Fuqia e Priftërisë
Qofshim marrës të denjë të fuqisë së shenjtë të priftërisë që mbajmë. Bekoftë ajo jetën tonë dhe e përdorshim atë për të bekuar jetët e të tjerëve.
Unë jam lutur dhe kam studiuar gjatë rreth asaj që mund të them sonte. Unë uroj të mos fyej askënd. Unë mendova: “Cilat janë sfidat që kemi? Me çfarë merrem unë çdo ditë që më bën të qaj ndonjëherë vonë natën?” Unë mendova që të përpiqem të trajtoj disa nga ato sfida sonte. Disa do t’ju përshtaten juve të rinjve. Disa do t’u përshtaten atyre që janë në moshë mesatare. Disa do t’u përshtaten atyre që janë pak mbi moshën mesatare. Ne nuk flasim për moshat e vjetra.
Dhe gjithashtu unë thjesht dua ta fillojë duke deklaruar se ka qenë mirë për ne të jemi së bashku këtë mbrëmje. Ne kemi dëgjuar mesazhe të mrekullueshme dhe në kohë lidhur me priftërinë e Perëndisë. Unë, si dhe ju, jemi ngritur dhe frymëzuar.
Sonte unë dëshiroj të prek çështje të cilat i kam patur shumë në mendje kohët e fundit dhe që kam ndier nevojën t’i ndaj me ju. Në një mënyrë apo një tjetër, ato lidhen me denjësinë vetjake që kërkohet për të marrë dhe ushtruar fuqinë e shenjtë të priftërisë që ne mbajmë.
Më lejoni të filloj duke ju lexuar nga seksioni 121 në Doktrina e Besëlidhje:
“Të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit dhe se fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë.
Që ato mund të na dhurohen, është e vërtetë; por, kur përpiqemi t’i mbulojmë mëkatet tona ose të kënaqim krenarinë tonë, ambicien tonë të kotë ose të ushtrojmë kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e fëmijëve të njerëzve, në çfarëdo shkallë padrejtësie, vini re, qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; dhe kur ai tërhiqet, Amen priftërisë ose autoritetit të atij njeriu.”1
Vëllezër, ajo është fjala përfundimtare e Zotit lidhur me autoritetin e Tij të shenjtë. Ne nuk mund të dyshojmë lidhur me detyrimin që kjo vendos mbi secilin prej nesh që mban priftërinë e Perëndisë.
Ne kemi ardhur në tokë në kohëra të trazuara. Standardet morale të shumicës së njerëzve kanë kaluar gradualisht te një pozicion që “thuajse çdo gjë shkon”.
Unë kam jetuar mjaft për të dëshmuar shumë mbi transformimin e moralit të shoqërisë. Dikur standardet e Kishës dhe standardet e shoqërisë përgjithësisht përputheshin, tani ka një hendek të gjerë midis nesh dhe ai gjithmonë po zgjerohet më shumë.
Shumë filma dhe shfaqje televizive paraqesin një sjellje që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet e Perëndisë. Mos e bëni veten objekt të ndotësisë së nënkuptuar dhe të hapur që gjendet aq dendur atje. Tekstet e shumë nga muzika e sotme futen në të njëjtën kategori. Vulgariteti aq mbizotërues përreth nesh sot nuk do të ishte lejuar kurrë në të kaluarën jo shumë të largët. Fatkeqësisht, emri i Zotit përmendet më kot duke u përsëritur. Kujtoni me mua urdhërimin – një nga të dhjetat – në Zoti i zbuloi Moisiut në Malin e Sinait: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij”2. Mua më vjen keq që ndonjë nga ne bëhet subjekt i gjuhës vulgare dhe unë ju lutem që të mos e përdorni. Unë ju lutem që të mos thoni apo përdorni ndonjë gjë për të cilën nuk mund të krenoheni.
