Kapitulli 18
Ruhuni nga Krenaria
“Krenaria është mëkati i përbotshëm, vesi i madh. Kundërhelmi për krenarinë është përulësia.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
Në bisedën e tij të parë të konferencës së përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim për ndryshimet midis krenarisë dhe përulësisë:
“Krenaria nuk e respekton Perëndinë dhe nuk shqetësohet se çfarë është e drejtë. Ajo shikon tërthorazi te njeriu dhe grindet se kush ka të drejtë …
Krenaria karakterizohet nga ‘Çfarë dua unë nga jeta?’ sesa nga ‘Çfarë do Perëndia që unë të bëj me jetën time?’. Është vullneti i vetes kundër vullnetit të Perëndisë. Është frika nga njeriu mbi frikën nga Perëndia.
Përulësia i përgjigjet vullnetit të Perëndisë – frikës së gjykimeve të Tij dhe të nevojave të atyre përreth nesh. Për krenarët, duartrokitja e botës është çfarë ata duan të dëgjojnë; për të përulurit, duartrokitja e qiellit ua ngroh zemrat.”1
Këto mësime ishin të njohura për burrat që kishin shërbyer me Presidentin Benson në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Ata e dinin se, si President i kuorumit të tyre, ai kurrë nuk shqetësohej për mendimet e tij vetjake – vetëm për të mësuarit dhe të ndjekurit të vullnetit të Perëndisë. Presidenti Bojd K. Paker, që më vonë shërbeu vetë si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, tregoi për qasjen e Presidentit Benson ndaj diskutimeve në mbledhjet e kuorumit: “Ju mund të mos ishit dakord me Presidentin Benson, pa u shqetësuar se mos kishte gjë personale në këtë. Ne kishim diskutime të plota për çështje, pa u shqetësuar se cilat mund të ishin këndvështrimet e tij.”2 Plaku Rasëll M. Nelson, i cili shërbeu në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve për dy vjet nën drejtimin e Presidentit Benson, tha: “Në çdo vlerësim, edhe nëse nuk ishte opinioni i tij, Presidenti Benson e maste një situatë kundrejt një standardi – Cila është më e mira për mbretërinë? Nëse kjo do të thoshte se disa gjëra mund të bëheshin ndryshe nga sa do t’i kishte bërë ai, kështu le të bëheshin. Ai donte vetëm atë që ishte më e mira për mbretërinë.”3
Si udhëheqës qeveritar, Presidenti Benson ishte po aq i përkushtuar për të bërë atë që ishte më e mira për mbretërinë e Perëndisë. Kur shërbeu si sekretar i Shteteve të Bashkuara për bujqësinë, ai mori shumë “duartrokitje të botës”4, së bashku me një sasi të madhe kritike të ashpër. Ai nuk lejoi as njërën as tjetrën që t’i mbeteshin në ndërgjegje. Në vend të kësaj, ai ishte i vërtetë ndaj një kujtese që e merrte shpesh nga bashkëshortja e tij, Flora: “Mos u shqetëso rreth opinionit të botës për aq kohë sa je në rregull me Zotin”5. I kënaqur me “duartrokitjet [e pazhurmshme] të qiellit”6, ai kërkoi gjithmonë t’i përgjigjej vullnetit të Perëndisë.
Mësime të Ezra Taft Bensonit
1
Zoti na ka paralajmëruar që të ruhemi nga krenaria.
Doktrina e Besëlidhje na tregon se Libri i Mormonit është “anali i një populli të rënë”. (DeB 20:9.) Përse ranë ata? Ky është një nga mesazhet e mëdha të Librit të Mormonit. Mormoni e jep përgjigjen në kapitujt përmbyllës të librit me këto fjalë: “Vër re, kryelartësia e këtij kombi, ose e popullit të Nefitëve ka vërtetuar shkatërrimin e tyre”. (Moroni 8:27.) Dhe më pas, që të mos e humbasim atë mesazh shumë të rëndësishëm të Librit të Mormonit nga një popull i rënë, Zoti na paralajmëron te Doktrina e Besëlidhje: “Ruhuni nga krenaria që të mos bëheni si Nefitët e lashtësisë”. (DeB 38:39.)
