Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14: Martesa dhe Familja – Të Shuguruara nga Perëndia


Kapitulli 14

Martesa dhe Familja – Të Shuguruara nga Perëndia

“Familja është një prej fortesave më të mëdha të Perëndisë kundër të ligave të kohës sonë. Ndihmoni për ta mbajtur familjen tuaj të fortë dhe të afërt e të denjë për bekimet e Atit tonë në Qiell.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Që në fillim të martesës, Ezra dhe Flora Benson e bënë shtëpinë dhe familjen e tyre, përparësinë e tyre më të lartë. Kur fëmijët e tyre ishin të vegjël, ata filluan të theksonin se dëshironin që familja e tyre të mos kishte “karrige bosh” në përjetësitë.1 Presidenti Benson e theksoi po këtë mesazh gjatë shërbimit të tij si udhëheqës i Kishës. Ai tha:

“Perëndia kishte për qëllim që familja të jetë e përjetshme. Me gjithë shpirt, dëshmoj për të vërtetën e atij deklarimi. Na bekoftë Ai që t’i forcojmë shtëpitë tona dhe jetën e çdo pjesëtari të familjes që në kohën e caktuar të mund t’i raportojmë Atit tonë Qiellor, në shtëpinë e Tij çelestiale, se ne jemi të gjithë atje – babai, nëna, motra, vëllai, të gjithë ata që kanë dashuri për njëri-tjetrin. Çdo karrige është e zënë. Ne jemi kthyer të gjithë në shtëpi.”2

Për Presidentin dhe motrën Benson, përpjekja për të forcuar familjen e tyre, filloi me ushqyerjen e martesës së tyre. Ata ishin të dashur e të përkushtuar, besnikë e të vërtetë. Edhe pse nuk kishin prirje për t’u grindur, ata shpesh patën diskutime të hapura.3 Ata kishin një mirëbesim të përbashkët dhe të pastër te njëri-tjetri, gjë që ndien se ishte një prej pikave më të forta të martesës së tyre. “Nuk kam pasur kurrë, kurrë ndonjë dyshim për besnikërinë e Florës”, tha Presidenti Benson.4

Presidenti dhe Motra Benson e mbështetnin dhe e forconin njëri-tjetrin. “Flora ka pasur më shumë largpamësi për mua dhe potencialin tim se çdokush tjetër në jetën time. Besimi dhe mbështetja e saj kanë qenë një bekim i madh”, tha Presidenti Benson.5 Shpesh, kur ai ndihej i papërshtatshëm për përgjegjësitë e tij kërkuese, motra Benson i fshinte lotët dhe e ngushëllonte.6 Ajo kërkoi ndihmën e Zotit që ta përkrahte atë, dhe i shtyu fëmijët të bënin të njëjtën gjë. “Ka pasur shumë lutje dhe agjërime për babin”, tha Barbara, e bija.7

President Ezra Taft Benson with Sister Flora Smith Amussen Benson

Presidenti dhe motra Benson qenë gjithnjë besnikë dhe të vërtetë ndaj njëri-tjetrit.

Duke ndërtuar mbi themelin e fortë të martesës së tyre, Presidenti dhe motra Benson u mësuan fëmijëve të tyre rëndësinë e marrëdhënieve të përjetshme familjare. “Prindërit tanë rrënjosën ndjenja të thella besnikërie dhe dashurie mes nesh fëmijëve” tha Marku, i biri. “Nuk mendoj se ajo lloj atmosfere krijohet natyrshëm në shtëpi, por ajo nxitet dhe ndihmohet nga një nënë dhe baba i interesuar dhe i dashur.”8

