Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21: Parimet e Mirëqenies Materiale dhe Shpirtërore


Kapitulli 21

Parimet e Mirëqenies Materiale dhe Shpirtërore

“Gjithçka që lidhet me mirëqenien ekonomike, shoqërore dhe shpirtërore të familjes njerëzore është dhe gjithmonë do të jetë shqetësimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Në vitin 1936, ndërsa njerëzit në të gjithë botën po ndesheshin me sfidat ekonomike të Depresionit të Madh, Presidenca e Parë paraqiti një program të ri mirëqenieje. Ky program, i quajtur Plani i Kishës për Sigurinë, u krijua jo që të siguronte lëmosha për njerëzit në nevojë, por “që t’i ndihmonte njerëzit të ndihmonin vetveten”.1 Kur Presidenca e Parë dhe udhëheqës të tjerë të Kishës e krijuan këtë program, ata dhanë mësim për parimet themelore të punës me zell, mbështetjes te vetja dhe shërbimit. Ata i nxitën anëtarët e Kishës të paguanin të dhjetën dhe ofertat e agjërimit, të prodhonin dhe të ruanin ushqime, të shmangnin borxhe të panevojshme dhe të ruanin para për nevojat e së ardhmes.

Në atë kohë, Presidenti Ezra Taft Benson po shërbente si këshilltar në një presidencë kunji në Boisi, Ajdaho. Ai ishte gjithashtu një ekonomist, specialist marketingu dhe specialist për administrimin e fermave për shtetin e Ajdahos. Ai e pranoi detyrën e caktuar nga presidenti i tij i kunjit për të marrë pjesë në një mbledhje, në të cilën do të paraqitej Plani i Kishës për Sigurinë. Më vonë ai kujtoi: “Qenia ime iu përgjigj me gjithë zemër çdo gjëje që dëgjova atë ditë. U ktheva në Kunjin e Boisit dhe u thashë vëllezërve të mi se ky program, që ishte shpallur, është i shëndetshëm nga ana ekonomike, shoqërore e shpirtërore dhe u shpreha mirëbesimin se njerëzit e Kishës do t’i përgjigjeshin atij me gjithë zemër, si një gjë që nuk është vetëm e shëndetshme, por edhe e nevojshme.”2

Dy muaj pasi Presidenti Benson ia paraqiti programin kunjit të tij, “projekte të shumta mirëqenieje kishin filluar: një lagje pati mbjellë një kopsht prej pak hektarësh, një tjetër kishte mbjellë 6 hektarë me panxhar sheqeri dhe Shoqata e Ndihmës e një lagjeje tjetër po ruante ushqime në konserva dhe po bënte jorganë e rroba. [Një lagje] madje ndërtoi një punishte të vogël për bërjen e konservave.”3

Ezra Taft Benson in Geneva, Switzerland. Caption: "Checking welfare supplies with Pres. Max Zimmer in Geneva Warehouse"  Collection Summary: Black-and-white views taken during Benson's February-December 1946 mission to postwar Europe to meet with Latter-day Saints, direct distribution of welfare supplies, and arrange for resumption of missionary work.

Plaku Ezra Taft Benson, në të djathtë, me Presidentin Maks Zimer, presidenti veprues i Misionit Zviceran, duke kontrolluar furnizimet e mirëqenies në Gjenevë, Zvicër, 1946

Plaku Ezra Taft Benson, në të djathtë, me Presidentin Maks Zimer, presidenti veprues i Misionit Zviceran, duke kontrolluar furnizimet e mirëqenies në Gjenevë, Zvicër, 1946

Presidenti Benson e pa ndikimin e shpërndarë gjerësisht të programit të mirëqenies 10 vjet më vonë. Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai u caktua të kryesonte mbi Kishën në Europë pikërisht pas Luftës II Botërore. Në ato vende të shkatërruara nga lufta, ai e udhëhoqi përpjekjen e Kishës për të siguruar të mira materiale, të cilat do t’i ndihmonin njerëzit që të rifitonin mbështetjen e tyre te vetja. Ai foli për përvojën e tij kur furnizimi i parë nga Kisha me materiale mirëqenieje arriti në Berlin, Gjermani:

“Mora me vete presidentin veprues të misionit, Presidentin Riçard Renglek. Ecëm për te një magazinë e vjetër, e dëmtuar e cila, e ruajtur me roja të armatosura, mbante mallrat e çmueshme të mirëqenies. Në fundin më të largët të magazinës pamë kuti të vendosura njëra mbi tjetrën pothuajse deri në tavan.

