2010–2019
Potenciali Juaj, Privilegji Juaj
Prill 2011


Potenciali Juaj, Privilegji Juaj

Ndërsa lexoni shkrimet e shenjta dhe dëgjoni fjalët e profetëve me gjithë zemrën dhe mendjen tuaj, Zoti do t’ju tregojë si të jetoni sipas privilegjeve tuaja të priftërisë.

Na ishte një herë një burrë ëndrra e jetës e së cilit, ishte të hipte në bordin e një anijeje turistike dhe të lundronte në Detin Mesdhe. Ai ëndërronte të ecte nëpër rrugët e Romës, Athinës dhe Stambollit. Ai kurseu çdo qindarkë derisa iu bënë mjaft për udhëtimin e tij. Ngaqë paratë ishin shtrënguar, ai solli një valixhe shtesë të mbushur me konserva groshësh, pako galetash dhe qese me pluhur limonade dhe ajo ishte me çka ai jetoi çdo ditë.

Ai do të kishte dashur të merrte pjesë në shumë aktivitete që ofroheshin në anije – të stërvitej në palestër, të luante minigolf dhe të notonte në pishinë. Ai i kishte zili ata që shkonin në filma, në shfaqje dhe veprimtari kulturore. Dhe, ah, sa shumë i pikonte në zemër vetëm ta provonte një herë ushqimin mahnitës që pa në anije – çdo ushqim dukej të ishte si për festë! Por burri donte të shpenzonte aq pak para saqë nuk mori pjesë në ndonjë nga këto. Ai kishte mundësi të shihte qytetet që pati dashur shumë t’i vizitonte, por më të shumtën e udhëtimit, ai ndenji në kabinën e tij dhe hëngri vetëm ushqimin e tij të thjeshtë.

Ditën e fundit të turit, një anëtar i ekuipazhit e pyeti atë se në cilin banket lamtumire do të merrte pjesë. Atëherë burri mësoi se jo vetëm banketi i lamtumirës por thuajse çdo gjë në bordin e anijes turistike – ushqimi, argëtimi, të gjitha veprimtaritë – ishin të përfshira në çmimin e biletës së tij. Tepër vonë burri kuptoi se pati jetuar shumë poshtë privilegjeve të tij.

Pyetja që shtron kjo shëmbëlltyrë është: A po jetojmë ne si mbajtës të priftërisë poshtë privilegjeve tona kur është fjala për fuqinë e shenjtë, dhuratat dhe bekimet që janë mundësia dhe e drejta jonë si mbajtës të priftërisë së Perëndisë?

Lavdia dhe Madhështia e Priftërisë

Ne të gjithë e dimë se priftëria është shumë më tepër se thjesht një emër apo titull. Profeti Jozef na mësoi se: “Priftëria është një parim i përjetshëm dhe ka ekzistuar me Perëndinë qysh nga përjetësia … në përjetësi, pa fillime ditësh apo fund vitesh”1 Ajo mban “madje çelësin e njohurisë mbi Perëndinë”2. Në fakt, nëpërmjet priftërisë vetë “fuqia e perëndishmërisë manifestohet”3.

Bekimet e priftërisë e kapërcejnë aftësinë tonë për të kuptuar. Mbajtësit besnikë të priftërisë Melkizedeke mund të “bëhen … të zgjedhurit e Perëndisë”4. Ata “shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre”5 dhe më në fund të marrin “gjithçka që Ati … ka”6. Kjo mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar, por është e mrekullueshme, unë dëshmoj se është e vërtetë.

Fakti që Ati ynë Qiellor do t’ia besojë këtë fuqi dhe përgjegjësi njeriut është provë e dashurisë së Tij të madhe për ne dhe një paralajmërim i potencialit tonë si bij të Perëndisë në jetën pas vdekjes.

Gjithsesi, shumë shpesh veprimet tona lënë të kuptohet se jetojmë shumë poshtë këtij potenciali. Kur pyeten rreth priftërisë, shumë prej nesh mund të recitojnë një përkufizim të saktë, por në jetën tonë të përditshme mund të ketë pak të dhëna që kuptimi ynë shkon përtej nivelit të një shkrimi të shenjtë të ripërsëritur.

