Eja, Më Ndiq
13–19 Maj: “Një Dritë … që Nuk Mund të Errësohet Kurrë”. Mosia 11–17


“13–19 Maj: ‘Një Dritë … që Nuk Mund të Errësohet Kurrë’. Mosia 11–17”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“13–19 Maj. Mosia 11–17”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Abinadi duke i dëshmuar mbretit Noe

Abinadi before King Noah [Abinadi përpara Mbretit Noe], nga Andrew Bosley

13–19 Maj: “Një Dritë … që Nuk Mund të Errësohet Kurrë”

Mosia 11–17

Zjarre të mëdha mund të nisin nga një shkëndijë e vetme. Abinadi ishte vetëm një njeri që dëshmoi kundër një mbreti të fuqishëm dhe oborrit të tij mbretëror. Fjalët e tij u hodhën poshtë nga shumica e tyre dhe ai u dënua me vdekje. Prapëseprapë, dëshmia e tij për Jezu Krishtin, i cili është “drita … që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:9), ndezi njëfarë shkëndije brenda priftit të ri, Almës. Dhe ajo shkëndijë e kthimit në besim u rrit dalëngadalë teksa Alma solli shumë të tjerë në pendim dhe besimin te Jezu Krishti. Flakët që e vranë Abinadin, në fund u shuan, por zjarri i besimit që krijuan fjalët e tij, do të kishte ndikim të përhershëm te nefitët – dhe te njerëzit që i lexojnë fjalët e tij sot. Shumica prej nesh, për shkak të dëshmive të veta, kurrë nuk do të përballet plotësisht me diçka si ajo që bëri Abinadi, por ne të gjithë kalojmë çaste kur ndjekja e Jezu Krishtit përbën një provë të guximit dhe besimit tonë. Ndoshta studimi i dëshmisë së Abinadit do t’u japë vrull flakëve të dëshmisë dhe guximit në zemrën tuaj gjithashtu.

Shihni edhe “Abinadi Dëshmon për Jezu Krishtin” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 11–1317

ikona e seminarit
Unë mund ta mbroj Jezu Krishtin, edhe kur qëndroj i/e vetëm/me.

Ndërkohë që jeni duke studiuar kapitujt Mosia 11–13; 17, vështrojini figurat e Abinadit në këtë përvijim. Çfarë mësoni rreth qëndrimit si një dëshmitar/e për Krishtin? Në veçanti, mund ta përqendroni studimin tuaj te fragmente dhe pyetje si këto:

Kur jeni ndier sikur po qëndronit të vetëm në mbrojtje të Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij? Si ju ndihmoi Ai ta ndienit që ishte me ju? Ndërsa e përsiatni këtë, mund të lexoni rrëfimin e Eliseut dhe të shërbëtorit të tij të ri te 2 Mbretërve 6:14–17. Çfarë ju frymëzon nga ky rrëfim?

Mund të kërkoni edhe në faqet 31–33 të materialit Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, për të gjetur fraza që ju japin guxim për ta mbrojtur të vërtetën. Ose mund të bëni të njëjtën gjë në tekstin e një himni si “Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’” ose “Punës Le t’i Vihemi” (Himne, nr. 149, 154).

Si do ta zbatoni atë që mësuat nga Abinadi? Materiali filmik “Dare to Stand Alone” [“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] portretizon situata në të cilat ju mund të qëndroni në mbrojtje të Krishtit dhe ungjillit të Tij. Për çfarë shembujsh të tjerë mund të mendoni?

Shihni edhe te Romakëve 1:16; 2 Timoteut 1:7–8; “Kapitulli 8: Thirrja për Kurajë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020), f. 135–147; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Faith in Jesus Christ” [“Besimi te Jezu Krishti”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Jepni mësim me anë të Shpirtit. “Mësimdhënia e fuqishme e ungjillit kërkon jo vetëm që të përgatitni një mësim, por ta përgatitni veten tuaj … shpirtërisht [për ta] dëgj[uar] dhe nd[jekur] udhërrëfimin e Shpirtit teksa jepni mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17).

Mosia 12:19–37

Unë kam nevojë të përdor zemrën time që ta kuptoj fjalën e Perëndisë.

Priftërinjtë e mbretit Noe e njihnin fjalën e Perëndisë. Ata mund të citonin fragmente nga shkrimet e shenjta dhe të pretendonin se i jepnin mësim urdhërimet. Megjithatë, jeta e tyre dukej e pandikuar nga ungjilli i Shpëtimtarit. Përse vallë?

Mendoni për këtë ndërsa lexoni te Mosia 12:19–37. Çfarë mendoni se do të thotë ta përdorni zemrën tuaj për të kuptuar fjalën e Perëndisë? Cilat fjalë ose fraza ju frymëzojnë të bëni ndryshime në mënyrën se si i qaseni të mësuarit të ungjillit?

Mosia 13:11–26

Urdhërimet e Perëndisë duhet të jenë të shkruara në zemrën time.

Përsiateni vërejtjen e Abinadit që urdhërimet “nuk [qenë] shkruar në zemrat” e priftërinjve (Mosia 13:11). Çfarë mund të nënkuptojë kjo frazë? Teksa lexoni te Mosia 13:11–26, merreni parasysh a janë shkruar këto urdhërime në zemrën tuaj.

