Mundësi për të Bërë Mirë
Mënyra e Zotit, për t’u dhënë ndihmë atyre në nevojë nga ana materiale, kërkon njerëz të cilët, nisur nga dashuria, ia përkushtojnë veten dhe atë që kanë, Perëndisë dhe punës së Tij.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, qëllimi i mesazhit tim është që të nderoj dhe kremtoj atë që Zoti ka bërë dhe po bën për t’u shërbyer të varfërve dhe nevojtarëve mes fëmijëve të Tij në tokë. Ai i do fëmijët e Tij që janë në nevojë, dhe gjithashtu ata që duan të japin ndihmë. Dhe Ai ka krijuar mënyra për të bekuar si ata që kanë nevojë për ndihmë; edhe ata që do të japin ndihmë.
Ati ynë Qiellor i dëgjon lutjet e fëmijëve të Tij nëpër tokë, që luten për ushqim për të ngrënë, për rroba për të mbuluar trupat e tyre dhe për dinjitetin që do të rridhte nga të qenët në gjendje për të siguruar për vete. Këto lutje kanë arritur te Ai që kur vendosi burrat dhe gratë mbi tokë.
Ju merrni vesh rreth këtyre nevojave aty ku jetoni dhe nëpër botë. Zemra shpesh ju preket me ndjenja të keqardhjes. Kur takoni dikë që po përpiqet të gjejë punë, ju ndieni atë dëshirën për të ndihmuar. E ndieni atë dëshirë, kur shkoni në shtëpinë e një të veje dhe shihni që ajo nuk ka ushqim. E ndieni kur shihni fotografi të fëmijëve që qajnë, të ulur në rrënojat e shtëpisë së tyre, të shkatërruar nga një tërmet ose nga zjarri.
Ngaqë Zoti i dëgjon thirrjet e tyre dhe ndien dhembshurinë tuaj të thellë për ta, Ai ka krijuar, që prej fillimit të kohës, mënyra për dishepujt e Tij për të dhënë ndihmë. Ai i ka ftuar fëmijët e Tij të përkushtojnë kohën e tyre, mjetet e tyre dhe veten për t’u bashkuar me Të në shërbimin ndaj të tjerëve.
Nganjëherë, mënyra e Tij e dhënies së ndihmës është quajtur të zbatosh ligjin e përkushtimit. Në një periudhë tjetër, mënyra e Tij [e ndihmës] u quajt urdhri i bashkuar. Në kohën tonë është quajtur programi i Kishës për mirëqenien.
Emrat dhe detajet e veprimtarisë janë ndryshuar për t’iu përshtatur nevojave dhe kushteve të njerëzve. Por përherë, mënyra e Zotit, për t’u dhënë ndihmë atyre në nevojë nga ana materiale, kërkon njerëz të cilët, nisur nga dashuria, ia përkushtojnë veten dhe atë që kanë, Perëndisë dhe punës së Tij.
Ai na ka ftuar dhe urdhëruar që të marrim pjesë në punën e Tij për të lartësuar ata në nevojë. Ne bëjmë një besëlidhje për ta bërë këtë, në ujërat e pagëzimit dhe në tempujt e shenjtë të Perëndisë. Ne e rinovojmë besëlidhjen të dielave, kur marrim sakramentin.
Sonte, qëllimi im është që të përshkruaj disa nga mundësitë, të cilat na ka ofruar Ai, për t’i ndihmuar të tjerët në nevojë. Nuk mund të flas për të gjitha ato në kohën tonë të shkurtër së bashku. Shpresa ime është që të përtërij dhe forcoj zotimin tuaj për të vepruar.
Ka një himn rreth ftesës së Zotit në këtë punë, që e kam kënduar që kur isha djalë i vogël. Në fëmijërinë time, i kushtoja më shumë vëmendje melodisë së gëzuar sesa fuqisë së fjalëve. Lutem që ju do t’i ndieni vargjet në zemrën tuaj sot. Le t’i dëgjojmë sërish fjalët:
A kam bër’ ndonjë të mir’ n’bot’ sot?
A kam ndihmuar ndonjë n’nevoj’?
A e kam inkurajuar të trishtuarin dhe a e kam bër’ dikë t’ndihet i gëzuar?
Nëse jo, vërtet’ kam dështuar.