Standardi i sjelljes që prisnin Bensonët, si dhe përparësia që i dhanë familjes, kishin në thelb ungjillin. Ata punuan për të krijuar një shtëpi ku mbizotëronte dashuria, ku fëmijët mësonin dhe zhvilloheshin dhe ku zbaviteshin. Bensonët dëshironin që shtëpia e tyre të ishte një shenjtërore larg botës. “Kjo nuk do të thotë që nuk patëm mundime”, tha Ridi, i biri. “Ne nuk shkonim mirë përherë. Nuk i bënim përherë detyrat tona. Ndonjëherë, ne e vinim në provë durimin e mamit deri në skaj. Por, përpos të gjithave, kishte një ndjesi bashkimi familjar që po përpiqeshim ta mbanim së bashku.”9 Motra Benson pranoi: “Askush nuk është i përsosur. Në familjen tonë, nuk është qëllimi ynë t’i zmadhojmë të metat e njëri-tjetrit, por ta nxitim njëri-tjetrin të përmirësohet.”10

Fëmijët e Bensonëve ishin ende të vegjël, kur i ati u thirr për të shërbyer në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe ishte i shqetësuar për faktin se si do të ndikonte programi i tij i udhëtimeve te koha që do të kalonte me ta. Ai shkroi në ditarin e tij: “Udhëtimet e dendura për punën e Kishës do të më heqin nga familja ime në një masë të madhe. … Sinqerisht kam mirëbesim se mund të jem i vërtetë ndaj familjes sime, t’i mbaj ata afër Kishës e prapëseprapë t’i përmbush detyrimet e mia si një prej Autoriteteve të Përgjithshme. Kjo e di se nuk do të jetë një punë e lehtë.”11

Fakti që nuk ishte e lehtë, e shtyu Presidentin Benson që të punonte fort për të qenë afër familjes së tij. “Disa prej përshtypjeve dhe përvojave më të ëmbla e shpirtmbushëse të jetës [sime] kanë të bëjnë me shtëpinë dhe lidhjet familjare”, tha ai.12

Në vitin 1957, si ministër i bujqësisë i Shteteve të Bashkuara, Presidenti Benson bëri një udhëtim katërjavor rreth botës për të krijuar mundësi tregtimi. Motra Benson dhe të bijat, Beverli dhe Boni, e shoqëruan atë. Ata shkuan në 12 shtete, ku u takuan me udhëheqës të qeverisë dhe vizituan vende të rëndësishme kulturore, vendstrehime të refugjatëve dhe veprime bujqësore. Presidenti Benson ndjeu se udhëtimi qe i suksesshëm për rritjen e mundësive për tregti dhe gjithashtu për krijimin e vullnetit të mirë për Kishën. Kur u kthyen në shtëpi, e bija, Bethi, po priste ndërsa ulej avioni. Kur i pa prindërit, ajo filloi të vraponte drejt tyre me lot në sy. I ati u zgjat dhe e tërhoqi në një përqafim të dashur. Ai mendoi: “Me të gjitha mrekullitë e botës [që kishim parë], ai çast, papritur qe më i miri i të gjithë udhëtimit”13.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Familja është organizata më e rëndësishme në kohë e në përjetësi.

Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e sheh familjen si organizatën më të rëndësishme për kohën dhe të gjithë përjetësinë. Kisha na mëson se gjithçka duhet të përqendrohet te familja dhe përreth saj. Ajo thekson se ruajtja e jetës familjare në kohë dhe në përjetësi merr përparësi mbi të gjithë interesat e tjerë.14

Nuk mund të ketë asnjë zëvendësues të kënaqshëm për shtëpinë. Themeli i saj është aq i lashtë sa bota. Misioni i saj është shuguruar nga Perëndia.15

Cilësia e një kombi varet nga cilësia e shtëpive të tij. Kisha do të varet gjithnjë nga cilësia e shtëpive të saj. Ne nuk jemi më të mirë si popull sesa janë vatrat tona, shtëpitë tona. … Shtëpia e mirë është themeli shkëmbor, gurthemeli i qytetërimit. Ajo duhet ruajtur. Duhet forcuar.16

Disa njerëz më pyetin si udhëheqës i Kishës përse ne e vëmë kaq shumë theksin te shtëpia dhe familja kur ka kaq probleme më të mëdha rreth nesh? Përgjigjja është, sigurisht, se problemet më të mëdha janë thjesht një pasqyrim i problemeve individuale dhe familjare.17

Martesa dhe jeta familjare shugurohen nga Perëndia. Nga një këndvështrim i përjetshëm, shpëtimi është një çështje familjare. Perëndia i quan prindërit përgjegjës për kujdestarinë e tyre në rritjen e familjes së tyre. Është një përgjegjësi shumë e shenjtë.18

2

Në martesat e lumtura, bashkëshortët dhe bashkëshortet e duan dhe i shërbejnë Perëndisë dhe njëri-tjetrit.