Shihni edhe te Jeremia 31:31–34; 2 Korintasve 3:3.

Mosia 14–15

Jezu Krishti vuajti për mua.

Te Mosia 14–15, vini re fjalë e fraza që e përshkruajnë Shpëtimtarin dhe atë çfarë vuajti Ai për ju. Cilat vargje ndihmojnë që të thellohet dashuria dhe mirënjohja juaj për Të?

Mosia 15:1–12

Si është Jezu Krishti edhe Ati, edhe Biri?

Abinadi dha mësim se Perëndia, Biri – Jezu Krishti, do të ishte Shëlbuesi (shihni te Mosia 15:1), që do të jetonte në mish, duke u bërë si njeri ashtu dhe Perëndi (vargjet 2–3). Ai ia nënshtroi plotësisht veten e Tij vullnetit të Perëndisë Atit (vargjet 5–9). Për shkak të kësaj, Jezu Krishti është edhe Biri i Perëndisë, edhe përfaqësimi i përsosur tokësor i Perëndisë Atit (shihni te Gjoni 14:6–10).

Jezu Krishti është gjithashtu Ati në kuptimin që kur ne e pranojmë shëlbimin e Tij, ne bëhemi “fara e tij” dhe trashëgimtarët e mbretërisë së Perëndisë” (Mosia 15:11–12). Me fjalë të tjera, ne rilindim shpirtërisht nëpërmjet Tij (shihni te Mosia 5:7).

Pse ndieni se është e rëndësishme t’i dimë këto të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? Si e forcon dëshmia e Abinadit besimin tuaj tek Ata?

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Mosia 11–1317

Unë mund ta mbroj Jezu Krishtin, edhe kur qëndroj i/e vetëm/me.

  • Në një pikë të jetës sonë, të gjithë përballemi me trysni për të bërë zgjedhje që bien ndesh me besimin tonë te Jezu Krishti. Çfarë mund të mësojnë fëmijët tuaj nga Abinadi rreth qëndrimit si një dëshmitar/e i/e Jezu Krishtit, edhe kur kjo nuk është diçka që pranohet gjerësisht? Vepra e artit në këtë përvijim ose te “Kapitulli 14: Abinadi dhe Mbreti Noe” (tek Tregime të Librit të Mormonit, f. 38–42) mund t’i ndihmojë ata ta përfytyrojnë rrëfimin te Mosia 11–13; 17. Pyetini ata se çfarë u pëlqen tek Abinadi.

  • Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë ta luajnë me role tregimin për Abinadin. Më pas ata mund të luajnë me role skenarë nga jeta reale që të ushtrohen për atë që mund të bëjnë, nëse të tjerët duan që ata të bëjnë diçka të gabuar. Ose mund të tregojnë përvoja kur qenë shumë trima duke ndjekur Jezu Krishtin. Si e ndoqi Abinadi Jezu Krishtin? (Shihni te Mosia 13:2–9; 17:7–10.) Pse mbreti Noe nuk bëri atë që e dinte se ishte e drejtë? (Shihni te Mosia 17:11–12.)

Mosia 12:33–36; 13:11–24

Unë duhet t’u bindem Dhjetë Urdhërimeve.

  • Priftërinjtë e mbretit Noe i dinin urdhërimet por nuk i kishin të “shkruar[a] në zemrat [e tyre]” (Mosia 13:11). Si do t’i ndihmoni fëmijët tuaj t’i dinë urdhërimet dhe t’i duan ato? Ndoshta ata mund t’i shkruajnë urdhërimet nga Mosia 12:33–36 dhe 13:11–24 në copa letre në formë zemre. Ndërsa e bëjnë, bisedoni me ta rreth domethënies së këtyre urdhërimeve dhe mënyrës se si t’i zbatojmë ato. Si i shkruajmë këto urdhërime në zemrat tona?

  • Mund të këndoni së bashku një këngë rreth urdhërimeve, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69). Çfarë bekimesh vijnë nga zbatimi i urdhërimeve?

Atë e bir duke lexuar shkrimet e shenjta

Shkrimet e shenjta na mësojnë urdhërimet e Perëndisë.

Mosia 14; 16:4–9

Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin që të më udhëhiqte të kthehesha tek Ai.

  • Ndonëse është një kapitull i shkurtër, Mosia 14 ka disa fjalë dhe fraza që përshkruajnë Jezu Krishtin. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund t’i renditni ato teksa e lexoni kapitullin së bashku. Më pas mund të bisedoni rreth asaj që ndieni për Shpëtimtarin teksa i studioni këto fjalë dhe fraza.

  • Për të dhënë mësim për Jezu Krishtin, Abinadi citoi profetin Isaia, i cili na krahasoi me delet e humbura. Mbase fëmijët tuaj mund të tregojnë përvoja kur u humbi diçka ose kur ata vetë humbën. Si u ndien ata? Çfarë bënë ata? Më pas mund të lexoni së bashku te Mosia 14:6 dhe 16:4–9. Në ç’mënyrë jemi ne sikurse delet që enden larg Perëndisë? Si na ndihmon Jezu Krishti që të kthehemi?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Abinadi duke i dëshmuar mbretit Noe

His Face Shone with Exceeding Luster [Fytyra e Tij Shndriti me një Shkëlqim të Madh], nga Jeremy Winborg