Qëndroni tërësisht larg pornografisë. Mos e lejoni veten ta shihni, kurrë. Ajo është provuar të jetë një vartësues tepër i vështirë për t’u mposhtur. Shmangni alkoolin dhe duhanin apo çfarëdo droge tjetër, si dhe vartësues që do ta shihnit të rëndë për t’i mundur.
Çfarë do t’ju mbrojë nga mëkati dhe e keqja përreth jush? Unë mendoj se një dëshmi e fortë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij do të ndihmojnë që të drejtoheni në siguri. Nëse nuk e keni lexuar Librin e Mormonit, lexojeni atë. Unë nuk do të kërkoj që ta tregoni me duar. Nëse e bëni këtë me lutje dhe me dëshirë të sinqertë për të ditur të vërtetën, Fryma e Shenjtë do t’jua shfaqë të vërtetën e saj. Nëse është e vërtetë – dhe ajo është – atëherë Jozef Smithi ishte profet që pa Perëndinë Atin dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Kisha është e vërtetë. Nëse ju nuk keni tashmë një dëshmi të këtyre gjërave, bëni atë që është e nevojshme për të marrë një. Është thelbësore për ju që të keni dëshminë tuaj, sepse dëshmitë e të tjerëve do t’ju çojnë juve vetëm deri atje. Kur fitohet, dëshmia është e nevojshme të mbahet e gjallë dhe e fortë nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe nëpërmjet lutjes së rregullt dhe studimit të shkrimeve të shenjta. Merrni pjesë në Kishë. Ju të rinj, merrni pjesë në seminar ose institut nëse këto janë të mundshme për ju.
Nëse ka ndonjë gjë gabim në jetën tuaj, ka një rrugëdalje të hapur për ju. Ndërprisni çfarëdo padrejtësie. Bisedoni me peshkopin tuaj. Cilido qoftë problemi, ai mund të zgjidhet nëpërmjet pendesës së duhur. Ju mund të bëheni përsëri tё pastër. Zoti tha, duke u folur atyre që pendohen: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”3 dhe “unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”4.
Shpëtimtari i njerëzimit e përshkroi veten që ishte në botë por jo prej bote.5 Ne gjithashtu mund të jemi në botë por jo prej bote kur kundërshtojmë konceptet false dhe mësimet false dhe qëndrojmë të vërtetë në atë që Perëndia ka urdhëruar.
Tani, unë kam menduar goxha këto kohë për ju të rinj që jeni në moshë për martesë por që ende nuk e keni ndier që ta bëni këtë. Unë shoh zonjusha të mrekullueshme që dëshirojnë të martohen dhe të krijojnë familje dhe ende rastet e tyre janë të kufizuara sepse aq shumë të rinj po e shtyjnë martesën.
Kjo nuk është një situatë e re. Shumë është thënë lidhur me këtë çështje nga presidentë të mëparshëm të Kishës. Unë po ndaj me ju vetëm një apo dy shembuj të këshillës së tyre.
Presidenti Harold B. Li ka thënë: “Ne nuk po bëjmë detyrën tonë si mbajtës të priftërisë kur shkojmë përtej moshës që mund të martohemi dhe ia ndalojmë vetes një martesë të ndershme me këto gra të mrekullueshme”6.
Presidenti Gordon B. Hinkli tha këtë: “Zemra ime u drejtohet … motrave tona beqare, që janë të dëshiruara për martesë dhe nuk duket ta gjejnë atë. … Unë kam shumë më pak simpati për të rinjtë, që në kushtet e shoqërisë sonë kanë privilegjin të marrin iniciativën në këto çështje por në aq shumë raste dështojnë ta bëjnë këtë.”7
Unë e kuptoj se ka shumë arsye përse ju mund të ngurroni ta merrni atë hap që të martoheni. Nëse jeni të shqetësuar rreth sigurimit financiarisht për një bashkëshorte dhe familje, unë mund t’ju siguroj se nuk ka turp te njё çift që i duhet të shtrëngohet dhe të kursejë. Kjo është e përgjithshme gjatë këtyre periudhave sfiduese që ju do të afroheni më shumë së bashku ndërsa mësoni të sakrifikoni dhe të merrni vendime të vështira. Ndoshta ju keni frikë nga bërja e zgjedhjes së gabuar. Në këtë unë them se ju keni nevojë të ushtroni besim. Gjeni dikë me të cilin ju mund të keni përputhje. Kuptoni që ju nuk do të jeni në gjendje të parashikoni çdo sfidë që mund të dalë, por jini të sigurtë që thuajse çdo gjë mund të zgjidhet nëse jeni të shkathët dhe nëse ju jeni të zotuar që martesa juaj tё funksionojë.