Martesa, shtëpia dhe familja janë më tepër sesa thjesht institucione shoqërore. Ato janë hyjnore, nuk janë të bëra nga njeriu. Perëndia e shuguroi martesën që nga fillimi fare. Në dokumentimin e asaj martese të parë të shënuar te Zanafilla, Zoti bën katër shpallje domethënëse: së pari, se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; së dyti, se gruaja u krijua që të jetë ndihmë për burrin; së treti, që ata të dy duhet të jenë një mish i vetëm; dhe së katërti, që njeriu duhet ta braktisë babanë dhe nënën dhe të bashkohet me gruan e tij. (Shih Zanafilla 2:18, 24.)

Më vonë, si për ta përforcuar shpalljen e mëparshme, Zoti tha: “Prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë!” (Mateu 19:6). Ai tha edhe: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër” (DeB 42:22).19

Shkrimet e shenjta na tregojnë: “Adami filloi të lëronte tokën … ashtu sikurse unë, Zoti e kisha urdhëruar. Dhe Eva, gjithashtu, gruaja e tij, punoi me të. … Ata filluan të shumëzohen e të mbushin tokën. … Dhe Adami dhe Eva, gruaja e tij, i bënë thirrje emrit të Zotit. … Dhe Adami e Eva e bekuan emrin e Perëndisë dhe [ata] ua bënë të gjitha gjërat të njohura bijve dhe bijave të tyre. … Dhe Adami dhe Eva, gruaja e tij, nuk pushuan së thirruri Perëndisë.” (Moisiu 5:1–2, 4, 12, 16.)

Nga ky anal i frymëzuar ne shohim që Adami dhe Eva na dhanë një shembull ideal të një marrëdhënieje martesore në besëlidhje. Ata punuan së bashku; bënë fëmijë së bashku; u lutën së bashku; dhe u mësuan fëmijëve ungjillin – së bashku. Ky është modeli që Perëndia do të dëshironte ta imitonin të gjithë burrat dhe gratë e drejta.20

Vetë martesa duhet të vlerësohet si një besëlidhje e shenjtë para Perëndisë. Një çift i martuar ka detyrim jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj Perëndisë. Ai u ka premtuar bekime atyre që e nderojnë atë besëlidhje.

Besnikëria ndaj betimeve martesore vetjake është tërësisht thelbësore për dashurinë, mirëbesimin dhe paqen. Tradhtia bashkëshortore dënohet pa mëdyshje nga Zoti. …

Vetëpërmbajtja dhe vetëkontrolli duhet të jenë parime sunduese në marrëdhënien martesore. Çiftet duhet të mësojnë t’i vënë fre gjuhës si dhe pasioneve të tyre.

Lutja në shtëpi dhe lutja me njëri-tjetrin do ta forcojë bashkimin [e një çifti]. Pak nga pak, mendimet, dëshirat dhe idetë do të shkrihen në një gjë të vetme derisa të keni të njëjtat qëllime e synime.

Mbështetuni te Zoti, mësimet e profetëve dhe shkrimet e shenjta për udhërrëfim e ndihmë, veçanërisht kur mund të ketë mosmarrëveshje dhe probleme.

Rritja shpirtërore vjen nga zgjidhja e problemeve së bashku – jo nga largimi prej tyre. Theksi i sotëm i tepruar mbi individualizmin sjell përqendrim vetëm te vetja dhe ndarje. Dy individë që bëhen “një mish i vetëm” është ende standardi i Zotit. (Shih Zanafilla 2:24.)