Unë kërkoj me zell interesim në besimin dhe lutjet tuaja ndërsa përpiqem të sjell dritë mbi këtë mesazh të Librit të Mormonit – mëkatin e krenarisë. Ky mesazh ka rënduar fort mbi shpirtin tim për disa kohë. Unë e di se Zoti do që ky mesazh të jepet tani.
Në këshillin paratokësor, ishte krenaria që e bëri Luciferin të binte, “një bir i mëgjesit”. (2 Nefi 24:12–15; shih edhe DeB 76:25–27; Moisiu 4:3.) Në fund të kësaj bote, kur Perëndia të pastrojë botën, krenarët do të digjen si kashtë dhe të urtët do të trashëgojnë tokën. (Shih 3 Nefi 12:5; 25:1; DeB 29:9; Joseph Smith–Historia 1:37; Malakia 4:1.)
Tri herë në Doktrina e Besëlidhje, Zoti përdor shprehjen “ruhuni nga krenaria”, duke përfshirë një paralajmërim për plakun e dytë të Kishës, Oliver Kaudrin dhe për Ema Smithin, bashkëshorten e Profetit. (DeB 23:1; shih edhe 25:14; 38:39.)7
2
Tipari qendror i krenarisë është armiqësi ndaj Perëndisë dhe bashkëqenieve tona.
Krenaria është një mëkat shumë i keqkuptuar dhe shumë njerëz janë duke mëkatuar në padije. (Shih Mosia 3:11; 3 Nefi 6:18.) Në shkrimet e shenjta nuk ka një gjë të tillë si krenari e drejtë – ajo gjithmonë është konsideruar mëkat. Prandaj, pavarësisht se si bota e përdor fjalën, ne duhet të kuptojmë se si Perëndia e përdor fjalën, kështu që të mund të kuptojmë gjuhën e shkrimit të shenjtë dhe të përfitojmë prej saj. (Shih 2 Nefi 4:15; Mosia 1:3–7; Alma 5:61.)
Pjesa më e madhe e jona e mendojnë krenarinë si egocentrizëm, mendjemadhësi, mburrje, arrogancë ose fryrje. Të gjitha këto janë elemente të mëkatit, por zemra ose thelbi, ende mungon.
Tipari qendror i krenarisë është armiqësi – armiqësi përkundrejt Perëndisë dhe armiqësi përkundrejt bashkëqenieve tona. Armiqësi do të thotë “urrejtje përkundrejt, armiqësi ndaj ose një gjendje kundërshtimi”. Është fuqia me anë të së cilës Satani dëshiron që të mbretërojë mbi ne.
Krenaria, në thelb, është konkurruese nga natyra. Ne e vëmë vullnetin tonë kundër vullnetit të Perëndisë. Kur ne e drejtojmë krenarinë tonë drejt Perëndisë, është me frymën “u bëftë vullneti im dhe jo yti”. Siç thotë Pali “kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit”. (Filipianëve 2:21.)
Kur vullneti ynë konkurron me vullnetin e Perëndisë bën që dëshirat, parapëlqimet dhe pasionet të jenë të shfrenuara. (Shih Alma 38:12; 3 Nefi 12:30.)
Krenarët nuk mund ta pranojnë autoritetin e Perëndisë që t’i japë drejtim jetës së tyre. (Shih Helamani 12:6.) Ata e vënë të kuptuarin e tyre të së vërtetës kundër njohurisë së madhe të Perëndisë, aftësitë e tyre përballë fuqisë së priftërisë së Perëndisë, arritjet e tyre kundër veprave të Tij të mëdha.
Armiqësia jonë ndaj Perëndisë merr shumë etiketime, të tilla si rebelim, zemërgurësi, kokëfortësi, mospendim, krekosje, lehtësisht i ofendueshëm dhe kërkues shenjash. Krenarët dëshirojnë që Perëndia të binte dakord me ta. Ata nuk janë të interesuar që t’i ndryshojnë opinionet e tyre për të rënë dakord me atë të Perëndisë.
Një pjesë tjetër e madhe e këtij mëkati shumë mbizotërues të krenarisë është armiqësia përkundrejt bashkëqenieve tona. Ne tundohemi çdo ditë për ta lartësuar veten tonë mbi të tjerët dhe për t’i ulur ata. (Shih Helamani 6:17; DeB 58:41.)