‘Kuti ushqimesh janë ato?’ tha Riçardi. ‘Domethënë, më thua që ato janë kuti plot me ushqime?’

‘Po, vëllai im’, u përgjigja, ‘ushqime dhe veshje e mbulesa shtrati – dhe, shpresoj, pak ndihma mjekësore’.

Riçardi dhe unë zbritëm një nga kutitë. E hapëm. Ishte e mbushur me ushqimin më të zakonshëm nga të gjitha ushqimet – fasule të thata. Kur ai burrë i mirë e pa atë, i futi duart e tij në brendësi dhe i derdhi ato përmes gishtave, pastaj ra përtokë dhe qau me mirënjohje si një fëmijë.

Hapëm një kuti tjetër, të mbushur me grurë të copëtuar, asgjë nuk i ishte shtuar apo hequr, thjesht ashtu siç e kishte bërë Zoti dhe siç e kishte menduar Ai të ishte. Ai futi një çikëz prej tij në gojë. Pas një çasti hodhi vështrimin tek unë përmes syve të tij të mbushur me lot – dhe sytë e mi ishin të përlotur, gjithashtu – dhe ai tha, ndërsa tundte me ngadalë kokën: ‘Vëlla Benson, është e vështirë të besohet që njerëz të cilët kurrë nuk na kanë parë, të mund të bënin kaq shumë për ne’.

Ky është sistemi i Zotit! Dhurimet vullnetare të nxitura prej dashurisë vëllazërore dhe sakrifikimit të vullnetshëm, dhe të ndihmuarit e të tjerëve që ata të ndihmojnë vetveten. Një gjë e tillë bën të mundur dinjitetin dhe respektin për vetveten.”4

Mësime të Ezra Taft Benson

1

Zoti mezi pret dhe është i gatshëm t’i bekojë njerëzit e Tij materialisht dhe shpirtërisht.

E kuptoj, vëllezërit dhe motrat e mia, se në diskutimin e çështjeve materiale, Zoti ka thënë:

“… gjithë gjërat për mua janë shpirtërore dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë një ligj që është tokësor. …” [DeB 29:34.]

Qëllimi, sigurisht, është shpirtëror. Ne jetojmë, megjithatë, në një botë materiale, fizike, tokësore. …

… Njeriu është një qenie e dyfishtë, materiale dhe shpirtërore, dhe në zbulesat e hershme dhënë këtij populli, Zoti e përdori rastin, shumë herë, për të dhënë udhëzim dhe urdhërim lidhur me çështjet materiale. Ai i drejtoi shenjtorët dhe udhëheqësit e Kishës në blerjen e tokës dhe të pronave të tjera; në ndërtimin e tempujve; madje në ngritjen e një shtypshkronje, të një dyqani dhe në ndërtimin e një shtëpie banimi për “udhëtari[n e] lodhur” [shih DeB 124:22–23]. Në zbulesën e madhërishme, të njohur si Fjala e Urtësisë, ai jo vetëm që tregoi se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është e mirë për njeriun, por nënvizoi një plan për ushqimin e bagëtive, i cili, përmes më shumë se njëqind vjetëve, dalëngadalë është mbështetur nëpërmjet hetimit shkencor të njeriut [shih DeB 89]. Çfarëdo që e ndikon mirëqenien njerëzore, gjithmonë ka qenë dhe përherë do të jetë shqetësimi i Kishës. Njerëzit tanë gjithmonë janë këshilluar në çështjet materiale. …

