Shabati dhe Sakramenti
Le të mbushet familja juaj me dashuri ndërsa respekton Shabatin gjatë gjithë ditës dhe përjeton bekimet e tij shpirtërore gjatë gjithë javës.
Vëllezër dhe motra të mia kudo në botë, këtë mëngjes ne kemi ardhur të dëgjojmë zërin e një profeti. Unë dëshmoj se zëri që ne sapo kemi dëgjuar është zëri i profetit të gjallë të Perëndisë sot në tokë, Presidentit Tomas S. Monson. Sa të bekuar që jemi nëpërmjet mësimeve dhe shembullit të tij!
Këtë vit të gjithë ne kemi rastin të studiojmë fjalët e profetëve në Dhiatën e Re. Ndërsa Dhiata e Vjetër është një studim i profetëve dhe i një populli, Dhiata e Re është përqendruar në jetën dhe ndikimin e të vetmit Njeri që erdhi në vdekshmëri me qytetari të dyfishtë në qiell dhe në tokë – Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.
Bota sot është aq e ngarkuar me doktrina të njeriut saqë është e lehtë të harrosh dhe të humbasësh besimin në atë tregim të fuqishëm për jetën dhe shërbesën e Shpëtimtarit – Dhiatën e Re. Ky libër i shenjtë është pjesa qendrore e historisë së shkrimeve të shenjta, pikërisht ashtu si Vetë Shpëtimtari është pjesë qendrore e jetës sonë. Ne duhet t’i futemi vetë studimit dhe përvetësimit të tij!
Ka perla të paçmueshme urtësie që duhet t’i gjejmë me studimin tonë në Dhiatën e Re. Unë gjithmonë pëlqej të lexoj tregimet për Palin kur ai udhëtonte dhe organizonte Kishën, sidomos mësimet e tij për Timoteun. Në kapitullin e katërt të shkrimeve të Palit për Timoteun, ne lexojmë: “Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra, … bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”1. Unë nuk mendoj dot mënyrë më të mirë që të fillojmë apo vazhdojmë të jemi shembull për besimtarët sesa duke respektuar ditën e Shabatit.
Duke filluar me krijimin e botës, një ditë u veçua nga të gjitha të tjerat. “Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.”2 Edhe Perëndia pushoi nga punët e Tij në këtë ditë dhe Ai pret që fëmijët e Tij të bëjnë po ashtu. Për fëmijët e Izraelit Ai dha urdhërimin:
“Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar.
Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde;
por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, …
… prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.”3
Modeli i respektimit të ditës së Shabatit duhet kurdoherë të përfshijë adhurimin. Pasi Adami dhe Eva erdhën në vdekshmëri, ata u urdhëruan të “adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre, dhe t’i ofronin të parëlindurit e tufave të tyre si flijim për Zotin … në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit”4. Sakrifica e kafshëve u kujtonte pasardhësve të Adamit se një ditë Qengji i Perëndisë, Jezu Krishti, do të bënte fli jetën e Tij për ne.
Gjatë gjithë jetës së Tij Shpëtimtari foli për atë sakrificë.5 Në prag të Kryqëzimit të Tij, fjalët e Tij filluan të përmbushen. Ai i mblodhi dishepujt e tij së bashku në dhomën sipër, larg ngacmimeve nga bota. Ai filloi sakramentin e Darkës së Zotit.
“Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ‘Merrni, hani; ky është trupi im’.
Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Pini prej tij të gjithë,
sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve’.”6
Qysh nga ajo kohë, Shlyerja e Shpëtimtarit u bë sakrifica më e madhe dhe e fundit. Kur Ai u shfaq në kontinentin amerikan pas Ringjalljes së Tij, Ai u dha priftërinë e Tij dishepujve të Vet dhe paraqiti sakramentin duke thënë:
“Dhe këtë gjë ju do të përpiqen ta bëni gjithmonë, … madje, ashtu si e copëtova unë bukën dhe e bekova dhe jua dhashë juve.
… Dhe do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju”.7
Është e mrekullueshme që edhe nëpër periudhën e errët të braktisjes, vazhdoi të praktikohej në shumë forma ky model i adhurimit në ditën e Shabatit dhe sakramenti.