Krenarët e bëjnë çdo njeri armikun e tyre duke i vënë intelektin, opinionet, punën, pasuritë, talentet e tyre ose çdo mjet tjetër matës tokësor kundër të tjerëve. Në fjalët e C. S. Luis: “Krenaria nuk kënaqet nga të pasurit e diçkaje, vetëm nga të pasurit e saj më shumë sesa personi përbri. … Është krahasimi që ju bën krenarë: kënaqësia e të qenit mbi pjesën tjetër. Sapo elementi i konkurrencës zhduket, krenaria zhduket.” (Mere Christianity, New York: Macmillan, 1952, f. 109–110.)
Në këshillin paratokësor, Luciferi e dha propozimin e tij në konkurrencë me planin e Atit, të mbrojtur nga Jezu Krishti. (Shih Moisiu 4:1–3.) Ai dëshironte që të nderohej mbi gjithë të tjerët. (Shih 2 Nefi 24:13.) Shkurt, dëshira e tij krenare ishte që të rrëzonte Perëndinë. (Shih DeB 29:36; 76:28.)
Shkrimet e shenjta janë të pasura me prova të pasojave të rënda të mëkatit të krenarisë për individë, grupe, qytete dhe kombe. “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia.” (Fjalët e Urta 16:18.) Ajo shkatërroi kombin nefit dhe qytetin e Sodomës. (Shih Moroni 8:27; Ezekieli 16:49–50.)8
3
Krenarët kanë më shumë frikë nga gjykimi i njerëzve sesa nga gjykimi i Perëndisë.
Ishte nëpërmjet krenarisë që Krishti u kryqëzua. Farisenjtë ishin të zemëruar sepse Jezusi pretendonte të ishte Biri i Perëndisë, i cili ishte një kërcënim për pozitën e tyre dhe kështu ata planifikuan vdekjen e Tij. (Shih Gjoni 11:53.)
Sauli u bë një armik i Davidit nga krenaria. Ai ishte ziliqar sepse turmat e grave izraelite po këndonin se “Sauli vrau mijëshin e tij dhe Davidi dhjetëmijëshin e tij”. (1 Samueli 18:6–8.)
Krenarët kanë më shumë frikë nga gjykimi i njerëzve sesa nga gjykimi i Perëndisë. (Shih DeB 3:6–7; 30:1–2; 60:2.) “Çfarë do të mendojnë njerëzit për mua?” peshon më shumë se “Çfarë do të mendojë Perëndia për mua?”
Mbreti Noe ishte gati ta linte të lirë profetin Abinadi, por një apel ndaj krenarisë së tij nga priftërinjtë e tij të ligj, e dërgoi Abinadin në flakë. (Shih Mosia 17:11–12.) Herodi u trishtua nga kërkesa e gruas së tij për t’i prerë kokën Gjon Pagëzorit. Por dëshira e tij krenare për tʾu dukur ndaj “të ftuarve që ishin me të në tryezë” e bëri atë që ta vriste Gjonin. (Mateu 14:9; shih edhe Marku 6:26.)
Frika nga gjykimi i njerëzve e shfaq vetveten në garë për miratimin e njerëzve. Krenarët e duan “lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë”. (Gjoni 12:42–43.) Shtysat tona për gjërat që bëjmë, janë vendi ku shfaqet mëkati. Jezusi tha se Ai bënte “vazhdimisht gjërat” që i pëlqenin Perëndisë. (Gjoni 8:29.) A nuk do të bënim mirë ta kishim pëlqimin e Perëndisë si shtysën tonë në vend që të përpiqemi ta lartësojmë veten tonë mbi vëllanë tonë dhe t’ia kalojmë një tjetri?
Disa njerëz krenarë nuk janë aq të shqetësuar nëse pagat e tyre ua plotësojnë nevojat, sa janë që pagat e tyre të jenë më të larta se të dikujt tjetër. Shpërblimi i tyre është që të jenë më mirë se pjesa tjetër. Kjo është armiqësia e krenarisë.
Kur krenaria ka një ndikim të fortë në zemrat tona, ne e humbasim pavarësinë tonë nga bota dhe ia dorëzojmë liritë tona skllavërisë së gjykimit të njerëzve. Bota bërtet më fort se pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. Arsyetimi i njerëzve i shpërfill zbulesat e Perëndisë dhe krenarët e lëshojnë shufrën e hekurt. (Shih 1 Nefi 8:19–28; 11:25; 15:23–24.)9
4
Krenaria shfaqet në shumë mënyra.
