2010–2019
Të Thirrur për të Qenë Shenjtorë
Prill 2011


Të Thirrur për të Qenë Shenjtorë

Sa të bekuar jemi që jemi sjellë në këtë shoqëri të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme!

Të dashur vëllezër dhe motra të mia, unë lutem që Fryma e Shenjtë të më ndihmojë ta jap mesazhin tim.

Gjatë vizitave dhe konferencave në kunja, lagje dhe degë, unë jam mbushur gjithmonë me një ndjesi të thellë gëzimi në mbledhje me anëtarët e Kishës, ata që sot si dhe në meridianin e kohës, thirren shenjtorë. Shpirti i paqes dhe dashurisë që unë ndiej gjithmonë kur jam me ta më ndihmon të kuptoj se unë jam në një nga kunjat e Sionit.

Edhe pse shumë vijnë nga familje që kanë qenë anëtarë për dy ose më shumë breza në Kishë, shumë të tjerë janë të kthyer rishtas. Këtyre ne u përsërisim fjalët e mirëseardhjes të Apostullit Pal drejtuar Efesianëve:

“Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë,

të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:19–20).

Disa vite përpara, kur shërbeja në zyrën e çështjeve publike të Kishës në Meksiko, ne qemë ftuar të merrnim pjesë në një diskutim në radio. Qëllimi i emisionit qe të përshkruante dhe të diskutonte besimet e ndryshme të botës. Dy nga ne ishin caktuar të përfaqësonin Kishën në përgjigjet për pyetjet që mund të drejtoheshin gjatë këtij lloj programi. Pas disa ndërprerjeve komerciale, siç thonë në gjuhën e radios, drejtuesi i programit bëri këtë koment: “Këtë mbrëmje janë me ne dy pleq nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Ai ndaloi dhe pastaj pyeti: “Përse Kisha ka një emër kaq të gjatë? Përse nuk përdorni një emër më të shkurtër apo më komercial?”

Shoku im dhe unë buzëqeshëm me një pyetje të tillë të mrekullueshme dhe pastaj vazhduam të shpjegonim se emri i Kishës nuk ishte zgjedhur nga njeriu. Ai ishte dhënë nga Shpëtimtari nëpërmjet një profeti në këto ditë të mëvonshme: “Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (DeB 115:4). Drejtuesi i programit menjëherë dhe me respekt u përgjigj: “Ne kështu do ta përsërisim atë me kënaqësi të madhe”. Tani, unë nuk mund të kujtoj sa herë ai e përsëriti emrin domethënës të Kishës, por unë kujtoj ndjesinë e ëmbël që qe e pranishme kur ai shpjegoi jo vetëm emrin e Kishës, por gjithashtu se ai përmendi anëtarët e Kishës – Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme.

Ne lexojmë në Dhiatën e Re se anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit u quajtën të Krishterë për herë të parë në Antioki (shih Veprat e Apostujve 11:26), por ata e thërrisnin njëri-tjetrin shenjtorë. Sa gjallëruese duhet të ketë qenë për ta të dëgjonin apostullin Pal t’i quante ata “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19) dhe gjithashtu “të thirrur [për të qenë] shenjtorë” (Romakëve 1:6–7).

Në atë masë që anëtarët e Kishës e jetojnë ungjillin dhe ndjekin këshillën e profetëve, ata, pak nga pak dhe madje pa e vënë re, do të bëhen të shenjtëruar. Anëtarët e përulur të Kishës që drejtojnë lutjen e përditshme familjare dhe studimin e shkrimeve të shenjta, merren me historinë familjare dhe i kushtojnë shpesh kohën e tyre adhurimit në tempull, bëhen shenjtorë. Ata janë ata që janë të përkushtuar për të krijuar familje të përjetshme. Ata janë gjithashtu ata që veçojnë kohën nga jeta e tyre e ngarkuar për të shpëtuar ata që janë larguar nga Kisha dhe i nxisin ata të rikthehen dhe të ulen në tryezën e Zotit. Ata janë ata pleq dhe motra dhe çifte të rriturish që i përgjigjen një thirrjeje për të shërbyer si misionarë të Zotit. Po, vëllezër dhe motra të mia, ata bëhen shenjtorë në atë masë që ata zbulojnë atë ndjesi të ngrohtë dhe të mrekullueshme që quhet dashuri hyjnore, ose dashuri e pastër e Krishtit (shih Moroni 7:42–48).

