Kapitulli 5
Parimet e Pendimit të Vërtetë
“Për ata të cilët e paguajnë çmimin që kërkon pendimi i vërtetë, premtimi është i sigurt. Mund të jeni sërish të pastër. Dëshpërimi mund të hiqet. Paqja e ëmbël e faljes do të rrjedhë në jetën tuaj.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
Në bisedën e tij të parë në konferencë të përgjithshme si President i Kishës, Presidenti Ezra Taft Benson shprehu: “Kur kam kërkuar drejtim nga Zoti, më është ripohuar në mendjen dhe zemrën time deklarimi i Zotit që të ‘mos i them asgjë veçse pendim këtij brezi’. (DeB 6:9; 11:9.) Kjo ka qenë temë e çdo profeti të ditëve të mëvonshme.”1
Madje përpara thirrjes si President i Kishës, Presidenti Benson e bëri pendimin një temë të rëndësishme të shërbesës së tij. Ai u këshillua të vepronte kështu nga Xhorxh Albert Smithi, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në atë kohë. Në një letër të shkruar jo shumë pas thirrjes së Presidentit Benson në apostullim, Presidenti Smith tha: “Misioni yt tani e në vazhdim është të gjesh mënyra dhe mjete për të përhapur të vërtetën e për t’i paralajmëruar njerëzit me të cilët vihesh në kontakt, në mënyrë sa më dashamirëse që mundet, që pendimi do të jetë i vetmi shërim për sëmundjet e kësaj bote”2.
Presidenti Benson ishte besnik në këtë përgjegjësi kur e mësonte ungjillin anembanë botës. Ai mësonte se “është më mirë të përgatitesh e të parandalosh, sesa të ndreqësh e të pendohesh”3. Por ai gjithashtu vërejti se “ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi”4. Ai theksoi “ndryshimin e madh” të zemrës, i cili shoqëronte pendimin (shih Alma 5:12–14) dhe shpjegoi rolin e Shpëtimtarit në sjelljen e një ndryshimi të tillë:
“Zoti punon nga brenda jashtë. Bota punon nga jashtë brenda. Bota do të nxirrte njerëzit prej lagjeve të varfra. Krishti nxjerr lagjet e varfra nga njerëzit dhe pastaj ata e nxjerrin veten nga lagjet e varfra. Bota do t’i formonte njerëzit duke ndryshuar mjedisin e tyre. Krishti ndryshon njerëzit, të cilët më pas ndryshojnë mjedisin e tyre. Bota do t’i jepte formë sjelljes njerëzore, por Krishti mundet të ndryshojë natyrën njerëzore. …
Po, Krishti i ndryshon njerëzit dhe njerëzit e ndryshuar mund të ndryshojnë botën.”5
Mësime të Ezra Taft Bensonit
1
Që të pendohemi vërtet, duhet që, fillimisht, të jemi të vetëdijshëm se plani i ungjillit është plani i lumturisë.
Në kuptimin e zakonshëm të fjalës, anëtarësi në Kishë do të thotë që një person e ka emrin të shënuar zyrtarisht në dokumentet e anëtarësisë së Kishës. …
Por Zoti e përkufizon në mënyrë mjaft të ndryshme një anëtar të mbretërisë së Tij. Më 1828, përmes Profetit Jozef Smith, Ai tha: “Vër re, kjo është doktrina ime – kushdo që pendohet dhe vjen tek unë, ai është kisha ime”. (DeB 10:67; kursivet e shtuara.) Për Atë e të cilit është kjo Kishë, anëtarësi përfshin shumë më tepër se thjesht të jesh një anëtar në dokument.
Unë, pra, do të doja të parashtroja koncepte të rëndësishme që ne duhet të kuptojmë e të zbatojmë, nëse duhet vërtet të pendohemi e të vijmë te Zoti.
Një nga mashtrimet e përdorura më së shpeshti nga Satani është ideja se urdhërimet e Perëndisë paramendohen të shtrëngojnë lirinë e të kufizojnë lumturinë. Të rinjtë, veçanërisht, nganjëherë mendojnë se standardet e Zotit janë si gardhe dhe zinxhirë, të cilat i pengojnë nga ato veprimtari që duken më të pëlqyeshme në jetë. Por pikërisht e kundërta është e vërtetë. Plani i ungjillit është vetë plani me anë të të cilit njerëzit vijnë në plotësi të gëzimit. Ky është koncepti i parë që uroj të theksoj. Parimet e ungjillit janë hapat dhe porositë që do të na ndihmojnë të gjejmë lumturi e gëzim të vërtetë.
