Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Duke i Çuar Ungjillin Botës


Kapitulli 22

Duke i Çuar Ungjillin Botës

“Ne jemi të lumtur të përfshihemi në një bashkëpunim me Atin tonë Qiellor në punën e madhërishme për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të tij.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Për Presidentin Ezra Taft Benson, puna misionare ishte një traditë familjare. “Familja e atit tim përbëhej nga njëmbëdhjetë fëmijë”, shpjegoi ai. “Ne të gjithë, që të njëmbëdhjetë, kemi përmbushur misione. Edhe bashkëshortja ime përmbushi një mision dhe pati kënaqësinë që nëna e saj e ve të shërbente me të për gjashtë muajt e fundit [të misionit të saj]. Kur vetë babai im shkoi në mision, më kujtohet, si biri i tij më i madh, letrat që ai shkruante nga fusha e misionit në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara. Në atë shtëpi erdhi një frymë e punës misionare që nuk është larguar kurrë, për të cilën jam përulësisht mirënjohës.”1

Presidenti Benson shërbeu si misionar kohëplotë në Misionin Britanik nga viti 1921 deri në vitin 1923 dhe “fryma e punës misionare” vazhdoi të qëndronte me të edhe përtej atyre dy vjet e gjysmë. Për shembull, si sekretar i Shteteve të Bashkuara për bujqësinë nga viti 1953 deri në vitin 1961, ai ndërveproi me shumë njerëz të besimeve të tjera fetare. Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 1961, ai u tha shenjtorëve: “Unë kam emrat e rreth 9.000 vetëve, përafërsisht, me të cilët kam pasur kontakt vetjak në një pozitë zyrtare. Shpresoj që të jap karta referimi për ta. Do të dëshiroja të bëja që secili prej tyre të dëgjonte ungjillin. Dëshiroj që të gjithë fëmijët e Atit tonë të mund t’i gëzojnë bekimet që vijnë nëpërmjet pranimit dhe të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.”2

Entuziazmi i Presidentit Benson për punën misionare vazhdoi në vitet e mëvonshme dhe ai mezi priste që të gjithë anëtarët e Kishës të përvetësonin të njëjtin entuziazëm. Ai u foli drejtpërsëdrejti djemve të rinj që po përgatiteshin për shërbim kohëplotë si misionarë. “Përgatituni tani”, tha ai. “Përgatiteni veten tuaj fizikisht, mendërisht, shoqërisht dhe shpirtërisht.”3 Ai i nxiti prindërit t’i udhëzonin bijtë e tyre në këtë përgatitje. Ai gjithashtu i këshilloi motrat e reja dhe anëtarët e moshuar të Kishës që ta merrnin parasysh me seriozitet shërbimin kohëplotë si misionarë. Dhe i këshilloi të gjithë anëtarët e Kishës ta ndajnë ungjillin me fqinjët e tyre.

Presidenti Tomas S. Monson tregoi për një kohë kur dashuria e Presidentit Benson për punë misionare frymëzoi një misionar të ardhshëm: “Një të premte, ai dhe Motra Benson ndoqën praktikën e tyre të zakonshme për të marrë pjesë në një sesion në Tempullin Xhordan Rivër. Ndërsa ishin atje, një djalë i ri iu afrua Presidentit Benson dhe e përshëndeti atë me gëzim në zemër e i shpalli se ai ishte thirrur për të përmbushur një mision kohëplotë. Presidenti Benson e kapi misionarin e sapothirrur përdore dhe, me një buzëqeshje në buzë, shpalli: ‘Më merr me vete! Më merr me vete!’ Ai misionar dëshmoi se, në një mënyrë, ai e mori Presidentin Benson me vete në misionin e tij, përderisa kjo përshëndetje tregoi dashurinë duruese të Presidentit Benson, përkushtimin e tij ndaj punës misionare dhe dëshirën e tij për t’u ndodhur përherë në shërbimin e Zotit.”4