Sekreti i një martese të lumtur është t’i shërbesh Perëndisë dhe njëri-tjetrit. Synimi i martesës është njëzëshmëria dhe të qenit një, si edhe zhvillimi i vetvetes. Në mënyrë paradoksale, sa më shumë i shërbejmë njëri-tjetrit, aq më e madhe është rritja jonë shpirtërore dhe emocionale.21

Polynesian couple on a couch with a photo album.

“Dashuria që njohim këtu … është … vetë thelbi që i lidh familjet së bashku për kohën dhe përjetësinë.”

Këshilla nga Apostulli Pal është shumë e bukur dhe me vend. Ai tha thjesht: “Burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën” (Efesianëve 5:25).

Në zbulesën e ditëve të mëvonshme, Zoti flet sërish për këtë detyrim. Ai tha: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër” (DeB 42:22). Me aq sa di, ka vetëm një gjë tjetër në të gjithë shkrimin e shenjtë që urdhërohemi ta duam me gjithë zemër dhe ai është Vetë Perëndia. Mendoni ç’do të thotë ajo!

Kjo lloj dashurie mund të shfaqet për bashkëshortet tuaja në kaq shumë mënyra. Para së gjithash, asgjë përveç Vetë Perëndisë nuk merr përparësi përpara bashkëshortes në jetën tuaj – as puna, as argëtimi, as veprimtaritë tuaja të parapëlqyera. Bashkëshortja juaj është bashkëndihmësja juaj e çmuar, e përjetshme – shoqja juaj.

Çfarë do të thotë ta doni dikë me gjithë zemër? Do të thotë ta doni me gjithë ndjenjat tuaja emocionale dhe me gjithë përkushtimin tuaj. Sigurisht, kur e doni bashkëshorten tuaj me gjithë zemër, ju nuk mund ta poshtëroni atë, ta kritikoni atë, të gjeni të meta tek ajo ose ta dhunoni me fjalë, sjellje të vrazhdë apo veprime.

Çfarë do të thotë të “kapesh pas saj”? Do të thotë t’i qëndrosh pranë asaj, të jesh besnik ndaj saj e i besueshëm, të komunikosh me të dhe të shprehësh dashurinë tënde për të.22

Bashkëshortët dhe bashkëshortet që e duan njëri-tjetrin, do të zbulojnë se ajo dashuri dhe besnikëri është reciproke. Kjo dashuri do të sigurojë një atmosferë ushqyese për rritjen emocionale të fëmijëve. Jeta familjare duhet të jetë një kohë lumturie dhe gëzimi që fëmijët të mund ta kujtojnë me kujtime e mendime të dashura.23

3

Familjet e forta kultivojnë dashuri, respekt dhe mbështetje për çdo pjesëtar të familjes.

Le ta forcojmë familjen. Lutjet familjare dhe vetjake në mëngjes dhe në mbrëmje mund t’i ftojnë bekimet e Zotit në vatrat tona familjare. Koha e vakteve përbën një çast të mirë për të shqyrtuar veprimtaritë e ditës dhe jo vetëm për të ushqyer trupin, por për të ushqyer edhe shpirtin, me anëtarë të familjes që lexojnë me radhë shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit. Mbrëmja është një kohë e shkëlqyer për babanë e zënë që të shkojë anës shtratit të çdo fëmije, të flasë me ta, t’iu përgjigjet pyetjeve të tyre dhe t’u tregojë se sa shumë i duan.24

Familja është një prej fortesave më të mëdha të Perëndisë kundër të ligave të kohës sonë. Ndihmoni për ta mbajtur familjen tuaj të fortë, të afërt e të denjë për bekimet e Atit tonë në Qiell. Teksa e bëni këtë, do të merrni besim dhe forcë që do t’ua bekojë jetën përgjithmonë.25

Një gjë e mrekullueshme që Zoti e kërkon nga secili prej nesh, është të sigurojmë një shtëpi ku ekziston një ndikim i lumtur e pozitiv për të mirë. Në vitet e ardhshme, kostoja e mobilieve të shtëpisë ose numri i banjave nuk do të ketë shumë rëndësi, por ajo që do të ketë rëndësi në mënyrë domethënëse, është nëse fëmijët tanë ndien dashuri dhe pranim në shtëpi. Do të ketë shumë rëndësi nëse pati lumturi dhe të qeshura apo grindje dhe zënka.26

Familjet e suksesshme kanë dashuri dhe respekt për çdo pjesëtar të familjes. Pjesëtarët e familjes e dinë se ata i duan dhe se vlerësohen. Fëmijët e ndiejnë se prindërit e tyre i duan. Kështu, ata janë të sigurt dhe kanë siguri në vetvete.