A ësht’ leht’suar barra e ndonjërit sot
Për shkak se isha gati t’ndihmoja?
A jan’ ndihmuar i s’muri e i lodhuri udhës së tyre?
A isha gati kur donin ndihmën time?
Atëher’ zgjohu dhe bëj diçka më shum’
Më mir’ sesa t’ëndërrosh për banesën tënde atje lart.
Të bësh mir’ është kënaq’si, g’zim pa mas’,
Një bekim detyre e dashurie.1
Zoti rregullisht na nis mesazhe zgjimi të gjithëve ne. Ngandonjëherë mund të jetë një ndjenjë e papritur keqardhjeje për dikë në nevojë. Një baba mund ta ketë ndier atë kur pa një fëmijë të rrëzohej e të gërricte një gju. Një nënë mund ta ketë ndier atë kur dëgjoi të qarën e frikësuar të fëmijës së saj natën. Një bir ose bijë mund të ketë ndier keqardhje për dikë që dukej i trishtuar ose i frikësuar në shkollë.
Të gjithë ne jemi prekur nga ndjenja keqardhjeje për të tjerë që as nuk i njohim. Për shembull, kur dëgjuat njoftimet për valët që vërsuleshin përmes Paqësorit pas tërmetit në Japoni, ju ndiet shqetësim për ata që mund të ishin dëmtuar.
Ndjenja keqardhjeje u erdhën mijërave prej jush, që morët vesh për përmbytjen në Kuinslend të Australisë. Njoftimet e lajmeve ishin kryesisht vlerësime mbi numrin e individëve në nevojë. Por, shumë prej jush ndien dhimbjen e njerëzve. Mesazhit të zgjimit iu përgjigjën 1.500 ose më shumë vullnetarë, anëtarë të Kishës në Australi, të cilët erdhën për të ndihmuar e ngushëlluar.
Ata i kthyen ndjenjat e tyre të keqardhjes në një vendim për të vepruar sipas besëlidhjeve të tyre. I kam parë bekimet që i vijnë individit në nevojë i cili merr ndihmë; dhe individit që e kap mundësinë për të dhënë ndihmë.
Prindër të mençur shohin, në çdo nevojë të të tjerëve, një mënyrë për të sjellë bekime në jetën e bijve dhe bijave të tyre. Kohët e fundit, tre fëmijë mbartën deri tek dera jonë e përparme, kuti që përmbanin një darkë të shijshme. Prindërit e tyre e dinin se kishim nevojë për ndihmë dhe përfshinë fëmijët e tyre në mundësinë për të na shërbyer.
Prindërit bekuan familjen tonë nëpërmjet shërbimit të tyre bujar. Nëpërmjet zgjedhjes së tyre për t’i lënë fëmijët që të merrnin pjesë në [procesin e] dhënies, ata i shtrinë bekimet tek nipërit e mbesat e tyre. Buzëqeshjet e fëmijëve teksa u larguan nga shtëpia jonë, më dhanë siguri që këto bekime do të ndodhnin. Ata do t’u tregojnë fëmijëve të tyre për gëzimin që ndien kur dhanë shërbim me dashuri për Zotin. Më kujtohet nga fëmijëria, ajo ndjenjë e kënaqësisë së qetë kur, me kërkesë të babait tim, shkula barëra të këqij për një fqinj. Kurdo që më kërkojnë të jem dorëdhënës, më kujtohet dhe besoj vargjet: “E ëmbël është puna, Per’ndi, Mbreti im”2.
E di se ato vargje u shkruan për të përshkruar gëzimin që vjen nga adhurimi i Zotit gjatë Shabatit. Por ata fëmijë me ushqimin te dera jonë, po e ndienin gëzimin e bërjes së punës së Zotit, në një ditë jave. Dhe prindërit e tyre panë mundësinë që të bënin mirë dhe të përhapnin gëzim përtej brezave.
Mënyra e Zotit e përkujdesjes për nevojtarët, ofron një mundësi tjetër për prindërit që të bekojnë fëmijët e tyre. E pashë këtë në një godinë kishtare një të diel. Përpara mbledhjes së sakramentit, një fëmijë i vogël i dha zarfin e kontributeve të familjes së tij peshkopit, kur ky hyri në godinën kishtare.