Është e rëndësishme që ta mbajmë drejt të menduarin tonë, vëllezërit dhe motrat e mia. Le të mbajmë përherë në mendje se të gjitha gjërat materiale nuk janë veçse një mjet drejt një qëllimi dhe se qëllimi është shpirtëror, edhe pse Zoti mezi pret dhe është i gatshëm t’i bekojë njerëzit e tij materialisht. Ai ka treguar kështu në shumë prej zbulesave. Ai ka vënë në dukje, herë pas here, se ne duhet të lutemi për të lashtat tona, për gjënë tonë të gjallë, për vatrat tona familjare, për shtëpitë tona dhe t’i ftojmë bekimet e Zotit mbi çështjet tona materiale. Dhe ai ka premtuar se do të jetë atje dhe i gatshëm e i vullnetshëm për të na bekuar. …

… Zoti nuk do të bëjë për ne atë që ne mund dhe duhet ta bëjmë për veten tonë. Por është qëllimi i tij që të përkujdeset për shenjtorët e tij. Gjithçka që lidhet me mirëqenien ekonomike, shoqërore dhe shpirtërore të familjes njerëzore është dhe gjithmonë do të jetë shqetësimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.5

Ndërsa administrojmë ndonjë aspekt të programit të mirëqenies, qëllimi parësor për të cilin ai u krijua, duhet të mbahet përpara nesh. Ai qëllim i shpallur është “të ndërtojmë, për aq sa të jetë e mundur, një sistem nën të cilin mallkimi i përtacisë do të largohej, të këqijat e lëmoshës do të hiqeshin dhe pavarësia, zelli, kursimi dhe respekti për veten do të vendoseshin edhe një herë mes njerëzve tanë. Synimi i Kishës është t’i ndihmojë njerëzit që të ndihmojnë vetveten. Puna duhet të rikurorëzohet si parimi sundues i jetës së anëtarësisë së Kishës sonë.”6

Forca e programit të Kishës për mirëqenien qëndron në ndjekjen nga çdo familje të drejtimit të frymëzuar të udhëheqësve të Kishës për ta mbështetur veten nëpërmjet përgatitjes së duhur. Perëndia ka si qëllim për shenjtorët e tij që ta përgatitin vetveten “që kisha [sikurse ka thënë Zoti] të mund të qëndrojë e pavarur mbi të gjitha krijesat e tjera nën botën çelestiale”. (DeB 78:14.)7

Shëmbëlltyra e shkrimeve të shenjta për pesë virgjëreshat e mençura dhe pesë virgjëreshat budallaçka [shih Mateu 25:1–13] është një kujtues që një njeri mund të presë shumë gjatë përpara se të përpiqet ta vërë në rregull shtëpinë e tij shpirtërore dhe materiale. A jemi të përgatitur?8

2

Nëpërmjet punës energjike, qëllimplotë, vetëmohuese, ne mund të fitojmë domosdoshmëritë e jetës dhe të zhvillohemi në tipare të perëndishme.

Një nga parimet e para të zbuluara atit Adam, kur u dëbua nga kopshti i Edenit, ishte ky: “Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe” (Zanafilla 3:19.). Gjithçka e një natyre materiale që fitojmë në jetë, vjen si produkt i punës dhe i përkujdesjes së Perëndisë. Vetëm puna i prodhon domosdoshmëritë e jetës.9

Njeriu urdhërohet nga Perëndia që të jetojë me djersën e ballit të tij, jo me djersën e ballit të dikujt tjetër.10

I yni është një ungjill i punës – qëllimplotë, vetëmohuese dhe të kryer me shpirtin e një dashurie të vërtetë për Krishtin. Vetëm kështu mund të rritemi në tipare të perëndishme. Vetëm kështu mund të bëhemi mjete të çmuara në duart e Zotit për bekimin e të tjerëve nëpërmjet asaj fuqie që mund të çojë drejt ndryshimit të jetës së burrave dhe grave për më mirë.

