2010–2019
Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë
Prill 2011


Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë

Misioni juaj do të jetë një mundësi e shenjtë për të sjellë të tjerët te Krishti dhe për të ndihmuar në përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Unë i flas sonte veçanërisht 12- deri 25-vjeçarëve që mbajnë priftërinë e Perëndisë. Ne mendojmë shumë për ju dhe lutemi për ju. Një herë tregova historinë e nipit tonë katërvjeçar që i dha një të shtyrë të fortë vëllait të tij të vogël. Pasi ngushëlloi fëmijën që qante, gruaja ime, Kethi, iu kthye katërvjeçarit dhe e pyeti kujdesshëm: “Përse duhet ta shtyje vëllain tënd të vogël?” Ai e pa gjyshen e vet dhe iu përgjigj: “Nënoke, më vjen keq. Humba unazën time ZTD dhe nuk mund të zgjedh të drejtën.” Ne e dimë se ju përpiqeni me forcë për të zgjedhur gjithmonë të drejtën. Ne ju duam fort.

A keni menduar ndonjëherë rreth asaj se përse jeni dërguar në tokë në këtë periudhë të veçantë? Ju nuk u lindët gjatë periudhës së Adamit dhe Evës, apo kur faraonët sundonin Egjiptin, apo gjatë dinastisë Ming. Ju keni ardhur në tokë në këtë periudhë, 20 shekuj pas ardhjes së parë të Krishtit. Priftëria e Perëndisë është rivendosur në tokë dhe Zoti ka shtrirë dorën e Tij që të përgatisë botën për kthimin e Tij të lavdishëm. Këto janë ditë të mundësive të mëdha dhe të përgjegjësive të rëndësishme. Këto janë ditët tuaja.

Me pagëzimin tuaj, ju shpallët besimin tuaj në Jezu Krisht. Me shugurimin tuaj në priftëri, talentet e aftësitë tuaja shpirtërore janë rritur. Një nga përgjegjësitë tuaja të rëndësishme është që të ndihmoni në përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Zoti ka caktuar një profet, Presidentin Tomas S. Monson, për të drejtuar punën e priftërisë së Tij. Juve, Presidenti Monson ju ka thënë: “Zotit i duhen misionarët”1. “Çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej [jush], të cilëve [ju] është dhënë kaq shumë.”2

Shërbimi misionar kërkon sakrificë. Gjithmonë do të ketë diçka që do ta lini pas kur t’i përgjigjeni thirrjes së profetit për të shërbyer.

Ata që e ndjekin lojën e regbisë, e dinë se Oll Bleksat [Tërësisht të Zinjtë] e Zelandës së Re është skuadra e regbisë më e njohura ndonjëherë, emër i dhënë për shkak të ngjyrës së uniformës së tyre.3 Që të përzgjidhesh për Oll Bleksat në Zelandën e Re, do të ishte e krahasueshme me luajtjen për një skuadër të futbollit amerikan në Superboll apo një skuadër të futbollit për Kupën e Botës.

Në vitin 1961, në moshën 18-vjeçare dhe [ndërsa] mbante Priftërinë Aarone, Sidni Going po bëhej një yll i regbisë në Zelandën e Re. Për shkak të aftësive të tij të mrekullueshme, shumë menduan se ai do të përzgjidhej që vitin tjetër për skuadrën kombëtare të regbisë Oll Bleks.

Në moshën 19 vjeç, në këtë moment vendimtar në karrierën e tij në rritje në regbi, Sidi shpalli se ai do ta linte regbinë për të shërbyer në mision. Disa e quajtën të marrë. Të tjerë e quajtën të pamend.4 Ata kundërshtuan se mundësia e tij në regbi mund të mos vinte më kurrë.

