Një Flamur për Kombet
Nëse ne japim mësim me anë të Shpirtit dhe ju dëgjoni me anë të Shpirtit, dikush prej nesh do të përmendë diçka lidhur me rrethanat tuaja.
Jam emocionuar kaq shumë nga çdo notë e muzikës që u këndua dhe çdo fjalë që u tha, saqë lutem që të mund të jem i aftë që të flas disi.
Përpara se ta linte Navunë në dimrin e vitit 1846, Presidenti Brigam Jang pati një ëndërr, në të cilën pa një engjëll që qëndronte mbi një kodër me formë konike, diku në perëndim, duke i treguar një luginë poshtë. Kur hyri në Luginën e Solt-Lejkut, rreth 18 muaj më vonë, ai pa pikërisht sipër vendit ku jemi mbledhur ne tani, të njëjtin vend të ngritur në kodër që kishte parë në vegim.
Siç është thënë shpesh nga ky podium, Vëllai Brigam udhëhoqi një grusht udhëheqësish në majë të asaj kodre dhe e shpalli atë “Insajn Pik” [“Maja e Flamurit”], një emër i mbushur me kuptim fetar për ata izraelitë modernë. Dymijë e pesëqind vite më parë, profeti Isaia kishte shpallur se në ditët e fundit “mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve” dhe atje “ai do të ngrerë flamurin për kombet”1.
Duke e konsideruar çastin e tyre në histori si përmbushje të pjesshme të asaj profecie, Vëllezërit dëshironin të valëvitnin ndonjë lloj flamuri për ta konkretizuar idenë e “një flamuri për kombet”. Plaku Hiber C. Kimball dha një shami të verdhë. Vëllai Brigam e lidhi atë tek një bastun që e mbante Plaku Uilliard Riçards, dhe e nguli flamurin e sajuar, duke e deklaruar luginën e Grejt-Solt-Lejkut dhe malet që e rrethojnë atë, si ai vend i profetizuar nga i cili fjala e Zotit do të dalë në ditët e mëvonshme.
Vëllezër e motra, kjo konferencë e përgjithshme dhe konferencat e tjera vjetore e gjysmëvjetore të çdo viti, janë vazhdimi i atij deklarimi të hershëm për botën. Unë dëshmoj se punimet e dy ditëve të shkuara janë përsëri edhe një provë se, ashtu si thotë himni jonë: “Shihni, flamuri [standardi] i Sionit është shpalosur”2 – dhe sigurisht kuptimi i dyfishtë i fjalës standard është i qëllimshëm. Nuk është një rastësi që botimi në anglisht i mesazheve të konferencës sonë të përgjithshme bëhet në një revistë të titulluar thjesht Ensign [Flamuri].
Ndërsa konferenca jonë po i afrohet fundit, ju kërkoj të mendoni në ditët e mëtejshme, jo vetëm mbi mesazhet që keni dëgjuar, por gjithashtu mbi fenomenin unik që është në vetvete konferenca e përgjithshme – atë që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, besojmë se janë konferenca të tilla dhe atë që ne e ftojmë botën të dëgjojë e të vëzhgojë për to. Ne i dëshmojmë çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli se Perëndia jo vetëm që jeton por se gjithashtu Ai flet, se për kohën tonë dhe në ditën tonë, këshilla që ju keni dëgjuar është, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, “vullneti i Zotit, … fjala e Zotit, … zëri i Zotit dhe fuqia e Perëndisë për shpëtim”3.
Ndoshta ju e dini tashmë (por nëse nuk e dini duhet ta dini) se me përjashtime të rralla, asnjë burri ose gruaje që flet këtu nuk i caktohet një temë. Secili duhet të agjërojë e të lutet, të studiojë e të kërkojë, të fillojë të shkruajë, të ndalojë e të fillojë sërish, derisa ai ose ajo të ketë besim se për këtë konferencë, në këtë kohë, është tema e tij ose e saj që Zoti dëshiron që ai ose ajo folëse të paraqesë, pavarësisht nga dëshirat vetjake ose parapëlqimet personale. Çdo burrë dhe grua që keni dëgjuar gjatë 10 orëve të shkuara të konferencës së përgjithshme, është përpjekur të ndjekë atë nxitje. Secili ka qarë, është shqetësuar dhe ka kërkuar me zell drejtimin e Zotit për të udhëhequr mendimet dhe shprehjen e tij ose të saj. Dhe ashtu si Brigam Jangu pa një engjëll të qëndronte mbi këtë vend, unë shoh engjëj që qëndrojnë në të. Vëllezërit e motrat mes drejtuesve të përgjithshëm të Kishës nuk do të ndihen rehat me këtë përshkrim, por kjo është mënyra si i shoh unë ata – lajmëtarë të vdekshëm me mesazhe engjëllore, burra e gra që kanë të gjitha vështirësitë fizike, financiare dhe familjare që kemi ju dhe unë, por që me besim ua kanë përkushtuar jetën thirrjeve që u kanë ardhur atyre dhe detyrës për të predikuar fjalën e Perëndisë, jo të tyren.