Kur ungjilli u rivendos, tre nga Apostujt, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, që morën të parët sakramentin nga Shpëtimtari, iu shfaqën Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit. Nën drejtimin e tyre u rivendos autoriteti i priftërisë, i nevojshëm për të administruar sakramentin tek anëtarët e Kishës.8
E dhënë nga Shpëtimtari te profetët dhe apostujt e Tij dhe prej tyre te ne, ai autoritet priftërie vazhdon sot në tokë. Mbajtësit e rinj të priftërisë nëpër botë kualifikojnë veten për të ushtruar fuqinë e priftërisë duke mbajtur me zell urdhërimet dhe duke jetuar standardet e ungjillit. Ndërsa këta të rinj mbajnë shpirtërisht duar të pastra dhe zemër të dëlirë, ata përgatiten dhe bekojnë sakramentin sipas mënyrës së Shpëtimtarit – një mënyrë e përcaktuar nga ajo që Ai bëri më shumë se 2.000 vite përpara.
Marrja e sakramentit është thelbi i respektimit të ditës sonë të Shabatit. Në Doktrina e Besëlidhje, Zoti na urdhëron të gjithëve:
“Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe tʼi ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;
Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe tʼi drejtosh lutje Më të Lartit. …
Dhe në këtë ditë ti s’duhet të bësh asgjë tjetër.”9
Ndërsa mendojmë modelin e Shabatit dhe të sakramentit në vetë jetën tonë, duket që janë tre gjëra që Zoti kërkon nga ne: së pari, ta mbajmë veten të panjollosur nga bota; së dyti, të shkojmë në shtëpinë e lutjes dhe të ofrojmë sakramentet tona; dhe së treti, të ndërpresim punët tona.
Është një gjë e lavdishme të jesh i krishterë, të jetosh si dishepull i vërtetë i Krishtit. Për ne Ai tha: “Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota”10. Për ta mbajtur veten tonë të pastër nga bota, Ai pret që ne të shmangim shpërqendrime të tilla të botës si biznesi dhe vendet argëtuese në ditën e Shabatit.
Unë besoj se Ai gjithashtu dëshiron që ne të vishemi siç duhet. Rinia jonë mund të mendojë se thënia e vjetër “Veshja më e mirë e së dielës” ka dalë mode. Përsëri, ne e dimë se kur veshja e së dielës përfundon te veshjet e përditshme, qëndrimet dhe veprimet e pasojnë atë. Sigurisht, mund të mos jetë e nevojshme për fëmijët tanë që të mbajnë rroba formale të së dielës deri në perëndim të diellit. Gjithsesi, nëpërmjet rrobave që i nxisim të veshin dhe veprimtarive që planifikojmë, ne i ndihmojmë të përgatiten për sakramentin dhe të gëzojnë bekimet e tij gjatë gjithë ditës.
Çfarë do të thotë t’i ofrojmë sakramentet tona Zotit? E pranojmë dimë se ne të gjithë bëjmë gabime. Secili prej nesh ka nevojë t’i rrëfejë dhe braktisë mëkatet e gabimet te Ati ynë Qiellor dhe te të tjerë që mund t’i kemi ofenduar. Shabati na jep një mundësi të çmuar për t’ia ofruar këto – sakramentet tona – Zotit. Ai tha: “Por kujto se në këtë, ditën e Zotit, ti do t’i japësh blatimet e tua dhe sakramentet e tua Më të Lartit, duke ua rrëfyer mëkatet e tua vëllezërve të tu dhe përpara Zotit”11.
Plaku Melvin J. Ballard ka sugjeruar: “Ne duam që çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme të vijë në tryezën e sakramentit sepse atje është vendi për të shoshitur veten, për të kontrolluar veten, ku ne mund të mësojmë të korrigjojmë drejtimin tonë dhe ta bëjmë jetën tonë të drejtë, duke e sjellë veten në përputhje me mësimet e Kishës dhe me vëllezërit dhe motrat tona”12.
Kur marrim denjësisht nga sakramenti, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit dhe të zbatojmë urdhërimet e Tij dhe gjithmonë vërtet ta kujtojmë Atë, që të mund të kemi Shpirtin e Tij me ne. Në këtë mënyrë ripërtërihet besëlidhja e pagëzimit tonë. Zoti i siguroi dishepujt e Tij: “Sepse aq shpesh sa do ta bëni këtë, ju do të kujtoni këtë orë që isha me ju”13.
