Mësime të Presidentëve
Kapitulli 4: Të Jetuarit Gëzueshëm në Kohë të Trazuara


Kapitulli 4

Të Jetuarit Gëzueshëm në Kohë të Trazuara

“Lumturia këtu dhe tani është te njohja lirisht, me dashuri, me gëzim e vullnetit të Perëndisë për ne – dhe bërja e tij me të gjitha mënyrat dhe të gjitha punët të mëdha e të vogla.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Një nga detyrat e hershme të Presidentit Ezra Taft Benson si Apostull ishte të ndihmonte në sjelljen e ndihmave te shenjtorët në Europë pas Luftës II Botërore. Ndërsa udhëtonte në Gjermani, ai takoi njerëz besnikë që ishin në gjendje të ngriheshin pavarësisht shkatërrimit rreth tyre. Ai shënoi në ditarin e tij:

“Shkatërrimi më i keq që kam dëshmuar u pa sot. … Ndërsa ngitja makinën nëpër rrugët [e Berlinit] dhe ecja përmes disa të tjerave të pakalueshme nga makina, unë … pashë gra gjysmë të vdekura urie, që paguanin me ankth çmime të tepruara për lëkura patatesh. … Unë shihja burra e gra të moshuara me latore të vogla që gërryenin me padurim trungje e rrënjë pemësh në përpjekje për të bërë shkarpa zjarri dhe pastaj duke i tërhequr për t’i çuar në shtëpi për kilometra mbi gjithçka rrëshqitëse – nga dyrrotëshe të vogla të një karroce të dikurshme fëmije deri te karro të vogla – si kafshë ngarkese.

Më vonë, në një sallë të ftohtë gjysmë të shkatërruar në katin e tretë, jo larg një rruge të bombarduar, u gjenda përpara 480 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, pa ushqime por besnikë, në një mbledhje konference. Ishte frymëzim të shihje dritën e besimit. … Nuk kishte zemërim apo inat por komunikim të ëmbël dhe shprehje besimi tek ungjilli.”1

Asnjë anëtar nuk regjistroi ndonjë ankesë për rrethanat e veta, me gjithë faktin se disa ishin aty përpara syve tanë në fazën e kulmit të urisë.

… Shenjtorët tanë … janë plot shpresë, kurajë dhe besim, dhe kudo ata shohin përpara gëzueshëm me shprehje të besimit më të thellë për ungjillin dhe për anëtarësinë e tyre në Kishë. Ishte një nga shfaqjet më madhështore që kemi parë ndonjëherë të fryteve reale të ungjillit në jetën e burrave dhe të grave”.2

Presidenti Benson pa gjithashtu shembuj të shpresës dhe optimizmit pranë shtëpisë, kur shumë nga shokët e tij fermerë qëndronin gazmorë edhe kur hasnin vështirësi të mëdha. Ai tha:

“Më kujtohet pjesëmarrja në një mbledhje pranë Bankroftit në Ajdaho. … Ne patëm një mbledhje të mrekullueshme dhe pasi ajo mbaroi, unë po përshëndetja disa nga fermerët e mrekullueshëm që ishin atje, dhe midis tyre ishte një burrë që quhej vëllai Jost, dhe i thashë: ‘Vëlla Jost, si po ecin gjërat në fermë?’ Vëllai Jost tha: ‘O, gjërat janë për mrekulli, Vëlla Benson, por unë kam 20 mijë dollarë më pak sesa kisha tri ditë përpara’. Unë i thashë: ‘Si është puna – ngricë tjetër?’ Ai tha: ‘Po, e goditi grurin pikërisht në fazën para pjekjes dhe ju e dini çdo të thotë kjo’. Ai tha: ‘Ne po fillojmë të përdorim makinat kositëse në mëngjes, por çdo gjë është në rregull. Ne kemi ende pak grurë në hambar dhe kemi vënë mënjanë të paktën një pjesë nga furnizimi ynë vjetor. Ne nuk do të vdesim urie dhe do të ketë një korrje tjetër.’ Ndërsa u ndamë, unë i thashë bashkëshortes sime: ‘Çfarë shpirti i mrekullueshëm’!