Vetëdija për këtë koncept e bëri Psalmistin të thërriste: “Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! … Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi. … Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. … Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.” (Psalmet 119:97–98, 105, 111.)
Nëse dëshirojmë që vërtet të pendohemi e të vijmë drejt Tij në mënyrë që të quhemi anëtarë të Kishës së Tij, duhet, në fillim fare, të arrijmë ta kuptojmë këtë të vërtetë të përjetshme: plani i ungjillit është vetë plani i lumturisë. Ligësia kurrë nuk na solli, kurrë nuk na sjell, kurrë nuk do të na sjellë lumturi [shih Alma 41:10]. Shkelja e ligjeve të Perëndisë sjell vetëm mjerim, robëri dhe errësirë.6
2
Besimi te Jezu Krishti i paraprin pendimit të vërtetë.
Një koncept i dytë që është i rëndësishëm për kuptimin tonë, është lidhja e pendimit me parimin e besimit. Pendimi është parimi i dytë themelor i ungjillit. I pari është që ne duhet të kemi besim te Zoti Jezu Krishti. Pse ndodh kështu? Pse duhet që besimi te Zoti t’i paraprijë pendimit të vërtetë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë diçka mbi sakrificën shlyese të Mësuesit. Lehi mësonte se “nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë”. (2 Nefi 2:8.) Madje njeriu më i drejtë e i përpiktë nuk mund ta shpëtojë veten vetëm mbi meritat vetjake, sepse, sikurse na thotë Apostulli Pal, “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”. (Romakëve 3:23.)
Nëse nuk do të ishte prej jetës së përkryer e të pamëkat të Shpëtimtarit, të cilën Ai e la vullnetarisht për ne, nuk mund të kishte heqje të mëkateve.
Pra, pendim do të thotë më shumë se thjesht reformim i sjelljes. Shumë burra dhe gra në botë paraqesin fuqi të vullnetit dhe vetëdisiplinë të madhe në mposhtjen e zakoneve të këqija dhe të dobësive të mishit. Veçse ata, njëkohësisht, nuk i kushtojnë vëmendje Mësuesit, madje nganjëherë e refuzojnë haptas. Të tilla ndryshime të sjelljes, edhe pse në drejtim pozitiv, nuk përbëjnë pendim të vërtetë.
Besimi te Zoti Jezu Krishti është themeli mbi të cilin duhet ndërtuar pendimi i sinqertë dhe kuptimplotë. Nëse kërkojmë vërtet ta lëmë mënjanë mëkatin, duhet, së pari, të mbështetemi tek Ai që është Autori i shpëtimit tonë.7
3
Pendimi përfshin një ndryshim të madh të zemrës.
Parimi i tretë i rëndësishëm që ta kuptojmë, nëse duam të jemi anëtarë të vërtetë të Kishës, është që pendimi përfshin jo thjesht ndryshim të veprimeve, por ndryshim të zemrës.
Kur Mbreti Beniamin e përfundoi fjalimin e tij të shquar në tokën e Zarahemlës, njerëzit thirrën të gjithë njëzëri se ata i besonin fjalët e tij. E dinin me siguri se premtimet e tij për shëlbim ishin të vërteta, ngaqë, thanë ata, “Shpirti i Zotit të Plotfuqishëm … ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, [dhe vërejeni këtë] që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”. (Mosia 5:2.)8
A mundet zemra njerëzore të ndryshojë? Ja që po! Kjo ndodh çdo ditë në punën e madhe misionare të Kishës. Është një nga mrekullitë bashkëkohore më të përhapura të Krishtit. Nëse nuk ju ka ndodhur, do të duhet t’ju ndodhë.