Dashuria për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor ishte në thelb të përkushtimit të Presidentit Benson për ndarjen e ungjillit: “Fëmijët e Atit tonë kanë nevojë për ungjillin. … Unë e di se Zoti i do ata dhe, si shërbëtori i tij i përulur, kam dashuri në zemrën time për miliona njerëz që gëlojnë në këtë botë.”5 Duke menduar për fuqinë e dashurisë së Shpëtimtarit, ai dëshmoi: “Bekimet tona shumëfishohen kur ne e ndajmë dashurinë e tij me të afërmin tonë”.6

Nga një jetë e tërë me pjesëmarrje në punë misionare dhe nxitjes së bashkëshenjtorëve të tij për të bërë të njëjtën gjë, Presidenti Benson mundi të pohonte: “E kam shijuar gëzimin e punës misionare. Nuk ka asnjë punë në të gjithë botën që mund t’i sjellë një individi gëzim dhe lumturi më të madhe.”7

Two elder missionaries walking down a city sidewalk in Sao Paulo, Brazil.  There are buildings in the background.

“Me dëshirë ne japim nga koha jonë dhe zotërimet tona, me të cilat [Zoti] mund të na bekojë, për ngritjen e kishës së tij në tokë.”

Mësime të Ezra Taft Benson

1

Bota është e uritur për fenë e vërtetë dhe ne e kemi atë.

Pas shfaqjes hyjnore të Perëndisë, Atit, dhe të Birit Jezu Krisht Jozef Smithit, duket se përgjegjësia fillestare e madhe, e vendosur mbi Kishën e rivendosur, ishte që t’ia çonin ungjillin botës – të gjithë fëmijëve të Atit tonë.

Ka qenë me të vërtetë një dramë e madhërishme, e një rëndësie të jashtëzakonshme – një dramë sakrifikimi, gëzimi, vështirësie, kuraje dhe, mbi të gjitha, dashurie për bashkëqeniet. Askund mbi faqen e tokës nuk do të gjeni një dramë njerëzore që të barazohet me të. Po, ka kushtuar gjak, djersë dhe lot për ta çuar përpara këtë punë dashurie. Dhe përse e kemi bërë atë? Ngaqë Perëndia i qiellit e ka urdhëruar atë; ngaqë ai i do fëmijët e tij dhe është vullneti i tij që miliona njerëz që gëlojnë në tokë vërtet do të kenë mundësi për t’i dëgjuar dhe, me vullnetin e tyre të lirë, për t’i pranuar e jetuar parimet e lavdishme të shpëtimit dhe ekzaltimit të ungjillit të Jezu Krishtit.8

Është bindja ime që botës i nevojitet, siç nuk i nevojitet asgjë tjetër, ungjilli i Jezu Krishtit dhe njerëzit e botës dëshirojnë atë që ungjilli do të japë, por nuk e kuptojnë atë. Ata e dëshirojnë spirancën që siguron ungjilli, e cila u jep atyre përgjigjet e problemeve që u vihen përballë; ajo u jep atyre një ndjenjë sigurie dhe një ndjenjë paqeje të brendshme. Ungjilli është e vetmja përgjigje ndaj problemeve të botës, vëllezërit dhe motrat e mia.9

Vetëm ungjilli do ta shpëtojë botën nga fatkeqësia e vetëshkatërrimit të saj. Vetëm ungjilli do t’i bashkojë njerëzit e të gjitha racave dhe kombësive në paqe. Vetëm ungjilli do t’i sjellë gëzim, lumturi dhe shpëtim familjes njerëzore.10

Bota është e uritur për fenë e vërtetë dhe ne e kemi atë.11

Ky është mesazhi i lavdishëm që ne dëshirojmë ta ndajmë me botën, se nëpërmjet Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, është rivendosur mbretëria e Perëndisë. Ai është mesazhi më i madh që nga ringjallja e Jezu Krishtit.12