Për Sidin [misioni] nuk ishte ajo që po linte pas – ishte mundësia e përgjegjësia përpara. Ai kishte një detyrë Priftërie për të ofruar dy vite nga jeta e tij për të shpallur realitetin e Zotit Jezu Krisht dhe të ungjillit të Tij të rivendosur. Asgjë – as edhe një mundësi për të luajtur në skuadrën kombëtare, me gjithë famën që do të sillte – nuk do ta frenonte nga ajo detyrë.5

Ai u thirr nga një profet i Perëndisë për të shërbyer në Misionin e Kanadasë Perëndimore. Si këtë muaj, dyzetetetë vjet më parë, Plaku Sidni Going, 19 vjeç, e la Zelandën e Re që të shërbente si misionar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Sidi më tregoi për një përvojë që pati në misionin e tij. Ishte mbrëmje dhe ai e shoku i tij misionar ishin pothuaj gati duke u kthyer në apartamentin e tyre. Ata vendosën të vizitonin edhe një familje. Babai i lejoi brenda. Plaku Going dhe shoku i tij misionar dëshmuan për Shpëtimtarin. Familja pranoi një Libër të Mormonit. Babai lexoi gjithë natën. Në një javë e gjysmën pasuese, ai lexoi të gjithë Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Pak javë më pas, familja u pagëzua.6

Një mision në vend të një pozicioni në skuadrën e Oll Bleksave të Zelandës së Re? Sidi u përgjigj: “Bekimi i [sjelljes së të tjerëve] në ungjill ka më shumë peshë se çfarëdo që do të [sakrifikoni] ndonjëherë”7.

Ju ndoshta po pyesni veten se çfarë i ndodhi Sid Going-ut pas misionit të tij. Më e rëndësishmja: një martesë e përjetshme me të dashurën e tij, Kollin; pesë fëmijë të fisëm dhe një brez nipash e mbesash. Ai e ka kaluar jetën e tij duke pasur mirëbesim në Atin e tij në Qiell, duke mbajtur urdhërimet dhe duke u shërbyer të tjerëve.

Po regbija? Pas misionit të tij, Sidi u bë një prej mbrojtësve më të famshëm të vijës së parë në historinë e Oll Bleksave, që luajti në 11 sezone dhe shërbeu si kapiten i skuadrës për shumë vite.8

Sa i mirë ishte Sid Going? Ai ishte aq i mirë sa oraret e stërvitjeve dhe lojërave ndryshoheshin për shkak se ai nuk do të luante të dielën.9 Sidi ishte aq i mirë saqë Mbretëresha e Anglisë njohu kontributin e tij në regbi.10 Ai ishte aq i mirë saqë një libër u shkrua rreth tij, titulluar Super Sidi.

Po sikur këto nderime të mos i kishin ardhur Sidit pas misionit të tij? Një prej mrekullive më të mëdha të shërbimit misionar në këtë Kishë është se Sid Going dhe mijëra tamam si ai nuk kanë pyetur: “Çfarë do të fitoj prej misionit tim?”, por më mirë: “Çfarë mund të jap?”

Misioni juaj do të jetë një mundësi e shenjtë për të sjellë të tjerët te Krishti dhe për të ndihmuar në përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Zoti ka folur prej shumë kohësh për përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Tij të Dytë. Enokut, Ai i shpalli: “Drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka … dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës”11. Profeti Daniel profetizoi se, në ditët e fundit, ungjilli do të shtrihej drejt skajeve të tokës, si një “[gur] [që] shkëputet nga [një] [mal], jo nga dora e njeriut”12. Nefi foli për Kishën e ditëve të mëvonshme që ishte e paktë në numër, por e përhapur mbi të gjithë faqen e tokës.13 Zoti shpalli në këtë periudhë ungjillore: “Ju jeni thirrur që të bëni të ndodhë mbledhja e të zgjedhurve të mi”14. Vëllezërit e mi të rinj, misioni juaj është një mundësi dhe përgjegjësi e madhe, e rëndësishme për këtë mbledhje të premtuar dhe e lidhur me të ardhmen tuaj të përjetshme.

Që nga ditët e hershme të Rivendosjes, Vëllezërit kanë qenë shumë serioz rreth detyrimit të tyre për të shpallur ungjillin. Në vitin 1837, vetëm shtatë vjet pas organizimit të Kishës, në një periudhë varfërie e persekutimi, misionarët u dërguan të jepnin mësim ungjillin në Angli. Brenda pak viteve në vijim, misionarët ishin duke predikuar në vende kaq të ndryshme si Austri, Polinezinë Franceze, Indi, Barbados, Kili dhe Kinë.15

Zoti e ka bekuar këtë punë dhe Kisha po themelohet nëpër botë. Kjo mbledhje po përkthehet drejtpërdrejtë në 92 gjuhë. Ne jemi mirënjohës për 52.225 misionarët me kohë të plotë që po shërbejnë në më shumë se 150 vende.16 Dielli nuk perëndon kurrë për misionarët e drejtë që dëshmojnë për Shpëtimtarin. Mendoni për fuqinë shpirtërore të 52.000 misionarëve, të pajisur me Shpirtin e Zotit, që shpallin me guxim se nuk ka “asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë … vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit”17. Ne u shprehim mirënjohje dhjetëra mijëra misionarëve të kthyer të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin më të mirën e tyre. Bota, në masë të madhe, po përgatitet për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit për shkak të punës së Zotit nëpërmjet misionarëve të Tij.

