Eja, Më Ndiq
26 Gusht – 1 Shtator: “Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë”. Helamani 1–6


“26 Gusht – 1 Shtator: ‘Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë’. Helamani 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“26 Gusht – 1 Shtator. Helamani 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

valë që përplasen në shkëmbinj

26 Gusht – 1 Shtator: “Shkëmbi i Shëlbuesit Tonë”

Helamani 1–6

Libri i Helamanit shënon si triumfet, ashtu edhe tragjeditë mes nefitëve dhe lamanitëve. Ai fillon me “një vështirësi serioze mes popullit të Nefitëve” (Helamani 1:1) dhe vështirësitë vazhdojnë të vijnë gjatë gjithë analit. Këtu lexojmë për intrigën politike, bandat e hajdutëve, mospranimin e profetëve, krenarinë ose kryelartësinë dhe mosbesimin anembanë vendit. Por ne gjithashtu gjejmë shembuj si Nefi e Lehi dhe “pjes[a] më [e] përulur [e] popullit”, të cilët jo vetëm mbijetuan, por u gjallëruan shpirtërisht (Helamani 3:34). Si e bënë ata këtë? Si qëndruan të fortë ndërkohë që qytetërimi i tyre filloi të dobësohej dhe të shpërbëhej? Në të njëjtën mënyrë secili prej nesh qëndron i fortë mes “furtun[ës] … [së] fuqishme” që djalli e dërgon të “lëshohe[t] mbi [ne]”, duke e ndërtuar jetën tonë “mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, … një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Helamani 1–6

Krenaria më ndan nga Shpirti dhe forca e Perëndisë.

Ndërsa lexoni te Helamani 1–6, mund të vini re një model në sjelljen e nefitëve. Kur jemi të drejtë, Perëndia i bekon ata dhe ata begatojnë. Pas njëfarë kohe, ata bëhen krenarë dhe të ligj, duke bërë zgjedhje që çojnë drejt shkatërrimit dhe vuajtjes. Më pas ata përulen dhe frymëzohen që të pendohen, dhe Perëndia i bekon edhe njëherë. Modeli përsëritet aq shpesh sa disa e quajnë atë “cikli i krenarisë”.

cikli i krenarisë

“Cikli i krenarisë”

Kërkoni shembuj të këtij cikli teksa lexoni te Helamani 1–6. Këtu janë disa pyetje për t’ju ndihmuar ta kuptoni këtë model:

  • Çfarë prove krenarie shihni mes nefitëve? (Shihni për shembull te Helamani 3:33–34; 4:11–13.) A shihni provë të ngjashme të krenarisë te vetja juaj?

  • Cilat janë pasojat e krenarisë dhe të ligësisë? (Shihni te Helamani 4:23–26.) Cilat janë pasojat e përulësisë dhe të pendimit? (Shihni te Helamani 3:27–30, 35; 4:14–16.)

  • Çfarë gjërash dëshironte Helamani që të mbanin mend bijtë e tij? (Shihni te Helamani 5:4–12.) Në çfarë mënyrash mund t’ju ndihmojë mbajtja mend e këtyre të vërtetave që t’i shmangeni bërjes krenarë?

Shihni edhe te “Kapitulli 18: Ruhuni nga Krenaria”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 243–255; “Çdo Or’ më Duhesh Ti”, Himne, nr. 51.

Helamani 3:24–35

Besimi te Krishti ma mbush shpirtin me gëzim.

Te Helamani 3, Mormoni përshkroi një kohë gëzimi kur Kisha qe aq e bekuar sa edhe udhëheqësit u habitën. Në bazë të asaj që lexuat te vargjet 24–32, çfarë mendoni se çoi në atë gjendje të gëzueshme? Megjithatë, jo të gjithë anëtarët patën vazhdimësi të gëzimit. Vërini re ndryshimet mes popullit që përshkruhen te vargjet 33–35. Çfarë mësoni nga shembulli i tij?

Kërkoni për zbatimin në planin personal. Profeti Mormoni përdori frazën “kështu, ne shohim” për të theksuar të vërteta të rëndësishme kur përmblodhi Librin e Mormonit. Për shembull, çfarë dëshironte ai që ne të shihnim te Helamani 3:27–30? Teksa i studioni shkrimet e shenjta, mund të ndaleni herë pas here për të plotësuar frazën dhe “kështu, ne shohim” lidhur me atë që keni lexuar.

Helamani 5:6–7

Unë mund ta nderoj emrin e Shpëtimtarit.

Leximi i vargjeve te Helamani 5:6–7 mund t’ju frymëzojë të merrni parasysh emrat që ju kanë vënë përfshirë mbiemrat. Çfarë domethënie kanë këta emra për ju? Si mund t’i nderoni ata? Më e rëndësishme se kjo, merreni parasysh se çfarë do të thotë të mbani emrin e Shpëtimtarit (shihni te Moroni 4:3). Si e nderoni atë emër të shenjtë?

Helamani 5:12–52

seminary icon
Nëse e bëj Jezu Krishtin themelin tim, nuk mund të bie.

Çfarë do të thotë për ju që ta “ndërtoni themelin tuaj” mbi “shkëmbin e Shëlbuesit tonë”? (Helamani 5:12.) Si keni gjetur te Jezu Krishti siguri nga stuhitë e jetës? Ndërsa lexoni te Helamani 5:12–52, përcaktoni se si Nefi dhe Lehi u bekuan për ndërtimin e besimit të tyre mbi shkëmbin e Shëlbuesit të tyre.

