Eja, Më Ndiq
k20–26 Maj: “Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të”. Mosia 18–24


“20–26 Maj: ‘Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të’. Mosia 18–24”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“20–26 Maj. Mosia 18–24”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

populli i Limhit duke u arratisur

Minerva Teichert (1888–1976), Escape of King Limhi and His People [Arratisja e Mbretit Limhi dhe Popullit të Tij], 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 x 122 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969.

20–26 Maj: Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të

Mosia 18–24

Rrëfimi i Almës dhe popullit të tij te Mosia 18; 23–24 tregon se çfarë do të thotë të “hyni në grigjën e Perëndisë” (Mosia 18:8). Kur populli i Almës u pagëzua, ata bënë një besëlidhje me Perëndinë që t’i “shërbeni[n] atij dhe … t[’i] zbatoni[n] urdhërimet e tij” (Mosia 18:10). Ndërkohë që ky ishte një zotim vetjak me Perëndinë, gjithashtu kishte të bënte me mënyrën se si ata e trajtonin njëri‑tjetrin. Po, udhëtimi i kthimit për tek Ati Qiellor është individual dhe askush nuk mund t’i mbajë besëlidhjet për ne, por kjo nuk do të thotë që ne jemi vetëm. Ne kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Si anëtarë të Kishës së Krishtit, ne besëlidhim që t’i shërbejmë Perëndisë duke e ndihmuar dhe duke i shërbyer njëri‑tjetrit përgjatë udhës, duke i “mba[jtur] barrët e njëri‑tjetrit” (Mosia 18:8–10). Populli i Almës, pa dyshim, që kishte barrë për t’i mbajtur, ashtu si kemi të gjithë ne. Dhe një mënyrë se si na ndihmon Zoti t’i “duro[jmë] barrët [tona] me lehtësi” (Mosia 24:15) është duke na dhënë një bashkësi shenjtorësh, të cilët kanë premtuar të vajtojnë me ne dhe të na ngushëllojnë, ashtu siç kemi premtuar ne të bëjmë për ata.

Shihni edhe “The Lord Delivers the Covenant Peoples of Alma and Limhi” [“Zoti i Çliron Popujt Besëlidhës të Almës dhe Limhit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 18:1–17

ikona e seminarit
Kur pagëzohem, unë bëj një besëlidhje me Perëndinë.

Merrni parasysh se sa të thella ishin ndjenjat e besimtarëve të përshkruar te Mosia 18 për Jezu Krishtin. Atyre iu desh të takoheshin fshehtas, duke rrezikuar shumë, për të mësuar rreth Tij (shihni vargun 3). Dhe kur iu dha mundësia ta tregonin zotimin e tyre me anë të besëlidhjes së pagëzimit, “ata përplasën duart e tyre nga gëzimi dhe thirrën: Kjo është dëshira e zemrave tona” (Mosia 18:11).

Leximi i këtyre vargjeve mund të jetë një mundësi e mirë për të përsiatur se sa të rëndësishme janë besëlidhjet tuaja për ju. Ndërsa studioni te Mosia 18:8–14 në veçanti, merrni parasysh pyetje si këto:

  • Çfarë mësoni nga këto vargje për premtimet që bëtë në pagëzim? Çfarë ju premton Perëndia? (Shihni vargjet 10, 13.)

  • Si lidhet besëlidhja për t’i shërbyer Perëndisë me përpjekjet tona për t’i dhënë shërbesë njëri‑tjetrit? (Shihni vargjet 8–9.)

  • Çfarë do të thotë për ju që të “qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë”? (Vargu 9.)

  • Si ju ndihmon mbajtja e besëlidhjeve tuaja të pagëzimit që të jeni “të mbushur me Shpirtin”? (Mosia 18:14.) Si ju ndihmon Shpirti që ta mbani besëlidhjen tuaj?

Dhënia e përgjigjeve për këto pyetje mund t’ju shtyjë të përsiatni arsyet pse besëlidhjet dhe ordinancat janë të rëndësishme për Perëndinë. Mund të gjeni ide në mesazhin e Plakut Gerit W. Gong “Përkatësia në Besëlidhje” (Liahona, nëntor 2019, f. 80–83) ose në mesazhin e Presidentes Xhin B. Bingham “Besëlidhjet me Perëndinë na Forcojnë, na Mbrojnë dhe na Përgatitin për Lavdi të Përjetshme” (Liahona, maj 2022, f. 66–69). Përse jeni mirënjohës/e për besëlidhjet tuaja? Çfarë po bëni për t’i mbajtur premtimet tuaja?

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Baptism” [“Pagëzim”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Alma the Elder Teaches and Baptizes at the Waters of Mormon” [“Alma Plaku Jep Mësim dhe Pagëzon në Ujërat e Mormonit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Jepeni mësim të vërtetën nga shkrimet e shenjta dhe profetët e ditëve të mëvonshme. Ndërsa jepni mësim dhe mësoni, mbajeni mend se një nga mënyrat më të mira për ta rritur besimin te Krishti është të përqendroheni te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme (shihni te Mosia 18:19).

Mosia 18:17–30

Perëndia e urdhëron popullin e Tij të mblidhet, të organizohet dhe të jetë i bashkuar.

Disa njerëz e pyetin veten se përse kemi nevojë për një kishë? Hetojini vargjet Mosia 18:17–31, duke kërkuar vlerën që gjeti populli i Almës nga mbledhja te “kisha e Krishtit” (Mosia 18:17). Çfarë ngjashmërish shihni në Kishën e Jezu Krishtit në kohën e Almës dhe në kohën tonë?

