Mësime të Presidentëve
Kapitulli 15: Thirrja e Shenjtë e Etërve dhe Nënave


Kapitulli 15

Thirrja e Shenjtë e Etërve dhe Nënave

“Qofshim besnikë ndaj këtij detyrimi të madh të qenit prindër, këtij detyrimi të shenjtë.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Me anë të fjalës dhe shembullit, në shtëpi dhe rreth botës, në Kishë dhe në mjedise qytetare, Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim rëndësinë e të qenit prindër të mirë. “Ushqejini fëmijët tuaj me dashurinë dhe paralajmërimet e Zotit”, tha ai.1 “Perëndia i quan prindërit përgjegjës për kujdestarinë e tyre në rritjen e familjes së tyre. Është një përgjegjësi shumë e shenjtë.”2

Presidenti Benson dhe e shoqja, Flora, punuan ngushtësisht së bashku për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre të shenjta si prindër. Ata “e morën detyrën e edukimit të njësisë së tyre familjare me energji dhe entuziazëm”3. Ata këshilloheshin vazhdimisht së bashku rreth fëmijëve të tyre dhe çështjeve të tjera. “Mund të shihja se kisha në krah një grua shumë të mprehtë nga ana shpirtërore”, tha Presidenti Benson.4

Ata punuan së bashku për të krijuar një shtëpi ku fëmijët e tyre mund të rriteshin e të mësonin – dhe ku fëmijët e tyre kishin dëshirë të ishin. “Mua më pëlqente më shumë të rrija në shtëpi se kudo tjetër”, tha djali i tyre, Marku. “Ishte një strehë mbrojtëse nga stuhia. Nëna qe elementi mbrojtës dhe Babi ishte atje me forcën e tij.”5

Presidenti dhe Motra Benson iu qasën përgjegjësive të tyre si prindër me lutje. Marku tha: “Nëna kishte më tepër besim se çdo grua që kam njohur ndonjëherë. … Nuk kam parë kurrë më shumë bërje lutjesh në jetën time. Sa hap e mbyll sytë, ajo ulej në gjunjë, duke u lutur për fëmijët, qoftë nëse ishte për një provim ose një zënkë në rrethinat e shkollës, nuk kishte rëndësi. Ajo dhe Babi e kishin atë besim të thjeshtë.”6

Presidenti Benson ishte vazhdimisht larg shtëpisë për shkak të punës dhe detyrave të tij në Kishë, ndaj Flora mori përsipër shumë prej përgjegjësisë për edukimin dhe mësimin e gjashtë fëmijëve të tyre. Ajo i gëzohej shumë rolit të saj të të qenit nënë. “Shtëpia është qendra e të gjitha ngrohtësive tona tokësore”, tha ajo.7 Marku kujtonte: “Nëna e donte me gjithë forcën shtëpinë. Dhe ajo na donte ne – jo vetëm sepse ishte detyra e saj të na donte, por sepse ajo ishte jeta e saj.”8 Duke shprehur ndjenjat e saj për rëndësinë e të qenit nënë, Flora shkroi: “Nëse dëshironi të gjeni madhështi, mos shikoni nga froni, shikoni nga djepi. Ka fuqi të madhe te një nënë. Ajo është njeriu që brumos zemrën, jetën dhe i jep formë karakterit.”9

Kur Presidenti Benson ishte larg shtëpisë, ai gjithnjë kërkonte mënyra për ta mbikëqyrur dhe forcuar familjen e tij. Ai mbante komunikim të rregullt me ta nëpërmjet telefonatave dhe letrave. Kur ishte në shtëpi, ai kalonte sa më shumë kohë të mundej me ta. Shpesh citonte historinë e “një babai të zënë, i cili i shpjegonte orët që kalonte duke luajtur me top me të birin, duke thënë: ‘Më mirë të kem dhembje shpine tani, sesa dhembje zemre më vonë’.”10

Ezra Taft Benson holding the hands of his two young sons, Mark and Reed.  taken in Boise, Idaho.