Dhe merrni parasysh larminë e mesazheve që dëgjoni – që e bën konferencën e përgjithshme më të mrekullueshme, sepse nuk ka bashkërendim të temave përveçse nëpërmjet frymëzimit nga qielli. Sigurisht që mesazhet janë të larmishme. Shumica e kongregacioneve tona, këtu ose diku tjetër, përbëhen nga anëtarë të Kishës. Sidoqoftë, me mënyrat e reja e të mrekullueshme të komunikimit, një pjesë gjithnjë në rritje e publikut të konferencave tona nuk janë anëtarë të Kishës – ende. Kështu që ne duhet t’u flasim atyre që na njohin mirë dhe atyre që nuk na njohin fare. Vetëm brenda Kishës, ne duhet t’u flasim fëmijëve, të rinjve, të rinjve në moshë madhore, moshave të mesme dhe të moshuarve. Duhet t’u flasim familjeve, prindërve dhe fëmijëve në shtëpi, po ashtu si u flasim atyre që nuk janë të martuar, pa fëmijë dhe ndoshta shumë larg nga shtëpia. Gjatë një konference të përgjithshme ne gjithmonë theksojmë të vërtetat e përjetshme të besimit, shpresës, dashurisë hyjnore4 dhe të Krishtit të kryqëzuar5, po ashtu si flasim hapur për çështje shumë të veçanta morale të kohës sonë. Ne urdhërohemi në shkrimet e shenjta të “mos i [themi] asgjë veçse pendim këtij brezi”6 ndërkohë që në të njëjtën kohë duhet t’u predikojmë “një lajm të mirë të përulurve; [dhe] të lidh[im] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer”. Cilado qoftë tema apo toni, këto mesazhe konference “shpall[in] çlirimin e atyre që janë në robëri”7 dhe deklarojnë “pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit”8. Në larminë e gjerë të predikimeve të dhëna supozohet se do të ketë diçka për gjithësecilin. Në lidhje me këtë, mendoj se Presidenti Harold B. Li e shprehu mirë vite më parë kur tha se ungjilli “është për të ngushëlluar të pikëlluarit dhe për të pikëlluar të [patrazuarit]”9.
Ne gjithmonë dëshirojmë që mësimet tona në konferencën e përgjithshme të jenë po aq bujare dhe ftuese siç dha mësim Krishti fillimisht, duke kujtuar kur japim mësim se mesazhet e Tij gjithmonë kërkuan disiplinë personale prej atyre që Ai u dha mësim. Në predikimin më të famshëm që është dhënë ndonjëherë, Jezusi filloi duke shqiptuar bekime të mrekullueshme e të ëmbla që secili prej nesh dëshiron të ketë – bekime që u premtohen skamësit në frymë, të pastrit në zemër, atij që përpiqet për paqen dhe zemërbutit10. Sa lartësuese janë këto lumturi dhe sa qetësuese janë për shpirtin. Ato janë të vërteta. Por po në atë predikim Shpëtimtari vazhdoi duke treguar se sa shumë e ngushtë duhej të ishte udha e atij që përpiqet për paqen dhe e të pastrit në zemër. “Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: ‘Mos vrisni’”, vërejti Ai. “Por unë po ju them: ‘Kushdo që zemërohet … kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit’.”11
Dhe po ashtu,
“Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: ‘Mos shkel kurorën’.
Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.”12
Qartazi, ndërsa shtegu i të qenit dishepull ngjitet, traga bëhet gjithmonë e më ngushtë derisa të vijmë tek ajo kërkesë e lartë frikësuese e predikimit për të cilën sapo foli Plaku Kristoferson: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”13. Qenia dishepull ishte më e lehtë kur mësuam së pari për ungjillin, por të jesh dishepull bëhet më sfiduese e më kërkuese kur arrijmë në kulm të dishepullimit të vërtetë. Qartë, kushdo që mendon se Jezusi dha mësim se njerëzit nuk janë përgjegjës për mëkatet e tyre, nuk i ka lexuar mjaftueshëm me kujdes shkrimet e shenjta. Jo, në çështje dishepullimi Kisha nuk është si një restorant fast-fudi, nuk mund të porosisim çfarë të duam ne. Një ditë, çdo gju do të ulet dhe çdo gjuhë do të dëshmojë se Jezusi është Krishti dhe se shpëtimi mund të vijë vetëm në mënyrën e Tij.14
Edhe pse duam të predikojmë siç duhet të vërtetat e ashpra si dhe të hidhura të ungjillit në konferencën e përgjithshme, ju lutemi të siguroheni se kur flasim për tema të vështira, ne e kuptojmë se jo gjithkush po sheh pornografi, apo po i bën bisht martesës, apo është duke pasur marrëdhënie të palejueshme seksuale. Ne e dimë se jo gjithkush po shkel Shabatin apo po jep dëshmi të rreme apo po abuzon me bashkëshortin/en. Ne e dimë se shumica në publikun tonë nuk janë fajtorë për gjëra të tilla, por ne jemi nën urdhërimin solemn që t’u lëshojmë thirrje paralajmërimi atyre që janë fajtorë – kudo që mund të jenë në botë. Kështu, nëse po përpiqeni të bëni më të mirën që mundeni – nëse, për shembull, ju vazhdoni të mbani mbrëmje familjare me gjithë kaosin që nganjëherë mbretëron në një shtëpi plot me rrëmujaxhinj të vegjël – atëherë vërini nota të larta vetes kur të arrijmë tek ajo temë dhe dëgjoni ndonjë tjetër që trajton një temë ku mund të keni mangësi. Nëse ne japim mësim me anë të Shpirtit dhe ju dëgjoni me anë të Shpirtit, dikush prej nesh do të përmendë diçka lidhur me rrethanat tuaja, duke dërguar një mesazh profetik të përshtatur për ju personalisht.