Ne e pranojmë me përulësi, me mirënjohje, këtë përgjegjësi madhore të vendosur mbi Kishën. Ne jemi të lumtur të përfshihemi në një bashkëpunim me Atin tonë Qiellor në punën e madhërishme për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të tij. Me dëshirë ne japim nga koha jonë dhe zotërimet tona, me të cilat ai mund të na bekojë, për ngritjen e kishës së tij në tokë. Kjo, e dimë është detyra jonë parësore dhe mundësia jonë më e madhe. Ky shpirt e ka karakterizuar punën misionare të Kishës së Jezu Krishtit në të gjitha epokat. Ai ka qenë një shenjë e jashtëzakonshme e fillimit të periudhës ungjillore të plotësisë së kohërave – kohës tonë. Kudo ku do të gjenden shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme, ekziston ky shpirt i sakrifikimit vetëmohues për kauzën më të madhërishme në mbarë tokën.13

Ne kemi një mision të madhërishëm. Ne duhet të përgatitemi, si të rinj edhe të moshuar. Ne duhet të qëndrojmë si maja mes kombeve, të vërtetë ndaj parimeve të drejtësisë.14

2

Ne të gjithë mund të jemi misionarë, sido qofshin rrethanat tona ose gjendja jonë në jetë.

Si anëtarë të Kishës së Zotit, ne duhet ta marrim punën misionare seriozisht. Nëse po punoni siç duhet, nëse e doni këtë punë, ju do të jeni duke ndihmuar për t’i shpëtuar shpirtrat e fëmijëve të njerëzve.15

Jo vetëm që përhapja e ungjillit duhet të shihet si një detyrë e priftërisë, por ne duhet që të gjithë ta hedhim vështrimin përpara drejt kësaj përvoje me gëzim të madh dhe ta presim me padurim. Qëllimi i vërtetë i ndarjes së ungjillit është të sjellim shpirtra te Krishti, t’i mësojmë dhe pagëzojmë fëmijët e Atit tonë Qiellor që ne të mund të gëzohemi me ta (shih DeB 18:15) në mbretërinë e Atit tonë.16

Ne të gjithë e kemi të përbashkët këtë përgjegjësi të madhe. Nuk mund ta shmangim dot atë. Asnjë burrë ose grua të mos mendojë se për shkak të vendit ku jetojmë, apo për shkak të vendit në shoqëri, ose për shkak të profesionit apo gjendjes sonë, ne përjashtohemi nga kjo përgjegjësi.17

Të rinjtë dhe të rejat

Ne shpresojmë që çdo i ri ka plane për të qenë një lajmëtar për Zotin.18

Si e zhvilloni te djemtë një dëshirë të madhe për të shërbyer? Ju nuk prisni … t’i ndihmoni ata që të vendosin për të shërbyer një mision. Ju i ndihmoni ata të vendosin për të shkuar kur janë nëntë, dhjetë ose njëmbëdhjetë vjeç! Shtëpia është vendi ku hidhet fara për përgatitjen e djemve të rinj. Dhe çdo i ri duhet të përgatitet në shtëpinë e tij për të shërbyer.

Përgatitja e hershme përbëhet nga të mësuarit e një të riu për mënyrën si të lutet, leximi atij i historive nga Libri i Mormonit dhe nga shkrime të tjera të shenjta, mbajtja e mbrëmjeve të shtëpisë dhe caktimi atij i një pjese të mësimit [për ta dhënë mësim], të mësuarit atij mbi parimet e pastërtisë morale, krijimi i një llogarie kursimesh për misionin e tij të ardhshëm, të mësuarit atij se si të punojë dhe të siguruarit e mundësive për t’u shërbyer të tjerëve.19