E njihja familjen dhe djalin. Familja sapo kishte marrë vesh për dikë në nevojë në lagje. Babai i kishte thënë diçka të tillë fëmijës kur vendosi një ofertë agjërimi më bujare se zakonisht në zarf: “Ne agjëruam sot dhe u lutëm për ata në nevojë. Të lutem jepja këtë zarf peshkopit nga ana jonë. E di se ai do ta japë që të ndihmojë ata me nevoja më të mëdha se tonat.”
Në vend të ndonjë vuajtjeje nga uria atë të diel, djali do ta kujtojë ditën me një ndjenjë lumturie të ngrohtë. Mund të kuptoja nga buzëqeshja e tij dhe mënyra se si e mbante zarfin aq shtrënguar, se ndjeu besimin e madh të të atit që ta mbante ai ofertën familjare për të varfrit. Ai do ta kujtojë atë ditë kur të jetë dhjak dhe ndoshta përgjithmonë.
Vite më parë, pashë po të njëjtën lumturi në fytyrat e njerëzve që ndihmuan në Ajdaho në emër të Zotit. Diga e Tetonit shpërtheu të shtunën, më 5 qershor 1976. Njëmbëdhjetë njerëz u vranë. Mijëra duhej të linin shtëpitë e tyre brenda pak orësh. Disa shtëpi u shkatërruan nga përmbytja. Dhe qindra vendbanime u mundësua të bëheshin të banueshme vetëm nëpërmjet përpjekjes dhe mjeteve përtej mundësive të të zotëve.
Ata që dëgjuan për tragjedinë, ndien keqardhje dhe ndien thirrjen për të bërë mirë. Fqinjë, peshkopë, presidente të Shoqatës së Ndihmës, udhëheqës të kuorumeve, mësues të shtëpisë dhe mësuese vizitore lanë shtëpitë e punët për të boshatisur shtëpitë e përmbytura të të tjerëve.
Një çift u kthye në Reksburg nga pushimet pak pas përmbytjes. Ata nuk shkuan të shikonin vetë shtëpinë e tyre. Në vend të kësaj, ata gjetën peshkopin e tyre që ta pyesnin se ku mund të jepnin ndihmë. Ai i dërgoi te një familje në nevojë.
Pas pak ditësh, ata shkuan që të kontrollonin shtëpinë e tyre. Kishte ikur, shkatërruar në përmbytje. Ata thjesht u kthyen te peshkopi dhe pyetën: “Çfarë do të donit që të bënim tani?”
Kudo që jetoni, e keni parë atë mrekulli të kthimit të keqardhjes në veprim bujar. Mund të mos ketë qenë si pasojë e një katastrofe të madhe natyrore. E kam parë në një kuorum të priftërisë, ku një vëlla ngrihet për të përshkruar nevojat e një burri apo gruaje që kërkon mundësi që të punojë për të mbështetur veten dhe familjen e tij apo saj. Mund të ndieja keqardhje në dhomë, por disa sugjeruan emra të njerëzve që mund ta punësonin individin të cilit i duhej punë.
Ajo që ndodhi në atë kuorum të priftërisë dhe ajo që ndodhi në shtëpitë e përmbytura në Ajdaho, është një shfaqje e mënyrës së Zotit për të ndihmuar ata në nevojë të madhe që të bëhen [sërish] vetëmbështetës. Ne ndiejmë dhembshuri dhe dimë se si të veprojmë sipas mënyrës së Zotit për të dhënë ndihmë.
Këtë vit, ne festojmë përvjetorin e 75-të të programit të Kishës për mirëqenie. Ai u fillua për të plotësuar nevojat e atyre që humbën punë, ferma dhe madje shtëpi për shkak të atij që u bë i njohur si Depresioni i Madh.
Nevoja të mëdha materiale të fëmijëve të Atit Qiellor kanë ngjarë sërish në kohën tonë, siç kanë ngjarë dhe do të ngjasin në të gjitha kohët. Parimet në themel të programit të Kishës për mirëqenien, nuk janë vetëm për një kohë apo një vend. Ato janë për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet.