Familjet e forta e kultivojnë cilësinë e komunikimit të efektshëm. Ata i shprehin problemet e tyre, bëjnë plane së bashku dhe bashkëpunojnë drejt synimeve të përbashkëta. Mbrëmja familjare dhe këshillat familjarë praktikohen dhe përdoren si mjete të efektshme drejt këtij qëllimi.

Etërit dhe nënat në familjet e forta u qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre. Ata flasin. Disa etër e intervistojnë në mënyrë formale çdo fëmijë, të tjerët e bëjnë këtë në mënyrë joformale dhe të tjerë gjejnë rastin për të kaluar kohë rregullisht vetëm me çdo fëmijë.

Çdo familje ka probleme dhe sfida. Por familjet e suksesshme përpiqen të punojnë së bashku drejt zgjidhjeve në vend që të drejtohen te kritika dhe zënkat. Ata luten për njëri-tjetrin, diskutojnë dhe japin inkurajim. Me raste, këto familje agjërojnë së bashku në mbështetje të njërit prej pjesëtarëve të familjes.

[Pjesëtarët e] familjeve të forta e mbështetin njëri-tjetrin.27

4

Shtëpia është vendi më i mirë ku fëmijët të mësojnë parimet dhe praktikat e ungjillit.

Familja është vendi më i efektshëm për të rrënjosur vlera të përhershme te pjesëtarët e saj. Atje ku jeta familjare është e fortë dhe e bazuar mbi parimet dhe praktikat e ungjillit të Jezu Krishtit, … problemet nuk shfaqen dhe aq lehtë.28

Prindërit e suksesshëm kanë zbuluar se nuk është e lehtë të rritësh fëmijë në një mjedis të ndotur nga e keqja. Prandaj, ata hedhin hapa të paramenduar për të siguruar më të mirat e ndikimeve të shëndosha. Jepen mësim parimet morale. Vihen në dispozicion dhe lexohen libra të mirë. Të parit e televizorit kontrollohet. Sigurohet muzikë e mirë dhe lartësuese. Por, më me rëndësi, shkrimet e shenjta lexohen dhe diskutohen si një mjet për të ndihmuar në zhvillimin e shpirtshmërisë.

Në shtëpitë e suksesshme shenjtore të ditëve të mëvonshme, prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre që të kuptojnë besimin në Perëndi, pendimin, pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. (Shih DeB 68:25.)

Lutja familjare është një praktikë e qëndrueshme në këto familje. Lutja është mjeti për të shprehur mirënjohje për bekimet dhe për të pranuar me përulësi varësinë nga Perëndia i Plotfuqishëm për forcë, përkrahje e mbështetje.

Është një thënie e urtë dhe e vërtetë fakti që familjet që gjunjëzohen së bashku, qëndrojnë drejt përpara Zotit!29

Fëmijët kanë nevojë ta dinë se cilët janë në kuptimin e përjetshëm të identitetit të tyre. Ata kanë nevojë të dinë se kanë një Atë Qiellor të përjetshëm tek i cili mund të mbështeten, të cilit mund t’i luten dhe prej të cilit mund të marrin udhërrëfim. Ata kanë nevojë të dinë prej nga kanë ardhur që jeta e tyre të ketë kuptim dhe qëllim.

Fëmijëve duhet t’u mësohet të luten, të mbështeten te Zoti për udhërrëfim dhe të shprehin mirënjohje për bekimet që kanë marrë. Më kujtohet gjunjëzimi në anë të shtretërve të fëmijëve tanë të vegjël, duke i ndihmuar ata për lutjet e tyre.