Ezra Taft Benson me bijtë e tij, Ridin dhe Markun

Ai kalonte kohë [me orar] të zgjatur me fëmijët e tij edhe më vete. Marku kujtoi kohën kur i ati e çoi në Solt-Lejk-Siti të Jutës për të parë një mjek specialist: “Sa qejf ishte të isha me Babin, vetëm ai dhe unë! Ne flisnim për gjithçka për të cilën dëshiroja të flisja. Edhe kur isha i vogël, e dija se Babi më donte, sepse ai ishte me mua dhe më ndihmonte të përmirësohesha.”11

Kur mundej, Presidenti Benson i merrte fëmijët e tij me vetë gjatë udhëtimeve të tij. Në mars 1948, ai e mori vajzën e tij Bonin, e cila ishte shtatë vjeçe në atë kohë, në një mbledhje për bujqësinë në Nebraska. “Shtypit iu ngjall kaq shumë kureshtja nga qëndrimi i vogëlushes dhe nga shembulli i pazakontë i një babai që sillte një fëmijë kaq të vogël në një udhëtim kaq të gjatë për të marrë pjesë në një pritje kaq të shquar, saqë një fotografi e Bonit u nxor në faqen e parë [të gazetës] mëngjesin vijues. Por për Plakun Benson ndodhia nuk ishte e pazakontë. Ai shpesh i merrte fëmijët me vete në udhëtimet jashtë qytetit, edhe si një mjet për të ndërtuar marrëdhënie të mira, ashtu edhe për t’i edukuar ata.”12

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Thirrja e babait është e përjetshme.

Etër, thirrja juaj është një thirrje e përjetshme nga e cila nuk liroheni kurrë. Thirrjet në Kishë, sado të rëndësishme që janë, nga vetë natyra e tyre janë vetëm për një periudhë kohe dhe më pas ndodh lirimi i duhur. Por thirrja e një babai është e përjetshme dhe rëndësia e saj e kapërcen kohën. Është një thirrje si për kohën, ashtu edhe për përjetësinë.13

Modeli ose shembulli ynë për atësinë është Ati ynë Qiellor. Si punon Ai me fëmijët e Tij? Epo, në mënyrë që ta dinë atë, sigurisht, [etërit] do të duhet të dinë diçka rreth ungjillit, planit të madh të Zotit.14

Për një burrë, nuk ka thirrje aq të lartë sa ajo e një patriarku të drejtë, të martuar në shtëpinë e Zotit, që kryeson mbi fëmijët e Tij. Edhe vetë Elohimi na ka thënë t’i drejtohemi Atij si “Ati ynë, që je në qiell” (Mateu 6:9; 3 Nefi 13:9).15

2

Etërit duhet të sigurojnë udhëheqje shpirtërore në familjet e tyre.

Babai duhet të ketë uri, etje dhe të mos e mbajë vendi për ta bekuar familjen e tij, për të shkuar te Zoti, për t’i përsiatur fjalët e Zotit e për të jetuar me anë të Shpirtit për të ditur mendjen dhe vullnetin e Zotit dhe atë çfarë ai duhet të bëjë për ta udhëhequr familjen e tij.16

[Etër,] ju keni një përgjegjësi të shenjtë për të siguruar udhëheqje shpirtërore në familjen tuaj.

Në një broshurë të botuar disa vite më parë nga Këshilli i Të Dymbëdhjetëve, ne thamë sa vijon: “Atësia është udhëheqje, lloji më i rëndësishëm i udhëheqjes. Kështu ka qenë gjithmonë; kështu do të jetë gjithmonë. Atë, me ndihmën e këshillën dhe inkurajimin e shoqes tënde të përjetshme, ti kryeson në shtëpi” (Father, Consider Your Ways [broshurë, 1973], f. 4–5). …

Me dashuri në zemër për etërit në Israel, më lini t’ju sugjeroj 10 mënyra të caktuara se si etërit mund t’iu japin udhëheqje shpirtërore fëmijëve të tyre:

1. Jepuni fëmijëve tuaj bekime të atit. Pagëzojini dhe konfirmojini fëmijët tuaj. Shugurojini bijtë tuaj në priftëri. Këto do të bëhen pika kulmore shpirtërore në jetën e fëmijëve tuaj.