Ne duhet të jemi mirënjohës përulësisht për këtë sfidë, këtë trashëgimi, këtë mundësi për shërbim dhe për shpërblimet e saj të bollshme. Sa me fat janë ata që mund ta ndjekin planin e Zotit për ta zhvilluar këtë fuqi dhe për ta përdorur atë për bekimin e të tjerëve. Kjo është ajo që bëri Krishti. Kjo është ajo që ne jemi të privilegjuar të bëjmë.11

Marrësit e ndihmës së mirëqenies duhet të punojnë deri sa të kenë mundësi për ta fituar artikullin ose ndihmën nga ofertat e agjërimit. Kur nuk sigurohen punë kuptimplota, kur njerëzit nuk nxiten për të punuar, do të zhvillohet një përtaci ligështuese e Kishës dhe qëllimi për të cilin programi i mirëqenies u krijua, do të zhvlerësohet. Është një ligj nga qielli dhe një që nuk e kemi mësuar tërësisht këtu në tokë, se ju nuk mund t’i ndihmoni njerëzit në mënyrë të qëndrueshme duke bërë për ta atë që mund ta bëjnë, dhe duhet ta bëjnë, për veten e tyre.12

Ne duhet t’i kërkojmë bekimet e Zotit mbi të gjitha gjërat që bëjmë dhe kurrë nuk duhet të bëjmë diçka mbi të cilën nuk mund të kërkojmë bekimet e Tij. Nuk duhet të presim që Zoti të bëjë për ne atë që ne mund ta bëjmë për veten tonë. Unë besoj te besimi dhe te veprat, dhe se Zoti do ta bekojë më plotësisht njeriun që vepron për atë që lutet, se sa do të bekojë Ai njeriun që vetëm lutet.13

Puna energjike, qëllimplotë çon drej shëndetit të fuqishëm, arritjes së denjë për t’u lavdëruar, një ndërgjegjeje të pastër dhe një gjumi çlodhës. Puna gjithmonë ka qenë një mirësi për njeriun. Paçi një respekt të shëndetshëm për punën që bëhet, qoftë me anë të kokës, zemrës ose duarve. Gëzofshi gjithmonë kënaqësinë e mundit të ndershëm. … Ju kurrë nuk do ta uroni ose ëndërroni veten për në qiell. Ju duhet ta paguani çmimin me mund, sakrificë dhe jetesë të drejtë.14

3

Kur prodhojmë dhe ruajmë ushqime, ne korrim bekime të menjëhershme dhe përgatitemi për nevojat e së ardhmes.

A keni ndaluar ndonjëherë për të kuptuar atë që do t’i ndodhte komunitetit ose kombit tuaj nëse transportimi do të paralizohej apo nëse do të kishim një luftë ose depresion? Si do të gjenit ushqim ju dhe fqinjët tuaj? Për sa kohë do t’i mbështeste dyqani i ushqimeve në cep të rrugës – ose supermarketi – nevojat e komunitetit?

Pak kohë pas Luftës II Botërore, u thirra nga Presidenca e Parë për të shkuar në Europë që të rikrijoja misionet tona dhe që të ngrija një program për shpërndarjen e ushqimit dhe të veshjeve shenjtorëve. Të gjallë në kujtesën time janë njerëzit që hipën në trena çdo mëngjes me gjithfarë lloje vjetërsirash në krahë, për të shkuar në zonat fshatare që t’i këmbenin zotërimet e tyre me ushqime. Në kohën e mbrëmjes, stacioni i trenit mbushej me njerëz me krahët plot me perime e fruta dhe një mori derrash e pulash që kuisnin. Ju kurrë nuk e dëgjuat një trazirë të tillë. Këta njerëz ishin, sigurisht, të gatshëm që të shkëmbenin praktikisht çdo gjë për atë mall që mbështet jetën – ushqimin.

Një mjet pothuajse i harruar i vetëmbështetjes ekonomike është prodhimi i ushqimeve në shtëpi. Ne jemi mësuar më tepër nga ç’duhet që të shkojmë në dyqane dhe të blejmë atë që na nevojitet. Duke i prodhuar disa nga ushqimet tona ne pakësojmë, në një shkallë të madhe, ndikimin e inflacionit mbi paratë tona. Më e rëndësishme, ne mësojmë se si t’i prodhojmë vetë ushqimet tona dhe t’i përfshijmë të gjithë anëtarët e familjes në një projekt fitimprurës. …

A family working in a garden.

