2010–2019
Çfarë Lloj Burrash dhe Grash Duhet të Jeni?
Prill 2011


Çfarë Lloj Burrash dhe Grash Duhet të Jeni?

Qofshin të suksesshme përpjekjet tuaja për të zhvilluar cilësi Krishtërore, në mënyrë që shëmbëllimi i Tij të mund të gdhendet në fytyrën tuaj dhe cilësitë e Tij të shfaqen në sjelljen tuaj.

“Të jesh a të mos jesh” është, në fakt, një pyetje mjaft me vend.1 Shpëtimtari e parashtroi këtë pyetje në një mënyrë më të thellë, duke e bërë një çështje jetike doktrinore për çdokënd prej nesh: “Çfarë Lloj [Burrash dhe Grash] duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27; kursivet janë theksime). Veta e parë e kohës së tashme të foljes me qenë është Unë Jam. Ai na fton të marrim mbi vete emrin e Tij dhe natyrën e Tij.

Për t’u bërë siç është Ai, duhet që gjithashtu të bëjmë gjërat që bëri Ai: “Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them, ky është ungjilli im; dhe ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më këni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” (3 Nefi 27:21; kursivet janë theksime).

jesh dhe të bësh, janë gjëra të pandashme. Si doktrina të ndërvarura ato përforcojnë dhe nxisin njëra-tjetrën. Besimi, për shembull, e frymëzon dikë të lutet dhe lutja, nga ana e saj, e forcon besimin e dikujt.

Shpëtimtari shpeshherë dënoi hapur ata të cilët bënin, pa qenë – duke i quajtur hipokritë. “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje” (Marku 7:6). Të bësh mirë, pa qenë i mirë, është hipokrizi ose një shtirje e dikujt për të qenë ashtu siç nuk është – një pretendues.

Anasjelltas, të jesh i mirë, pa bërë mirë, nuk vlen, ashtu si “besimi, në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete” (Jakobi 2:17 [Bibla]; kursivet janë theksime). Të jesh, pa bërë, vërtet që nuk është të jesh i mirë – është një vetëmashtrim, duke e besuar veten si të mirë, thjesht ngaqë qëllimet janë të mira.

Të bësh, pa qenë – hipokrizi – paraqet një shëmbëllim të rremë ndaj të tjerëve, ndërsa, të jesh, pa bërë, paraqet një shëmbëllim të rremë ndaj vetes.

Shpëtimtari i qortoi skribët dhe farisejtë për hipokrizinë e tyre: “Mjerë ju, skribë dhe farisej hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën” – diçka që ata bënin – e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin” (Mateu 23:23). Ose, me fjalë të tjera, ata nuk arrinin të ishin siç duhet të kishin qenë.

Ndërkohë që e pranonte rëndësinë e të bërit, Shpëtimtari e përcaktoi të qenit si një “gjë më të rëndësishme”. Rëndësia më e madhe e të qenit ilustrohet në shembujt që vijojnë:

  • Hyrja brenda ujit të pagëzimit është diçka që bëjmë. Gjendja e të qenit që duhet të paraprijë këtë gjë, është besimi tek Jezu Krishti dhe një ndryshim i fuqishëm i zemrës.

  • Marrja e sakramentit është diçka që bëjmë. Të qenit të denjë për të marrë sakramentin, është një çështje më me peshë dhe shumë më e rëndësishme.

  • Shugurimi në priftëri është një veprim, ose një e bërë. Çështja më me peshë, sidoqoftë, është fuqia në priftëri, e cila qëndron “mbi bazën e parimeve të drejtësisë” (DeB 121:36), apo të jesh.

Shumë nga ne krijojnë lista të të bërit që të na kujtojnë gjëra që dëshirojmë të kryejmё. Por njerëzit rrallëherë kanë lista të të qenit. Përse? Gjërat për të bërë janë veprimtari ose ngjarje që mund të spontohen nga lista kur kryhen. Megjithatë, të jesh, nuk ka asnjëherë të kryer. Ju nuk mund të merrni spontime lidhur me gjendjet e të qenit. Unë mund ta marr bashkëshorten për një mbrëmje të këndshme këtë të premte, që është një gjë për të bërë. Por, të jesh bashkëshort i mirë, nuk është një ngjarje; duhet të jetë pjesë e natyrës sime – e karakterit tim, apo se kush unë jam.

Ose, si prind, kur mundem unë të spontoj një fëmijë nga lista si të kryer? Ne nuk kemi kurrë të kryer me të qenit prindër të mirë. Dhe, që të jemi prindër të mirë, një nga gjërat më të rëndësishme që mund t’u mësojmë fëmijëve tanë, është si të jemi më shumë si Shpëtimtari.