Fëmijëve duhet t’u mësohet dallimi mes të drejtës e të gabuarës. Ata mund dhe duhet t’i mësojnë urdhërimet e Perëndisë. Atyre duhet t’u mësohet se është e gabuar të vjedhësh, të gënjesh, të mashtrosh ose të lakmosh atë çfarë kanë të tjerët.

Fëmijëve duhet t’u mësohet të punojnë në shtëpi. Ata duhet të mësojnë atje se puna e ndershme zhvillon dinjitetin dhe respektin për veten. Ata duhet të mësojnë kënaqësinë e punës, e të bërit mirë të një pune.

Koha e lirë e fëmijëve duhet të drejtohet në mënyrë dobiprurëse në veprimtari të shëndosha e pozitive.30

I hartuar për ta forcuar dhe mbrojtur familjen, programi i Kishës për mbrëmjen familjare cakton një natë çdo javë që duhet lënë veç për etërit dhe nënat që t’i mbledhin bijtë dhe bijat e tyre rreth vetes në shtëpi.31

Parimet e ungjillit mund të rrënjosen përmes mbrëmjeve familjare të efektshme ku të rinjtë do të forcohen që të mos iu duhet të druhen për të ardhmen e tyre. Një mësimdhënie e tillë duhet bërë me besim, dëshmi dhe optimizëm.32

Vënia e rregullit në shtëpi është mbajtje e urdhërimeve të Perëndisë. Kjo sjell harmoni dhe dashuri. … Ajo është lutja e përditshme familjare. Është t’i mësosh familjes ta kuptojë ungjillin e Jezu Krishtit. Është mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë nga çdo pjesëtar i familjes. Është … të qenit i denjë për të marrë një rekomandim tempulli, marrja e ordinancave të ekzaltimit nga të gjithë pjesëtarët e familjes dhe të qenit të vulosur së bashku për përjetësinë si familje. Është të qenit i lirë nga borxhi i tepruar, me pjesëtarët e familjes që paguajnë të dhjeta dhe oferta të ndershme.33

5

Perëndia ka zbuluar se familja mund të vazhdojë përtej varrit.

Dashuria që njohim këtu, nuk është një hije kalimtare, por vetë thelbi që i lidh familjet së bashku për kohën dhe përjetësinë.34

Qe nëpërmjet Jozef Smithit që Perëndia i Qiellit zbuloi të vërtetën se familja mund të vazhdojë përtej varrit – se mirëkuptimi, ngrohtësia dhe dashuria jonë për njëri-tjetrin mund të ekzistojnë përgjithmonë.35

Asnjë sakrificë nuk është tepër e madhe për të pasur bekimet e një martese të përjetshme. Për shumicën prej nesh, një tempull është lehtësisht i arritshëm, ndoshta në mënyrë aq të volitshme sa bekimi merret tepër me lehtësi. Njësoj si me çështjet e tjera të besnikërisë në të jetuarin e ungjillit, të qenit i martuar sipas mënyrës së Zotit, kërkon një gatishmëri për t’ia mohuar vetes paperëndishmërinë – gjërat e botës – dhe kërkon një vendosmëri për të bërë vullnetin e Atit. Me anë të kësaj vepre besimi, ne i tregojmë Perëndisë dashurinë dhe vëmendjen tonë për një brez pasardhës ende të palindur. Meqë familja jonë është burimi ynë më i madh i gëzimit në këtë jetë, kështu mund të jetë fare mirë [edhe] në përjetësi.36

Shtëpia dhe familja. Çfarë kujtimesh të ëmbla na burojnë nga kraharori nga vetëm përmendja e këtyre fjalëve të shtrenjta! Më lejoni të uroj për ju plot lutje dhe me të gjithë zjarrin e shpirtit tim, që ju të mund ta njihni gëzimin dhe kënaqësinë e papërshkrueshme të të qenit prindër të respektueshëm. Do të humbisni një nga gëzimet më të thella të kësaj jete dhe të përjetësisë nëse do t’i shmangni me dashje përgjegjësitë e të qenit prindër dhe të ngritjes së një familjeje. Sikurse u zbulua përmes Profetit Jozef Smith, koncepti i lavdishëm i shtëpisë dhe i marrëdhënies së përhershme familjare qëndron në vetë bazën e lumturisë sonë këtu dhe pas kësaj jete.37

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson na mësoi: “Nga një këndvështrim i përjetshëm, shpëtimi është një çështje familjare” (pjesa 1). Çfarë do të thotë kjo për ju? Çfarë mund të bëjnë pjesëtarët e familjes për shpëtimin e njëri-tjetrit?