Ndoshta ju jeni duke u argëtuar pak si tepër duke qenë beqarë, me pushime ekstravagante, me blerje makinash dhe lojrash të shtrenjta dhe thjesht përgjithësisht duke gëzuar jetën shkujdesshëm me miqtë tuaj. Unë kam takuar grupe nga ju që vrapojnë përreth së bashku dhe e pranoj se kam pyetur veten pse nuk keni dalë me zonjusha të reja.
Vëllezër, ka një çështje për të cilën është koha të mendohet seriozisht rreth martesës dhe të kërkohet një shoqe me të cilën ju doni të kaloni përjetësinë. Nëse zgjidhni me urtësi dhe nëse jeni zotuar për suksesin e martesës suaj, nuk ka gjë në këtë jetë që t’ju sjellë lumturi më të madhe.
Kur të martoheni, vëllezër, ju do të doni të martoheni në Shtëpinë e Zotit. Sepse për ju që mbani priftërinë, nuk duhet të ketë zgjedhje tjetër. Jini të kujdesshëm që të mos shkatërroni të drejtën tuaj për t’u martuar kështu. Ju mund ta mbani vardisjen brenda kufijsh të përshtatshëm ndërsa keni edhe një kohë të mrekullueshme.
Tani, vëllezër, unë po kthehem në një temë tjetër rreth së cilës ndiej se duhet t’ju drejtohem. Në tre vitet që kur u mbështeta si President i Kishës, unë besoj se detyra më dëshpëruese dhe shkurajuese që kam çdo javë është trajtimi i anulimeve të vulosjeve. Secila ka qenë paraprirë nga një martesë e gëzueshme në Shtëpinë e Zotit, kur një çift i dashuruar po fillonte një jetë të re së bashku dhe duke pritur me padurim të kalonin pjesën tjetër të përjetësisë me njëri-tjetrin. Dhe pastaj muajt dhe vitet kalojnë dhe, për një arsye apo një tjetër, dashuria vdes. Mund të jetë rezultat problemesh financiare, mungesë komunikimi, natyrash të pakontrolluara, ndërhyrjesh nga familjarët e njëri-tjetrit, ngatërresa në mëkat. Ka lloj lloj shkaqesh të mundshme. Në shumicën e rasteve nuk është e thënë që ndarja të jetë përfundimi.
Shumica e madhe e kërkesave për anulim vulosjesh vjen nga gra që janë përpjekur dëshpërimisht të bëjnë që martesa të ketë sukses, por që, në analizë të fundit, nuk mund t’i kapërcejnë problemet.
Zgjidhni një shoqe apo shok me kujdes dhe me lutje dhe kur të jeni martuar, jini fortësisht besnikë ndaj njëri-tjetrit. Këshilla e paçmueshme vjen nga një pllakë e vogël në kornizë që unë dikur e shihja në shtëpinë e një ungji dhe të një emte. Atje lexohet: “Zgjidhe dashurinë tënde; dashuroje zgjedhjen tënde”. Ka urtësi të madhe në këto pak fjalë. Zotimi në martesë është absolutisht thelbësor.