Të gjithë anëtarët e familjes mund të marrin pjesë në përpjekjen për të prodhuar ushqime.

… Më lejoni të sugjeroj që të bëni atë që kanë bërë të tjerët. Mblidhuni së bashku me të tjerët dhe kërkoni leje që të përdorni një tokë djerrë për një kopsht ose merrni me qira një parcelë toke dhe krijoni kopshtet tuaja. Disa kuorume pleqsh e kanë bërë këtë si kuorum dhe që të gjithë, që kanë marrë pjesë, kanë korrur përfitimet e një mbledhjeje perimesh e frutash dhe bekimet e një bashkëpunimi dhe përfshirjeje familjare. Shumë familje kanë gërmuar që të krijonin hapësirë në oborret me bar për të bërë kopshte.

Ne ju nxitim të jeni më të mbështetur te vetja me qëllim që, sikurse e ka shpallur Zoti, “pavarësisht nga mundimi që do të zbresë mbi ju, … kisha të mund të qëndrojë e pavarur mbi të gjitha krijesat e tjera nën botën çelestiale” (DeB 78:14). Zoti dëshiron që ne të jemi të pavarur dhe të mbështetur te vetja, sepse këto do të jenë ditë të mundimit. Ai na ka lajmëruar dhe paralajmëruar për këtë ngjarje të mundshme. …

Prodhimi i ushqimeve është vetëm një pjesë e theksimit të përsëritur që ju të ruani një furnizim ushqimesh … kudo ku është e lejuar në mënyrë të ligjshme për ta bërë këtë. Kisha nuk ju ka thënë se cilat ushqime duhet të ruhen. Ky vendim i lihet anëtarëve individualë. …

… Zbulesa për të prodhuar dhe ruajtur ushqim mund të jetë për shpëtimin tonë tokësor sot po aq thelbësore sa qe futja në arkë për njerëzit në ditët e Noeut. …

… Planifikoni që ta krijoni furnizimin tuaj me ushqime sikurse do të bënit me një llogari bankare kursimesh. Kurseni pak para për ushqimet në ruajtje nga çdo pagesë rroge. Konservoni në kavanoza ose shishe fruta e perime nga kopshtet dhe pemishtet tuaja. Mësoni se si t’i ruani ushqimet me anë të tharjes dhe mundësisht ngrirjes. Bëjini ushqimet tuaja të ruajtura pjesë të buxhetit tuaj. Ruani fara dhe kini pranë vegla të mjaftueshme për ta bërë punën. Nëse po kurseni dhe planifikoni për një makinë të dytë, ose një televizor, apo njëfarë artikulli që thjesht jua shton rehatinë ose kënaqësinë tuaj, ju mund të keni nevojë t’i ndryshoni përparësitë tuaja. Ne ju nxitim ta bëni këtë me lutje dhe bëjeni atë tani. …

Shumë shpesh ne prehemi në vetëkënaqësinë tonë të rehatshme dhe arsyetojmë se shkatërrimet nga lufta, fatkeqësia ekonomike, uria dhe tërmeti nuk mund të ndodhin këtu. Ata që e besojnë këtë ose nuk i njohin zbulesat e Zotit, ose nuk i besojnë ato. Ata që me vetëkënaqësi mendojnë se këto fatkeqësi nuk do të ndodhin, se ato në një farë mënyre do të vihen mënjanë për shkak të drejtësisë së shenjtorëve, mashtrohen dhe do ta vajtojnë ditën që e ushqyen një mashtrim të tillë.