Ndonjëherë e mendojmë lënien e punëve si thjesht të mos merremi me profesionin apo me punën që na paguhet. Përsëri në botën e sotme, të punuarit përfshin punën e përditshme të jetës sonë. Kjo mund të përfshijë veprimtari biznesi që mund të kryejmë nga shtëpia, gara atletike dhe veprimtari të tjera që na largojnë nga adhurimi i ditës së Shabatit dhe nga mundësia për t’u shërbyer të tjerëve.
“Mos luaj me gjëra të shenjta”14, u zbuloi Zoti shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, si të na kujtonte për atë që u tha dishepujve të Tij.: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën”15.
Vëllezër dhe motra, në [këto] ditë të mëvonshme, kundërshtari ia del mbanë kur ne dobësojmë zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit, shpërfillim mësimet e Tij në Dhiatën e Re dhe shkrime të tjera të shenjta dhe ndalojmë së ndjekuri Atë. Prindër, tani është koha t’u mësojmë fëmijëve tanë që të jenë shembuj si besimtarë duke marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit. Kur vjen mëngjesi i së dielës, ndihmojini ata të kenë pushuar mirë, të jenë veshur si duhet dhe të jenë shpirtërisht të përgatitur për të marrë nga simbolet e sakramentit dhe të marrin fuqinë ndriçuese, lartësuese dhe fisnikëruese të Frymës së Shenjtë. Le të mbushet familja juaj me dashuri ndërsa respekton Shabatin gjatë gjithë ditës dhe përjeton bekimet e tij shpirtërore gjatë gjithë javës. Ftojini bijtë dhe bijat tuaja që të “[ngrihen] e [shkëlqejnë],” duke e mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit, që “drita [e tyre] të mund të jetë një flamur për kombet”16.
Ndërsa vitet kalojnë, unë vazhdoj të reflektoj për ditët e Shabatit të rinisë dhe të pjekurisë sime të hershme. Unë ende kujtoj ditën e parë kur shpërndava sakramentin si dhjak dhe kupat e vogla prej xhami që ua kaloja anëtarëve të lagjes sonë. Disa vite më parë, një ndërtesë e Kishës në qytetin tim të lindjes u rimodelua. Një ndarje në katedër ishte mbyllur me vulë. Kur u hap, atje ishin disa nga këto kupa të vogla xhami që patën mbetur të fshehura për vite. Një nga ato ma dhanë mua për kujtim.
Unë gjithashtu kujtoj një kasë me çelës që e merrnim me vete në Korpusin e Marinës të Shteteve të Bashkuara. Brenda asaj kase ishte një tabaka druri dhe pako me kupa sakramenti, kështu që të mund të ishim të bekuar nga paqja dhe shpresa e Darkës së Zotit edhe në konfliktin dhe dëshpërimin e luftës.
Ndërsa mendoj rreth atyre kupave të sakramentit nga rinia ime, njëra në luginën me banesa në shtëpinë e fëmijërisë sime dhe tjetra me mijëra kilometra larg në Paqësor, unë mbushem me mirënjohje që Shpëtimtari i botës ishte i gatshëm të pinte nga ajo “kupë e hidhur”17 për hirin tim. Dhe ngaqë Ai e bëri, unë mund të them me Psalmistin: “kupa ime po derdhet”18 nga bekimet e Shlyerjes së Tij të pafund dhe të përjetshme.
Në këtë ditë përpara Shabatit, ndërsa po fillojmë këtë konferencë të mrekullueshme, le të kujtojmë bekimet dhe mundësitë që janë për ne, kur marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit çdo javë në lagjet dhe degët tona. Le të përgatitemi dhe të sillemi në Shabat në një mënyrë që do të sjellë ato bekime që na janë premtuar vetë neve dhe familjeve tona. Unë lë dëshminë time të veçantë se gëzimi më i madh që ne marrim në këtë jetë është në ndjekjen e Shpëtimtarit. I mbajtshim urdhërimet e Tij duke mbajtur ditën e Tij hyjnore të shenjtë kjo është lutja ime në emër të Jezu Krishtit, amen.