Ne dëshirojmë djem të rinj që hyjnë në fushën e misionit, të cilët mund të hyjnë në fushën e misionit “me ngutje”, të cilët kanë besim të krijuar nga drejtësia vetjake dhe të jetuarit e pastër, që ata të mund të kenë një mision të madhërishëm dhe frytdhënës.20

Zoti dëshiron që çdo i ri të shërbejë një mision kohëplotë. … Një i ri nuk mund të bëjë asgjë më të rëndësishme. Shkolla mund të presë. Bursat mund të shtyhen. Qëllimet profesionale mund të shtyhen. Po, edhe martesat në tempull duhet të presin deri pasi një i ri të ketë shërbyer në një mision kohëplotë të nderuar për Zotin.

… Të rejat … gjithashtu mund të kenë mundësi për të shërbyer në një mision kohëplotë. Jam mirënjohës që shoqja ime e përjetshme shërbeu në një mision në Havai përpara se të martoheshim në Tempullin e Sollt Lejkut dhe gëzohem që kam pasur tri mbesa që shërbyen në misione kohëplota. Disa nga misionarët tanë më të mirë janë motrat e reja.21

Misionarët e moshuar

Ne na duhen numra më të mëdhenjt të misionarëve të moshuar në shërbimin misionar.22

Shumë çifte të moshuara mund të shërbejnë misione. Duke e bërë këtë, ata do të mësojnë se një mision i bekon fëmijët e tyre, nipërit e mbesat e tyre dhe stërnipërit e stërmbesat e tyre në një mënyrë që nuk do të bëhej përndryshe. Do të japin një shembull të madh për pasardhësit e tyre.23

Shumë çifte mund të dëshmojnë se shërbimi i tyre misionar ishte mes kohëve me të lumtura së bashku, sepse ata iu përkushtuan tërësisht një qëllimi të vetëm – punës misionare.24

Anëtarët misionarë

Ne duhet të theksojmë nevojën për më shumë punë misionare nga anëtarët. Përvoja ka vërtetuar se kjo është puna më frytdhënëse misionare. Puna misionare e anëtarëve është një nga kyçet e mëdha të rritjes vetjake për anëtarët tanë. Është bindja ime se puna misionare e anëtarëve do ta rrisë ndjesinë shpirtërore në cilëndo lagje ku vihet në jetë.25

A woman giving another woman a Book of Mormon.

“Zoti pret që ne të jemi misionarë.”

Sa kohë ka kaluar që kur e keni ftuar një fqinj në mbledhjen e sakramentit ose në një konferencë kunji, të vijë në shtëpinë tuaj për një mbrëmje familjare? Sa kohë ka kaluar që kur e keni pasur një bisedë të vërtetë për ungjillin? Këto janë përvoja të zgjedhura.26

Zoti do t’i mbështetë anëtarët në përgjegjësinë e tyre misionare, në qoftë se ata thjesht kanë besimin që të përpiqen.27

Është koha për ta ngritur vështrimin tonë, për të pasur një tablo të rëndësisë së kësaj pune të madhërishme. Zoti e pret atë prej nesh. Nuk është e mjaftueshme që thjesht të jemi anëtarë në Kishë dhe të shkojmë në mbledhjen e sakramentit, të paguajmë të dhjetën, të mbështetim programin e mirëqenies. Këto të gjitha janë të mira – por kjo nuk është e mjaftueshme. Zoti pret nga ne që të jemi misionarë, ta jetojmë ungjillin – po, tërësisht, dhe të ndihmojmë për ta ndërtuar mbretërinë e Tij.28

3

Libri i Mormonit është standardi më i madh që duhet të përdorim në punën tonë misionare.

Libri i Mormonit është si për anëtarët dhe për joanëtarët. I ndërthurur me Shpirtin e Zotit, Libri i Mormonit është mjeti më i madhërishëm të cilën na e ka dhënë Perëndia për ta kthyer botën në besim. Nëse do të kemi korrjen e shpirtrave, ne duhet të përdorim instrumentin që Perëndia e ka caktuar për detyrën – Librin e Mormonit.

