Mësime të Presidentëve
Kapitulli 12: ‘Kërkojeni Shpirtin në Gjithçka që Bëni’


Kapitulli 12

Kërkojeni Shpirtin në Gjithçka që Bëni

“Ne duhet të mbetemi të hapur dhe të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë në të gjitha aspektet e jetës sonë.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Kur Presidenti Ezra Taft Benson i këshilloi Autoritetet e tjera të Përgjithshme rreth shërbimit në Kishë, ai shpesh tha: “Mbani mend, Vëllezër, në këtë punë është Shpirti që është i rëndësishëm”.1 Dhe kur ai dhe këta vëllezër kryen shërbesë së bashku, ai ua mësoi këtë parim me anë të shembullit, duke treguar se Zoti “është pranë shërbëtorëve të Tij, madje brenda një largësie pëshpëritëse”.2 Plaku Robert D. Hejls i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve tregoi për një rast kur ai e shoqëroi Presidentin Benson në një konferencë kunji, në të cilën do të thirrej një president i ri kunji:

“Pasi u lutëm, bëmë intervista, studiuam dhe u lutëm përsëri, Plaku Benson pyeti nëse e dija se cili do të ishte presidenti i ri. I thashë se nuk e kisha marrë ende atë frymëzim. Ai më vështroi për një kohë të gjatë dhe u përgjigj se as ai nuk e kishte marrë atë. Megjithatë, ne u frymëzuam t’u kërkonim tre mbajtësve të denjë të priftërisë që të flisnin në sesionin e konferencës në mbrëmjen e së shtunës. Disa çaste pasi filloi folësi i tretë, Shpirti më nxiti që ai duhej të ishte presidenti i ri i kunjit. Hodha vështrimin drejt Presidentit Benson dhe pashë lot që po i rridhnin nëpër fytyrë. Zbulesa na ishte dhënë që të dyve – por vetëm nga vazhdimi i të kërkuarit të vullnetit të Atit tonë Qiellor, ndërkohë që ecnim përpara me besim.”3

Në fillimin e një konference për presidentë të rinj misionesh, Presidenti Benson dha këshillën vijuese:

“Ua kam thënë kaq shumë herë vëllezërve të mi se Shpirti është elementi i vetëm, më i rëndësishëm në këtë punë. Me Shpirtin dhe duke e lartësuar thirrjen tuaj, ju mund të bëni mrekulli për Zotin në fushën e misionit. Pa Shpirtin ju kurrë nuk do të keni sukses pavarësisht nga talenti dhe aftësitë tuaja.

Ju do të merrni udhëzime të shkëlqyera në tri ditët pasuese. Libra udhëzimesh do të shpërndahen, përgjegjësi dhe procedura do të diskutohen, rregullore do të analizohen dhe kjo e gjitha do të jetë shumë e dobishme për ju. Por ndihma më e madhe që do të merrni ndonjëherë si një president misioni, nuk do të jetë nga librat ose manualet e udhëzimeve. Ndihma juaj më e madhe do të vijë nga Zoti Vetë, ndërkohë që ju i përgjëroheni dhe luteni Atij në një lutje të përulur. Ndërsa nxiteni të bini në gjunjë herë pas here, duke i kërkuar Atij për ndihmë hyjnore në administrimin e misionit tuaj, ju do ta ndieni Shpirtin, do t’i merrni përgjigjet tuaja nga lart, misioni juaj do të përparojë shpirtërisht për shkak të varësisë suaj dhe mbështetjes suaj tek Ai.”4

Presidenti Benson ua zgjati këtë këshillë të gjithë anëtarëve të Kishës, duke përfshirë fëmijët e vegjël.5 Ai tha: “Në këtë punë është Shpirti që është i rëndësishëm – kudo që shërbejmë. E di se duhet të mbështetem te Shpirti. Le ta fitojmë atë Shpirt dhe të jemi anëtarë besnikë të Kishës, fëmijë dhe prindër të përkushtuar, mësues shtëpie të efektshëm, mësimdhënës lartësues, udhëheqës të frymëzuar të lagjeve dhe të kunjeve.”6