Zoti na ka lajmëruar e paralajmëruar kundrejt një dite të mundimit të madh dhe na ka dhënë këshillë, nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, lidhur me mënyrën se si mund të përgatitemi për këto kohë të vështira. A ia kemi vënë veshin këshillës së Tij? …

Jini besnikë, vëllezërit dhe motrat e mia, ndaj kësaj këshille dhe ju do të bekoheni – po, njerëzit më të bekuar në mbarë tokën. Ju jeni njerëz të mirë. Unë e di këtë. Por ne të gjithë kemi nevojë të jemi më të mirë sesa jemi. Qofshim në një gjendje të tillë që ne të jemi në gjendje jo vetëm të ushqejmë vetveten nëpërmjet prodhimit dhe ruajtjes në shtëpi, por edhe të tjerët.

Perëndia na bekoftë që të jemi të përgatitur për ditët që shtrihen përpara nesh, të cilat mund të jenë ende më të ashprat.15

4

Paqja dhe kënaqësia vijnë në zemrat tona kur i ruajmë një pjesë të të ardhurave tona dhe e shmangim borxhin e panevojshëm.

Në mënyrë të respektueshme unë do t’ju nxitja të jetoni sipas parimeve thelbësore të punës, kursimit e mbështetjes te vetja dhe t’i mësoni fëmijët tuaj me anë të shembullit tuaj. … Jetoni brenda vetë të ardhurave tuaja. Vendoseni rregullisht një pjesë të atyre të ardhurave në llogarinë e kursimeve. Shmangeni borxhin e panevojshëm. Jini të urtë duke mos u përpjekur që të zgjeroheni shumë shpejt. Mësoni që të organizoni mirë atë që keni përpara se të mendoni për t’u zgjeruar më tej.16

Për fat të keq, është ushqyer në mendjen e disave një parashikim se kur ne përjetojmë kohë të vështira, kur kemi qenë të pamatur ose dorëlëshuar me burimet tona dhe kemi jetuar përtej mundësive tona, ne duhet ta hedhim vështrimin ose te Kisha ose te qeveria për të na shpëtuar nga belaja. I harruar nga disa prej anëtarëve tanë është një parim i nënvizuar në planin e Kishës për mirëqenien se “asnjë shenjtor i vërtetë i ditëve të mëvonshme, ndërkohë që është i aftë fizikisht, nuk do ta heqë me dashje nga vetja barrën e mbështetjes së vet”. …

Më shumë se kurrë më parë, ne kemi nevojë t’i mësojmë dhe t’i zbatojmë parimet e vetëmbështetjes ekonomike. Ne nuk e dimë se kur kriza që përfshijnë sëmundje ose papunësi mund të ndikojnë te vetë rrethanat tona. Ne vërtet e dimë se Zoti ka shpallur fatkeqësi natyrore globale për të ardhmen dhe na ka lajmëruar e paralajmëruar që të përgatitemi. Për këtë arsye Vëllezërit në mënyrë të përsëritur kanë theksuar një program të “kthimit te bazat” për mirëqenien materiale dhe shpirtërore.17

Zoti dëshiron që shenjtorët e tij të jenë të lirë dhe të pavarur në ditët kritike në të ardhmen. Por asnjë njeri që është në borxh financiar, nuk është vërtet i lirë.18

Në librin e Mbretërve lexojmë rreth një gruaje që erdhi duke vajtuar tek Eliseu, profeti. Burri i kishte vdekur dhe ajo kishte një borxh të cilin nuk mund ta paguante. Huadhënësi ishte duke ardhur për t’i marrë dy djemtë e saj dhe për t’i shitur ata si skllevër.

Me anë të një mrekullie Eliseu bëri të mundur që ajo të fitonte një goxha sasi vaji. Më pas ai i tha asaj: “Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke për të jetuar ti dhe bijtë e tu”. (Shih 2 Mbretërve 4:1–7.)