Krenaria është një mëkat që mund të shihet menjëherë tek të tjerët, por rrallëherë pranohet te vetja. Pjesa më e madhe e jona e konsideron krenarinë të jetë një mëkat i atyre që janë në krye, të tillë si të pasurit dhe të mësuarit, që përçmojnë pjesën tjetër prej nesh. (Shih 2 Nefi 9:42.) Megjithatë, ka një sëmundje shumë më të zakonshme midis nesh – dhe kjo është krenaria e të parit nga poshtë lart. Ajo shfaqet në kaq shumë mënyra, të tilla si kritika pa vend, thashethemet, përgojimi, mërmëritjet, të jetuarit përtej mundësive tona, zilia, lakmia, mosshprehja e mirënjohjes dhe e lëvdimit që mund të lartësojë dikë, dhe të qenit mosfalës e ziliqarë.
Mosbindja, në thelb, është një luftë krenare pushteti kundër dikujt me autoritet mbi ne. Mund të jetë një prind, një udhëheqës priftërie, një mësues ose përfundimisht, Perëndia. Një njeri krenar e urren faktin se dikush është mbi të. Ai mendon se kjo e ul pozitën e tij.
Egoizmi është një nga fytyrat më të zakonshme të krenarisë. “Si më ndikon gjithçka mua” është qendra e gjithçkaje që ka rëndësi – vetëpëlqim, keqardhje për veten, vetëpërmbushje tokësore, vetëkënaqje dhe egoizëm.
Krenaria rezulton në lidhje të fshehta të cilat janë ndërtuar për të marrë pushtetin, fitimet dhe lavdinë e botës. (Shih Helamani 7:5; Ethëri 8:9, 16, 22–23; Moisiu 5:31.) Ky fryt i mëkatit të krenarisë, domethënë, lidhjet e fshehta, rrëzuan si qytetërimin jaredit edhe atë nefit, dhe ka qenë dhe ende do të jetë shkaku i rënies së shumë kombeve. (Shih Ethëri 8:18–25.)
Një tjetër fytyrë e krenarisë është grindja. Diskutimet, sherret, sundimi i padrejtë, hendeku i brezave, divorcet, abuzimi ndaj bashkëshortit/es, rebelimi dhe trazirat i përkasin të gjitha kësaj kategorie të krenarisë.
Grindja në familjen tonë e largon Shpirtin e Zotit. Ajo gjithashtu i largon shumë nga anëtarët e familjes sonë. Grindja shtrihet nga një fjalë e thënë ashpër deri te konfliktet botërore. Shkrimet e shenjta na tregojnë se “nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet”. (Fjalët e Urta 13:10; shih edhe Fjalët e Urta 28:25.)
Shkrimet e shenjta dëshmojnë se krenarët fyhen lehtë dhe mbajnë mëri. (Shih 1 Nefi 16:1–3.) Ata e mbajnë faljen për ta mbajtur dikë në borxhin me ta dhe për t’i justifikuar ndjenjat e tyre të lënduara.
Krenarët nuk e pranojnë lehtë këshillën ose korrigjimin. (Shih Fjalët e Urta 15:10; Amosi 5:10.) Pozicioni mbrojtës përdoret prej tyre për të justifikuar dhe arsyetuar dobësitë dhe dështimet e tyre. (Shih Mateu 3:9; Gjoni 6:30–59.)
Krenarët varen nga bota për t’u treguar atyre nëse ata kanë vlerë ose jo. Vetëvlerësimi i tyre përcaktohet nga vendi ku gjykohet se janë në shkallët e suksesit tokësor. Ata ndihen të denjë si individë nëse numri i njerëzve nën ta në sukses, talent, bukuri ose intelekt është mjaft i madh. Krenaria është e shëmtuar. Ajo thotë: “Nëse ti ke sukses, unë kam dështuar”.
Nëse e duam Perëndinë, bëjmë vullnetin e Tij dhe i frikësohemi gjykimit të Tij më shumë se gjykimit të njerëzve, ne do të kemi vetëvlerësim.10
5
Krenaria e kufizon ose e ndalon përparimin.