Dhe leximi i Librit të Mormonit është një nga bindësit më të mëdhenj për të na çuar në misione. Ne kemi nevojë për më shumë misionarë. Por gjithashtu kemi nevojë për misionarë të përgatitur më mirë, të ardhur nga lagjet, degët dhe shtëpitë ku ata e dinë dhe e duan Librin e Mormonit. Ne kemi nevojë për misionarë që kanë një dëshmi të zjarrtë për natyrën e tij hyjnore [librit] dhe që, me anë të Shpirtit, mund t’i nxiint kërkuesit e tyre për t’i lexuar dhe përsiatur faqet e tij, duke e ditur me siguri të plotë se Zoti do t’ua shfaqë atyre të vërtetën e tij [librit] me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Neve na duhen misionarë të cilët i përshtaten mesazhit tonë.29

Libri i Mormonit është standardi më i madh që duhet të përdorim në punën tonë misionare. Ai tregon se Jozef Smithi ishte një profet. Ai përmban fjalët e Krishtit dhe misioni i tij i madhërishëm është t’i sjellë njerëzit te Krishti. Të gjitha gjërat e tjera janë dytësore. Pyetja e artë e Librit të Mormonit është “A doni të mësoni më shumë për Krishtin?” Libri i Mormonit është gjetësi i madh i kontaktit të artë. Ai nuk përmban gjëra që janë “të kënaqshme për botën” dhe kështu njerëzit e dhënë pas botës nuk kanë interesim për të. Ai është një shoshitës i shkëlqyer. (Shih 1 Nefi 6:5.)

Ka një ndryshim midis një të kthyeri në besim i cili ngrihet mbi shkëmbin e Krishtit nëpërmjet Librit të Mormonit dhe mbahet fort te shufra e hekurt, dhe atij që nuk [është] i tillë.30

Nuk duhet të harrojmë se Zoti Vetë e dha Librin e Mormonit si dëshmitarin e Tij kryesor. Libri i Mormonit është ende mjeti më i fuqishëm misionar. Le ta përdorim atë.31

4

Që të jemi të suksesshëm në punën misionare, ne duhet të marrim Shpirtin, të fitojmë përulësi, t’i duam njerëzit dhe të punojmë me zell.

Misionarët nganjëherë pyesin: “Si mund të jem i suksesshëm? Si bëhet një njeri i efektshëm në punën misionare?” Këtu janë katër çelësa të provuar për punën e suksesshme misionare si për misionarët, ashtu edhe për anëtarët.

Së pari, përpiquni të fitoni Shpirtin.

Që të jemi të suksesshëm, ne duhet të kemi Shpirtin e Zotit. Na është mësuar se Shpirti nuk do të banojë në tabernakuj të papastër. Si rrjedhim, një nga përparësitë tona më parësore është të sigurohemi që jeta jonë personale është në rregull. Zoti shpalli: “Jini të pastër që të mbani enët e Zotit”. (Doktrina e Besëlidhje 38:42.)

Shpëtimtari na ka dhënë ligjin e Tij rreth mësimdhënies së ungjillit të Tij: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim”. (Doktrina e Besëlidhje 42:14.)32

Nëse ka një mesazh që ua kam përsëritur vëllezërve të mi Të Dymbëdhjetëve, ai është se është Shpirti që është i rëndësishëm. Është Shpirti që ka rëndësi. Nuk e di sa shpesh e kam thënë këtë, por kurrë nuk lodhem duke e thënë atë – është Shpirti që ka rëndësi më shumë.33

Së dyti, fitoni përulësi.