Ato parime janë shpirtërore dhe të përjetshme. Për këtë arsye, të kuptuarit e tyre dhe vënia e tyre me vendosmëri në zemrën tonë, do të na bëjnë të mundur që të shohim dhe shfrytëzojmë mundësi për të ndihmuar, kudo dhe kurdo, që Zoti na fton.
Ja disa parime që më udhëhoqën kur doja që të jepja ndihmë sipas mënyrës së Zotit dhe kur jam ndihmuar nga të tjerët.
Së pari, të gjithë njerëzit janë më të lumtur dhe ndiejnë më tepër vetërespekt, kur mund të sigurojnë për veten e tyre dhe familjet e tyre; dhe pastaj arrijnë që të kujdesen për të tjerët. Kam qenë mirënjohës për ata që më ndihmuan të plotësoja nevojat e mia. Dhe gjatë viteve, kam qenë edhe më mirënjohës për ata që më ndihmuan të bëhesha vetëmbështetës. Dhe për më tepër, kam qenë më shumë mirënjohës për ata që më treguan se si t’i përdorja disa prej tepricave të mia për të ndihmuar të tjerët.
Kam mësuar se mënyra për të pasur tepricë, është që të shpenzoj më pak sesa fitoj. Me atë tepricë, kam qenë në gjendje të mësoj se me të vërtetë është më mirë të japësh se sa të marrësh. Kjo, pjesërisht, ndodh sepse kur japim ndihmë sipas mënyrës së Zotit, Ai na bekon.
Presidenti Marion G. Romni tha për punën për mirëqenie: “Në këtë punë, nuk mund të japësh aq shumë sa të varfërohesh”. Pastaj, ai citoi presidentin e tij të misionit, Melvin J. Ballard, në këtë mënyrë: “Një individ nuk mund t’i japë as një thërrime Zotit, pa marr në kthim shumë bekime prej Tij”3.
Në jetën time kam zbuluar se kjo është e vërtetë. Kur jam bujar ndaj fëmijëve në nevojë të Atit Qiellor, Ai është bujar ndaj meje.
Një parim i dytë i ungjillit, që ka qenë udhërrëfyes për mua në punën për mirëqenie, është fuqia dhe bekimi i unitetit. Kur ne bashkojmë duart për t’u shërbyer njerëzve në nevojë, Zoti bashkon zemrat tona. Presidenti J. Ruben Klark i Riu, e tha në këtë mënyrë: “Dhënia e shërbimit … [ka] sjellë … një ndjenjë të vëllazërisë së përbashkët ndërsa njerëz nga të gjitha kualifikimet e profesionet kanë punuar, krah për krah, në një kopsht të Mirëqenies apo projekt tjetër”4.
Ajo ndjenjë e rritur e vëllazërisë është e vërtetë si për marrësin, edhe për dhënësin. Deri më sot, ndien afri me mua, një burrë me të cilin, krah për krah, hapa me lopatë baltën në shtëpinë e tij të përmbytur në Reksburg. Dhe ai ndien një dinjitet vetjak më të madh për shkak se bëri gjithçka që mundi për veten dhe për familjen e tij. Nëse do kishim punuar vetëm, të dy do të kishim humbur një bekim shpirtëror.
Kjo, për mua, të çon tek parimi i tretë i veprimit në punën për mirëqenie: Përfshijeni familjen tuaj në punë me ju, në mënyrë që të mund të mësojnë që të kujdesen për njëri-tjetrin siç kujdesen për të tjerët. Bijtë dhe bijat tuaja që punojnë me ju për t’u shërbyer të tjerëve ne nevojë, ka më të ngjarë që ta ndihmojnë njëri-tjetrin kur të jenë në nevojë.
Parimin e katërt me vlerë të Kishës për mirëqenien, e mësova kur isha peshkop. Rrodhi nga ndjekja e urdhrit të shkrimit të shenjtë për të gjetur të varfrin. Është detyra e peshkopit që të gjejë dhe sigurojë ndihmë për ata që kanë ende nevojë për ndihmë, pas gjithçkaje që ata [vetë] dhe familjet e tyre mund të bëjnë. Kam zbuluar se Zoti dërgon Frymën e Shenjtë që të bëjë të mundur [shkrimin] “kërkoni dhe do të gjeni”5, në përkujdesjen për të varfrin, tamam siç bën me zbulimin e të vërtetës. Por gjithashtu mësova të përfshija presidenten e Shoqatës së Ndihmës në [atë] kërkim. Ajo mund ta marrë zbulesën përpara jush.
