2010–2019
Puna Shenjtëruese e Mirëqenies
Prill 2011


Puna Shenjtëruese e Mirëqenies

Puna e përkujdesjes për njëri-tjetrin dhe të qenit “të mirë me të varfrit”, është një punë shenjtëruese, e urdhëruar nga Ati.

Mirëmëngjes vëllezër dhe motra. Në 1897-tën një Dejvid O. Mek-Kei i ri, qëndroi para një dere me një pamflet në dorën e tij. Kur ishte misionar në Stirling, të Skocisë, ai e kishte bërë këtë shumë herë më parë. Por atë ditë një grua e drobitur hapi derën dhe qëndroi para tij. Ajo ishte veshur keq dhe kishte mollëza të futura e flokë të pakrehur.

Ajo mori pamfletin që Plaku Mek-Kei i zgjati asaj dhe foli gjashtë fjalë që ai nuk do t’i harronte kurrë: “A do të ma blejë kjo mua bukën?”

Ky takim la një mbresë të pashlyeshme mbi misionarin e ri. Ai shkroi më vonë: “Nga ai moment unë kisha një kuptim më të thellë që Kisha e Jezu Krishtit duhet të jetë dhe është, e interesuar për shpëtimin tokësor të njeriut. Unë u largova nga dera duke ndier që ajo [grua], me … hidhërim në [zemrën e saj] kundrejt njeriut dhe Perëndisë, nuk [ishte] në gjendje të përshtatshme për të pranuar mesazhin e ungjillit. [Ajo ishte] në nevojë për ndihmë tokësore dhe; me aq sa munda të mësoj, nuk kishte asnjë organizatë në Stirling që mund [t’ia] jepte atë.”1

Disa dekada më vonë, bota rënkoi nën barrën e Depresionit të Madh. Ishte gjatë asaj kohe, më 6 prill 1936, që Presidenti Hiber J. Grant dhe këshilltarët e tij, J. Ruben Klark dhe Dejvid O. Mek-Kei, shpallën atë që më pas do të njihej si programi Kishtar i mirëqenies. Në mënyrë interesante, dy javë më vonë, Plaku Melvin J. Ballard u caktua si kryetari i parë i tij dhe Harold B. Li si drejtori i parë administrues.

Kjo nuk ishte një përpjekje e zakonshme. Megjithëse Zoti kishte mobilizuar njerëz të shquar për ta drejtuar atë, Presidenti J. Ruben Klark e bëri të qartë që “krijimi i mekanizmit të mirëqenies ishte rezultat i zbulesës nga Fryma e Shenjtë ndaj Presidentit Grant, që ajo është vazhduar që nga ajo kohë nëpërmjet zbulesave të ngjashme të cilat u kanë ardhur vëllezërve që e kanë pasur në ngarkim”2.

Zotimi i udhëheqësve të Kishës për të lehtësuar vuajtjet njerëzore ishte po aq i prerë sa edhe i pakthyeshëm. Presidenti Grant dëshironte “një sistem që do t’u … qasej dhe do të kujdesej për njerëzit pavarësisht nga çmimi”. Ai tha se ai madje do të ndërmerrte hapa drastikë si të “mbyllte seminaret, të ndalonte punën misionare për një periudhë kohe, ose madje të mbyllte edhe tempujt, por ata nuk do të lejonin që njerëzit të ishin të uritur”3.

Unë isha në krah të Presidentit Gordon B. Hinkli në Managua të Nikaraguas, kur ai u foli 1.300 anëtarëve të Kishës të cilët i kishin mbijetuar një uragani shkatërrues që mori më shumë se 11.000 jetë. Ai u tha atyre: “Për aq kohë sa Kisha ka burime,ne nuk do t’ju lëmë që të jeni të uritur apo pa veshmbathje, apo pa strehë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që të ndihmojmë në mënyrën që Zoti ka paracaktuar se duhet të bëhet.”4

Një nga tiparet dalluese të kësaj përpjekjeje të frymëzuar të qendërzuar te ungjilli, është theksi i tij mbi përgjegjësinë vetjake dhe mbështetjen te vetja. Presidenti Marion G. Romni shpjegoi: “Janë krijuar shumë programe nga persona me vullnet të mirë për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Sidoqoftë, shumë nga këto programe janë hartuar me synimin dritëshkurtër të ‘të ndihmuarit të njerëzve’, në ndryshim nga ‘të ndihmuarit e njerëzve që të ndihmojnë veten’.”5

Mbështetja te vetja është fryt i të jetuarit me maturi dhe ushtrimit të vetëdisiplinës ekonomike. Që nga fillimi, Kisha ka dhënë mësim se familjet – deri në atë masë që munden – duhet të mbajnë përgjegjësi për vetë mirëqenien e tyre materiale. Çdo brezi i kërkohet të mësojë rishtas parimet themelore të mbështetjes te vetja: të shmangë borxhin, të zbatojë parimet e kursimit, të përgatitet për kohë të vështira, të dëgjojë dhe të ndjekë fjalët e profetëve të gjallë, të zhvillojë disiplinë për të bërë dallimin mes nevojave e dëshirave dhe pastaj të jetojë në përputhje me to.