2. Drejtojini vetë lutjet familjare të përditshme, studimin e përditshëm të shkrimit të shenjtë dhe mbrëmjet familjare javore. Përfshirja juaj vetjake do t’iu tregojë fëmijëve sa të rëndësishme janë këto veprimtari në të vërtetë.

3. Kurdoherë që të jetë e mundur, merrni pjesë në mbledhjet e Kishës së bashku si familje. Adhurimi familjar nën udhëheqjen tuaj është jetik për mirëqenien shpirtërore të fëmijëve tuaj.

4. Dilni në takime baba-bijë dhe në shëtitje baba-bij me fëmijët tuaj. …

5. Krijoni tradita pushimesh e udhëtimesh dhe ekskursionesh familjare. Këto kujtime nuk do të harrohen kurrë nga fëmijët tuaj.

6. Bëni rregullisht biseda vetëm për vetëm me fëmijët tuaj. Lërini ata të flasin për atë që iu pëlqen. Mësojuni parimet e ungjillit. Mësojuni vlerat e vërteta. Thuajuni që i doni. Koha vetjake me fëmijët tuaj u tregon atyre se cilat janë përparësitë e Babit të tyre.

7. Mësojini fëmijët tuaj të punojnë dhe tregojuni atyre vlerën e të punuarit për një synim të denjë. …

8. Nxitni muzikën, artin dhe letërsinë e mirë në shtëpitë tuaja. Shtëpitë që kanë një shpirt finese dhe bukurie, do ta bekojnë jetën e fëmijëve tuaj përgjithmonë.

9. Për aq sa e lejon largësia, shkoni rregullisht në tempull me bashkëshorten tuaj. Fëmijët tuaj paskëtaj do ta kuptojnë më mirë rëndësinë e martesës në tempull dhe të betimeve të tempullit, dhe të njësisë së përjetshme familjare.

10. Bëjini fëmijët ta shikojnë gëzimin dhe kënaqësinë tuaj nga shërbimi në Kishë. Kjo mund të bëhet ngjitëse për ta, ndaj edhe ata, do të dëshirojnë të shërbejnë në Kishë dhe do ta duan mbretërinë.

O bashkëshortë dhe etër në Izrael, ju mund të bëni kaq shumë për shpëtimin dhe ekzaltimin e familjeve tuaja! Përgjegjësitë tuaja janë kaq të rëndësishme.17

A man talking to a teenage boy in an outdoor setting.  Shot in Argentina.

“Bëni rregullisht biseda vetëm për vetëm me fëmijët tuaj.”

Ne ndonjëherë, dëgjojmë tregime për burra, madje në Kishë, që mendojnë se të qenit kreu i shtëpisë, në një farë mënyrë i vendos ata në një rol eprori dhe u lejon të japin urdhra dhe t’i vënë kushte familjes së tyre.

Apostulli Pal vë në dukje se “burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës” (Efesianëve 5:23, kursivet shtuar.) Ky është modeli që duhet të ndjekim në rolin tonë të kryesimit në shtëpi. Ne nuk e shikojmë Shpëtimtarin ta udhëheqë Kishën me një dorë të ashpër apo të rreptë. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin ta trajtojë Kishën e Tij me mungesë respekti apo shpërfillje. Ne nuk e shohim Shpëtimtarin të përdorë forcë ose imponim për të përmbushur qëllimet e Tij. Askund nuk e shohim Shpëtimtarin të bëjë ndonjë gjë tjetër përveç gjërave që e ngrenë moralisht, e lartësojnë, e ngushëllojnë dhe e ekzaltojnë Kishën. Vëllezër, jua them me shumë solemnitet, Ai është modeli që duhet të ndjekim teksa marrim përsipër udhëheqjen shpirtërore në familjet tona.18

Si patriarku i shtëpisë suaj, ju keni një përgjegjësi serioze për ta pranuar udhëheqjen në punën me fëmijët tuaj. Ju duhet të ndihmoni për të krijuar një shtëpi ku Shpirti i Zotit mund të banojë. …