Vëllezër, ne ballafaqohemi me një zgjedhje. Ne mund të jemi të kënaqur me një përvojë të zvogëluar si mbajtës të priftërisë dhe të vendosemi për përvoja që janë larg nën privilegjet tona. Ose ne mund të marrim pjesë në një ushqim të bollshëm rasti shpirtëror dhe bekime universale priftërie.

Çfarë mund të bëjmë që të jetojmë sipas potencialit tonë?

Fjalët e shkruara në shkrimet e shenjta dhe të folura në konferencë të përgjithshme janë që “t’i përshtatim për vete”7, jo vetëm sa për lexim apo dëgjim.8 Shumë shpesh, ne marrim pjesë në mbledhje dhe dremisim; ne mundet madje të buzëqeshim me dije dhe të biem dakord. Ne shënojmë disa pika për veprim dhe ne mund të themi me vete: “Kjo është diçka që duhet ta bëj”. Por diku midis dëgjimit, shkrimit të një kujtese në telefon-kompjuterin tonë, dhe veprimit të vërtetë, çelësi ynë “bëje” rrotullohet te pozicioni “më vonë”. Vëllezër, le të sigurojmë që ta vendosim çelësin tonë “bëje” te pozicioni “tani”!

Ndërsa lexoni shkrimet e shenjta dhe dëgjoni fjalët e profetëve me gjithë zemrën dhe mendjen tuaj, Zoti do t’ju tregojë si të jetoni sipas privilegjeve tuaja të priftërisë. Mos lejoni asnjë ditë t’ju kalojë pa bërë diçka që të veproni sipas nxitjeve të Shpirtit.

Së pari: Lexoni Manualin e Pronarit

Nëse ju do të zotëronit kompjuterin më modern dhe më të shtrenjtë, a do ta përdornit atë thjesht si një ornament tavoline? Kompjuteri mund të duket i rëndësishëm. Ai mund të ketë potencial të madh. Por kjo realizohet vetëm kur ju studioni manualin e pronarit, mësoni si të përdorni programet dhe ta ndezni që të mund të arrini potencialin e tij të plotë.

Priftëria e shenjtë e Perëndisë ka gjithashtu një manual të pronarit. Le t’i kushtohemi leximit të shkrimeve të shenjta dhe manualeve me më shumë qëllim dhe përqendrim. Le të fillojmë me rileximin e seksioneve 20, 84, 107 dhe 121 të Doktrina e Besëlidhje. Sa më shumë që studiojmë qëllimin, potencialin dhe përdorimin praktik të priftërisë, aq më shumë ne do të mrekullohemi nga forca e saj dhe Shpirti do të na mësojë si të arrijmë dhe të përdorim atë forcë për të bekuar familjet tona, komunitetet tona dhe Kishën.

Si njerëz, ne me të drejtë i japim përparësi të lartë mësimit laik dhe zhvillimit profesional. Ne duam dhe ne duhet të shquhemi si shkollarë dhe si profesionistë. Unë ju lëvdoj ju që po përpiqeni me zell të fitoni një arsim dhe të bëheni ekspert në fushën tuaj. Unë ju ftoj gjithashtu të bëheni ekspertë në doktrinat e ungjillit – veçanërisht në doktrinën e priftërisë.

Ne jetojmë në një kohë kur shkrimet e shenjta dhe fjalët e apostujve dhe të profetëve të ditëve moderne janë më lehtësisht të arritshme sesa në çdo kohë tjetër në historinë e botës. Sidoqoftë, është privilegji dhe detyra jonë, dhe është përgjegjësia jonë që të drejtohemi dhe të përvetësojmë mësimet e tyre. Parimet dhe doktrinat e priftërisë janë madhështore dhe hyjnore. Sa më shumë e studiojmë doktrinën dhe potencialin dhe zbatojmë synimin praktik të priftërisë, aq më shumë shpirtrat tanë do të zgjerohen dhe kuptimi ynë do të rritet dhe ne do të shohim çfarë Zoti ka rezervuar për ne.