Zoti ynë i tha Nikodemit se, “nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. (Gjoni 3:3.) …
Alma shprehet: “Dhe Zoti më tha: Mos u mrekullo, se i gjithë njerëzimi, po, burra dhe gra, të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe popujt duhet të lindin rishtas; po, të lindin nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja e tyre e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia, duke u bërë bijtë dhe bijat e tij;
Dhe kështu ata bëhen krijesa të reja; dhe në qoftë se nuk e bëjnë këtë, ata, në asnjë mënyrë, nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.” (Mosia 27:25–26.) …
Kapitulli i katërt i Almës përshkruan një periudhë të historisë nefite kur “kisha filloi të dështonte në përparimin e saj”. (Alma 4:10.) Alma iu përgjigj kësaj sfide duke e lënë fronin e tij si kryegjykatës në qeveri dhe “iu kushtua tërësisht [përgjegjësisë së] kryepriftërisë”, e cila ishte e tija. (Alma 4:20.)
Ai solli “një dëshmi të kulluar” kundër popullit (Alma 4:19) dhe, në kapitullin e pestë të Almës, ai bën mbi dyzet pyetje vendimtare. Duke u folur anëtarëve të Kishës sinqerisht, ai shpalli: “Unë po ju pyes, vëllezërit e mi të kishës, a keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?” (Alma 5:14.)
Ai vazhdoi: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?” (Alma 5:26.)
A nuk do të shtohej ndjeshëm sot përparimi i Kishës me shtimin e numrit të atyre që kanë rilindur shpirtërisht? A mund ta përfytyroni se ç’do të ndodhte në shtëpitë tona? A mund ta përfytyroni ç’do të ndodhte me shtimin e numrit të kopjeve të Librit të Mormonit në duart e një numri në rritje misionarësh që dinë si ta përdorin dhe të cilët kanë lindur nga Perëndia? Kur të ndodhë kjo, ne do të marrim të korrën bujare të shpirtrave që Zoti ka premtuar. Ishte Alma “[i linduri] nga Perëndia” ai që, si misionar, ishte aq i aftë për të kumtuar fjalën, saqë shumë të tjerë lindën gjithashtu nga Perëndia. (Shih Alma 36:23–26.)9
Kur ne e kemi kaluar këtë ndryshim të madh, i cili shkaktohet vetëm nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe përmes veprimit të Shpirtit mbi ne, është sikur të jemi bërë një njeri i ri. Kësisoj, ky ndryshim krahasohet me një lindje të re. Mijëra prej jush e kanë përjetuar këtë ndryshim. Ju keni braktisur jetën e mëkatit, nganjëherë mëkat i thellë dhe fyes, dhe, përmes përdorimit të gjakut shlyes të Krishtit, u bëtë të pastër. Nuk keni më prirje të riktheheni në udhët tuaja të vjetra. Jeni me të vërtetë një njeri i ri. Kjo është ajo që nënkuptohet me një ndryshim zemre.10
4
Trishtimi sipas Perëndisë, i prin pendimit të vërtetë.
Koncepti i katërt që do të doja të theksoja, është ai të cilin shkrimet e shenjta i thonë “trishtimi sipas Perëndisë” për mëkatet tona. Nuk është e pazakontë të gjesh në botë burra dhe gra që ndiejnë brejtje të ndërgjegjes për gjërat që bëjnë gabim. Ndonjëherë kjo ndodh sepse veprimet e tyre i shkaktojnë një trishtim e dhembje të madhe vetes ose njerëzve që duan. Ndonjëherë trishtimi u shkaktohet ngaqë kapen e dënohen për veprimet e tyre. Të tilla ndjenja prej bote nuk përbëjnë “trishtim sipas Perëndisë”.
… Në ditët e fundit të kombit nefit, Mormoni tha për popullin e tij se “keqardhja e tyre nuk i çonte në pendim, për shkak të mirësisë së Perëndisë; por ishte më shumë dhimbja e të mallkuarve, sepse Zoti nuk do të lejonte përherë që të ishin të lumtur në mëkat.
Dhe ata nuk erdhën te Jezusi me zemra të thyera dhe me shpirtra të penduar, por ata mallkonin Perëndinë dhe dëshironin të vdisnin.” (Mormoni 2:13–14.)