Edhe pse Presidenti Benson dha mësim për këtë të vërtetë në mënyrë të hapur dhe me guxim në mbarë botën, përpjekja e tij kryesore për ta ndjekur atë ishte në mënyrë të fshehtë dhe me qetësi. Ajo filloi në shtëpi, në bashkëpunimin me gruan e tij, Florën. Gjysmëmotra e Florës, Xhulia Delli, njëherë e vizitoi familjen Benson dhe më pas i shkroi letër Florës, duke bërë koment për familjen Benson. “Ç’gjë në tokë mund të jetë më ideale?” tha ajo. “E admiroj thjeshtësinë e mënyrës suaj të të jetuarit, por mbi të gjitha më bëri përshtypje fakti që atje në shtëpinë tuaj banonte Shpirti i Zotit.”7

A Fijian woman sitting in a chair.  She has her arms folded and head bowed in prayer.

“Si e marrim Shpirtin? ‘Me anë të lutjes së besimit’, thotë Zoti.”

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Ne duhet të përpiqemi për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë gjatë gjithë ditëve të jetës sonë.

Një mënyrë e sigurt se si mund të përcaktojmë nëse jemi në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, është që ne vërtet do ta zotërojmë Shpirtin e Zotit në jetën tonë.

Të pasurit e Frymës së Shenjtë sjell fryte të sigurta.

Apostulli Pal tha se “fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, [dhe] vetëkontrolli”. (Galatasve 5:22–23.)

Gjëja më e rëndësishme në jetën tonë është Shpirti. E kam ndier këtë gjithmonë. Ne duhet të mbetemi të hapur dhe të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë në të gjitha aspektet e jetës sonë. … Këto nxitje vijnë më shpesh kur nuk jemi nën trysninë e detyrave të caktuara dhe kur nuk ngatërrohemi në shqetësimet e jetës së përditshme.8

Shpirtshmëria – të qenit në harmoni me Shpirtin e Zotit – është nevoja më e madhe që kemi ne të gjithë. Ne duhet të përpiqemi për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë gjatë gjithë ditëve të jetës sonë. Kur kemi Shpirtin, ne vërtet do të duam të shërbejmë, vërtet do ta duam Zotin dhe vërtet do t’i duam ata me të cilët shërbejmë dhe ata të cilëve u shërbejmë.

Disa vite pasi Jozef Smithi u martirizua, ai iu shfaq Presidentit Brigam Jang. Dëgjojeni mesazhin e tij:

“U thuaj njerëzve të jenë të përulur e besnikë dhe të sigurt për të mbajtur shpirtin e Zotit, dhe ai do t’i udhëheqë ata drejtësisht. Bëni kujdes dhe mos e largoni zërin e qetë, të vogël; ai do t’ju mësojë çfarë të bëni dhe ku të shkoni; ai do të japë frytet e mbretërisë. U thuaj vëllezërve t’i mbajnë zemrat të hapura kundrejt bindjes, kështu që, kur t’iu vijë Fryma e Shenjtë, zemra e tyre do të jetë gati për ta marrë atë.” …

Kjo punë e ditëve të mëvonshme është shpirtërore. Kërkohet shpirtshmëri për ta kuptuar atë, për ta dashur atë dhe për ta dalluar atë. Si rrjedhim, kërkojeni Shpirtin në gjithçka që bëni. Mbajeni atë me vete vazhdimisht. Kjo është sfida jonë.9

Ne jetojmë në një botë shumë të ligë. Rrethohemi nga propagandë që e liga është e mirë dhe e mira është e ligë. Janë të bollshme mësimet e rreme që na ndikojnë. Pothuajse gjithçka që është e shëndetshme, e mirë, e pastër, lartësuese dhe forcuese po sfidohet si kurrë më parë.

Një arsye përse jemi në këtë tokë, është të bëjmë dallimin midis të vërtetës dhe gabimit. Ky dallim vjen nga Fryma e Shenjtë, jo thjesht nga aftësitë tona intelektuale.