Cilësitë e të qenit Krishtëror nuk mund të shihen, por ato janë forcë motivuese prapa asaj që ne bëjmë, e cila mund të shihet. Kur prindërit, për shembull, ndihmojnë një fëmijë të mësojë të ecë, i shikojmë prindërit të bëjnë gjëra të tilla si drejtmbajtja e përlëvdimi i fëmijës së tyre. Këto të bëra zbulojnë dashurinë e padukshme brenda zemrës së vet dhe besimin e shpresën e padukshme tek aftësia e fëmijës së vet. Ditë pas dite përpjekjet e tyre vazhdojnë – provë e të qenavetë padukshme të durimit e të zellit.

Për arsye se të qenit lind të bërit dhe është motivi që qëndron prapa të bërit, mësimdhënia e të qenit, do ta përmirësojë sjelljen në mënyrë më të efektshme, sesa përmirësohet duke u përqendruar mbi të bërit.

Kur fëmijët sillen keq, të themi, kur ata grinden me njëri-tjetrin, shpesh ne e keqorientojmë disiplinimin mbi atë që ata bënë ose mbi grindjen që vërejtëm. Por të bërit – sjellja e tyre – është vetëm një shenjë e motivit të padukshëm në zemrën e tyre.Mund të pyesnim veten: “Çfarë cilësish, në rast se fëmija i kupton, do ta ndreqnin këtë sjellje në të ardhmen? Të jetë i duruar dhe zemërbutë kur mërzitet? Duke qenë i përzemërt dhe pajtues?Marrja e përgjegjësisë për veprimet vetjake dhe mosfajësimi?”

Si ua mësojnë prindërit këto cilësi fëmijëve të tyre? Nuk do të kemi kurrë një mundësi më të madhe për t’u mësuar e treguar fëmijëve tanë cilësi Krishtërore, sesa në mënyrën që ne i disiplinojmë. Disiplinë vjen nga e njëjta fjalё-rrënjë sikurse dishepull dhe nënkupton durim e mësimdhënie nga ana jonë. Ajo nuk duhet bërë në zemërim. Mundemi dhe duhet të disiplinojmë në mënyrën që na mëson Doktrina e Besëlidhje 121: “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur; nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër” (vargjet 41–42). Të gjitha këto janë të qena Krishtërore që duhet të jenë pjesë e asaj se kush jemi ne, si prindër e dishepuj të Krishtit.

Nëpërmjet disiplinës fëmija mëson për pasojat. Në çaste të tilla është e dobishme të shndërrohen negativet në pozitive. Nëse fëmija rrëfen një faj, lëvdoni guximin që kërkohej për të rrëfyer. Pyeteni fëmijën se çfarë mësoi nga gabimi ose prapësia, gjë që ju jep juve dhe, më e rëndësishmja, Shpirtit, një mundësi për ta prekur e mësuar fëmijën. Kur ua mësojmë fëmijëve doktrinën nëpërmjet Shpirtit, ajo doktrinë ka fuqinë të ndryshojë me kohë pikërisht natyrën e tyre – të qenit.

Alma zbuloi po të njëjtin parim, që “predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve, sesa shpata” (Alma 31:5; kursivet janë theksime). Përse? Sepse shpata përqendrohet vetëm në sjellje ndëshkuese – ose të bërit – ndërsa predikimi i fjalës ndryshonte pikërisht natyrën e njerëzve – atë që ata ishin apo që mund të bëheshin.

Një fëmijë i ëmbël e i bindur do të ishte sa për t’i mësuar babait apo nënës vetëm bazat e prindërimit. Nëse bekoheni me një fëmijë që jua provon durimin në maksimum, ju do të merrnit diplomën në prindërim. Në vend që ju të habiteshit me vete se çfarë mund të keni bërë në jetën paratokësore për të merituar kaq shumë, mund ta konsideronit fëmijën më sfidues si një bekim e mundësi që të bëheni ju vetë më të perëndishëm. Me cilin fëmijë ka më shumë të ngjarë që qetësia, durimi dhe virtyte të tjera Krishtërore të provohen, të zhvillohen e të pastrohen? A mundet që juve ju nevojitet ky fëmijë po aq sa i nevojiteni ju atij?

Të gjithë e kemi dëgjuar këshillën që të dënojmë mëkatin dhe jo mëkatarin. Po ashtu, kur fëmijët tanë sillen keq, ne duhet të kujdesemi të mos themi gjëra që do t’i bënin të besonin se ajo që bënë gabim, përfaqëson atë që ata janë. “Kurrë mos lejoni që dështimi të përparojë nga një veprim në një identitet, me etiketimet e tij shoqëruese, si ‘budalla’, ‘i trashë’, ‘përtac’ apo ‘i ngathët’.”2 Fëmijët tanë janë fëmijë të Perëndisë. Ky është identiteti dhe kapaciteti i tyre i vërtetë. Vetë plani i Tij është për t’i ndihmuar fëmijët e Tij të mposhtin gabimet dhe prapësitë e të përparojnë për t’u bërë siç është Ai. Sjellja zhgënjyese, pra, duhet konsideruar si diçka e përkohshme, jo e përhershme – një veprim e jo një identitet.