Ne ecëm me makinë për në Logan [një qytet në Juta, rreth 130 kilometra nga Bankrofti]. I kishim fëmijët tanë me vete dhe ndaluam në Mein Strit për t’u futur në një dyqan ushqimesh për të marrë disa ëmbëlsira për kalamajtë. Dhe kë mund të takoja tjetër në trotuar përveç vëllait Jost. I thashë: ‘Mirë, po ç’po bën kaq larg këtej?’ Ai tha: ‘Vëllai Benson, është dita jonë për të shkuar në tempull’. Dhe unë i thashë: ‘Epo, humbjet nuk i dobësojnë shpirtrat tuaj, apo jo?’ Atëherë ai më dha një mësim. Ai tha: ‘Vëlla Benson, kur vijnë humbjet ne kemi nevojë edhe më shumë për tempullin’.”3

Përgjigjet e vetë Presidentit Benson ndaj fatkeqësive i ngrinin moralisht ata që e njihnin, ashtu siç e forconte atë shembulli i shenjtorëve të tjerë. Plaku Nill A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkroi Presidentin Benson si një “vrojtues të vëmendshëm të ngjarjeve, [i cili] ruan një optimizëm dhe gazmend që do të bënim mirë t’i vërenim. Një optimizëm i tillë”, tha Plaku Maksuell, “nuk vjen nga shpërfillja e ngjarjeve përreth tij, por nga vërejtja e këtyre dhe madje vështrimi përtej vetes për te premtimet që lidhen me atë se si mbretëria më në fund do të ngadhënjejë”.4

President Ezra Taft Benson standing next to Thomas S. Monson at the podium at his 90th Birthday Fireside, 1989.

Presidenti Ezra Taft Benson dha shembullin e të jetuarit gëzueshëm.

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Me besim tek Ati ynë Qiellor, ne mund të kemi shpresë për të ardhmen, optimizëm në detyrat tona të tashme dhe paqe të brendshme.

Ne të gjithë do të kemi zhgënjime dhe shkurajime – që është pjesë e jetës. Por nëse do të kemi besim, humbjet tona do të jenë vetëm një çast dhe suksesi do të vijë nga dështimet tona në dukje. Ati ynë Qiellor mund të realizojë mrekulli nëpërmjet secilit prej nesh nëse thjesht do të vëmë besimin dhe sigurinë tonë tek Ai.5

Është një bekim i madh të kesh paqe të brendshme, të kesh siguri, të kesh një shpirt qartësie dhe qetësi të brendshme gjatë kohëve të grindjes dhe mundimit, gjatë kohëve të hidhërimit dhe dështimeve. Është kënaqësi shpirtërore të dish se Perëndia është në drejtim, se Ai është i vëmendshëm ndaj fëmijëve të Tij dhe se ne me siguri të plotë mund ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai.6

Lutja – lutja ngulmuese – mund të na mbajë në lidhje me Perëndinë, burimin tonë më të madh të qetësisë dhe këshillimit. “Lutu gjithmonë që të mund të dalësh fitues.” (DeB 10:5.) “Duke i ushtruar të gjitha fuqitë e mia për t’i thirrur Perëndisë që të më çlironte” është mënyra si e përshkruan i riu Jozef Smith metodën që përdori në Korijen e Shenjtë për të mos e lejuar kundërshtarin që ta shkatërronte. (JS–H 1:16.)7

Pa besim tek Ati ynë Qiellor, ne nuk mund të jemi të suksesshëm. Besimi na jep largpamësi për çka mund të ndodhë, shpresë për të ardhmen dhe optimizëm në detyrat tona të tanishme. Atje ku është besimi, ne nuk dyshojmë për suksesin përfundimtar të punës.8

Nga të gjithë njerëzit, ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme duhet të jemi me optimizmin më të madh dhe pesimizmin më të vogël. Pasi edhe pse e dimë se “paqja do të merret nga toka dhe djalli do të ketë pushtet mbi sundimin e tij”, ne jemi siguruar gjithashtu se “Zoti do të ketë pushtet mbi shenjtorët e tij dhe do të mbretërojë mes tyre”. (DeB 1:35–36.)

Me sigurinë se Kisha do të qëndrojë në rregull me Perëndinë që e drejton atë përpara nëpër kohë të turbullta, atëherë bëhet përgjegjësia jonë individuale për të parë që secili prej nesh të qëndrojë besnik ndaj Kishës dhe mësimeve të saj. “Por ai që do të ngulmojë dhe nuk mposhtet, do të shpëtohet.” (JS – Mateu 1:11.)9

2

Lumturia duhet të fitohet nga dita në ditë, por ia vlen përpjekja.