Shenjtorët, ose anëtarët e Kishës, gjithashtu arrijnë ta njohin Shpëtimtarin tonë nëpërmjet vuajtjeve dhe provave. Le të mos harrojmë se edhe Atij iu desh të vuajë të gjitha gjërat. “Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

Gjatë disa viteve të fundit, unë kam qenë dëshmitar i vuajtjeve të shumë njerëzve, përfshirë shumë nga shenjtorët tanë. Ne lutemi vazhdimisht për ta, duke kërkuar ndërhyrjen e Zotit që besimi i tyre të mos dobësohet dhe që ata të mund të përparojnë me durim. Këtyre ne u përsërisim fjalët ngushëlluese të profetit Jakob nga Libri i Mormonit:

“O atëherë, vëllezërit e mi të dashur, ejani te Zoti, tek i Shenjti. Kujtoni se shtigjet e tij janë të drejta. Vini re, udha për njeriun është e ngushtë, por ajo shtrihet në një drejtim të drejtë para tij dhe ruajtësi i portës është i Shenjti i Izraelit; dhe ai nuk punëson shërbëtorë aty; dhe nuk ka udhë tjetër përveç nëpërmjet portës; pasi ai nuk mund të mashtrohet, pasi Zoti Perëndi është emri i tij.

Dhe kujtdo që troket, atij do tʼia hapë ai” (2 Nefi 9:41–42).

Nuk kanë rëndësi rrethanat, provat apo sfidat që mund të na rrethojnë; një kuptim i doktrinës së Krishtit dhe Shlyerjes së Tij do të jetë burimi i forcës dhe i paqes sonë – po, vëllezër dhe motra, ajo qetësi e brendshme që lind nga Shpirti dhe që Zoti ua jep shenjtorëve të Tij besnikë. Ai na ushqen ne, duke thënë: “Unë po ju lë paqen. … Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u friksoftë” (Gjoni 14:27).

Për shumë vite unë kam qenë dëshmitar i besnikërisë së anëtarëve të Kishës, shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, që, me besim në planin e Atit tonë Qiellor dhe në Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, kanë mposhtur fatkeqësi dhe hidhërime me trimëri dhe entuziazëm të madh, duke ruajtur dhe vazhduar kështu në rrugën e ngushtë dhe të ngushtuar të shenjtërimit. Unë nuk i gjej dot fjalët që duhen për të shprehur vlerësimin dhe admirimin tim për të gjithë ata shenjtorë besnikë me të cilët kam patur privilegjin e shoqërimit!

Edhe pse kuptimi ynë për ungjillin mund të mos jetë aq i thellë sa është dëshmia jonë për vërtetësinë e tij, nëse vemë besimin në Zot, ne do të mbështetemi në të gjitha vështirësitë tona, sprovat tona dhe fatkeqësitë tona (shih Alma 36:3). Ky premtim nga Zoti për shenjtorët e tij nuk nënkupton se ne do të përjashtohemi nga vuajtjet apo sprovat, por që ne do të mbështetemi nëpër to dhe që ne do të dimë se është Zoti që na ka përkrahur ne.

Të dashur vëllezër dhe motra të mia, sa të bekuar jemi që jemi sjellë në këtë shoqëri të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme! Sa të bekuar jemi që dëshmitë tona për Shpëtimtarin janë krahas atyre të profetëve të mëparshëm dhe të sotëm!

Unë dëshmoj se Zoti, i Shenjti i Izraelit, jeton dhe se Ai drejton Kishën e Tij, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nëpërmjet profetit tonë të dashur, Tomas S. Monson. Në emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, amen.