Së dyti: Kërko Zbulesat e Shpirtit

Një dëshmi e sigurt për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur kërkon më shumë se njohuri – ajo kërkon zbulesë vetjake, të vërtetuar nëpërmjet zbatimit të ndershëm dhe të përkushtuar të parimeve të ungjillit. Profeti Jozef Smith shpjegoi se priftëria është një “[kanal] nëpërmjet të cilit i Gjithëfuqishmi filloi zbulimin e lavdisë së Tij në fillim të krijimit të kësaj toke dhe nëpërmjet së cilës Ai ka vazhduar ta zbulojë Vetveten te fëmijët e njeriut deri në kohën e tanishme.”9

Nëse ne nuk po kërkojmë ta përdorim këtë kanal zbulese, ne po jetojmë nën privilegjet tona të priftërisë. Për shembull, janë ata që besojnë, por nuk e dinë se besojnë. Ata kanë marrë përgjigje të ndryshme nga zëri i qetë, i ulët gjatë një periudhe të gjatë kohe, por ngaqë ky frymëzim duket kaq i vogël dhe i parëndësishëm, ata nuk e njohin për atë që ai është në të vërtetë. Si përfundim, ata lejojnë dyshime që t’i pengojnë nga plotësimi i potencialit të tyre si mbajtës të priftërisë.

Zbulesa dhe dëshmia nuk vijnë gjithmonë me forcë të madhe. Për shumë, dëshmia vjen ngadalë – pjesë-pjesë. Ndonjëherë ajo vjen aq ngadalë, saqë është e vështirë të mbash mend momentin e saktë se kur vërtet e dinim se ungjilli ishte i vërtetë. Zoti na jep neve: “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”10.

Në një mënyrë, dëshmia jonë ngjan me një top bore që zmadhohet në çdo rrokullisje. Ne fillojmë me një masë të vogël drite – qoftë edhe kur është vetëm një dëshirë për të besuar. Gradualisht, “drita kapet pas dritës”11, dhe “ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”12, kur “në kohën e përshtatshme [ne marrim] plotësinë e tij”13.

Mendoni çfarë gjëje e lavdishme është të arrijmë përtej kufizimeve tona tokësore, të kemi sytë e të kuptuarit tonë të hapur dhe të marrim dritë dhe njohuri nga burimet qiellore! Është privilegji dhe mundësia jonë si mbajtës të priftërisë të kërkojmë zbulesë vetjake dhe të mësojmë se si të njohim të vërtetën vetë nëpërmjet dëshmisë së sigurt të Frymës së Shenjtë.

Le të kërkojmë me zell dritën e frymëzimit vetjak. Le të lutemi te Zoti për ta pajisur mendjen dhe shpirtin tonë me fillimet e besimit që do të na mundësojë të marrim dhe të njohim shërbesën hyjnore të Shpirtit së Shenjtë për gjendjet tona të veçanta, sfidat dhe detyrat tona të priftërisë.

Së treti: Gjeni Gëzim në Shërbimin e Priftërisë

Gjatë karrierës sime si pilot avioni linjash, unë pata rastin të jem kapiten kontrolli dhe stërvitjeje. Pjesë e kësaj pune ishte të stërvitje dhe të testoje pilotë me përvojë për t’u siguruar që ata i kishin njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të drejtuar me siguri dhe me efektshmëri ata reaktivë të mrekullueshëm e të mëdhenj.

Unë pashë se kishte pilotë që, edhe pas shumë vitesh fluturimi profesional, nuk e humbën kurrë emocionin e ngritjes në atmosferë, duke “rrëshqitur nga kufizimet e Tokës dhe vallëzuar në qiej mbi krahët e argjendtë që jepnin gëzim”14. Ata e donin tingullin e ajrit në shpejtësi, hungërimën e motorëve të fuqishëm, ndjesinë e të qenit “një me erën dhe një me qiellin e errët dhe yjet përpara”15. Entuziazmi i tyre ishte ngjitës.

Kishte gjithashtu disa që dukeshin të ishin thjesht duke përsëritur lëvizjet. Ata patën zotëruar sistemet dhe përdorimin e reaktivëve, por diku përgjatë rrugës ata e patën humbur gëzimin e fluturimit “atje ku as lauresha madje as shqipja kurrë nuk fluturuan”16. Ata patën humbur ndjesinë e mahnitjes me lindjen e përflakur të diellit, me bukuritë e krijesave të Perëndisë ndërsa kapërcenin oqeane dhe kontinente. Nëse ata plotësonin kërkesat zyrtare, unë i konfirmoja, por njëkohësisht ndieja keqardhje për ta.