Bashkëshortja duhet të jetë baras me ty. Në martesë asnjëri nga bashkëpjesëmarrësit nuk është më i lartë as më i ulët se tjetri. Ju ecni krahpërkrah si një bir dhe një bijë e Perëndisë. Ajo nuk duhet të poshtërohet apo të fyhet por duhet të respektohet dhe të dashurohet. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Cilido burrë në këtë Kishë që … ushtron sundim të padrejtë mbi [bashkëshorten e tij] është i padenjë të mbajë priftërinë. Edhe pse ai mund të ketë qenë shuguruar, qiejt do të tërhiqen, Shpirti i Zotit do të brengoset dhe do të ketë amen për autoritetin e priftërisë së atij burri.”8
Presidenti Hauërd W. Hanter ka thënë këtë rreth martesës: “Të jesh i martuar lumturisht dhe suksesshëm është në përgjithësi jo aq shumë çështje e martesës me personin e duhur sa është të jesh personi i duhur”. Mua më pëlqen kjo. “Përpjekja e vetdijshme për të bërë pjesën e vet është elementi më i rëndësishëm që ndihmon suksesin.”9
Shumë vite përpara në lagjen ku unë kryesoja si peshkop, jetonte një çift që shpesh pati mosmarrëveshje shumë serioze, të nxehta. Dua të them mosmarrëveshje me plot kuptimin e fjalës. Secili prej të dyve ishte i sigurt për pozicionin e tij apo të saj. Asnjëra palë nuk do t’i bënte lëshim tjetrës. Kur nuk ishin duke u grindur, ata ruanin atë që do quhej një armëpushim i vështirë.
Një mëngjes në orën 2. Unë pata një thirrje telefonike nga çifti. Ata donin të flisnin me mua dhe donin të flisnin pikërisht në atë kohë. Unë u shkula nga shtrati, u vesha dhe shkova te shtëpia e tyre. Ata qëndronin në anët e kundërta të dhomës, pa i folur njëri-tjetrit. Bashkëshortja komunikonte me bashkëshortin duke më folur mua. Ai i përgjigjej asaj duke më folur mua. Unë mendova: “Si vallë do ta bashkojmë këtë çift?”
Unë u luta për frymëzim dhe më lindi mendimi që t’u bëj një pyetje. U thashë: “Sa kohë ka qysh kur keni qenë në tempull dhe dëshmuat vulosjen në tempull?” Ata pranuan se pati qenë një kohë shumë e gjatë. Ata ishin përveç kësaj njerëz të denjë që kishin rekomandime tempulli dhe që shkonin në tempull dhe bënin punë ordinancash për të tjerë.
Unë u thashë: “A do të vini me mua në tempull të mërkurën në mëngjes në orën 8:00? Ne do të dëshmojmë atje një ceremoni vulosjeje.”
Në një zë ata pyetën: “Ceremoni e kujt?”
Unë u përgjigja: “Unë nuk e di. Do të jetë për cilindo që do të martohet atë mëngjes.”
Të mërkurën tjetër në orën e caktuar ne u takuam në Tempullin e Solt-Lejkut. Të tre shkuam në një nga dhomat e mrekullueshme të vulosjes, pa njohur asnjë shpirt në dhomë përveç Plakut ElRej L. Kristiansen, atëherë një Ndihmës në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, një pozitë autoriteti të përgjithshëm që ekzistonte në atë kohë. Plaku Kristiansen kishte planifikuar të kryente një ceremoni vulosjeje për një nuse dhe një dhëndër në atë dhomë atë mëngjes. Unë jam i sigurt që nusja dhe familja e saj mendonin: “Këta duhet të jenë miq të dhëndërit”, dhe që familja e dhëndërit mendonte: “Këta duhet të jenë miq të nuses”. Çifti im qe ulur në një stol të vogël me rreth gjashtëdhjetë centimetra hapësirë midis tyre.