Në Hemisferën Lindore, Apostulli Pal punonte mes njerëzve të Korintit. Pasi erdhën njoftime për probleme të rënda mes shenjtorëve, përfshirë pamoralshmërinë (shih 1 Korintasve 5:1), Pali shkroi një letër të rreptë qortimi. Njerëzit reaguan me shpirtin e duhur dhe, siç del, problemet u ndreqën, sepse në letrën e tij të dytë për ta, Pali shkruante: “Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë. …
Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje.” (2 Korintasve 7:9–10.)
Në të dyja këto shkrime të shenjta, trishtimi sipas Perëndisë përkufizohet si trishtim që na çon në pendim.
Trishtimi sipas Perëndisë është dhuratë e Shpirtit. Ai është vetëdije e thellë se veprimet tona e kanë fyer Atin tonë dhe Perëndinë tonë. Është dijenia e mprehtë dhe therëse se sjellja jonë e bëri Shpëtimtarin, Atë që nuk njohu mëkat, madje më të madhin e të gjithëve, të duronte agoni dhe vuajtje. Mëkatet tona e bënë Atë t’i derdhej gjak në çdo por. Pikërisht ky ankth i vërtetë mendor e shpirtëror është ajo që shkrimet e shenjta i thonë të kesh “një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”. (Shih 3 Nefi 9:20; Moroni 6:2; DeB 20:37; 59:8; Psalmet 34:18; 51:17; Isaia 57:15.) Një shpirt i tillë është parakushti absolut për pendim të vërtetë.11
5
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë në ankth për të na parë ta ndryshojmë jetën tonë dhe do të na ndihmojnë.
Parimi tjetër që do të doja të diskutoja është ky: Askush nuk është më i dëshiruar të na shohë ta ndryshojmë jetën tonë, sesa Ati dhe Shpëtimtari. Në librin e Zbulesës është një ftesë e fuqishme dhe e thellë nga Shpëtimtari. Ai thotë: “Unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai”. (Romakëve 3:20.) Vëreni që Ai nuk thotë: “Unë qëndroj te dera dhe pres që të trokisni”. Ai po bën thirrje, po bën shenjë, po kërkon që thjesht të hapim zemrën e ta lejojmë brenda.
Në predikimin e madh të Moronit mbi besimin, ky parim mësohet edhe më qartë. Atij iu tha nga Zoti: “Në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit.” Nuk ka rëndësi se cila është mungesa ose dobësia apo pamjaftueshmëria jonë. Dhuratat dhe fuqia e Tij mjaftojnë për t’i kapërcyer të gjitha ato.
Moroni vijon me fjalët e Zotit: “Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta”. (Ethëri 12:27; kursivet e shtuara.)
Ç’premtim nga Zoti! Vetë burimi i halleve tona mund të ndryshohet, të mbruhet dhe të marrë formën e një force dhe të një burimi fuqie. Ky premtim përsëritet në njërën formë apo tjetër në shumë shkrime të shenjta të tjera. Isaia tha: “Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit”. (Isaia 4:29.) Palit i tha Zoti: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. (2 Korintasve 12:9.) Te Doktrina e Besëlidhje lexojmë: “Ai që dridhet nën fuqinë time, do të forcohet dhe do të sjellë fryte lavdërimi e urtësie”. (DeB 52:17; shih edhe 1 Nefi 17:3; 2 Nefi 3:13; DeB 1:28; 133:58–59.)12
Një nga strategjitë më të efektshme të Satanit ndaj atyre që ka joshur drejt mëkatit, është që t’u pëshpëritë në vesh se ata nuk janë të denjë të luten. Ai do t’ju thotë se Ati Qiellor është aq i pakënaqur me ju, sa nuk do t’i dëgjojë kurrë lutjet tuaja. Kjo është gënjeshtër dhe ai e thotë që t’ju mashtrojë. Fuqia e mëkatit është e madhe. Po të duhet të çlirohemi prej tij, veçanërisht prej mëkatit të rëndë, duhet të kemi fuqi më të madhe se vetja.
