Eja, Më Ndiq
15–21 Prill: “Ai Punon tek Unë që të Bëj sipas Vullnetit të Tij”. Enosi – Fjalët e Mormonit


“15–21 Prill: ‘Ai Punon tek Unë që të Bëj sipas Vullnetit të Tij’. Enosi – Fjalët e Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“15–21 Prill. Enosi – Fjalët e Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Enosi kur ishte djalosh me atin e tij, Jakobin, dhe nënën e tij

Jacob and Enos [Jakobi dhe Enosi], nga Scott Snow

15–21 Prill: “Ai Punon tek Unë që të Bëj sipas Vullnetit të Tij”

Enosi – Fjalët e Mormonit

Ndonëse Enosi shkoi në pyll për të gjuajtur kafshë që të kënaqte urinë fizike, ai përfundoi duke qëndruar atje gjithë ditën dhe deri natën, sepse “shpirti [i tij] ishte i uritur”. Kjo uri e bëri Enosin që të “ngri[nte] … zërin [e tij] lart, saqë ai arriti qiejt”. Ai e përshkroi këtë përvojë si një përleshje para Perëndisë (shihni tek Enosi 1:2–4). Nga Enosi ne mësojmë se lutja është një përpjekje e çiltër për t’iu afruar Perëndisë dhe për t’u përpjekur që ta dimë vullnetin e Tij. Kur ju luteni me këtë synim, ka më të ngjarë që të zbuloni, ashtu siç bëri Enosi, se Perëndia ju dëgjon dhe vërtet kujdeset për ju, për njerëzit tuaj të dashur dhe madje armiqtë tuaj (shihni tek Enosi 1:4–17). Kur e dini vullnetin e Tij, jeni më në gjendje ta bëni atë. Ashtu si Mormoni, ju mund të “[mos] i di[ni] të gjitha gjërat, por Zoti i di të gjitha gjërat …; prandaj, ai punon tek [ju] që të bë[ni] sipas vullnetit të tij” (Fjalët e Mormonit 1:7).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Enosi 1:1–17

Perëndia do t’i dëgjojë dhe do t’u përgjigjet lutjeve të mia.

Përvojat tuaja me lutjen mund të jenë më pak dramatike sesa përvojat e Enosit, por nuk kanë pse të jenë më pak kuptimplota. Këtu janë disa pyetje për të cilat të mendoni ndërsa studioni vargjet tek Enosi 1:1–17:

  • Cilat fjalë i përshkruajnë përpjekjet e Enosit kur u lut?

  • Si ndryshuan lutjet e Enosit nga vargjet 4 deri 11?

  • Çfarë mësoj nga Enosi që mund të më ndihmojë t’i përmirësoj lutjet e mia?

Shihni edhe “Enos Prays Mightily” [“Enosi Lutet me Fuqi”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Or’ e Lutjes”, Himne, nr. 80.

Shpërndarja e pyetjeve për diskutim. Nëse po u jepni mësim të tjerëve, merreni parasysh t’i vini në një vend të dukshëm pyetjet që do t’ju pëlqente të diskutonit, që gjithkush të mund t’i shohë. Kjo i ndihmon njerëzit t’i përsiatin pyetjet dhe të japin përgjigje më të frymëzuara.

Enosi 1:1–4

ikona e seminarit
Zoti mund të më ndihmojë të ndikoj te familja ime për mirë.

Ndoshta është dikush në familjen tuaj që dëshironi të mund ta ndihmoni të vijë te Krishti, por pyetni veten a po sjellin ndonjë ndryshim përpjekjet tuaja. Çfarë mund të mësoni tek Enosi 1:1–4 rreth ndikimit të Jakobit tek i biri i tij, Enosi? Për shembull, çfarë do të thotë për ju fraza “kujdesin dhe këshillën e Zotit”? Si mund ta ftoni ndikimin e Tij në shtëpinë tuaj?

Ndërsa mendoni për familjen tuaj, merrini parasysh këto pyetje dhe burime:

Plaku Diter F. Uhtdorf dha këshilla të dobishme për familjet në bisedën “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë” (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 77–80). Çfarë ju frymëzon mesazhi i tij të bëni për ta forcuar familjen tuaj? (Shihni veçanërisht pjesën e titulluar “Shpëtimi i Familjeve Tona”.)

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Family” [“Familja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Home and Family–Through Small Things” [“Shtëpia dhe Familja – Nëpërmjet Gjërave të Vogla”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Enosi 1:1–18

Unë mund të marr falje teksa ushtroj besim te Krishti.

Nganjëherë mund të pyetni veten a ju janë falur mëkatet, edhe pasi jeni penduar për to. Çfarë pikëpamjesh merrni nga përvoja e Enosit tek Enosi 1:1–8? Si e tregoi Enosi besimin e tij te Jezu Krishti para dhe pasi mori falje?

Jaromi – Omni

Ndërsa përpiqem t’i zbatoj urdhërimet e Tij, Perëndia do të më bekojë.

Librat e Jaromit dhe Omnit përshkruajnë marrëdhënien mes drejtësisë dhe përparimit. Çfarë mësoni nga Jaromi 1:7–12; Omni 1:5–7, 12–18? Ku ndryshojnë përkufizimet e botës për përparimin nga përkufizimi i Zotit? Si e ndihmon Zoti popullin e Tij që të përparojë? (Shihni tek Alma 37:13; 48:15–16.)

