që ju të bëheni të shenjtë, pa njollë”11.

Profeti Jozef Smith dha mësim se, edhe përpara organizimit të kësaj toke, në qiell u bënë besëlidhje.12 Profetë dhe patriarkë të lashtë bënë besëlidhje.

Vetë Shpëtimtari dha shembullin. Ai u pagëzua nga një [person] me autoritetin e duhur, që të plotësonte të gjithë drejtësinë. Nëpërmjet pagëzimit të Vet, Shpëtimtari i dëshmoi Atit se do të ishte i bindur në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve të Atit.13 Si në kohët e lashta, edhe ne e ndjekim Krishtin dhe bëjmë besëlidhje përmes ordinancave të priftërisë.

Bërja e besëlidhjeve është diçka që miliona njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës sonë mund t’ia shtojnë gjërave shumë të mira që ata kanë tashmë. Të bësh besëlidhje, është shprehje e dashurisë. Është një mënyrë për t’i thënë Atij: “Po, unë do të të ndjek Ty sepse të dua”.

Besëlidhjet përfshijnë premtime, “madje të jetës së përjetshme”14. Gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë nëse kujtojmë besëlidhjet tona.15 Besëlidhjet duhet të bëhen dhe mbahen që të arrijmë plotësisht premtimet që ato sigurojnë. Dashuria për Shpëtimtarin dhe mbajtja mend e besëlidhjeve tona do të na ndihmojnë që t’i mbajmë ato. Marrja e sakramentit është një mënyrë për t’i kujtuar ato.16 Një mënyrë tjetër është ta frekuentojmë tempullin shpesh. Më kujtohet një çift i ri, i martuar në Amerikën e Jugut, që donin të ndaheshin sepse nuk shkonin mirë. Një udhëheqës i priftërisë i këshilloi që të vizitonin tempullin dhe t’i kushtonin vëmendje të veçantë fjalëve e premtimeve të besëlidhjeve të bëra aty. Ata e bënë këtë dhe martesa e tyre u shpëtua. Fuqia e besëlidhjeve tona është më e madhe se çdo sfidë që përballojmë apo mund të përballojmë.

Atyre anëtarëve që nuk janë aktivë në ungjill, ju lutem kthehuni. Ndieni bekimin e të kujtuarit dhe të rinovimit të besëlidhjeve përmes sakramentit dhe frekuentimit të tempullit. Të bërit e kësaj është shprehje e dashurisë dhe tregon një gatishmëri për të qenë pasues i vërtetë i Krishtit. Kjo do t’ju kualifikojë për të marrë të gjitha bekimet e premtuara.

Atyre që nuk janë anëtarë të Kishës sonë, ju ftoj të ushtroni besim, të pendoheni e cilësoheni për të marrë besëlidhjen e pagëzimit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Duke e bërë këtë, do t’i tregoni dashurinë tuaj Atit tonë Qiellor dhe gatishmërinë tuaj për të ndjekur Krishtin.

Dëshmoj se ne jemi më të lumtur kur ndjekim mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ndërsa përpiqemi ta ndjekim Atë, bekimet e qiellit do të vijnë te ne. E di se premtimet e Tij do të plotësohen, kur bëjmë e mbajmë besëlidhje dhe bëhemi pasues të vërtetë të Krishtit. Dëshmoj për dashurinë e Tij të madhe për secilin prej nesh dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Mosia 7:62.

  2. Gjoni 8:12.

  3. Isaia 53:5.

  4. 2 Korintasve 12:7.

  5. Shih 2 Nefi 1:20.

  6. Shih Ruthi 1:16.

  7. Shih Zanafilla 39:7–9.

  8. Shih Gjoni 21:15–19.

  9. Shih Gjoni 13:15.

  10. Alma 27:27.

  11. Moroni 10:33.

  12. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 42; shih edhe Spenser W. Kimball, “Be Ye Therefore Perfect” (fjalim i takimit shpirtëror, Insitituti i Fesë i Solt-Lejkut, 10 janar 1975): “Ne bëmë betime, betime solemne, në qiejt përpara se të vinim në këtë jetë të vdekshme. … Ne kemi bërë besëlidhje. Ne i bëmë ato përpara se të pranonim pozitën tonë këtu në tokë.”

  13. Shih 2 Nefi 31:5–7.

  14. Abrahami 2:11. Shih edhe John A. Widtsoe, “Temple Worship” (leksion, Assembly Hall, Solt-Lejk-Siti, 12 tetor 1920), f. 10: “Besëlidhja i jep jetë të vërtetës dhe bën të mundur bekimet që shpërblejnë të gjithë ata që e përdorin si duhet njohurinë.”

  15. Shih Doktrina e Besëlidhje 90:24.

  16. Shih, për shembull, 3 Nefi 18:7–11.