Shtëpitë tuaja duhet të jenë parajsë e paqe dhe gëzim për familjet tuaja. Sigurisht që asnjë fëmijë nuk duhet të ketë frikë nga vetë babai i tij – veçanërisht nga një baba me priftëri. Detyra e një babai është ta bëjë shtëpinë e tij një vend lumturie dhe gëzimi. … Efekti i fuqishëm i etërve të drejtë kur japin shembull, disiplinojnë dhe përgatitin, edukojnë dhe japin dashuri është jetik për mirëqenien shpirtërore të fëmijëve [të tyre].19

3

Roli i nënës shugurohet nga Perëndia.

[Nënat] janë, ose duhet të jenë, vetë zemra dhe shpirti i familjes. Nuk ekziston asnjë fjalë më e shenjtë në shkrimet laike apo të shenjta sesa fjala nënë. Nuk ka punë më fisnike sesa ajo e një nëne të mirë dhe që i druhet Perëndisë.

Në familjen e përjetshme, Perëndia vendosi që etërit duhet të kryesojnë në shtëpi. Etërit duhet të sigurojnë të ardhura, të japin dashuri, të japin mësim dhe të drejtojnë. Edhe roli i nënës është i shuguruar nga Perëndia. Nënat duhet të ngjizin, lindin, edukojnë, japin dashuri dhe të përgatitin. Kështu shpallin zbulesat.20

Ne e kuptojmë se disa gra, jo për faj të tyre, nuk janë në gjendje të lindin fëmijë. Këtyre motrave të dashura, çdo profet i Perëndisë u ka premtuar se ato do të bekohen me fëmijë në përjetësi dhe se pasardhësit nuk do t’u mohohen atyre.

Nëpërmjet besimit të pastër, lutjeve përgjëruese, agjërimit dhe bekimeve të veçanta, shumë prej po këtyre motrave të dashura, me shokët e tyre fisnikë krah tyre, u kanë ndodhur mrekulli në jetë dhe janë bekuar me fëmijë. Të tjera kanë zgjedhur me lutje që të birësojnë fëmijë. Ne i përshëndesim këto çifte të mrekullueshme për sakrificat dhe dashurinë që u keni dhënë atyre fëmijëve që keni zgjedhur t’i quani tuajt.21

Perëndia i bekoftë nënat tona të mrekullueshme. Ne lutemi për ju. Ne ju mbështetim. Ne ju nderojmë teksa ju lindni, edukoni, përgatitni, jepni mësim dhe dashuri në përjetësi. Ju premtoj bekimet e qiellit dhe “gjithçka që Ati … ka” (shih DeB 84:38) teksa lartësoni thirrjen më fisnike të të gjithave – thirrjen e nënës në Sion.22

4

Nënat duhet të japin dashuri e mësim dhe të kalojnë kohë të efektshme me fëmijët e tyre.

Nëna në Sion, rolet tuaja të dhëna nga Perëndia janë aq jetike për ekzaltimin tuaj vetjak e për shpëtimin dhe ekzaltimin e familjes suaj. Një fëmijë ka nevojë për një nënë më tepër se për të gjitha gjërat që mund të blejë paraja. Kalimi i kohës me fëmijët tuaj është dhurata më e madhe e të gjithave.23

Me dashuri në zemër për nënat e Sionit, do të doja të sugjeroja tani 10 mënyra të posaçme se si nënat tona mund të kalojnë kohë të efektshme me fëmijët e tyre.

[Së pari,] sa herë që është e mundur, jini të pranishme me fëmijët tuaj kur vinë ose ikin – kur ikin dhe kthehen nga shkolla, kur ikin dhe kthehen nga daljet në takime, kur sjellin shokë në shtëpi. Jini të pranishme qoftë nëse fëmijët tuaj janë 6 apo 16 vjeç. …

Së dyti, nëna, gjeni kohë për të qenë mike e vërtetë për fëmijët tuaj. Dëgjojini fëmijët tuaj, dëgjojini me të vërtetë. Flisni me ta, qeshni dhe bëni shaka me ta, këndoni me ta, luani me ta, qani me ta, përqafojini ata, lavdërojini ata sinqerisht. Po, kaloni kohë rregullisht vetëm për vetëm me çdo fëmijë. Jini një mike e vërtetë për fëmijët tuaj.