Omni 1:25–26

“[Ejani] te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit.”

Ftesa “[Ejani] te Krishti” shfaqet shpesh në Librin e Mormonit. Në fakt, njëri nga qëllimet kryesore të librit është t’ua bëjë këtë ftesë të gjithëve. Ndërsa lexoni tek Omni 1:25–26, çfarë fjalësh ose frazash gjeni që e përshkruajnë se si të vini te Krishti? Çfarë do të bëni për të ardhur tek Ai më plotësisht?

Mormoni duke përpiluar fletët e arta

Mormon Compiling the Plates [Mormoni Duke Përpiluar Fletët], nga Jorge Cocco

Fjalët e Mormonit 1:1–8

Perëndia do të veprojë nëpërmjet meje ndërsa e ndjek udhërrëfimin e Tij.

Një arsye pse Zoti e frymëzoi Mormonin t’i përfshinte fletët e vogla të Nefit në Librin e Mormonit ishte sepse Perëndia e dinte se 116 faqet e para të përkthyera do të humbisnin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 10; Shenjtorët, vëllimi 1, kapitulli 5). Pse jeni mirënjohës që Mormoni e zbatoi udhëzimin e Zotit për t’i përfshirë këto shkrime (që përbëjnë librat 1 Nefi deri tek Omni)? Çfarë arsyesh dha Mormoni për përfshirjen e tyre? (Shihni Fjalët e Mormonit 1:3–7.) Kur e keni parë Perëndinë të veprojë nëpërmjet jush apo të tjerëve?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Enosi 1:1–5

Unë mund të flas me Atin Qiellor nëpërmjet lutjes.

  • Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që t’i bëjnë lutjet e tyre më kuptimplota? Merreni parasysh t’u tregoni atyre një figurë të Enosit që lutet; lërini ata ta përshkruajnë atë që shohin. Më pas ata mund t’i mbyllin sytë dhe të imagjinojnë sikur po bisedojnë me Atin Qiellor ballë për ballë. Për çfarë do të dëshironin të flisnin ata? Çfarë mund të donte t’u thoshte Ai atyre?

  • Ndërsa lexoni me zë të lartë tek Enosi 1:1–5, fëmijët më të vegjël mund të bëjnë sikur janë Enosi, duke bërë me gjeste sikur po bëjnë gjueti, po gjunjëzohen për t’u lutur e kështu me radhë. Fëmijët më të mëdhenj mund të mbajnë vesh për një fjalë ose frazë që i përshkruan lutjet e Enosit. Çfarë na tregojnë këto fjalë rreth lutjeve të Enosit? Tregoni një përvojë kur shpirti juaj “ishte i uritur” dhe “iu përgjër[uat]” Zotit (Enosi 1:4).

familje duke u lutur

Si fëmijë të Perëndisë, ne mund t’i lutemi Atit tonë Qiellor.

Enosi 1:2–16

Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.

  • Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta kuptojnë se Ati Qiellor do t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe t’u përgjigjet atyre? Merreni parasysh t’i ftoni ata të renditin disa nga gjërat për të cilat luten zakonisht. Më pas mund t’i ndihmoni ata të gjejnë se për çfarë u lut Enosi tek Enosi 1:2, 9, 13–14 dhe 16 (shihni edhe te “Kapitulli 11: Enosi”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 30–31).

    Cilat ishin rrjedhojat e lutjeve të Enosit? (Shihni vargjet 6, 9, 11.)

    Çfarë mësojmë nga përvoja e Enosit rreth mënyrës se si t’i përmirësojmë lutjet tona?

  • Këndoni së bashku një këngë rreth lutjes, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7). Mbase fëmijët tuaj mund t’i ngrenë duart lart sa herë që dëgjojnë fjalën “lutem” ose “lutje” ose një fjalë tjetër që përsëritet. Tregojuni fëmijëve tuaj për disa nga mënyrat se si Ati Qiellor u është përgjigjur lutjeve tuaja.

Fjalët e Mormonit 1:3–8

Unë mund t’i bekoj të tjerët kur ia vë veshin Frymës së Shenjtë.

  • Mormoni ndoqi udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për t’i përfshirë fletët e vogla të Nefit në Librin e Mormonit. Gjithçka që kemi studiuar në Librin e Mormonit deri tani gjatë këtij viti, na ka ardhur për shkak se Mormoni bëri zgjedhjen për ta dëgjuar Shpirtin. Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mësojnë rreth të dëgjuarit të Shpirtit? Ftojini ata të lexojnë me radhë vargjet nga Fjalët e Mormonit 1:3–8. Mund të bisedoni për atë që mësojnë nga secili varg. Fëmijët tuaj atëherë mund:

    • Të tregojnë atë që kanë mësuar nga tregimet në Librin e Mormonit këtë vit (figurat nga manuali Eja, Më Ndiq mund t’i ndihmojnë ata t’i kujtojnë).

    • Të këndojnë së bashku një këngë rreth Frymës së Shenjtë, të tillë si “Zëri i Ulët i Qetë” (Liahona, prill 2006 f. M13).

    • Të bisedojnë për përvoja në të cilat ata u udhërrëfyen nga Shpirti për të bërë diçka që e bekoi dikë tjetër.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Enosi duke u lutur

Enos Praying [Enosi Duke u Lutur], nga Robert T. Barrett