Vëllezër e motra, në konferencë të përgjithshme ne i japim dëshmitë tona të lidhura me dëshmi të tjera që do të vijnë, sepse në një mënyrë apo një tjetër, Perëndia do të bëjë që të dëgjohet zëri i Tij. “Unë ju dërgoj që t’u dëshmoni njerëzve e t’i paralajmëroni ata”, u tha Zoti profetëve të Tij.15
“[Dhe] pas dëshmisë suaj vjen dëshmia e tërmeteve, … e zërit të bubullimave … të vetëtimave, dhe … të stuhive, dhe e zërit të valëve të detit të fryra përtej kufijve të tyre. …
Dhe engjëjt do të … [thërrasin] me zë të lartë, duke i rënë borisë së Perëndisë.”16
Tani, këta engjëj të vdekshëm që vijnë tek ky podium, secilin në mënyrën e tij apo të saj, i kanë rënë “borisë së Perëndisë”. Çdo predikim i dhënë është gjithmonë, me përkufizim, edhe një dëshmi edhe një paralajmërim, madje ashtu si natyra vetë edhe do të dëshmojë edhe do të paralajmërojë në ditët e mëvonshme.
Tani, pas një çasti, Presidenti Tomas S. Monson do të vijë te podiumi për ta mbyllur këtë konferencë. Më lejoni të them diçka personale për këtë burrë të dashur, Apostullin më të lartë dhe profetin për kohën në të cilën jetojmë tani. Duke marrë parasysh përgjegjësitë që iu referova dhe gjithçka që keni dëgjuar në këtë konferencë, është e dallueshme se jeta e profetëve nuk është e lehtë dhe jeta e Presidentit Monson nuk është e lehtë. Ai iu referua veçanërisht asaj mbrëmjen e shkuar në mbledhjen e priftërisë. I thirrur në apostullim në moshën 36-vjeçare, fëmijët e tij ishin në moshat përkatësisht 12, 9 dhe 4 vjeç. Motra Monson dhe ata fëmijë ia kanë dhënë bashkëshortin dhe babanë e tyre Kishës dhe detyrave të saj për më shumë se 50 vite. Ata kanë duruar sëmundjet dhe kërkesat, gungat dhe blanat e vdekshmërisë që has gjithësecili, disa prej të cilave pa dyshim shtrihen ende para tyre. Por Presidenti Monson gjithmonë qëndron plot gaz përmes gjithë kësaj. Asgjë nuk e shkurajon atë. Ai ka besim të mrekullueshëm e forcë fizike të jashtëzakonshme.
President, për të gjithë këtë kongregacion, këtu dhe kudo tjetër, unë them se ne ju duam dhe ju nderojmë. Përkushtimi juaj është një shembull për ne të gjithë. Ne ju falënderojmë për udhëheqjen tuaj. Katërmbëdhjetë të tjerë që mbajnë detyra apostullimi, plus të tjerë në këtë podium, ata të ulur në kongregacion dhe njerëz të shumtë të mbledhur nëpër botë, ju duan, ju mbështesin dhe qëndrojnë krah për krah me ju në këtë punë. Ne do ta lehtësojmë barrën tuaj në çfarëdo mënyre që të mundemi. Ju jeni një nga ata lajmëtarë engjëllorë të thirrur që përpara themelimit të botës, për t’ia valëvitur flamurin e ungjillit të Jezu Krishtit të gjithë botës. Ju po e bëni këtë kaq mrekullisht. Për atë ungjill që po shpallet dhe për shpëtimin që siguron ai, si dhe për Atë që e jep atë, unë dëshmoj kështu në emrin e shkëlqyer e të lavdishëm të Zotit Jezu Krisht, amen.