Plaku Kristiansen filloi duke dhënë këshillë për çiftin që po martohej dhe ai e bëri këtë me një mënyrë aq të mrekullueshme. Ai përmendi se si një bashkëshort duhet ta dojë bashkëshorten e tij, se si ai duhet ta trajtojë atë me respekt dhe mirësjellje, duke e nderuar atë si zemra e shtëpisë. Pastaj ai i foli nuses mbi mënyrën se si ajo duhej të nderojë bashkëshortin e saj si kreu i shtëpisë dhe të jetë mbështetje për të me çdo mënyrë.
Unë vura re ndërsa Plaku Kristiansen i fliste nuses dhe dhëndërrit, çifti im u afrua pak më afër së bashku. Shpejt ata ishin ulur krejt pranë njëri-tjetrit. Ajo që më kënaqi mua është se ata patën lëvizur të dy me thuajse të njëjtën masë. Në fund të ceremonisë, çifti im qe ulur aq pranë njëri-tjetrit sikur ata të ishin të porsamartuarit. Secili po buzëqeshte.
Ne e lamë tempullin atë ditë dhe asnjëri nuk e mori vesh kush ishim dhe pse patëm ardhur, por miqtë e mi qenë kapur nga duart duke dalë nga dera ballore. Mosmarrëveshjet e tyre qenë lënë mënjanë. Mua nuk më duhej të thoshja asnjë fjalë. Ju e shihni, ata kujtuan ditën e vet martesës së tyre dhe të besëlidhjeve që patën bërë në Shtëpinë e Perëndisë. Ata qenë zotuar të fillonin përsëri dhe të përpiqeshin më fort këtej e tutje.
Nëse ndonjë nga ju ka vështirësi në martesën tuaj, unë ju nxis të bëni gjithçka që mundeni për të bërë çfarëdo ndreqjeje të nevojshme, që ju të mund të jeni po aq të lumtur siç ishit kur martesa juaj filloi. Ne që jemi martuar në Shtëpinë e Zotit e bëjmë këtë për kohën dhe për gjithë përjetësinë dhe pastaj ne duhet të bëjmë përpjekjen e nevojshme për ta bërë atë të tillë. Unë e kuptoj se ka situata ku martesat nuk mund të shpëtohen, por unë ndiej fort se në shumicën e tyre ato mund të jenë dhe duhet të jenë. Mos lejoni që martesa juaj të shkojë në pikën ku është në rrezik.
Presidenti Hinkli na mësoi se varet nga secili prej nesh që mbajmë priftërinë e Perëndisë që ta disiplinojmë veten në mënyrë të tillë që të qëndrojmë mbi mënyrat e botës. Është thelbësore që ne të jemi burra nderues dhe të përmbajtur. Veprimet tona duhet të jenë të paqortueshme.
Fjalët që themi, mënyrat me të cilat i trajtojmë të tjerët dhe mënyra se si e jetojmë jetën tonë të gjitha ndikojnë tek efektshmëria jonë si burra dhe djem që mbajmë priftërinë.
Dhurata e priftërisë është e paçmueshme. Ajo mbart me vete autoritetin për të vepruar si shërbëtorë të Perëndisë, për të administruar të sëmurin, për të bekuar familjet tona dhe për të bekuar të tjerët gjithashtu. Autoriteti i saj mund të shkojë përtej velit të vdekjes, në përjetësitë. Nuk ka gjë tjetër që të krahasohet me të në gjithë këtë botë. Sigurojeni atë, ruajeni atë si thesar, jetoni të denjë për të.10
Vëllezër të mi të dashur, drejtoftë drejtësia çdo hap tonin ndërsa udhëtojmë nëpër jetë. Sot dhe gjithmonë, qofshim marrës të denjë të fuqisë së shenjtë të priftërisë që mbajmë. Bekoftë ajo jetën tonë dhe e përdorshim atë për të bekuar jetën e të tjerëve, siç bëri Ai që jetoi dhe vdiq për ne – madje Jezu Krishti, Zoti dhe Shpëtimtari ynë. Kjo është lutja ime në emrin e Tij të shenjtë dhe hyjnor, amen.