Shërbimi misionar është një punë shpirtërore. Denjësia dhe përgatitja janë thelbësore. Presidenti Monson ka thënë: “Të rinj, ju këshilloj që të përgatiteni për shërbimin si misionar. Mbajeni veten të pastër, të dëlirë dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin.”18 Në vitet përpara misionit tuaj, ju lutem, kujtoni detyrën e shenjtë përpara jush. Veprimet tuaja përpara misionit tuaj do të ndikojnë së tepërmi fuqinë e priftërisë që do të merrni me vete në mision. Përgatituni mirë.

Presidenti Monson foli për “çdo [të] ri [të] denjë dhe [të] aftë [që po përgatitet] që të shërbejë në mision”19. Me raste, për shkak të shëndetit apo arsye të tjera, një [i ri] mund të mos jetë në gjendje që të shërbejë. Ju do ta njihni aftësinë tuaj për të shërbyer kur flisni me prindërit tuaj dhe peshkopin tuaj. Nëse kjo do të jetë situata juaj, ju lutemi mos u ndieni më pak të rëndësishëm në mandatin fisnik përpara jush. Zoti është shumë bujar me ata që e duan Atë dhe Ai do të hapë dyer të tjera për ju.

Disa mund të pyesin veten nëse janë tepër të mëdhenj për të shërbyer. Një miku im nga Kina, themeloi Kishën në Kamboxhia kur ishte në mesin e të 20-ave. Ai pyeste veten nëse duhej ta merrte ende në konsideratë një mision. Pasi u lut e foli me peshkopin e tij, ai u thirr dhe shërbeu fisnikërisht në Nju-Jork-Siti. Nëse ju shqetëson mosha, lutuni dhe flisni me peshkopin tuaj. Ai do t’ju drejtojë.

Pesëdhjetë përqind e të gjithë misionarëve shërbejnë në vetë atdheun e tyre. Kjo është jashtëzakonisht e drejtë. Zoti ka premtuar se “çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij”20. Ju do të thirreni me anë të profecisë dhe do të shërbeni aty ku duheni më shumë.

Më pëlqen të takoj misionarë nëpër botë. Kohët e fundit, kur po vizitoja Misionin Australian të Sidnit, a e dini se kë gjeta? Plakun Sidni Going – legjendën e regbisë të Zelandës së Re. Tani në moshën 67 vjeç, është edhe një herë misionar, por këtë herë me një shok [misionar] që e ka zgjedhur vetë: Motrën Kollin Going. Ai më tregoi për një familje që qenë në gjendje ta mësonin. Prindërit ishin anëtarë por kishin qenë pak aktiv në Kishë për shumë e shumë vite. Plaku dhe Motra Going ndihmuan që të rindizej besimi i familjes. Plaku Going më tregoi për fuqinë që ndjeu, kur po qëndronte tek vaska e pagëzimit pranë babait të familjes, ndërsa biri më i madh, që tashmë mban priftërinë, pagëzoi vëllain dhe motrën e tij më të vogël. Ai shprehu gëzimin e dëshmimit të një familje të bashkuar që synojnë jetën e përjetshme së bashku.21

Duke ju folur juve, Presidenca e Parë ka thënë:

“Ju jeni [një shpirt i] zgjedhur që keni lindur në këtë kohë kur përgjegjësitë dhe mundësitë, si edhe tundimet janë nga më të mëdhatë. …

Ne lutemi për secilin nga ju … që të mund të kryeni punën e madhe që keni përpara … që ju të jeni të denjë [e të gatshëm] të vazhdoni me përgjegjësitë e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë dhe përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.”22

E pëlqej pikturën e Herri Andërsonit të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Më kujton se Ai do të vijë në madhështi e fuqi. Ngjarje të mrekullueshme do të ndodhin mbi tokë dhe në qiej.23

Ata që presin ardhjen e Shpëtimtarit do ta “kërkojnë [Atë]”. Dhe Ai ka premtuar: “Unë do të vij!” Të drejtët do ta shohin Atë “në retë e qiellit [me gjithë engjëjt e shenjtë], të mbuluar me fuqi dhe lavdi të madhe”24. “Një engjëll … do t’i bjerë borisë së tij … dhe shenjtorët nga të katër anët e dheut”25do të “rrëmbehen lart për ta takuar atë”26 . Ata “që kanë fjetur”, domethënë ata shenjtorë të denjë që kanë vdekur, “do të vijnë [ta] takojnë [gjithashtu]”27.