Askush nuk është më shumë i dëshiruar që t’ju ndihmojë të ikni prej mëkatit, sesa Ati juaj Qiellor. Drejtojuni Atij. Pranojeni mëkatin tuaj, rrëfejeni turpin tuaj dhe fajin tuaj e më pas përgjërojuni Atij për ndihmë. Ai ka fuqinë që t’ju ndihmojë të ngadhënjeni.13
Vëllezër dhe motra, duhet t’ia paraqitim mëkatet tona Zotit me pendim të përulur e të pikëlluar. Duhet t’i përgjërohemi për fuqi që t’i mposhtim. Premtimet janë të sigurta. Ai do të na vijë në ndihmë. Ne do ta gjejmë fuqinë për të ndryshuar jetën tonë.14
6
Nuk duhet ta humbim shpresën ndërsa kërkojmë të bëhemi si Krishti.
Pika e gjashtë dhe e fundit që dëshiroj të trajtoj për procesin e pendimit, është se ne duhet të kemi kujdes që, ndërsa kërkojmë të bëhemi edhe më shumë të perëndishëm, të mos shkurajohemi e të humbasim shpresën. Të bëhesh si Krishti, është një përpjekje për gjithë jetën dhe shumë shpesh përfshin rritje dhe ndryshim që është i ngadalshëm, pothuajse i padukshëm. Shkrimet e shenjta shënojnë shembuj të mrekullueshëm njerëzish, jeta e të cilëve ndryshoi rrënjësisht, në çast, si të thuash: Alma i Riu, Pali në rrugën për në Damask, Enosi duke u lutur deri natën vonë, mbreti Lamoni. Shembuj të tillë të mahnitshëm të fuqisë për të ndryshuar, madje edhe ata që ishin të zhytur thellë në mëkat, japin bindjen se Shlyerja mund të prekë edhe ata që janë në dëshpërimin më të thellë.
Por duhet të jemi të kujdesshëm kur diskutojmë mbi këta shembuj të shquar. Edhe pse janë të vërtetë dhe të fuqishëm, ata më tepër janë përjashtim, sesa rregull. Për çdo Pal, për çdo Enos dhe për çdo mbret Lamoni, ka qindra e mijëra njerëz që procesin e pendimit e gjejnë shumë më të imët, shumë më të padallueshëm. Ditë pas dite ata i afrohen Zotit më shumë, duke kuptuar vetëm pak se po ndërtojnë një jetë të perëndishme. Ata jetojnë jetë të heshtura mirësie, shërbimi dhe angazhimi. Ata janë si lamanitët të cilët, Zoti tha, “u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin”. (3 Nefi 9:20; kursivet e shtuara.)
Ne nuk duhet ta humbim shpresën. Shpresa është një spirancë për shpirtrat e njerëzve. Satani do të donte që ne ta flaknim atë spirancë. Në këtë mënyrë ai mund të sjellë shkurajim dhe dorëzim. Por ne nuk duhet ta humbim shpresën. Zoti kënaqet për çdo përpjekje, madje dhe për ato të vocklat e të përditshmet me të cilat mundohemi të jemi më shumë si Ai. Megjithëse mund të shohim se kemi shumë për të ecur në rrugën drejt përsosjes, ne duhet të mos e lëshojmë shpresën.15
Për ata të cilët e paguajnë çmimin që kërkon pendimi i vërtetë, premtimi është i sigurt. Mund të jeni sërish të pastër. Dëshpërimi mund të hiqet. Paqja e ëmbël e faljes do të rrjedhë në jetën tuaj.
Fjalët e Zotit nëpërmjet Isaias janë të sigurta: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18).