Kur e kërkojmë me zell dhe ndershmëri të vërtetën, ky premtim i bukur gjen plotësim: “Perëndia do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë.” (Doktrina e Besëlidhje 121:26.)10

2

Nëse jemi të përulur dhe të ndjeshëm, Zoti do të na nxitë nëpërmjet ndjenjave tona.

Lutjuni Atit Qiellor që t’ju bekojë me Shpirtin e Tij në të gjitha kohët. Ne shpesh Shpirtin e quajmë Fryma e Shenjtë. … Fryma e Shenjtë ju ndihmon të zgjidhni të drejtën. Fryma e Shenjtë do t’ju mbrojë nga e liga. Ai ju pëshpërit me një zë të qetë, të vogël, që të bëni të drejtën. Kur bëni mirë, ju ndiheni mirë dhe ai është Fryma e Shenjtë duke ju folur. Fryma e Shenjtë është një shoqërues i mrekullueshëm. Ai gjendet gjithmonë atje për t’ju ndihmuar.11

Përsiatni çështje që nuk i kuptoni. Sikurse Zoti e urdhëroi Oliver Kauderin: “Studio[je] atë tërësisht në mendjen tënde; më pas … më pye[t] nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë”. (DeB 9:8, shkronjat kursive të shtuara.)

A e vutë re atë frazë të fundit? “Do ta ndiesh që është e drejtë.”

Ne i dëgjojmë fjalët e Zotit më shpesh nëpërmjet një ndjenje. Nëse jemi të përulur dhe të ndjeshëm, Zoti do të na nxitë nëpërmjet ndjenjave tona. Ajo është arsyeja përse nxitjet shpirtërore me raste na çojnë drejt gëzimit të madh, nganjëherë edhe në lot. Shumë herë emocionet e mia janë bërë të dhembshura dhe ndjenjat e mia shumë të ndjeshme kur u preka nga Shpirti.

Fryma e Shenjtë na i bën ndjenjat tona të jenë më të dhembshura. Ne ndihemi më të dashur dhe më dashamirës me njëri-tjetrin. Jemi më të qetë në marrëdhëniet tona. Kemi një aftësi më të madhe për ta dashur njëri-tjetrin. Njerëzit duan të jenë përreth nesh ngaqë vetë pamja jonë rrezaton ndikimin e Shpirtit. Ne jemi më të perëndishëm në karakterin tonë. Si rrjedhim, ne bëhemi gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe kështu të aftë për t’i kuptuar gjërat shpirtërore në mënyrë më të qartë.12

3

Ne e marrim Shpirtin nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe agjërimit.

Si e marrim Shpirtin? “Me anë të lutjes së besimit”, thotë Zoti [DeB 42:14]. Si rrjedhim, ne duhet të lutemi me sinqeritet dhe qëllim të vërtetë. Ne duhet të lutemi për shtim të besimit dhe të lutemi që Shpirti ta shoqërojë mësimdhënien tonë. Ne duhet t’i kërkojmë Zotit falje.

Lutjet tona duhet të ofrohen me të njëjtin shpirt dhe me të njëjtin zjarr, sikurse ishin lutjet e Enosit në Librin e Mormonit. Shumica e njohin atë histori frymëzuese, kështu që nuk do ta përsërit ngjarjen. Dua vetëm ta tërheq vëmendjen tuaj te këto fjalë. Enosi dëshmoi: “Unë do t’ju tregoj për përleshjen që unë pata para Perëndisë, para se unë të merrja një heqje të mëkateve të mia”. Ai e qartësoi atë përleshje me Perëndinë. Vini re zjarrin e kërkesës së tij:

“Shpirti im ishte i uritur.

U gjunjëzova para Krijuesit tim.

Iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim.

Gjithë ditën unë iu përgjërova atij.”

Më pas Enosi dëshmoi: “Erdhi një zë tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar. … Prandaj fajësia ime u fshi.” Kur i kërkoi Zotit se si ishte plotësuar kjo, Zoti iu përgjigj atij: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin … besimi yt të ka bërë ty të shëruar”. (Enosi 1:2, 4–8, shkronjat kursive të shtuara.)