Së treti, gjeni kohë për t’iu lexuar fëmijëve tuaj. Lexojuni bijve dhe bijave tuaja, duke nisur që në djep. … Do të mbillni një dashuri për letërsinë e mirë dhe një dashuri të vërtetë për shkrimet e shenjta nëse do t’u lexoni fëmijëve tuaj rregullisht.

Së katërti, gjeni kohë për t’u lutur me fëmijët tuaj. Lutjet familjare, nën drejtimin e atit, duhet të bëhen në mëngjes dhe në darkë. Bëjini fëmijët tuaj ta ndiejnë besimin tuaj teksa u bëni thirrje bekimeve të qiellit që të zbresin mbi ta. … Bëjini fëmijët tuaj të marrin pjesë në lutjet familjare dhe vetjake dhe t’i gëzohen bisedave të tyre të ëmbla me Atin e tyre Qiellor.

Së pesti, gjeni kohë për të mbajtur një mbrëmje familjare kuptimplote javore. Bëjini fëmijët tuaj të përfshihen aktivisht. Mësojuni parime të sakta. Bëjeni këtë një prej traditave tuaja familjare. …

Së gjashti, gjeni kohë për të qenë së bashku gjatë kohës së vakteve sa më shpesh të jetë e mundur. Kjo është një sfidë ndërsa fëmijët rriten dhe jeta bëhet më e ngarkuar. Por, gjatë vakteve ndodhin biseda të gëzueshme, tregime mbi planet dhe veprimtaritë e ditës si dhe çaste të veçanta mësimdhënieje sepse prindërit dhe fëmijët përpiqen t’i bëjnë të ndodhin.

Së shtati, gjeni kohë për t’i lexuar shkrimet shenjta së bashku si familje përditë. … Leximi i Librit të Mormonit së bashku si familje do të sjellë veçanërisht shpirtshmëri më të madhe në shtëpinë tuaj dhe do t’u japin si prindërve, ashtu edhe fëmijëve fuqinë për t’i bërë ballë tundimit dhe për ta pasur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin e tyre të vazhdueshëm. Ju premtoj se Libri i Mormonit do t’i ndryshojë jetët në familjen tuaj.

Së teti, gjeni kohë për t’i bërë gjërat si familje. Bëjini shëtitjet e piknikët familjarë dhe festimet e ditëlindjeve e udhëtimet kohë të veçanta dhe ndodhi të bukura për t’u kujtuar. Sa herë që është e mundur, merrni pjesë si familje në ngjarje ku është përfshirë njëri prej pjesëtarëve të familjes, të tilla si një teatër në shkollë, një ndeshje, një bisedë, një interpretim muzikor. Merrni pjesë në mbledhjet e Kishës së bashku dhe uluni bashkë si familje kur mundeni. Nënat që i ndihmojnë familjet të luten dhe të luajnë së bashku, do t’i [ndihmojnë ato] të qëndrojnë së bashku dhe do ta bekojnë jetën e fëmijëve përgjithmonë.

Së nënti, nëna, gjeni kohë për t’i mësuar fëmijët tuaj. Shfrytëzojini çastet e mësimdhënies gjatë vakteve, në mjedise rastësore ose gjatë kohëve të veçanta të bisedimeve ulur, në fund të shtratit në mbarim të ditës, ose gjatë një ecjeje herët në mëngjes së bashku. …

Dashuria dhe shqetësimi plot lutje i një nëne për fëmijët e saj janë përbërësit më të rëndësishëm në mësimdhënien e saj ndaj tyre. Mësojuni fëmijëve parimet e ungjillit. Mësojuni se ia vlen të jesh i mirë. Mësojuni se nuk ka siguri në mëkat. Mësojuni një dashuri për ungjillin e Jezu Krishtit dhe një dëshmi për natyrën e tij hyjnore.