Disa njerëzve iu duket e dobishme të përfytyrojnë atë që po studiojnë. Për të përshkruar vargun te Helamani 5:12, mund të ndërtoni një strukturë të vogël mbi lloje të ndryshme themelesh. Më pas mund të krijoni një “erë … të fuqishme” duke spërkatur ujë mbi të dhe duke përdorur një ventilator për të krijuar erën. Çfarë pikëpamjesh ju jep kjo rreth ndërtimit të themelit tuaj mbi Jezu Krishtin? Çfarë mësoni tjetër nga materiali filmik “A Secure Anchor” [“Një Spirancë e Sigurt”]? (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].

Vargu 50 përmend “prova[t] e mëdha” që morën lamanitët. Leximi i vargjeve te Helamani 5:12–52 mund tʼju sjellë në mendje provat që ju ka dhënë Perëndia. Për shembull, ndoshta “një pëshpëritje” nga Shpirti e ka forcuar besimin tuaj te Shpëtimtari (Helamani 5:30; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 88:66). Ose ndoshta keni qenë në errësirë dhe i keni thirrur Perëndisë për besim më të madh (shihni te Helamani 5:40–47). Çfarë përvojash të tjera ju kanë ndihmuar që ta ndërtoni themelin tuaj mbi Jezu Krishtin?

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–96; Shon Daglas, “Përballja me Uraganet Tona Shpirtërore duke Besuar te Krishti”, Liahona, nëntor 2021, f. 109–111.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Helamani 3:24, 33–34; 4:11–15

Ati Qiellor dëshiron që unë të jem i/e përulur.

  • Merreni parasysh t’i ftoni fëmijët tuaj të vizatojnë një variant të vetin të “cikli[t të] krenarisë” duke u bazuar te diagrami i mësipërm. Më pas, ndërsa lexoni së bashku te Helamani 3:24, 33–34 dhe 4:11–15, ata mund të tregojnë me gisht pjesët e ciklit që përshkruhen te këto vargje. Si mund të zgjedhim të jemi të përulur dhe të qëndrojmë ashtu?

Helamani 5:12

Unë do ta ndërtoj themelin tim mbi Jezu Krishtin.

  • Merreni parasysh të përdorni fotografinë e një tempulli që të nisni një bashkëbisedim për arsyen pse ndërtesat kanë nevojë për themele të forta. Ose mund të shihni themelin e shtëpisë suaj ose ndërtesës së Kishës. Për të theksuar forcën e një themeli të patundur si shkëmbi, fëmijët tuaj mund të përpiqen të lëvizin një shkëmb duke i fryrë atij. Teksa lexoni së bashku te Helamani 5:12, pyetini fëmijët tuaj se përse Jezu Krishti është “një bazë e sigurt” për jetën tonë. Si mund ta ndërtojmë jetën tonë mbi Të? (Shihni te Helamani 3:27–29, 35 dhe Nenet e Besimit 1:4.)

  • Ftojini fëmijët tuaj të ndërtojnë një kullë duke përdorur kuba ose materiale të tjera mbi llojet e ndryshme të themeleve (të tilla si toptha pambuku ose një gur të sheshtë). Në ç’mënyrë është themeli i fortë si Jezu Krishti? Ata mund t’i shtojnë një kub strukturës për çdo ide që ata japin rreth asaj që mund të bëjnë për ta ndjekur Atë.

Helamani 5:21–52

Fryma e Shenjtë pëshpërit me një zë të qetë, të ulët.

  • Zëri i përshkruar te Helamani 5:29–30, 45–47 na mëson një mënyrë se si na flet Fryma e Shenjtë. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë këtë të vërtetë, merreni parasysh të lexoni te “Kapitulli 37: Nefi dhe Lehi në Burg” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 99–102). Kur të flitni për zërin që dëgjuan njerëzit, flitni me zë të butë. Përsëriteni historinë disa herë dhe ftojini fëmijët të pëshpëritin me ju. Ndihmojini ata të mendojnë për mënyra të tjera se si mund të na flasë Fryma e Shenjtë. Për ta përforcuar këtë parim, mund të këndoni së bashku “Zëri i Ulët i Qetë” (Liahona, prill 2006, f. M13).

Helamani 5:20–52

Pendimi e zëvendëson errësirën shpirtërore me dritë.

  • Për ta theksuar atë që na mësojnë vargjet te Helamani 5:20–41 rreth errësirës dhe dritës, provoni t’i lexoni ose përmblidhni këto vargje në errësirë, duke përdorur një elektrik dore për dritë. Fëmijët tuaj mund të mbajnë vesh për atë që nevojitej të bënin njerëzit në mënyrë që errësira të mund të hiqej. Pastaj ndizni dritat dhe lexoni së bashku vargjet 42–48. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth pendimit?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Nefi dhe Lehi në burg

Edhe në burg, Nefi dhe Lehi patën mbrojtje nga fuqia e Perëndisë.

© The Book of Mormon for Young Readers, Nephi and Lehi Encircled by a Pillar of Fire [Nefi dhe Lehi të Rrethuar nga një Shtyllë Zjarri], nga Briana Shawcroft; nuk lejohet kopjimi