Nevojitet, pra, të jemi të kujdesshëm lidhur me përdorimin e shprehjeve të vazhdueshme, siç janë “Ti gjithmonë …” ose “Ti asnjëherë …”, kur ne disiplinojmë. Kujdes me shprehjet si “Asnjëherë nuk m’i merr parasysh ndjenjat” apo “Pse na bën gjithnjë të presim?” Shprehje si këto bëjnë që veprimet të duken si identitet dhe mund të kenë ndikim të kundërt mbi perceptimin dhe vlerësimin që fëmija ka për veten.

Çrregullim i identitetit mund të ndodhë gjithashtu kur ne pyesim fëmijët se çfarë dëshirojnë të jenë kur të rriten, sikur ajo që një person bën përfaqëson se kush është. As profesionet, as zotërimet nuk duhet të përcaktojnë identitetin ose vlerën vetjake. Shpëtimtari, për shembull, qe një marangoz i thjeshtë, por kjo vështirë se e karakterizoi jetën e Tij.

Në ndihmë që fëmijët të zbulojnë se cilët janë e të përforcojnë vlerën vetjake, ne, me vend, mund të përshëndesim arritjen apo sjelljen e tyre – të bërit. Por do të ishte edhe më e mençur ta përqendronim lëvdatën tonë kryesore te karakteri dhe te çfarë ata besojnë – se kush janë.

Në një lojë sportive, një mënyrë e mençur për të përshëndetur lojën e fëmijëve tanë – bërjen – do të ishte nga pikëpamja e të qenit – si energjia, ngulmimi, vetëpërmbajtja e tyre përballë kundërshtarit etj. – duke i përshëndetur kështu të dyja, të qenët dhe të bërit.

Kur u kërkojmë fëmijëve të bëjnë detyrat e përditshme, ne mund të kërkojmë edhe mënyra për t’i përgëzuar ata lidhur me të qenit, si: “Lumturohem aq shumë kur ju i bëni detyrat me zemër të gatshme”.

Kur fëmijët marrin nga shkolla një raport të ecurisë, ne mund t’i përgëzojmë për notat e larta, por mund të jetë me dobi më të madhe e afatgjatë të lavdërohen për zellin: “Ti ke dorëzuar çdo detyrë. Je dikush që di si të merresh e t’i përfundosh gjërat e vështira. Jam krenar për ty”.

Gjatë kohës familjare për shkrimet e shenjta, kërkoni dhe diskutoni për shembuj cilësish që keni zbuluar gjatë leximit të asaj dite. Ngaqë cilësitë Krishtërore janë dhurata nga Perëndia dhe nuk mund të zhvillohen pa ndihmën e Tij,3 në lutjet familjare e vetjake lutuni për ato dhurata.

Në tryezën e darkës, flisni herë pas here rreth cilësive, veçanërisht për ato që zbuluat në shkrimet e shenjta më herët në atë mëngjes. “Si ishit ju sot një shok i mirë? Si e keni treguar dhembshurinë? Si ju ndihmoi besimi të përballeni me sfidat e sotme? Në ç’mënyrë ishit të besueshëm? Po të ndershëm, bujarë, të përulur?” Në shkrimet e shenjta ka sa e sa cilësi që duhet të jepen e të merren mësim.

Mënyra më e rëndësishme për mësimdhënien e të qenit, është të jesh ndaj fëmijëve tanë ai lloj prindi që Ati Qiellor është ndaj nesh. Ai është prindi i vetëm i përkryer dhe ka ndarë me ne manualin e Tij të prindërisë – shkrimet e shenjta.

Vërejtjet e mia të sotme iu drejtuan kryesisht prindërve, por parimet zbatohen për gjithkënd. Qofshin të suksesshme përpjekjet tuaja për të zhvilluar cilësi Krishtërore, në mënyrë që shëmbëllimi i Tij të mund të gdhendet në fytyrën tuaj dhe cilësitë e Tij të shfaqen në sjelljen tuaj. Atëherë, kur fëmijët tuaj ose të tjerët të ndiejnë dashurinë tuaj e të shohin sjelljen tuaj, ajo t’u kujtojë Shpëtimtarin e t’i tërheqë drej Tij, është lutja dhe dëshmia ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Uiliam Shekspir, Hamleti, Princi i Danimarkës, akti 3, skena 1, rreshti 56.

  2. Carol Dweck, cituar në Joe Kita, “Bounce Back Chronicles”, Reader’s Digest, maj 2009, f. 95.

  3. Shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 119.