Zoti ka thënë se askush nuk mund të ndihmojë me këtë punë, në qoftë se ai nuk është i përulur dhe plot me dashuri. (Shih Doktrina e Besëlidhje 12:8.) Por përulësia nuk do të thotë dobësi. Nuk do të thotë druajtje; nuk do të thotë frikë. [Ne] mund të jemi të përulur dhe gjithashtu të pafrikësuar. [Ne] mund të jemi të përulur dhe gjithashtu plot kurajë. Përulësia është njohja e varësisë sonë nga një fuqi më e lartë, nga një nevojë e vazhdueshme për mbështetjen e Zotit në punën e Tij.34

Ne nuk mund ta bëjmë këtë punë të vetëm. Kjo është puna e Tij. Ky është ungjilli i Tij. Ne duhet të kemi ndihmën e Tij. Lutuni për të, jetoni për të, derdhjani shpirtin tuaj Zotit për ta marrë atë.35

Së treti, duajini njerëzit.

Ju duhet të zhvilloni dashuri për njerëzit. Zemrat tona duhet të shkojnë tek ata në dashurinë e pastër të ungjillit, me një dëshirë për t’i ngritur ata, për t’i lartësuar ata, për t’i drejtuar ata tek një jetë më e lartë, më e mirë dhe më së fundi drejt ekzaltimit në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. Ne theksojmë cilësitë e mira të njerëzve me të cilët shoqërohemi dhe i duam ata si fëmijë të Perëndisë, të cilët Zoti i do. …

Ne nuk do të jemi kurrë të efektshëm deri sa të mësojmë që të kemi simpati për të gjithë fëmijët e Atit tonë – deri sa të mësojmë t’i duam ata. Njerëzit mund ta ndiejnë kur dashuria u zgjatet atyre. Shumë njerëz kanë etje për të. Kur ne shprehim dhimbsuri për ndjenjat e tyre, ata do të na e kthejnë atë vullnet të mirë po njësoj. Ne vërtet do të kemi bërë një mik.36

Ne … kemi një detyrim të madh për t’i dashur të afërmit tanë. Ky është i dyti prej dy urdhërimeve të mëdha. Shumë prej fqinjëve tanë nuk janë ende anëtarë të Kishës. Ne duhet të jemi fqinjë të mirë. Ne duhet t’i duam të gjithë fëmijët e Atit tonë dhe të shoqërohemi me ta.

Sa lutem që ne vërtet do të mbushemi me dashurinë e Perëndisë për bashkëqeniet tona!37

Së katërti, punoni me zell.

Nëse duam që ta mbajmë Shpirtin, ne duhet të punojmë. Nuk ka gëzim ose kënaqësi më të lartë sesa të dimë, pas një dite të vështirë pune, se kemi bërë më të mirën që mundemi.

Një nga të fshehtat më të mëdha të punës misionare është puna. Nëse një misionar punon, ai do ta marrë Shpirtin; nëse e merr Shpirtin, ai do të japë mësim me anë të Shpirtit; nëse jep mësim me anë të Shpirtit, ai do t’i prekë zemrat e njerëzve dhe do të jetë i lumtur. … Punë, punë, punë – nuk ka asnjë zëvendësues të kënaqshëm, veçanërisht në punën misionare.38

Unë e di se Perëndia jeton. Kjo është puna e Tij. Ai përsëri ka folur nga qiejt me një mesazh për mbarë botën; jo vetëm për një grusht shenjtorësh të ditëve të mëvonshme, por për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, si brenda dhe jashtë Kishës. Perëndia na dhëntë forcë për t’ia çuar atë mesazh botës, për ta jetuar Ungjillin, për t’i mbajtur standardet e Kishës, që ne të mund të cilësohemi për bekimet e premtuara.39

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse i nevojitet ungjilli botës “siç nuk i nevojitet asgjë tjetër”? (Për disa shembuj, shih pjesën 1.) Cilat janë disa të vërteta të rivendosura që ju besoni se “bota është e uritur” për to?