Mësojuni bijve dhe bijave tuaja thjeshtësinë dhe mësojuni ta respektojnë të qenit burrë dhe të qenit grua. Mësojuni fëmijëve tuaj pastërtinë seksuale, standardet e duhura të daljes në takime, martesën në tempull, shërbimin misionar dhe rëndësinë e pranimit dhe lartësimit të thirrjeve të Kishës.

Mësojuni një dashuri për punën dhe vlerën e një arsimimi të mirë.

Mësojuni rëndësinë e llojit të duhur të argëtimit, përfshirë filmat, videot, muzikën, librat dhe revistat e përshtatshme. Diskutoni për të këqijat e pornografisë dhe drogës dhe mësojuni vlerën e të jetuarit të jetës së pastër moralisht.

Po, nëna, mësojuni fëmijëve tuaj ungjillin në vetë shtëpinë tuaj, në vetë vatrën tuaj familjare. Kjo është mësimdhënia më e efektshme që fëmijët tuaj do të marrin ndonjëherë. …

Së dhjeti e së fundi, nëna, gjeni kohë për t’i dashur me të vërtetë fëmijët tuaj të vegjël. Dashuria e pakushtëzuar e një nëne i ngjan dashurisë së Krishtit.

Edhe fëmijët tuaj adoleshentë kanë nevojë për të njëjtin lloj dashurie dhe vëmendjeje. Duket më e lehtë për shumë nëna dhe etër që t’ua shprehin dashurinë fëmijëve të tyre kur janë të vegjël, por më e vështirë kur janë më të rritur. Punoni për këtë me lutje. Nuk ka pse të ketë boshllëqe midis brezave. Dhe çelësi është dashuria. Të rinjtë tanë kanë nevojë për dashuri dhe vëmendje, jo për llastim. Ata kanë nevojë për ndjeshmëri dhe mirëkuptim, jo për mosinteresim nga nënat dhe etërit. Ata kanë nevojë për kohën e prindërve. Mësimet e dhëna me ëmbëlsi dhe dashuria e besimi i nënës te një bir apo bijë adoleshente mund t’i shpëtojë ata me plot kuptimin e fjalës nga një botë e ligë.24

Mother reading with her children.

“Gjeni kohë për t’iu lexuar fëmijëve tuaj.”

A e dini një arsye përse nënat e drejta i duan kaq shumë fëmijët e tyre? Sepse ato sakrifikojnë kaq shumë për ta. Ne i duam ata për të cilët sakrifikojmë dhe ne sakrifikojmë për ata që duam.25

5

Prindërit duhet të punojnë së bashku me unitet dhe dashuri në rritjen e fëmijëve të tyre.

Bashkëshortët dhe bashkëshortet, si bashkëkrijues, duhet t’i mirëpresim me padurim dhe lutje fëmijët në shtëpitë e tyre. … Të bekuar janë burri dhe gruaja që kanë një familje me fëmijë. Gëzimet dhe bekimet më të thella në jetë janë të lidhura me familjen, të qenit prindër dhe sakrificën. Ia vlen pothuajse çdo sakrificë për të bërë që ata shpirtra të ëmbël të vijnë në shtëpi.26

Kur prindërit, me shoqëri, dashuri dhe bashkim, e përmbushin përgjegjësinë e tyre të caktuar nga qielli dhe fëmijët përgjigjen me dashuri dhe bindje, rezultati është gëzimi i madh.27

Perëndia na ndihmoftë ta mbështetim njëri-tjetrin. Filloftë kjo në shtëpi teksa i mbështetim familjet tona. Pastë atje një shpirt besnikërie, bashkimi, dashurie dhe respekti të ndërsjellë. Qofshin bashkëshortët besnikë ndaj bashkëshorteve të tyre, të vërtetë ndaj tyre, paçin dashuri për to, u përpjekshin t’ua lehtësojnë barrat dhe e mbajtshin bashkë me to përgjegjësinë për përkujdesjen, përgatitjen dhe edukimin e fëmijëve. Tregofshin nënat dhe bashkëshortet një shpirt ndihme ndaj bashkëshortëve të tyre, i përkrahshin e i mbështetshin ata në detyrat e tyre të priftërisë dhe qofshin besnike e të vërteta ndaj thirrjeve që iu vijnë atyre nga priftëria e Perëndisë.28