Enosi u shërua shpirtërisht. Përmes përgjërimeve të fuqishme të tij drejtuar Perëndisë, ai përjetoi atë që besnikët e çfarëdo periudhe ungjillore mund të përjetojnë, vërtet e përjetojnë dhe duhet të përjetojnë, në qoftë se ata do ta shohin Perëndinë dhe do të mbushen me Shpirtin e Tij.13

Nëse doni ta merrni shpirtin e detyrës dhe thirrjes suaj … përpiquni të agjëroni për një periudhë. Nuk dua të them thjesht të lini pa ngrënë një vakt ushqimor, që më pas të hani dyfishin në vaktin tjetër. Dua të them agjërim me të vërtetë dhe lutje gjatë asaj periudhe. Do të bëjë më shumë për t’ju dhënë shpirtin e vërtetë të detyrës e të thirrjes suaj dhe për ta lejuar Shpirtin të veprojë nëpërmjet jush më shumë sesa ndonjë gjë tjetër që njoh.14

4

Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta, duke përfshirë meditimin për pjesë të shkrimit të shenjtë, e fton Shpirtin.

Hetojini shkrimet e shenjta me zell gjatë studimit vetjak çdo ditë. Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta e fton Shpirtin.15

Gjeni kohë për të medituar. Meditimi për një pjesë të shkrimit të shenjtë – Jakobi 1:5 – e çoi një djalë të ri te një korije me pemë për të bashkëbiseduar me Atin e tij Qiellor. Është ajo që i hapi qiejt në këtë periudhë ungjillore.

Meditimi për një pjesë të shkrimit të shenjtë nga libri i Gjonit në Dhiatën e Re nxori në dritë zbulesën e madhërishme për tri shkallët e lavdisë [shih Gjoni 5:29; DeB 76].

Meditimi për një tjetër pjesë të shkrimit të shenjtë nga Letra e Pjetrit i hapi qiejt për Presidentin Jozef F. Smith dhe ai e pa botën e shpirtrave. Ajo zbulesë, e njohur si Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve, është tani pjesë e Doktrina e Besëlidhje [shih 1 Pjetrit 3:18–20; 4:6; DeB 138].

Përsiateni rëndësinë e përgjegjësisë që na ka dhënë Zoti. Zoti ka këshilluar: “I lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja”. (DeB 43:34.) Ju nuk mund ta bëni atë kur mendja juaj shqetësohet me përkujdesjet e botës.

Lexojini e studiojini shkrimet e shenjta. Shkrimet e shenjta duhet të studiohen në shtëpi, me etër dhe nëna që marrin drejtimin dhe japin shembullin. Shkrimet e shenjta duhet të kuptohen me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, sepse Zoti u ka dhënë këtë premtim besnikëve dhe të bindurve të Tij: “[Ti] mund të dish misteret dhe gjërat paqësore”. (DeB 42:61.)

Thënia e mëposhtme nga Presidenti Spenser W. Kimball ilustron faktin se si mund të zhvillojmë më shumë shpirtshmëri në jetën tonë:

“Unë shoh se, kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket sikur asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon dhe asnjë zë hyjnor nuk po flet, unë jam shumë, shumë larg. Nëse e zhyt veten time në shkrimet e shenjta, largësia shkurtohet dhe shpirtshmëria kthehet. E gjej veten duke i dashur me më shumë fuqi ata të cilët duhet t’i dua me gjithë zemrën, mendjen e forcën time dhe, duke i dashur ata më shumë, e gjej më të lehtë që t’i bindem këshillës së tyre.” …

Ajo është këshillë e madhërishme të cilën e di, me anë të përvojës, të jetë e vërtetë.

Sa më shumë që njiheni me shkrimet e shenjta, aq më shumë afroheni me mendjen dhe vullnetin e Zotit dhe aq më shumë afroheni si bashkëshort e bashkëshorte dhe fëmijë. Ju do të zbuloni se me anë të leximit të shkrimeve të shenjta, të vërtetat e përjetësisë do të prehen në mendjen tuaj.16

A Brazilian woman reading the scriptures.  She is sitting on a bus.

“Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta fton Shpirtin.”

Kundërshtari nuk dëshiron që studimi i shkrimeve të shenjta të ndodhë në shtëpitë tona dhe, kështu, ai do të krijojë probleme nëse mundet. Por ne duhet të ngulmojmë.17

Ne nuk mund ta njohim Perëndinë dhe Jezusin pa studiuar rreth tyre dhe më pas pa e bërë vullnetin e tyre. Ky shteg çon drejt diturisë shtesë të zbuluar e cila, nëse i bindemi, do të na çojë më së fundi drejt të vërtetave të mëtejshme. Nëse e ndjekim këtë model, ne vërtet do të marrim më shumë dritë e gëzim, më së fundi duke na çuar drejt pranisë së Perëndisë, ku ne, me Të, do të kemi plotësi.18

5

Fryma e Shenjtë do të qëndrojë me ne kur i nderojmë, i respektojmë ligjet e Perëndisë dhe u bindemi atyre.

Na është mësuar se Shpirti nuk do të banojë në tabernakuj të papastër [shih Helamani 4:24]. Si rrjedhim, një nga përparësitë e mia më fillestare është të sigurohemi që jeta jonë vetjake është në rregull.19

Më lejoni të flas rreth bindjes. Ju po mësoni vetë tani që t’i zbatoni të gjitha urdhërimet e Zotit. Ndërsa e bëni këtë, ju do ta keni Shpirtin e Tij të jetë me ju. Do të ndiheni mirë rreth vetes suaj. Ju nuk mund të bëni gabim dhe të ndiheni mirë. Është e pamundur!20

Premtimi tokësor për bindjen [ndaj Fjalës së Urtësisë] është: Ata “do të marrin shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre; … [ata] do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen”. (DeB 89:18, 20.)

Gjithmonë e kam ndier, megjithatë, se bekimi më i madh i bindjes ndaj Fjalës së Urtësisë dhe të gjitha urdhërimeve të tjera është shpirtëror.

Dëgjojeni premtimin shpirtëror: “Gjithë shenjtorët të cilët kujtohen t’i zbatojnë dhe t’i bëjnë këto thënie, duke ecur me bindje ndaj urdhërimeve, … do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura”. (DeB 89:18, 19; kursivet e shtuara.)

Disa kanë menduar se ky premtim ishte në varësi të thjesht zbatimit të kërkesave të Fjalës së Urtësisë. Por ju do të vini re se ne duhet të ecim me bindje ndaj të gjitha urdhërimeve. Atëherë do të marrim premtime të veçanta shpirtërore. Kjo do të thotë që ne duhet t’i bindemi ligjit të së dhjetës, ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit, të qëndrojmë moralisht të pastër e të dëlirë dhe t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të tjera.

Kur e bëjmë të gjithë këtë, premtimi është: Ata “do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura”. (DeB 89:19.)

Cili atë dhe cila nënë nuk do ta duan frymëzimin e Zotit në rritjen e fëmijëve të tyre? Unë dëshmoj se këto bekime mund të jenë tuajat. Me siguri prindërit nuk do të donin, nëpërmjet mosbindjes, t’i pengonin fëmijët e tyre në marrjen e bekimeve të Zotit. Gjithë etërit dhe nënat në Israel duhet ta cilësojnë vetveten për këtë premtim.

Të jetuarit e urdhërimeve të Perëndisë është një kusht i denjësisë për hyrje në Shtëpinë e Zotit. Atje jepen urtësi dhe “thesare të mëdha diturie” që lidhen me lumturinë tonë në këtë jetë dhe gëzim përmes gjithë përjetësisë. …

Nuk besoj se një anëtar i Kishës mund të ketë një dëshmi vepruese, plot jetë të ungjillit, pa i zbatuar urdhërimet. Një dëshmi do të thotë të kesh frymëzimin e tanishëm për ta ditur se puna është e vërtetë, jo diçka që e marrim vetëm një herë. Fryma e Shenjtë qëndron me ata që i nderojnë, i respektojnë ligjet e Perëndisë dhe u binden atyre. Dhe është ai Shpirt që i jep frymëzim individit. Me përulësi ju dëshmoj për vërtetësinë e këtij premtimi.21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha se nxitjet nga Fryma e Shenjtë “më shpesh vijnë kur nuk jemi nën trysninë e detyrave të caktuara dhe kur nuk ngatërrohemi në shqetësimet e jetës së përditshme” (pjesa 1). Si mund të mbetemi të ndjeshëm ndaj Shpirtit edhe kur i kemi trysni të tilla?