Ju mund të doni të pyesni veten nëse thjesht po përshkoni lëvizje si mbajtës të priftërisë – duke bërë atë që kërkohet, por duke mos përjetuar gëzimin që duhet të jetë juaji. Mbajtja e priftërisë na jep mundësi të bollshme të ndiejmë gëzimin që Amoni e shprehu: “A nuk kemi shkak të madh të gëzohemi? … Ne kemi qenë mjete në duart e [Zotit], në bërjen e kësaj pune të madhe dhe të mrekullueshme. Prandaj, le të ngazëllehemi … në Zotin; po, do të gëzohemi.”17

Vëllezër, feja jonë është e gëzueshme! Ne jemi shumë të bekuar të mbajmë priftërinë e Perëndisë! Në librin e Psalmeve ne lexojmë: “Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate”18. Ne mund ta përjetojmë atë gëzim më të madh vetëm nëse kërkojmë për të.

Shumë shpesh ne dështojmë ta përjetojmë lumturinë që vjen nga shërbimi praktik i priftërisë. Ndonjëherë detyrat mund të ndihen si barra. Vëllezër, le të mos e kalojmë jetën të zhytur në tre pasoja negative: të lodhur, të shqetësuar dhe duke u ankuar. Ne jetojmë nën privilegjet tona kur lejojmë spirancat e botës të na mbajnë larg gëzimit të bollshëm që vjen nga shërbimi besnik dhe i përkushtuar i priftërisë, veçanërisht brenda mureve të shtëpisë sonë. Ne jetojmë nën privilegjet tona kur dështojmë të marrim pjesë në festën e lumturisë, të paqes dhe gëzimit që Perëndia ua jep me kaq zemërgjerësi shërbëtorëve besnikë të priftërisë.

Të rinj, nëse ardhja në kishë herët për të ndihmuar në përgatitjen e sakramentit ndihet më shumë si vështirësi sesa si bekim, atëherë unë ju ftoj të mendoni mbi atë se çfarë domethënie mund të ketë kjo ordinancë e shenjtë për një anëtar që ndoshta ka patur një javë sfiduese. Vëllezër, nëse përpjekjet tuaja për mësimdhënien në shtëpi nuk duken të efektshme për ju, unë ju ftoj ta shihni me syrin e besimit se çfarë do të bëjë vizita e një shërbëtori të Zotit për një familje që ka shumë probleme të padukshme. Kur ju e kapni potencialin hyjnor të shërbimit tuaj të priftërisë, Shpirti i Perëndisë do të mbushë zemrat dhe mendjet tuaja; ai do të ndrisë sytë dhe fytyrat tuaja.

Si mbajtës të priftërisë, le të mos bëhemi kurrë të ngurtë përpara mrekullimit dhe mahnitjes për atë që Zoti na ka besuar neve.

Përfundim

Të dashur vëllezërit e mi, u përpjekshim me zell të mësojmë doktrinën e priftërisë së shenjtë, forcofshim dëshmitë tona rresht pas rreshti nëpërmjet marrjes së zbulesave nga Shpirti dhe gjetshim gëzim të vërtetë në shërbimin e përditshëm të priftërisë. Duke bërë këto gjëra, ne do të fillojmë të jetojmë sipas potencialeve dhe privilegjeve tona si mbajtës të priftërisë dhe do të jemi në gjendje “të [bëjmë] gjithçka me anë të Krishtit që [na] forcon”19. Për këtë unë dëshmoj si apostull i Zotit dhe dhe ju lë bekimin tim në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 104.

  2. Doktrina e Besëlidhje 84:19.

  3. Doktrina e Besëlidhje 84:20.

  4. Doktrina e Besëlidhje 84:34.

  5. Doktrina e Besëlidhje 84:33.

  6. Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  7. 1 Nefi 19:24.

  8. Shih Jakobi 1:22.

  9. Teachings: Joseph Smith, f. 108–109.

  10. 2 Nefi 28:30.

  11. Doktrina e Besëlidhje 88:40.

  12. Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  13. Doktrina e Besëlidhje 93:19.

  14. John Gillespie Magee Jr., “High Flight”, në botimin e Diane Ravitch, The American Reader: Words That Moved a Nation (1990), f. 486.

  15. Richard Bach, Stranger to the Ground (1963), f. 9.

  16. Magee, “High Flight”, f. 486.

  17. Alma 26:13, 15–16.

  18. Psalmet 89:15.

  19. Filipianëve 4:13.