  • Ndërkohë që rishikoni pjesën 2, merrni parasysh këshillën që zbatohet për ju dhe për familjen tuaj. Në çfarë mënyrash secili prej nesh, pavarësisht nga rrethanat tona, mund ta ndajë ungjillin? Çfarë mund të bëjmë që të përgatitemi për shërbim misionar kohëplotë? Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë të tjerët të përgatiten për shërbim misionar kohëplotë?

  • Presidenti Benson tha se Libri i Mormonit është “mjeti më i madhërishëm të cilin na e ka dhënë Perëndia për ta kthyer botën në besim” (pjesa 3). Kur i keni parë njerëzit të bëhen të kthyer në besim nëpërmjet një studimi të Librit të Mormonit? Në cilat mënyra mund t’i përmirësojmë përpjekjet tona për ta ndarë Librin e Mormonit?

  • Presidenti Benson tregoi për “katër çelësa të vërtetuar për punën e suksesshme misionare” (pjesa 4). Përse mendoni se këta çelësa çojnë drejt suksesit në punën misionare? Çfarë shembujsh keni parë të njerëzve duke i ndjekur këto parime?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Marku 16:15; 1 Timoteut 4:12; Alma 17:2–3; 26:1–16; DeB 4; 12:7–9; 15:4–6; 88:81; 123:12–17

Ndihmë për Studimin

“Tregojuani të tjerëve atë që mësoni. Ndërsa e bëni këtë, mendimet tuaja do të bëhen më të qarta dhe fuqia juaj e ruajtjes do të rritet” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 17).

Shënime

  1. “Our Responsibility to Share the Gospel”, Ensign, maj 1985, f. 8.

  2. Në Conference Report, prill 1961, f. 112–113.

  3. “Preparing Yourselves for Missionary Service”, Ensign, maj 1985, f. 37.

  4. Tomas S. Monson, “God Be with You Till We Meet Again”, Ensign, nëntor 1990, f. 87.

  5. Në Conference Report, prill 1970, f. 129.

  6. “Life Is Eternal”, Ensign, qershor 1971, f. 34.

  7. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 213.

  8. Në Conference Report, prill 1970, f. 128.

  9. Në Conference Report, prill 1961, f. 113.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 188.

  11. Në Conference Report, prill 1955, f. 49.

  12. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 110.

  13. God, Family, Country: Our Three Great Loyalties (1974), f. 49–50.

  14. Në Conference Report, tetor 1950, f. 147.

  15. “Of the Most Worth”, New Era, qershor 1989, f. 4.

  16. “Of the Most Worth”, f. 6.

  17. “Our Responsibility to Share the Gospel”, f. 8.

  18. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 189.

  19. “Our Responsibility to Share the Gospel”, f. 7.

  20. “To the ‘Youth of the Noble Birthright’”, Ensign, maj 1986, f. 45.

  21. “To the Young Women of the Church”, Ensign, nëntor 1986, f. 83.

  22. “To the Elderly in the Church”, Ensign, nëntor 1989, f. 5.

  23. “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 78.

  24. “Our Responsibility to Share the Gospel”, f. 8.

  25. The Teachings of Ezra Taft Benson f. 208–209.

  26. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 210.

  27. “Of the Most Worth”, f. 4–6.

  28. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 211.

  29. “Of the Most Worth”, f. 6.

  30. The Teachings of Ezra Taft Benson f. 203–204.

  31. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 204.

  32. Come unto Christ (1983), f. 91–92.

  33. Seminar për Presidentët e Rinj të Misioneve, 3 prill 1985.

  34. Come unto Christ, f. 94.

  35. “Principles for Performing Miracles in Missionary Work”, seminar për presidentët e rinj të misioneve, 21 qershor 1988.

  36. Come unto Christ, f. 96.

  37. “Our Responsibility to Share the Gospel”, f. 8.

  38. Come unto Christ, f. 96, 97.

  39. Në Conference Report, tetor 1943, f. 21.