  • Ndërsa e studioni këshillën e Presidentit Benson në pjesën 2, përsiatni mënyrën se si lidhet me atë që ai e quajti “sekreti i një martese të lumtur”. Përse mendoni se ky “sekret” të çon drejt lumturisë?

  • Te pjesa 3, merrni parasysh atë që tha Presidenti Benson rreth praktikave të familjeve të suksesshme. Në çfarë mënyrash i forcojnë familjet këto praktika? Përsiatni për atë që mund të bëni për ta ndjekur këtë këshillë.

  • Përse mendoni se familja është “vendi më i efektshëm për të rrënjosur vlera të përhershme”? (Shih pjesën 4, duke vënë re këshillën e posaçme të Presidentit Benson për mësimdhënien në familje.) Kur i keni parë pjesëtarët e familjes ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të mësuar parimet e ungjillit?

  • Presidenti Benson dëshmoi se familjet mund të “vazhdoj[në] përtej varrit” (pjesa 5). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa e përsiatni këtë të vërtetë? Cilat janë disa “kujtime të ëmbla” që ju vijnë kur përmendet shtëpia dhe familja?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Psalmeve 127:3–5; 1 Korintasve 11:11; 3 Nefi 18:21; DeB 49:15; 132:18–19; shih edhe “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129

Ndihma për Studimin

“Studimi i ungjillit është më efektiv kur ju mësoheni nga Fryma e Shenjtë. Gjithmonë, fillojeni studimin e ungjillit duke u lutur që Fryma e Shenjtë t’ju ndihmojë të mësoni” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 18).

Shënime

  1. Në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 363.

  2. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 493.

  3. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 126.

  4. Në Derin Head Rodriguez, “Flora Amussen Benson: Handmaiden of the Lord, Helpmeet of a Prophet, Mother in Zion”, Ensign, mars 1987, f. 20.

  5. Në “Flora Amussen Benson: Handmaiden of the Lord, Helpmeet of a Prophet, Mother in Zion”, f. 14.

  6. Shih Ezra Taft Benson: A Biography, f. 179.

  7. Barbara Benson Walker, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 179.

  8. Mark Amussen Benson, në “Flora Amussen Benson: Handmaiden of the Lord, Helpmeet of a Prophet, Mother in Zion”, f. 20.

  9. Reed Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 140.

  10. Reed Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 133.

  11. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 178.

  12. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 126.

  13. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 327.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 489.

  15. Në Conference Report, prill 1949, f. 198.

  16. Në Conference Report, tetor 1953, f. 122.

  17. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 521.

  18. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, Ensign, nëntor 1982, f. 59.

  19. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 534.

  20. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 534.

  21. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, Ensign, f. 59, 60.

  22. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson (2003), f. 209–210.

  23. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, f. 59.

  24. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 491.

  25. “To the ‘Youth of the Noble Birthright’”, Ensign, maj 1986, f. 43.

  26. “Great Things Required of Their Fathers”, Ensign, maj 1981, f. 34.

  27. “Counsel to the Saints”, Ensign, maj 1984, f. 6.

  28. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, f. 59.

  29. “Counsel to the Saints”, f. 6–7.

  30. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, f. 60.

  31. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 528.

  32. “May the Kingdom of God Go Forth”, Ensign, maj 1978, f. 33.

  33. “Great Things Required of Their Fathers”, f. 36.

  34. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 492.

  35. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 490.

  36. “This Is a Day of Sacrifice”, Ensign, maj 1979, f. 33–34.

  37. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 491–492.