Ne vërtet nuk kemi shkak për t’u shqetësuar. Jetojeni ungjillin, mbajini urdhërimet. Merrni pjesë në lutjet e tuaja në mbrëmje dhe në mëngjes në shtëpi. Mbajini standardet e Kishës. Përpiquni të jetoni qetë dhe gëzueshëm. … Lumturia duhet të fitohet nga dita në ditë. Por ia vlen përpjekja.10

Kur Xhorxh A. Smith ishte shumë sëmurë, u vizitua nga kushëriri i tij, Profeti Jozef Smith. Burri i sëmurë tregoi: “Ai [Profeti] më tha se unë kurrë nuk duhet të humbas kurajën, çfarëdo vështirësish të më rrethojnë. Nëse do të fundosesha në ultësirën më të thellë të Nova Skotias dhe gjithë malet e Roki Mauntins do të bëheshin pirg mbi mua, unë nuk duhej ta humbisja kurajën, por të vazhdoja të duroja, duke ushtruar besim e duke ruajtur kurajën e mirë, dhe unë do të dilja në majë të pirgut.” …

Ka kohëra kur ju thjesht duhet me drejtësi të mbaheni dhe ta kapërceni djallin gjersa shpirti i tij dëshpërues t’ju largohet. Siç Zoti i tregoi Profetit Jozef Smith: “Fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart”. (DeB 121:7–8.)

Të vazhduarit në përpjekje fisnike, madje duke qenë rrethuar nga një re dëshpërimi, do t’ju nxjerrë më në fund në majë në dritën e diellit. Edhe mësuesi ynë Jezusi, Krishti, ndërsa përballte atë sprovë të skajshme të të lënit përkohësisht vetëm nga Ati ynë gjatë kryqëzimit, vazhdoi t’i kryente punët e Tij për fëmijët e njerëzve dhe atëherë, pak pas kësaj, ai u përlëvdua dhe mori plotësinë e gëzimit. Ndërsa po kaloni sprovën tuaj, mund të rikujtoni fitoret tuaja në të kaluarën e të numëroni bekimet që vërtet keni, me shpresë të sigurt për bekime më të mëdha që do të vijnë nëse jeni besnik. Dhe mund ta keni atë njohuri të dhënë se, në kohën e duhur, Perëndia do t’i fshijë gjithë lotët dhe se [ato që] “syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”. (1 Korintasve 2:9.)11

Jini të gëzueshëm në gjithçka që bëni. Jetoni gëzueshëm. Jetoni lumturisht. Jetoni me entuziazëm, duke ditur që Perëndia nuk jeton në trishtim dhe melankoli, por në dritë dhe dashuri.12

A family sitting together in the Brigham Young Historic Park.  They are sitting on white chairs set up for a concert in the park.

“Të jetosh lumturisht është të rritesh në forcë shpirtërore drejt përsosmërisë.”

3

Ati Qiellor do që ne të jemi të lumtur dhe Ai do të na bekojë ndërsa ndjekim vullnetin e Tij për ne.

“Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Ati ynë Qiellor do që ne të jemi të lumtur. Ai pret që ne të jemi të lumtur. Por nuk ka lumturi kur braktisen standardet. Nuk ka lumturi kur ju nuk ia dilni të jetoni sipas bindjeve tuaja, sipas asaj që e dini se është e drejtë. Është aq e lehtë të formosh zakonin e të marrit pak si lehtë të disa gjërave. Është aq e lehtë të formosh zakonin e gjetjes së gabimit, apo kritikës, e mbajtjes në zemër të rezervave lidhur me gjëra të caktuara në Kishë. Është aq e lehtë për ne të bëhemi pak të hidhur dhe pastaj të mësohemi me atë, të bëhemi të zymtë dhe ta kemi fytyrën të zymtë. Një fytyrë e zymtë nuk fiton asnjë betejë në luftë apo dashuri.13

A e kuptojmë se lumturia këtu dhe tani është te njohja lirisht, me dashuri, me gëzim e vullnetit të Perëndisë për ne – dhe bërja e tij me të gjitha mënyrat dhe të gjitha punët e mëdha e të vogla? Të jetosh përsosmërisht është të jetosh i lumtur. Të jetosh lumturisht është të rritesh në forcë shpirtërore drejt përsosmërisë. Çdo veprim i kryer sipas vullnetit të Perëndisë është pjesë e asaj rritjeje. Le të mos e ndajmë me mure jetën tonë. Le ta bashkojmë jetën tonë, duke qenë përbuzës ndaj nderimeve dhe lavdive të rreme që nuk vijnë me miratimin e Perëndisë. Le të kujtojmë se burimi i vërtetë i fuqisë dhe lumturisë sonë është përtej arritjes së njeriut dhe rrethanave.14