Disave prej jush do t’ju duhet ai frymëzim në muajt e ardhshëm. Për të përkujtuar përvjetorin e 75-të të programit të Kishës për mirëqenien, anëtarë kudo në botë do të ftohen që të marrin pjesë në një ditë shërbimi. Udhëheqës dhe anëtarë do të kërkojnë zbulesë ndërsa planifikojnë, çfarëdo qofshin projektet.
Do t’ju bëj tre sugjerime ndërsa planifikoni projektin tuaj të shërbimit.
Së pari, përgatitni shpirtërisht veten dhe ata që udhëhiqni. Vetëm nëse zemrat zbuten nga Shlyerja e Shpëtimtarit, mund ta shihni qartë se qëllimi i projektit është që të bekojë, si nga ana shpirtërore edhe tokësore, jetën e fëmijëve të Atit Qiellor.
Sugjerimi im i dytë është që të zgjidhni si marrës të shërbimit të njerëzve tuaj, [ata] njerëz brenda mbretërisë ose në komunitet, nevojat e të cilëve, do të prekin zemrën e atyre që do të japin shërbimin. Njerëzit, të cilëve do t’u shërbejnë, do ta ndiejnë dashurinë e tyre. Siç premtoi kënga, kjo mund të bëjë më shumë për t’i bërë që të ndihen të lumtur sesa do të bënte plotësimi vetëm i nevojave të tyre tokësore.
Sugjerimi im i fundit është që të planifikoni të përdorni fuqinë e lidhjeve familjare, të kuorumeve, organizatave ndihmëse dhe njerëzve që njihni në komunitetet tuaja. Ndjenjat e unitetit do të shumëfishojnë rezultatet e mira të shërbimit që jepni. Dhe ato ndjenja të unitetit në familje, në Kishë dhe në komunitete do të rriten e bëhen një trashëgimi që zgjat gjatë pasi përfundon projekti.
Kjo është mundësia ime për t’ju treguar se sa shumë ju çmoj. Nga shërbimi i dashur që keni dhënë për Zotin, unë kam qenë marrësi i falënderimeve të njerëzve që keni ndihmuar, kur i kam takuar nëpër botë.
Ju gjetët një mënyrë për t’i lumturuar ata, kur i ndihmuat sipas mënyrës së Zotit. Ju dhe dishepuj të përulur të Shpëtimtarit si ju, u keni dhënë shërbim bujarisht të tjerëve dhe njerëzit që ndihmuat, si kthim, më kanë dhënë mirënjohjen e tyre me tepri.
Marr të njëjtën shprehje vlerësimi nga njerëzit që kanë punuar me ju. Më kujtohet, një herë, po qëndroja pranë Presidentit Ezra Taft Benson. Ne kishim folur rreth shërbimit për mirëqenie në Kishën e Zotit. Më habiti me energjinë e tij rinore, kur tha, duke lëvizur dorën me emocion: “E dua këtë punë dhe është punë!”
Në emër të Mësuesit, jap falënderime për punën tuaj në shërbim të fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Ai ju njeh dhe Ai shikon përpjekjet, zellin dhe sakrificën tuaj. Lutem që Ai do t’ju dhurojë bekimin e të shikuarit të frytit të punëve tuaja në lumturinë e atyre që keni ndihmuar dhe të atyre me të cilët keni ndihmuar në emër të Zotit.
E di se Perëndia, Ati, jeton dhe i dëgjon lutjet tona. E di se Jezusi është Krishti. Ju dhe ata të cilëve u shërbeni, mund të pastroheni dhe forcoheni duke i shërbyer Atij dhe duke mbajtur urdhërimet e Tij. Ju mund të dini, siç e di unë, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Jozef Smithi qe profeti i Perëndisë për të rivendosur Kishën e vërtetë dhe të gjallë, e cila është kjo. Dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i gjallë i Perëndisë. Ai është shembull i mrekullueshëm i asaj që bëri Zoti: duke shkuar andej–këndej për të bërë mirë. Lutem që të mund të kapim mundësitë tona për të “[ngritur] duart që varen poshtë dhe [forcuar] gjunjët e këputur”6. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.