Eja, Më Ndiq
2–8 Shtator: “Kujtoni Zotin”. Helamani 7–12


“2–8 Shtator: ‘Kujtoni Zotin’. Helamani 7–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“2–8 Shtator. Helamani 7–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Nefi duke u lutur në kullë në një kopsht

Ilustrim i Nefit në kullë në një kopsht, nga Jerry Thompson

2–8 Shtator: “Kujtoni Zotin”

Helamani 7–12

Babai i Nefit, Helamani, i nxiti bijtë e tij duke u thënë: “Mbani mend, mbani mend”. Ai dëshironte që ata të mbanin mend paraardhësit e tyre, të mbanin mend fjalët e profetëve dhe para së gjithash të mbanin mend “Shëlbuesi[n] tonë që është Krishti” (shihni te Helamani 5:5–14). Është e qartë që Nefi vërtet mbajti mend, sepse ky është i njëjti mesazh që ai ia shpalli popullit vite më vonë “pa u lodhur” (Helamani 10:4). “Si mund ta keni harruar Perëndinë tuaj?” – pyeti ai (Helamani 7:20). Të gjitha përpjekjet e Nefit, predikimi, lutja, kryerja e mrekullive dhe bërja e kërkesës ndaj Perëndisë për një zi buke, ishin përpjekje për t’i ndihmuar njerëzit që të ktheheshin te Perëndia dhe ta kujtonin Atë. Në shumë mënyra, harrimi i Perëndisë është një problem edhe më i madh sesa mosnjohja e Tij. Është e lehtë ta harrojmë Atë kur mendja jonë shpërqendrohet nga “gjërat e kota të kësaj bote” dhe mjegullohet nga mëkati (Helamani 7:21; shihni edhe te Helamani 12:2). Por, siç tregon shërbesa e Nefit, nuk është kurrë vonë të kujtoni dhe të “ktheh[e]ni te Zoti, Perëndia juaj” (Helamani 7:17).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Helamani 7–11

seminary icon
Profetët u zbulojnë njerëzve vullnetin e Perëndisë.

Helamani 7–11 është një vend veçanërisht i mirë për të mësuar rreth asaj që bëjnë profetët. Teksa i lexoni këta kapituj, kushtojuni vëmendje veprimeve, mendimeve dhe ndërveprimeve të Nefit me Zotin. Si ju ndihmon shërbesa e Nefit që ta kuptoni më mirë rolin e profetëve? Ja ku janë disa shembuj. Çfarë tjetër gjeni?

Nisur nga ato që lexuat, si do ta përshkruanit se çfarë është një profet dhe atë që bën ai? Merreni parasysh të shkruani një përkufizim të shkurtër. Më pas shihni se çfarë do t’i shtonit përkufizimit tuaj pasi të lexoni zërin “Profet” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] ose “Ndiqni Profetin e Gjallë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 155–163).

A e vutë re se sa guximtar qe Nefi te Helamani 7:11–29? Si mendoni, përse ndonjëherë profetët nevojitet të flasin me guxim, ashtu siç bëri Nefi? Merreni parasysh të kërkoni përgjigje në pjesën e titulluar “Mos u Habitni” në mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Profeti i Perëndisë” (Liahona, maj 2018, f. 26).

Me të gjitha këto të vërteta në mendje, përsiatni për mënyrën se si Zoti ju ka bekuar nëpërmjet shërbesës së profetëve të Tij. Çfarë ju ka mësuar Ai kohët e fundit nëpërmjet profetit tonë të gjallë? Çfarë po bëni që ta dëgjoni dhe ta ndiqni drejtimin e Zotit?

Helamani 9; 10:1, 12–15

Besimi im te Jezu Krishti duhet të ndërtohet bazuar më shumë sesa thjesht shenjat dhe mrekullitë.

Nëse shenjat ose mrekullitë do të ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar zemrën e një njeriu, të gjithë nefitët do të ishin kthyer në besim nëpërmjet shenjave të jashtëzakonshme që bëri Nefi te Helamani 9. Por kjo nuk ndodhi. Vërini re mënyrat e ndryshme se si reaguan njerëzit ndaj mrekullisë te Helamani 9–10. Për shembull, mund t’i krahasoni përgjigjet e pesë njerëzve dhe gjykatësve te Helamani 9:1–20 (shihni edhe te Helamani 9:39–41; 10:12–15). Çfarë mësoni nga këto përvoja rreth mënyrës se si ta ndërtoni besimin tuaj te Jezu Krishti?

Shihni edhe te 3 Nefi 1:22; 2:1–2.

Helamani 10:1–12

Zoti u jep fuqi njerëzve që e kërkojnë vullnetin e Tij dhe përpiqen fort t’i zbatojnë urdhërimet e Tij.

Ndërsa i studioni vargjet te Helamani 10:1–12, vini re se çfarë bëri Nefi për të fituar mirëbesimin e Zotit. Si e tregoi ai se kërkonte vullnetin e Zotit dhe jo vullnetin e tij? Çfarë ju frymëzon të bëni përvoja e Nefit?

Helamani 10:2–4

Meditimi ose përsiatja e fjalëve të Perëndisë fton zbulesë.

Kur ndiheni të shtypur, të shqetësuar ose të pështjelluar, ju mund të merrni një mësim të rëndësishëm nga shembulli i Nefit te Helamani 10:2–4. Çfarë bëri ai kur u ndje “i mërzitur”? (Vargu 3.)