Synimi, premtimet dhe parimet që përforcojnë punën tonë të përkujdesjes për të varfrin dhe nevojtarin shtrihen shumë më larg se kufijtë e vdekshmërisë. Kjo punë e shenjtë nuk është vetëm për t’u sjellë dobi e për të bekuar ata që vuajnë apo janë në nevojë. Si bij dhe bija të Perëndisë, ne nuk mund të trashëgojmë shkallën më të lartë të jetës së përjetshme pa qenë plotësisht të përfshirë në përkujdesjen për njëri-tjetrin, ndërsa jemi këtu në tokë. Ne i mësojmë parimet qiellore të sakrificës dhe përkushtimit nëpërmjet ushtrimit mirëdashës të sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve.6

Mbreti i madh Benjamin dha mësim se një prej arsyeve pse ne u japim nga pasuria jonë të varfërve dhe kujdesemi për lehtësimin e tyre, është që të ruajmë një heqje të mëkateve tona nga dita në ditë dhe të ecim të pafajshëm përpara Perëndisë.7

Që nga themelimi i botës, pëlhura e shoqërive të drejta është endur përherë me fijet e arta të dashurisë hyjnore. Ne jemi të dëshiruar për një botë paqësore dhe komunitete të begata. Ne lutemi për shoqëri të mira e të virtytshme, ku ligësia është braktisur e ku mirësia dhe e drejta mbizotërojnë. Pavarësisht se sa tempuj ndërtojmë, pavarësisht se sa rritet anëtarësia jonë, pavarësisht sa pozitivisht konsiderohemi në sytë e botës – nëse ne dështojmë në këtë urdhërim të madh qendror për të “[ndihmuar] të dobëtit, [për të ngritur duart] që varen poshtë dhe [për të forcuar] gjunjët e këputur”8 apo të braktisim ata që vuajnë dhe vajtojnë, ne jemi nën dënim dhe nuk mund të kënaqim Zotin9 dhe shpresa ngazëlluese e zemrave tona nuk do të jetë kurrë me ne.

Anembanë botës, 28.000 peshkopë kërkojnë të varfër për t’u kujdesur për nevojat e tyre. Çdo peshkop ndihmohet nga një këshill lagjeje i përbërë nga udhëheqës të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse, duke përfshirë një presidente të përkushtuar të Shoqatës së Ndihmës. Ata mund “të nguten në lehtësimin e një të huaji; … të lajnë me vaj dhe verë zemrën e plagosur të fatkeqit, … [dhe] të thajnë lotët e jetimit e të bëjnë zemrën e një të veje të gëzohet”10.

Zemrat e anëtarëve dhe udhëheqësve të Kishës anekënd botës po ndikohen dhe po drejtohen për mirë nga doktrinat dhe shpirti hyjnor i dashurisë dhe kujdesit për fqinjët e tyre.

Një udhëheqës priftërie në Amerikën e Jugut ishte i brengosur nga uria dhe skamja e anëtarëve të kunjit të tij të vogël. Duke mos dashur të lejonte vuajtjen e fëmijëve të uritur, ai gjeti një ngastër toke të zbrazët dhe organizoi priftërinë që ta kultivonin e mbillnin. Ata gjetën një kalë të moçëm dhe i lidhën një plug primitiv e filluan të punonin tokën. Por përpara se të mbaronin, tragjedia i goditi dhe kali i moçëm ngordhi.

Në vend që të lejonin që vëllezërit dhe motrat e tyre të vuanin nga uria, vëllezërit e priftërisë e lidhën plugun e vjetër në vetë shpinat e tyre dhe e tërhoqën përgjatë tokës së vështirë për t’u punuar. Ata e morën mbi vete, me kuptimin e vërtetë të fjalës, zgjedhën e vuajtjeve dhe barrave të vëllezërve e motrave të tyre.11

Një ndodhi nga historia e vetë familjes sime bëhet shembull i përkushtimit për t’u kujdesur për ata që janë në nevojë. Shumë kanë dëgjuar për kompanitë e karrocave të dorës Uilli dhe Martin dhe se si këta pionierë besnikë vuajtën dhe vdiqën ndërsa duruan të ftohtin dimërak dhe kushtet e skajshme gjatë udhëtimit të tyre drejt perëndimit. Robert Tejlor Barton, një nga katragjyshërit e mi, ishte një nga ata, të cilëve Brigam Jangu u kërkoi të shkonin e të shpëtonin ata Shenjtorë të shtrenjtë e të dëshpëruar.

Rreth kësaj kohe, Gjyshi shkroi në ditarin e tij: “Borë e thellë [dhe] shumë e ftohtë. … Aq ftohtë sa [ne] nuk mund të lëviznim. … Termometri 24 gradë celsius nën zero … ; aq ftohtë sa njerëzit nuk mund të udhëtonin.”12

Pajisje jetëshpëtuese iu shpërndanë shenjtorëve të bllokuar, por “pavarësisht gjithçkaje që [shpëtuesit] mundën të bënin, shumë u varrosën gjatë rrugës”13.