  • Presidenti Benson na mësoi: “Nëse jemi të përulur dhe të ndjeshëm, Zoti do të na nxitë nëpërmjet ndjenjave tona” (pjesa 2). Çfarë keni mësuar rreth dallimit të nxitjeve të tilla?

  • Në pjesën 3, Presidenti Benson na nxit ta ndjekim shembullin e Enosit, siç shënohet në Librin e Mormonit. Cilat janë disa mësime rreth të kërkuarit të Shpirtit që mund t’i mësojmë nga Enosi?

  • Për ju, cili është ndryshimi midis leximit të shkrimeve të shenjta dhe “meditimi[t] për një pjesë të shkrimit të shenjtë”? (Shih pjesën 4.) Si mendoni ju, përse studimi i zellshëm, i përditshëm, i shkrimeve të shenjta na ndihmon të jemi më të hapur ndaj nxitjeve të Shpirtit?

  • Presidenti Benson tha: “Fryma e Shenjtë qëndron me ata që i nderojnë, respektojnë ligjet e Perëndisë dhe u binden atyre” (pjesa 5). Si mendoni ju, përse aftësia jonë për të marrë frymëzim ndikohet nga përpjekjet tona për t’i zbatuar urdhërimet?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 4:15–16; Mosia 2:36–37; DeB 8:2–3; 45:56–57; 76:5–10; 121:45–46

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa studioni, kushtojini vëmendje të kujdesshme ideve që ju vijnë në mendje dhe ndjenjave që ju vijnë në zemër” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 18). Merreni parasysh shënimin e mbresave që merrni, edhe pse ato duken të palidhura me fjalët që lexoni. Ato mund të jenë pikërisht gjëja që Zoti dëshiron t’ju zbulojë juve.

Shënime

  1. Cituar nga Thomas S. Monson, “A Provident Plan – A Precious Promise”, Ensign, maj 1986, f. 63.

  2. “Seek the Spirit of the Lord”, Ensign, prill 1988, f. 5

  3. Robert D. Hejls, “Zbulesa Personale: Mësimet dhe Shembujt e Profetëve”, Liahona, nëntor 2007, f. 87–88.

  4. “My Challenges to Mission Presidents”, seminar për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor 1986.

  5. Shih “To the Children of the Church”, Ensign, maj 1989, f. 82.

  6. “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 77.

  7. Julia Dalley, në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1988), f. 128.

  8. “Seek the Spirit of the Lord”, f. 2.

  9. “Seek the Spirit of the Lord”, f. 5; thënia e Brigam Jangut gjendet në Manuscript History of Brigham Young, 23 shkurt 1947, 2 vëll., redaktuar nga Elden Jay Watson (1968, 1971), 2:529.

  10. Come unto Christ (1983), f. 22.

  11. “To the Children of the Church”, f. 82.

  12. “Seek the Spirit of the Lord”, f. 4.

  13. Come unto Christ, f. 92–93.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 331–332.

  15. “My Challenges to Mission Presidents”, seminar për presidentët e rinj të misioneve, 25 qershor 1986; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  16. “Seek the Spirit of the Lord”, f. 2, 4; thënia nga Spenser W. Kimball gjendet në Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 67.

  17. “A Sacred Responsibility”, f. 78.

  18. “In His Steps”, Ensign, shtator 1988, f. 5.

  19. Come unto Christ, f. 92.

  20. “Preparing Yourselves for Missionary Service”, Ensign, maj 1985, f. 36.

  21. “A Principle with a Promise”, Ensign, maj 1983, f. 54.