“Paguaj borxhin tënd … [dhe] ke për të jetuar.” Sa të frytshme kanë qenë kurdoherë këto fjalë! Ç’këshillë e urtë janë ato për ne sot! …

Shumë njerëz nuk besojnë se do të vijë ndonjëherë përsëri një gjendje e rëndë ekonomike në rënie. Duke u ndier të sigurt në pritjen e tyre të punësimit të vazhdueshëm dhe të një rrjedhe të qëndrueshme të të ardhurave dhe rrogave, ata i detyrojnë të ardhurat e tyre të ardhshme pa menduar se çfarë do të bënin nëse do t’i humbnin punën e tyre ose nëse të ardhurat e tyre do të ndalonin për ndonjë arsye tjetër. Por autoritetet më të mira kanë thënë në mënyrë të përsëritur se ne nuk jemi ende mjaft të mençur që ta kontrollojmë ekonominë tonë pa rregullime në drejtim të rënies. Herët ose vonë këto rregullime do të vijnë.

Një tjetër arsye për rritjen e borxhit është edhe më e thellë dhe shkakton shqetësim më të madh. Ky është shtimi i materializmit, sikurse krahasohet me zotimin ndaj vlerave shpirtërore. Kaq shumë familje, me qëllim që të tregojnë një “dukje siç duhet”, do të marrin përsipër një shtëpi më të madhe dhe më të shtrenjtë se sa u nevojitet, në një lagje të shtrenjtë. … Me standardin në rritje të të jetuarit, ai tundim rritet me çdo mjet të ri që del në treg. Teknikat tinëzare, të planifikuara me kujdes të reklamës moderne drejtohen te pikat më të dobëta të qëndresës së konsumatorit. Si rrjedhim, ekziston një ndjenjë në rritje, për fat të keq, që gjërat materiale duhet të kihen tani, pa pritur, pa kursyer, pa ia mohuar vetes ato.

Më keq akoma, një pjesë e madhe e familjeve me borxh vetjak nuk kanë aspak pasuri të rrjedhshme [kursime] mbi të cilat të mbështeten. Ç’telashe ftojnë ata nëse të ardhurat e tyre papritur duhej të ndërpriteshin ose do të pakësoheshin ndjeshëm! Ne të gjithë njohim familje që e kanë detyruar veten me borxhe për më shumë gjëra se ç’mund të paguajnë. Gjendet një botë dëshpërimi prapa këtyre rasteve.19

A couple sitting at a table as they look at financial papers and tax forms.

Të jetuarit përtej mundësive tona mund të krijojë “një botë dëshpërimi”.

Tani nuk dua të them se i gjithë borxhi është i keq. Sigurisht që jo. Borxhi i biznesit të shëndoshë është një nga elementet e rritjes. Kredia e shëndetshme për shtëpinë është një ndihmë e vërtetë për një familje e cila duhet të marrë borxh për një shtëpi.20

Në vështrim afatgjatë, është më e lehtë që të jetojmë brenda të ardhurave tona dhe t’i bëjmë ballë marrjes borxh nga rezervat e së ardhmes, përveç në raste të domosdoshmërisë – kurrë për artikuj luksi. Nuk është e ndershme kundrejt vetes sonë dhe komuniteteve tona që të jemi kaq dorëlëshuar në shpenzimet tona sa në kohën kur të ardhurat tona të ndalen, ne duhet t’u kthehemi agjencive të ndihmës ose Kishës për ndihmë financiare.

Mos e lidhni, solemnisht ju nxit, veten tuaj me pagimin e borxheve të mbartura që janë shpesh të tepruara. Kurseni tani e blini më vonë dhe ju do të jeni shumë më përpara. Ju do t’i kurseni vetes interes të lartë e pagesa të tjera dhe paratë që i kurseni, mund të sigurojnë mundësi për ju që të blini më vonë me ulje shumë të mëdha të vlerës me para në dorë.

… Bëjini ballë tundimit për t’u zhytur në prona për t’u dukur më shumë dhe me hapësirë shumë më të madhe nga ç’keni nevojë.