Presidenti Henri B. Ajring shpjegoi: “Kur përsiatim, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti” (“Shërbeni me Shpirtin”, Liahona, nëntor 2010, f. 60). Si mund të krijoni një zakon të meditimit ose përsiatjes?

Helamani 12

Zoti dëshiron që unë ta kujtoj Atë.

Si e mbani mend një informacion të rëndësishëm, si ditëlindjen e një familjari ose informacionin për një provim? Ku ngjason kjo me përpjekjen që kërkohet për ta “kujt[uar] Zotin”? (Helamani 12:5.) Nga ndryshon ajo?

Helamani 12 përshkruan disa gjëra që i bëjnë njerëzit ta harrojnë Zotin. Mbase mund t’i renditni ato dhe të meditoni ose përsiatni a mund të jenë duke ju shpërqendruar ato nga Ai. Çfarë ju ndihmon ta kujtoni Jezu Krishtin? Çfarë jeni i/e frymëzuar të bëni nisur nga ajo që mësuat?

Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79; “Me Nderim, But’si Tani”, Himne, nr. 107.

Përdorni mësime me sende. Shpëtimtari shpesh i lidhi parimet e ungjillit me gjërat e përditshme që njerëzit i kishin të njohura. Kur të jeni duke mësuar ose dhënë mësim rreth vargjeve te Helamani 12:1–6, mund ta krahasoni “paqëndrueshmërinë e … njerëzve” me mënyrën se si ndihemi kur përpiqemi të mbajmë ekuilibrin kur rrimë me një këmbë. Si mund të mbetemi të qëndrueshëm shpirtërisht?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Helamani 7:20–21

Zoti dëshiron që unë ta kujtoj Atë.

  • Për të nisur një bashkëbisedim rreth të kujtuarit të Zotit, mund t’u tregoni fëmijëve tuaj rreth një kohe kur harruat diçka. Lërini ata të tregojnë përvoja të veta të ngjashme. Më pas mund të lexoni së bashku te Helamani 7:20–21 dhe pyetini fëmijët tuaj se çfarë mendojnë se do të thotë ta harrosh Perëndinë. Ndoshta fëmijët tuaj mund të bëjnë vizatime të gjërave që mund të shkaktojnë që ne ta harrojmë Zotin dhe t’i përdorin vizatimet e tyre për të mbuluar një figurë të Jezusit. Ata më pas mund të mendojnë për gjërat që mund të bëjnë për ta kujtuar Atë. Teksa i shprehin mendimet e tyre, ata mund t’i heqin vizatimet një e nga një derisa të zbulohet figura e Shpëtimtarit.

Helamani 8:13–23

Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të kërkojnë te Helamani 8:13–23 për të gjetur emra profetësh që dhanë mësim për Jezu Krishtin. Ndoshta mund të kalojnë dorë më dorë një figurë të Jezusit sa herë që ta gjejnë një të tillë. Çfarë na ka mësuar profeti ynë i gjallë rreth Shpëtimtarit?

  • Gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë për profetët, të tillë si “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të zgjidhni një frazë kyç nga kënga dhe shkruani një fjalë nga fraza në secilën prej disa letrave në formën e gjurmëve të këmbëve. Më pas mund t’i vendosni gjurmët e këmbëve në dysheme që çojnë drejt figurës së Shpëtimtarit dhe fëmijët tuaj mund t’i ndjekin gjurmët e këmbëve drejt figurës. Si na ka udhëhequr ndjekja e profetit drejt Jezu Krishtit?

Helamani 10:1–4

Meditimi ose përsiatja e fjalëve të Perëndisë fton zbulesë.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se çfarë do të thotë të meditosh ose përsiatësh, mund të lexoni së bashku zërin “Meditoj” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Cilat janë disa fjalë të tjera të ngjashme me fjalët meditoj ose përsiat? Mbase mund të lexoni te Helamani 10:1–3 së bashku dhe ta zëvendësoni fjalën medituar/meditonte me fjalët e tjera. Bisedoni me fëmijët tuaj rreth mënyrave për ta bërë meditimin ose përsiatjen pjesë të studimit të tyre të shkrimeve të shenjta.

Helamani 10:11–12

Unë do t’i bindem Atit Qiellor.

  • Nefi iu bind Atit Qiellor edhe kur kjo nënkuptonte bërjen e diçkaje të vështirë. Për një shembull të kësaj, ju dhe fëmijët tuaj mund lexoni te Helamani 10:2, 10–12. Ndoshta fëmijët tuaj mund ta interpretojnë me role atë që bëri Nefi, mund që të ecin drejt njërës anë të dhomës (sikur të ishin duke shkuar në shtëpi), të ndalojnë, të kthehen mbrapsht dhe të ecin drejt anës tjetër të dhomës (sikur të ishin duke u kthyer për t’u dhënë mësim njerëzve). Cilat janë disa gjëra që Ati Qiellor dëshiron që të bëjmë?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Seantumi zbulohet se është vrasësi

Nëpërmjet dhuratës së profecisë, Nefi e zgjidhi vdekjen e kryegjykatësit.

© The Book of Mormon for Young Readers, Seantum—The Murderer Is Discovered [Seantumi – Vrasësi Zbulohet], nga Briana Shawcroft; nuk lejohet kopjimi