Në këtë periudhë ungjillore Zoti foli me qartësi të njëjtë kur tha: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (DeB 58:42).16
Shpresoj që ne të mos jetojmë me të kaluarën. Njerëzit që jetojnë me të kaluarën, nuk kanë shumë të ardhme. Ka një prirje të madhe që ne të vajtojmë për humbjet tona, për vendimet që kemi marrë, të cilat i mendojmë më pas se ishin vendime ndoshta të gabuara. Ka një prirje të madhe që ne të ndihemi keq për kushtet që na rrethojnë, duke menduar se mund të ishin më të mira, po të kishim marrë vendime të tjera. Ne mund të përfitojmë nga përvoja e së kaluarës. Por të mos e shpenzojmë kohën tonë duke u shqetësuar për vendime që janë marrë, për gabime që janë bërë. Le të jetojmë me të tashmen dhe me të ardhmen.17
Të dashur vëllezër e motra të mia, ndërsa përpiqemi të cilësohemi për anëtarë të Kishës së Krishtit – anëtarë në kuptimin që e përdor Ai këtë fjalë, anëtarë që janë penduar dhe kanë ardhur drejt Tij – le t’i kujtojmë këto gjashtë parime. Së pari, ungjilli është plani i Zotit për lumturi dhe pendimi synon të na sjellë gëzim. Së dyti, pendimi i vërtetë bazohet dhe rrjedh nga besimi te Zoti Jezu Krishti. Nuk ka mënyrë tjetër. Së treti, pendimi i vërtetë përfshin një ndryshim të zemrës dhe jo vetëm një ndryshim të sjelljes. Së katërti, pjesë e këtij ndryshimi të madh të zemrës është të ndiejmë trishtimin sipas Perëndisë për mëkatet tona. Kjo është domethënia e një zemre të thyer e shpirti të penduar. Së pesti, dhuratat e Perëndisë mjaftojnë për të na ndihmuar të kapërcejmë çdo mëkat dhe dobësi, nëse vetëm i drejtohemi për ndihmë Atij. Së fundi, duhet të kujtojmë që më e shumta e pendimit nuk përfshin ndryshime të bujshme apo të ndjeshme, por më tepër është një lëvizje hap pas hapi, e vazhdueshme dhe e qëndrueshme drejt perëndishmërisë.
Nëse përpiqemi fort që t’i përfshijmë në jetën tonë këto parime dhe t’i praktikojmë ato përditë, atëherë do të përmbushim cilësinë të jemi më shumë se anëtarë në dokument në Kishën e Jezu Krishtit. Si anëtarë të vërtetë kemi të drejtën për premtimin e Tij: “Kushdo që është i kishës sime dhe mbetet i kishës sime deri në fund, atë do ta ngre mbi shkëmbin tim dhe portat e ferrit nuk do të triumfojnë ndaj tij”. (DeB 10:69.)
Lutja ime është: e fitofshim të gjithë atë premtim për vete.18
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Benson tha se, për t’u penduar vërtet, duhet, fillimisht, të jemi të vetëdijshëm se “plani i ungjillit është vetë plani i lumturisë” dhe se ligësia “kurrë nuk do të na sjellë lumturi” (pjesa 1). Si mendoni, përse kjo kuptimësi është e domosdoshme në procesin e pendimit?
Në përpjekjet tona për t’u penduar, përse ndryshimi i sjelljes nuk mjafton? (Shih pjesën 2.) Si mendoni, përse na nevojitet të mbështetemi te Jezu Krishti për t’u penduar vërtet?
Në cilat mënyra keni përjetuar një “ndryshim të madh të zemrës”, siç shpjegohet në pjesën 3? Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë të tjerët ta përjetojnë këtë ndryshim?
Në cilat mënyra ndryshon “trishtimi sipas Perëndisë” nga keqardhja që ndiejnë disa njerëz kur kanë kryer diçka të gabuar? (Shih pjesën 4.) Si mund t’i përdorte një prind ose një peshkop mësimet e pjesës 4 për të ndihmuar dikë që duhet të pendohet?
Ndërsa e rishqyrtoni pjesën 5, cilat mësime ju duket se janë veçanërisht ngushëlluese? Pse janë ngushëlluese për ju këto mësime?
Duke dëshmuar për fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit, Presidenti Benson tha: “Ne nuk duhet ta humbim shpresën” (pjesa 6). Ndërsa rishqyrtoni pjesën 6, cilat të vërteta lidhur me Shlyerjen ju duket ju japin shpresë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Lluka 15:11–32; Mosia 4:10–12; 26:30–31; Alma 34:17–18; 3 Nefi 27:19–20; DeB 18:10–16; 19:15–19
Ndihmë për Mësimdhënien
“Shqetësimi juaj kryesor duhet të jetë t’i ndihmoni të tjerët të mësojnë ungjillin, jo të bëni një paraqitje mbresëlënëse. Kjo përfshin krijimin e mundësive që nxënësit të mësojnë njëri-tjetrin” (Teaching, No Greater Call, (1999) f. 64).