Sa më mirë do të jeni në gjendje, veçanërisht familjet e reja që sapo fillojnë, nëse në fillim blini një shtëpi të vogël të cilën mund të pritet ta paguani për një kohë relativisht të shkurtër. …

Mos e lini veten tuaj ose familjen tuaj të pambrojtur nga stuhitë financiare. Hiqni dorë, të paktën për kohën e tanishme, nga gjërat luksoze që të krijoni kursimet. Sa e matur është që të vini mënjanë për arsimimin e ardhshëm të fëmijëve tuaj dhe për moshën tuaj të thyer. …

Vëllezër dhe motra, paqe dhe kënaqësi vjen në zemrat tona kur jetojmë brenda mundësive tona. Perëndia na dhëntë urtësi dhe besim që ta dëgjojmë këshillën e frymëzuar të priftërisë për të dalë nga borxhet, për të jetuar brenda mundësive tona dhe për të paguar ndërsa koha kalon – shkurtimisht, për të “pagua[r] borxhin tënd … [dhe] për të jetuar”.21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në seksionin 1, Presidenti Benson nënvizon parimet themelore të programit të Kishës për mirëqenien. Në cilat mënyra na vijnë në ndihmë këto parime për mirëqenien tonë materiale? Në cilat mënyra vijnë në ndihmë këto parime për mirëqenien tonë shpirtërore?

  • Cilat janë disa bekime të “punës energjike, qëllimplotë”? (Për disa shembuj, shih pjesën 2.) Cilat janë disa gjëra që ju pëlqejnë rreth punës? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë se si ta pëlqejnë punën?

  • Cilat janë disa bekime që do të vijnë kur e ndjekim këshillën e Presidentit Benson në pjesën 3? Mendoni se çfarë do të bëni, duke marrë parasysh rrethanat tuaja të tanishme, për ta ndjekur këtë këshillë.

  • Si mendoni ju, përse përdorimi i urtë i parave çon drejt “paqes dhe kënaqësisë”? Në dallim, çfarë mund të përjetojmë kur ne nuk “jetojmë brenda të ardhurave [tona]”? (Shih pjesën 4.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jakobi [LiM] 2:17–19; Alma 34:19–29; DeB 19:35; 42:42; 75:28–29; 104:78; Moisiu 5:1

Ndihmë për Mësimdhënien

“Për t’i ndihmuar nxënësit që të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve, ju mund të doni t’u thoni para se të lexohet apo të tregohet diçka, se ju do t’iu kërkoni atyre përgjigjet. … Për shembull, ju mund të thoni: ‘Dëgjoni ndërsa e lexoj këtë pjesë, me qëllim që ju të mund të tregoni për atë që ju intereson më shumë rreth saj’” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 69).

Shënime

  1. Hibër J. Grant, në Conference Report, tetor 1936, f. 3.

  2. “Church Welfare – Economically Socially Spiritually Sound”, në Mbledhjen e Mirëqenies Bujqësore, 7 tetor 1972, f. 5.

  3. Sheri Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 119.

  4. “Ministering to Needs through the Lord’s Storehouse System”, Ensign, maj 1977, f. 84.

  5. Në Conference Report, tetor 1945, f. 160, 163, 164.

  6. “Ministering to Needs through the Lord’s Storehouse System”, f. 83; duke cituar Heber J. Grant, në Conference Report, tetor 1936, f. 3.

  7. “Prepare Ye”, Ensign, janar 1974, f. 81.

  8. Në Conference Report, prill 1967, f. 61.

  9. “Prepare for the Days of Tribulation”, Ensign, nëntor 1980, f. 32.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 481.

  11. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 484.

  12. “Ministering to Needs through the Lord’s Storehouse System”, f. 83.

  13. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 485.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 481.

  15. “Prepare for the Days of Tribulation”, f. 32–33, 34.

  16. “The Ten Commandments: America at the Crossroads”, New Era, korrik 1978, f. 39.

  17. “Prepare for the Days of Tribulation”, f. 32; duke cituar Welfare Plan Handbook (1952), f. 2, siç citohet nga Marion G. Romney, në “Church Welfare – Some Fundamentals”, Ensign, janar 1974, f. 91.

  18. “Prepare Ye”, f. 69.

  19. “Pay Thy Debt, and Live”, Ensign, qershor 1987, f. 3–4.

  20. Në Conference Report, prill 1957, f. 54.

  21. “Pay Thy Debt, and Live”, f. 4, 5.