Krenaria është një mëkat pengues në kuptimin e vërtetë të asaj fjale. Ajo e kufizon ose e ndalon përparimin. (Shih Alma 12:10–11.) Krenarët nuk mësohen lehtë. (Shih 1 Nefi 15:3, 7–11.) Ata nuk do ta ndryshojnë mendjen e tyre për të pranuar të vërtetën, sepse ta bësh atë nënkupton që ata e kanë pasur gabim.
Krenaria ndikon negativisht në të gjitha marrëdhëniet tona – marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe shërbëtorët e Tij, midis bashkëshortëve dhe bashkëshorteve, prindër e fëmijë, punëdhënës e punëmarrës, mësues e nxënës dhe të gjithë njerëzimin. Shkalla jonë e krenarisë përcakton se si e trajtojmë Perëndinë tonë dhe vëllezërit e motrat tona. Krishti dëshiron të na ngrejë atje ku është Ai. A dëshirojmë të bëjmë të njëjtën gjë për të tjerët?
Krenaria i zbeh ndjenjat tona të birësisë ndaj Perëndisë dhe vëllazërimit me njeriun. Ajo na veçon dhe na ndan me “rangje”, sipas “pasurive” tona dhe “mundësive [tona] për të mësuar”. (3 Nefi 6:12.) Uniteti është i pamundur për një popull krenar dhe, nëse nuk jemi një, ne nuk jemi të Zotit. (Shih Mosia 18:21; DeB 38:27; 105:2–4; Moisiu 7:18.)
Mendoni për atë që na ka kushtuar krenaria në të kaluarën, dhe për atë që po na kushton tani në jetën tonë, familjet tona dhe në Kishë.
Mendoni për pendimin që mund të ndodhte me jetë të ndryshuara, martesa të ruajtura dhe shtëpi të forcuara, nëse krenaria nuk do të na mbante nga të rrëfyerit e mëkateve tona dhe braktisja e tyre. (Shih DeB 58:43.)
Mendoni për shumë njerëz që janë anëtarë më pak aktivë të Kishës sepse u fyen dhe krenaria e tyre nuk i lejon të falin ose të hanë plotësisht në tryezën e Zotit.
Mendoni për dhjetëra mijëra të rinj dhe çifte të tjera, të cilët mund të ishin në misione po të mos ishte krenaria që i ndalon t’ia japin zemrën e tyre Perëndisë. (Shih Alma 10:6; Helamani 3:34–35.)
Mendoni se si do të rritej puna e tempullit nëse koha e shpenzuar në këtë shërbim të perëndishëm do të ishte më e rëndësishme se veprimtaritë e shumta krenare që konkurrojnë për kohën tonë.11
6
Kundërhelmi për krenarinë është përulësia.
Krenaria na prek të gjithëve, në kohë të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme. Tani ju mund të shihni se përse ndërtesa në ëndrrën e Lehit që përfaqëson krenarinë e botës, ishte e madhe dhe e gjerë dhe e madhe qe turma që hyri në të. (Shih 1 Nefi 8:26, 33; 11:35–36.)
Krenaria është mëkati i përbotshëm, vesi i madh. Po, krenaria është mëkati i përbotshëm, vesi i madh.
Kundërhelmi për krenarinë është përulësia – urtësia, nënshtrimi. (Shih Alma 7:23.) Është zemra e thyer dhe shpirti i penduar. (Shih 3 Nefi 9:20; 12:19; DeB 20:37; 59:8; Psalmeve 34:18; Isaia 57:15; 66:2.) Ashtu si Rudjard Kipling e tha kaq mirë:
Zhurma dhe britma mbarojnë;
Kapitenët dhe mbretërit largohen.
E jotja sakrificë e lashtë ende mbetet,
Një zemër e përulur dhe e thyer.
Zot, Perëndi i Ushtrive, ende me ne qëndro,
Që të mos harrojmë, që të mos harrojmë. …
Perëndia do të ketë një popull të përulur. Ose ne mund të zgjedhim të jemi të përulur ose ne mund të detyrohemi të jemi të përulur. Alma tha: “Të bekuar janë ata që përulen, pa qenë të detyruar të përulen”. (Alma 32:16.)
Le të zgjedhim të jemi të përulur.