Si do t’i përgjigjeshit një miku ose pjesëtari të familjes që nuk beson se është e nevojshme një kishë e organizuar? Pse jeni mirënjohës/e që i përkitni Kishës së Jezu Krishtit?

Mendoni për atë që mund të bëni për t’i ndihmuar anëtarët e lagjes apo degës suaj që të jenë “të thurur në bashkim dhe në dashuri” (Mosia 18:21).

Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24–26; “Doni Njëri-Tjetrin”, Himne, nr. 203.

Mosia 21–24

Perëndia më ndihmon t’i mbart barrët e mia.

Populli i Limhit dhe populli i Almës ranë në robëri, ndonëse në rrethana të ndryshme. Çfarë mund të mësoni nga krahasimi i rrëfimeve për popullin e Limhit te Mosia 19–22 me ato për popullin e Almës te Mosia 18; 23–24? Ndërsa e bëni atë, kërkoni mesazhe që gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, çfarë do të thotë të “përparoni pjesërisht”? (Mosia 21:16.) Si mund ta zbatoni këtë parim?

Mosia 23:21–24; 24:8–17

Unë mund të mirëbesoj te Zoti.

Ndonëse ishin penduar për mëkatet e tyre, Alma dhe populli i tij prapëseprapë e gjetën veten në robëri. Përvoja e tyre tregon që mirëbesimi te Zoti dhe të jetuarit sipas besëlidhjeve tona nuk na i largojnë përherë sfidat tona, por vërtet na ndihmojnë që t’i kapërcejmë ato. Teksa lexoni te Mosia 23:21–24 dhe 24:8–17, vini re fjalë e fraza që mund t’ju ndihmojnë të mirëbesoni te Zoti, pavarësisht nga rrethanat tuaja.

Shihni edhe te Dejvid A. Bednar, “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Liahona, maj 2014, f. 87–90.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Mosia 18:7–17

Kur pagëzohem, unë bëj një besëlidhje me Perëndinë.

  • Një mënyrë e rëndësishme se si t’i ndihmoni fëmijët tuaj të përgatiten për pagëzimin është që t’u jepni mësim rreth besëlidhjes që ata do të bëjnë kur të pagëzohen. Kjo mund të jetë edhe thjesht t’u tregoni një figurë në fund të përvijimit të kësaj jave dhe të lexoni rreth besëlidhjes me ta te Mosia 18:9–10. Merrni parasysh ta ftoni një fëmijë që është pagëzuar tashmë, që t’ua mësojë këtë fëmijëve më të vegjël. Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të dëgjojnë rreth pagëzimit tuaj. Si e ka bekuar jetën tuaj mbajtja e besëlidhjeve tuaja me Perëndinë?

  • Fëmijët që janë pagëzuar, mund të përdorin kujtues të vazhdueshëm rreth besëlidhjeve që bënë dhe i përtërijnë çdo javë me sakramentin. Ndoshta fëmijët tuaj mund ta krahasojnë besëlidhjen e pagëzimit të përshkruar te Mosia 18:8–10 me lutjet e sakramentit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Si mund ta bëjmë sakramentin një orë të veçantë e plot nderim, njësoj siç ishte pagëzimi ynë?

e re duke u pagëzuar

Ne bëjmë një besëlidhje me Perëndinë kur pagëzohemi.

Mosia 18:17–28

Kur pagëzohem, unë bëhem anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit.

  • A e dinë fëmijët tuaj se çfarë do të thotë të jesh anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Merreni parasysh t’i ndihmoni ata të gjejnë figura që përfaqësojnë gjërat që bënë anëtarët e Kishës te Mosia 18:17–28. Për shembull, figurat Shugurimi në Priftëri dhe Pagimi i së Dhjetës (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 106113) mund të përfaqësojnë vargjet 18 dhe 27–28. Thuajuni atyre se përse jeni mirënjohës/e që jeni anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit.

  • Ndihma që fëmijët të ndihen të “thurur në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit” (Mosiah 18:21) i mundëson të rrinë të lidhur me Kishën gjatë gjithë jetës së tyre. Merreni parasysh t’i ftoni fëmijët tuaj të lexojnë te Mosia 18:17–28. Çfarë bënë anëtarët e Kishës së Krishtit në kohën e Almës për ta dashur dhe për t’i shërbyer njëri-tjetrit? Si mund ta bëjmë këtë në lagjen, degën ose komunitetin tonë? Një këngë rreth dashurisë, e tillë si “Do t’Ec’ me Ty” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79), mund ta përforcojë këtë mesazh.

Mosia 24:8–17

Perëndia mund t’i lehtësojë barrët e mia.

  • Një mësim i thjeshtë me sende mund ta bëjë të mësuarit më të paharrueshëm. Merreni parasysh të mbushni një çantë me sende të rënda (për të përfaqësuar barrët) dhe ftojeni një fëmijë ta mbajë çantën. Ndërsa lexoni te Mosia 24:8–17 me fëmijët tuaj, kërkojuni atyre të heqin një objekt nga çanta sa herë që të dëgjojnë për diçka që bënë Alma dhe populli i tij për të kërkuar ndihmën e Perëndisë për barrët e tyre. Më pas mund të bisedoni me ta rreth mënyrës se si Ati Qiellor mund t’i bëjë barrët tona më të lehta kur kërkojmë ndihmën e Tij.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

njerëz duke u pagëzuar

The Waters of Mormon [Ujërat e Mormonit], nga Jorge Cocco