Shkrimi i shenjtë thotë: “Zoti do të vërë këmbë mbi [malin]”28, dhe “[Ai] do ta lëshojë zërin e tij dhe gjithë fundet e dheut do ta dëgjojnë atë”29.

Vëllezërit e mi të rinj të priftërisë, unë dëshmoj për madhështinë, por mbi të gjitha, për sigurinë e kësaj ngjarje të mrekullueshme. Shpëtimtari jeton. Ai do të kthehet në tokë. Unë dhe ju do të gëzohemi në ardhjen e Tij, qofshim në këtë anë të velit apo në tjetrën; dhe ne do të falënderojmë Zotin që na ka dërguar në tokë në këtë kohë që të përmbushim detyrën tonë të shenjtë të dhënies së ndihmës në përgatitjen e botës për kthimin e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Tomas S. Monson, “Zotit i Duhen Misionarët”, Liahona, janar 2011, f. 4; “Zotit i Duhen Misionarët”, Mesazhi i Presidencës së Parë, janar 2011; “Ndërsa Prapë Takohemi Së Bashku”, Liahona, nëntor 2010, f. 6.

  2. Tomas S.Monson, “Ndërsa Prapë Takohemi Së Bashku”, Liahona, nëntor 2010, f. 5–6.

  3. Shih stats.allblacks.com.

  4. Shih Bob Howitt [Bob Hauit], Super Sid: The Story of a Great All Black (1978), f. 27.

  5. Bisedë në telefon me Presidentin Maksuell Horsford; Kunji i Kaikohes, Zelanda e Re; mars 2011.

  6. Bisedë në telefon me Plakun Sidni Going, mars 2011.

  7. Korrespondencë me e-mail nga Plaku Sidni Going, mars 2011.

  8. Shih stats.allblacks.com/asp/profile.asp?ABID=324.

  9. Bisedë në telefon me Presidentin Maksuell Horsford; Kunji i Kaikohes, Zelanda e Re; mars 2011.

  10. Sid Going-ut iu dha një M.B.E. (Member of the Order of the British Empire [Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike]) në vitin 1978 për kontributet e tij në sportin e regbisë (Shih Howitt [Hauit], Super Sid, f. 265).

  11. Mosia 7:62.

  12. Danieli 2:45.

  13. Shih 1 Nefi 14:12–14.

  14. Doktrina e Besëlidhje 29:7.

  15. Shih Deseret News 2011 Church Almanac (2011), f. 430, 432, 458, 463, 487, 505.

  16. Deri më 31 dhjetor 2010.

  17. Mosia 3:17.

  18. Tomas S. Monson, Liahona, janar 2011, f. 4; “Zotit i Duhen Misionarë”; Mesazhi i Presidencës së Parë, janar 2011; “Ndërsa Prapë Takohemi Së Bashku”, Liahona, nëntor 2010, f. 6.

  19. Tomas S. Monson, Liahona, nëntor 2010, f. 5.

  20. Doktrina e Besëlidhje 90:11.

  21. Bisedë në telefon me Plakun Sidni Going, mars 2011.

  22. “Mesazh nga Presidenca e Parë”, Për Forcën e Rinisë: Të Përmbushim Detyrën Tonë ndaj Perëndisë (libërth, 2001), f. 2–3.

  23. Shih Doktrina e Besëlidhje 43:18; 45:40.

  24. Doktrina e Besëlidhje 45:44.

  25. Doktrina e Besëlidhje 45:45, 46.

  26. Doktrina e Besëlidhje 88:96.

  27. Doktrina e Besëlidhje 45:45; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 29:13; 88:96–97.

  28. Doktrina e Besëlidhje 45:48.

  29. Doktrina e Besëlidhje 45:49.