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke e mposhtur armiqësinë ndaj vëllezërve dhe motrave tona, duke i vlerësuar ata si vetveten dhe duke i ngritur po aq lart ose më lart sesa jemi ne. (Shih DeB 38:24; 81:5; 84:106.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke marrë këshillë dhe qortim të rreptë. (Shih Jakobi 4:10; Helamani 15:3; DeB 63:55; 101:4–5; 108:1; 124:61, 84; 136:31; Fjalët e Urta 9:8.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke i falur ata që na kanë fyer. (Shih 3 Nefi 13:11, 14; DeB 64:10.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke dhënë shërbim vetëmohues. (Shih Mosia 2:16–17.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke shkuar në misione dhe duke predikuar fjalën që mund t’i përulë të tjerët. (Shih Alma 4:19; 31:5; 48:20.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke shkuar më shpesh në tempull.
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke rrëfyer dhe duke i braktisur mëkatet tona e duke u lindur nga Perëndia. (Shih DeB 58:43; Mosia 27:25–26; Alma 5:7–14, 49.)
Ne mund të zgjedhim ta përulim veten tonë duke e dashur Perëndinë, duke e nënshtruar vullnetin tonë ndaj të Tijit dhe duke e vendosur Atë të parin në jetën tonë. (Shih 3 Nefi 11:11; 13:33; Moroni 10:32.)
Le të zgjedhim të jemi të përulur. Ne mund ta bëjmë këtë. Unë e di se mund ta bëjmë.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ne duhet të përgatitemi për të shëlbuar Sionin. Ishte kryesisht mëkati i krenarisë që na ndaloi ta themelonim Sionin në ditët e Profetit Jozef Smith. Ishte i njëjti mëkat i krenarisë që i dha fund shenjtërimit midis nefitëve. (Shih 4 Nefi 1:24–25.)
Krenaria është guri i madh pengues për Sionin. E përsëris: Krenaria është guri i madh pengues për Sionin.
Ne duhet ta pastrojmë enën e brendshme duke e mposhtur krenarinë. (Shih Alma 6:2–4; Mateu 23:25–26.)
Ne duhet t’u dorëzohemi “nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë”, të zhveshim “njeriun natyror”, të bëhemi “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, Zotit” dhe të bëhemi “si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur”. (Mosia 3:19; shih edhe Alma 13:28.)
Që ne të mund të bëjmë kështu dhe të vazhdojmë të përmbushim fatin tonë hyjnor, është lutja ime e zjarrtë.12
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Benson vuri në dukje se krenaria çoi në shkatërrimin e popullit nefit (shih pjesën 1.) Përse mendoni se krenaria ka një fuqi shkatërruese të tillë?
Në çfarë mënyrash njerëzit mund ta vënë “vullnetin [e tyre] kundër vullnetit të Perëndisë”? (Shih pjesën 2.) Cilat janë disa bekime që na vijnë kur ne ndjekim vullnetin e Perëndisë?
Përse mendoni se disa herë ne pyetim “Çfarë do të mendojnë njerëzit e tjerë për mua?” në vend të “Çfarë do të mendojë Perëndia për mua?” (Shih pjesën 3.) Si ndryshon jeta jonë kur dëshira jonë më e madhe është t’i pëlqejmë Perëndisë?
Rishikojini shfaqjet e krenarisë që janë renditur në pjesën 4. Si mund t’i shmangim këto shfaqje të krenarisë në jetën tonë?
Presidenti Benson tha: “Krenaria ndikon negativisht në të gjitha marrëdhëniet tona” – me Perëndinë dhe me të tjerët (pjesa 5). Përse është e vërtetë kjo? Në çfarë mënyrash përmirësohen marrëdhëniet tona kur jemi të përulur?
Te pjesa 6, Presidenti Benson rendit mënyrat që mund të zgjedhim për të qenë të përulur. Përse mendoni se është më mirë që të zgjedhim të jemi të përulur sesa të jemi të detyruar për të qenë të përulur?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Mateu 23:12; Lluka 18:9–14; Jakobi [Bibël] 4:6; Alma 5:27–28; DeB 112:10; 121:34–40
Ndihmë për Mësimdhënien
Për t’ia përshtatur fjalët e një profeti vetes suaj, mendoni se si kanë lidhje mësimet e tij me ju (shih Teaching, No Greater Call [1999], f. 170). Merrni parasysh ta pyetni veten se si ato mësime mund t’ju ndihmojnë për shqetësimet, pyetjet dhe sfidat në jetën tuaj.