Ne duhet të mësojmë dhe të mësojmë përsëri se vetëm nëpërmjet pranimit dhe të jetuarit të ungjillit të dashurisë, siç jepet mësim nga Mësuesi, dhe vetëm përmes bërjes së vullnetit të Tij ne mund t’i thyejmë prangat e padijes dhe të dyshimit që na mbajmë lidhur. Ne duhet ta mësojmë këtë të vërtetë të thjeshtë të lavdishme që të mund të përjetojmë gëzimet e ëmbla të Shpirtit tani dhe përjetësisht. Ne duhet ta humbasim veten në bërjen e vullnetit të Tij. Ne duhet ta vëmë Atë të parin në jetën tonë. Po, bekimet tona shumëfishohen kur e ndajmë dashurinë e Tij me fqinjin tonë.15

“Vëllezër”, tha Pali, “por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,

po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus”. (Filipianëve 3:13–14.)

Lëreni mendjen të mbushet me qëllimin e të qenit si Zoti dhe ju do t’i shkulni mendimet e trishta kur kërkoni me ankth ta njihni Atë dhe të bëni vullnetin e Tij. “Kini në ju po atë ndjenjë”, tha Pali. (Filipianëve 2:5.) “Shihni tek unë në çdo mendim”, tha Jezusi. (DeB 6:36.) Dhe çfarë do të pasojë nëse e bëjmë këtë? “Ti i ruan [mendjes] një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.” (Isaia 26:3.)16

Ne nuk do të jemi kurrë vetëm nëse jetojmë siç duhet, sepse Ati ynë gjithmonë do të jetë me ne për të na bekuar. Ai do që ne të jemi të suksesshëm. Ai do që ne të jemi të lumtur. Ai do që ne t’i arrijmë qëllimet e mira që vendosim. Ai do të bëjë pjesën e Tij nëse ne bëjmë pjesën tonë.17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përse mendoni se besimi në Perëndi na jep “shpresë për të ardhmen dhe optimizëm në detyrat tona të tanishme”? Cilat fjalë këshilluese nga pjesa 1 mund të ndani me dikë që është i etur për paqe të brendshme? Përse do t’i zgjidhnit ato fjalë?

  • Ndërsa e rishikoni pjesën 2, mendoni për një kohë kur keni pasur nevojë “me drejtësi të mbaheni” gjatë fatkeqësisë. Shqyrtoni çfarë keni fituar nga ajo përvojë. Në çfarë mënyrash Zoti na ndihmon kur duam t’i durojmë besnikërisht sprovat?

  • Cilat janë disa përvoja që ju kanë ndihmuar të dini se Ati Qiellor do që ju të jeni të lumtur dhe të suksesshëm? Përse mendoni se “lumturia këtu dhe tani është te … njohja … e vullnetit të Perëndisë për ne”? (Shih pjesën 3.)

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 11:28–30; Gjoni 14:27; 16:33; Galatasve 5:22; Mosia 2:41; Moroni 9:25–26; DeB 101:11–16

Ndihmë për Studimin

“Krijoni një ide të përgjithshme, ose duke i hedhur një sy të shpejtë librit, kapitullit, ose fragmentit ose duke rishikuar krerët e kapitujve. Mundohuni të kuptoni kontekstin ose sfondin e ngjarjes” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 23). Merrni parasysh ta lexoni një kapitull apo fragment më shumë se një herë në mënyrë që ta kuptoni më thellë atë. Ndërsa e bëni këtë, ju mund të zbuloni vështrime të thella.

Shënime

  1. A Labor of Love: The 1946 European Mission of Ezra Taft Benson (1989), f. 64, 65.

  2. A Labor of Love, f. 65.

  3. “Receive All Things with Thankfulness”, New Era, nëntor 1976, f. 7–8.

  4. Neal A. Maxwell, Wherefore, Ye Must Press Forward (1977), f. 69.

  5. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 68.

  6. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 68.

  7. “Do Not Despair”, Ensign, tetor 1986, f. 2.

  8. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 67.

  9. “Do Not Despair”, f. 2.

  10. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 342.

  11. “Do Not Despair”, f. 4–5; thënia nga Jozef Smithi gjendet në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 247.

  12. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 339.

  13. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 361.

  14. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 339.

  15. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 360.

  16. “Do Not Despair”, f. 5.

  17. The Teachings of Ezra Taft Benson, f. 385.