Qofshim besnikë ndaj këtij detyrimi të madh të të qenit prindër, këtij detyrimi të shenjtë, që të mund t’i ndërtojmë shtëpitë tona fort mbi parime të përjetshme, që të mos kemi keqardhje. Mos qofshim kurrë tradhtarë [jo besnikë] ndaj mirëbesimit të madh që na është dhënë. E mbajtshim gjithnjë në mendje se, këta shpirtra që kanë hyrë në shtëpinë tonë, janë shpirtra të çmuar.29

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Benson tha: “Modeli ose shembulli ynë për atësinë është Ati ynë Qiellor” (pjesa 1). Në çfarë mënyrash mund ta ndjekin etërit tokësorë shembullin që ka dhënë Ati Qiellor?

  • Merrni parasysh listën e Presidentit Benson me “10 mënyra të caktuara se si etërit mund t’iu japin udhëheqje shpirtërore fëmijëve të tyre” (pjesa 2). Si mendoni se mund të ndikojë secili prej këtyre rekomandimeve te fëmijët?

  • Presidenti Benson shpalli: “Nuk ka punë më fisnike sesa ajo e një nëne të mirë dhe që i druhet Perëndisë” (pjesa 3). Çfarë shembujsh të mëmësisë fisnike keni parë? Ndërsa qëndrimet e botës rreth mëmësisë ndryshojnë, çfarë mund të bëjmë ne për t’i përkrahur përgjegjësitë fisnike e të shenjta të nënave?

  • Cilat janë disa të mira që vijnë kur prindërit dhe fëmijët kalojnë kohë së bashku? (Për disa shembuj, shih pjesën 4.)

  • Cilat janë disa bekime që i vijnë një shtëpie, kur prindërit janë të bashkuar në përgjegjësitë e tyre? (Shih pjesën 5.) Çfarë mund të bëjnë etërit dhe nënat që të jenë më të bashkuar? Në çfarë mënyrash mund të marrin prindërit e vetëm forcën që u duhet për t’i përmbushur këto përgjegjësi?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Fjalët e Urta 22:6; Efesianëve 6:4; Mosia 4:14–15; Alma 56:45–48; 3 Nefi 22:13; shih edhe “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ndërsa e përgatitni veten shpirtërisht dhe e pranoni Zotin në mësimdhënien tuaj, ju do të bëheni një mjet në duart e Tij. Fryma e Shenjtë do t’i lartësojë fjalët tuaj me fuqi” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 41).

Shënime

  1. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, Ensign, nëntor 1982, f. 60; kursivet janë hequr nga origjinali.

  2. “Fundamentals of Enduring Family Relationships”, f. 59.

  3. Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 127.

  4. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 141.

  5. Mark Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 133.

  6. Mark Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 139.

  7. Reed Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 134.

  8. Mark Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 133.

  9. Flora Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 130.

  10. Ezra Taft Benson: A Biography, f. 134.

  11. Mark Amussen Benson, në Ezra Taft Benson: A Biography, f. 138.

  12. Francis M. Gibbons, Ezra Taft Benson: Statesman, Patriot, Prophet of God (1996), f. 165.

  13. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson (2003), f. 205.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 503.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 496.

  16. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 511.

  17. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 208, 212–213.

  18. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 209.

  19. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 211.

  20. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 215.

  21. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 216.

  22. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 222.

  23. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 217.

  24. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 218–221.

  25. “Jesus Christ—Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 6.

  26. Sermons and Writings of President Ezra Taft Benson, f. 216.

  27. “Counsel to the Saints”, Ensign, maj 1984, f. 6.

  28. Në Conference Report, tetor 1951, f. 155.

  29. Në Conference Report, tetor 1953, f. 123.