Ndërsa Shenjtorët e shpëtuar po kalonin një pjesë të shtegut përmes Kanionit Eko, disa vagonë ndaluan për të ndihmuar në ardhjen në jetë të një vogëlusheje. Roberti vuri re që nëna e re nuk kishte veshje të mjaftueshme për ta mbajtur ngrohtë të foshnjën e saj të porsalindur. Me gjithë motin e akullt, ai “hoqi vetë këmishën e tij të bërë me dorë dhe ia dha nënës që të [mbështillte] foshnjën”14. Fëmijës iu vendos emri Eko – Eko Skuajërs – si një kujtim i vendit dhe rrethanave të lindjes së saj.

Në vitet që pasuan Roberti u thirr në Peshkopatën Kryesuese të Kishës, ku shërbeu për më shumë se tri dekada. Në moshën 86-vjeçare, Robert Tejlor Barton u sëmur. Ai mblodhi familjen pranë shtratit të tij për t’u dhënë atyre bekimin e fundit. Mes fjalëve të tij të fundit qe kjo këshillë e thjeshtë por e shumë e thellë: “Jini të mirë me të varfrit”15.

Vëllezër dhe motra, ne nderojmë ata persona të shkathët të cilët Zoti i ka mobilizuar për të organizuar dhe drejtuar programin e zgjeruar të shërbimeve ndaj anëtarëve nevojtarë të Kishës së Tij. Ne nderojmë ata që, në ditët tona, qasen, në mënyra të panumërta dhe shpesh të heshtura, për të qenë “të mirë me të varfrit”, për të ushqyer të uriturit, për të veshur të zhveshurit, për t’u dhënë ndihmë të sëmurëve dhe për të vizituar robërit.

Kjo është puna e shenjtë që Shpëtimtari pret nga dishepujt e Tij. Është puna që Ai e deshi kur jetoi mbi tokë. Është puna të cilën, e di, se do ta gjenim Atë duke bërë, nëse Ai do të ishte mes nesh sot.16

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, një sistem i përkushtuar ndaj shpëtimit shpirtëror dhe fizik të njerëzimit u ngrit nga fillime modeste. Që nga ajo kohë, ai ka fisnikëruar dhe bekuar jetët e dhjetëra miliona njerëzve anembanë botës. Plani profetik i mirëqenies nuk është thjesht një shënim interesant në fund të në historisë së Kishës. Parimet mbi të cilat ai bazohet, përcaktojnë se cilët jemi ne si njerëz. Ai është thelbi i asaj që ne jemi si dishepuj të veçantë të Shpëtimtarit dhe Shembullit tonë, Jezusit, Krishtit.

Puna e përkujdesjes për njëri-tjetrin dhe të qenit “të mirë me të varfrit”, është një punë shenjtëruese, e urdhëruar nga Ati dhe e hartuar hyjnisht për të bekuar, përmirësuar dhe ekzaltuar fëmijët e Tij. Ndjekshim ne këshillën e Shpëtimtarit ndaj njëfarë doktori të caktuar të ligjit në shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”17. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Cherished Experiences from the Writings of President David O. McKay, përmbledhje Clare Midllemiss (1955), f. 189.

  2. J. Ruben Klark i Riu, “Testimony of Divine Origin of Welfare Plan”, Church News, gusht f. 8, 1951, f. 15; shih edhe Glen L. Rudd, Pure Religion (1995), f. 47.

  3. Glen L. Rudd, Pure Religion, f. 34.

  4. Në “President Hinckley Visits Hurricane Mitch Victims and Mid-Atlantic United States”, Ensign, shkurt 1999, f. 74.

  5. Marion G. Romni, “Natyra Hyjnore e Mbështetjes te Vetja”, Liahona, mars 2009, f. 15.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 104:15–18; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 105:2–3.

  7. Shih Mosia 4:26–27.

  8. Doktrina e Besëlidhje 81:5; shih edhe Mateu 22:36–40.

  9. Shih Doktrina e Besëlidhje 104:18.

  10. Joseph Smith, në History of the Church, 4:567–568.

  11. Intervistë me Harold C. Brown, drejtori i mëparshëm administrues i Departamentit të Shërbimeve të Mirëqenies.

  12. Ditar i Robert T. Burton, Biblioteka Church History, Solt-Lejk-Siti, 2–6 nëntor 1856.

  13. Robert Taylor Burton, në Janet Burton Seegmiller, “Be Kind to the Poor”: The Life Story of Robert Taylor Barton (1988), f. 164.

  14. Lenore Gunderson, në Jolene S. Allphin, Tell My Story, Too, tellmystorytoo.com/art_imagepages/image43.html.

  15. Robert Taylor Burton, në Seegmiller, “Be Kind to the Poor”, f. 416.

  16. Shih Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 68.

  17. Lluka 10:37.